SHIJAKU, KY OAZ FISNIKËRIE, ATDHETARIE DHE HUMANIZMI
Monument për qytetin dhe qytetarët, ngritur në libër nga historiani Nikolla Sudari
Shpreh falënderim dhe mirënjohje ndaj autorit z. Nikolla Sudar, që më bëri të jem pjesë të këtij libri, “Shijaku, ky oaz fisnikërie, atdhetarie dhe humanizmi”. Njëkohësisht falënderim edhe për ftesën që të vij nga Durrësi bashkë me të tjerë durrsakë, dhe të flas në këtë kuvend libri, ku flitet për jetën e një qyteti të vogël, por me histori të madhe, siç është Shijaku.
Në qytetin e tij të lindjes, shijakasit e njohin Nikollën si mësues, por më së shumti si kreator dhe drejtues i Muzeut historik të qytetit, tani së fundi edhe si shkrimtar e publicist, me botimet e tij të shumtë për figura që i kanë dhënë emër vetes dhe Shijakut. Ndërsa mbarë Shqipëria, kështu edhe Durrësi e durrsakët në veçanti, e njohim si historian, shkrimtar dhe përkthyes me vlera, pasi para do kohësh ai solli në mjedisin letrar të këtij qyteti “Nobelistin” Sollzhenicin, i cili tashmë flet shqip, nëpërmjet penës së përkthyesit z. Nikolla Sudari.
_____
Mendimi i shoqërisë është gjithëshka. Po u mbështete aty, kurrë nuk humbet. Pa mbështetjen e tij askush nuk fiton.
Abraham Linkoln.
_______
Me autorin jemi bërë miq që prej gati 40-vjetësh, kur ai drejtonte Muzeun e qytetit të Shijakut, ndërsa unë kërkoja këshilla dhe ndihmë për ngritjen e muzeut të Komunës Katundi i Ri, komunë kufi me Shijakun dhe Durrësin. Vitet nuk e zbehën miqësinë tonë, duke qenë pjesëmarrës në veprimtari të tilla përuruese, njëkohësisht duke mbështetur e vlerësuar krijimtarinë e njëri-tjetrit.
Jam i bindur se brezat do na ndëshkojnë, sepse ndryshimi i sistemit në vitet 90-të shekullit të kaluar, u shoqërua me marrëzinë kolektive të kohës, duke prishur e shkatërruar, veç të tjerave edhe muzeumet, ku rruheshin dokumente dhe objekte me vlerë historike, të grumbulluara me aq mund e vështirësi, tashmë të pazëvendësueshme. Këto qendra të edukimit atdhetar, s’kishte pse prekeshin. Mund të përmirësoheshin, për t’i shërbyer kujtesës historike të fshatit, zonës, krahinës dhe kombit.
Këtë libër unë e quaj një “Monografi kushtuar qytetit Shijak”, si vendlindje e autorit, ku ka kaluar fëmijërinë, rininë, burrërinë dhe një pjesën të moshës së tretë. Monografi, që është dhe mbetet si libër mjaft interesant në formë dhe përmbajtje. Lexuesi, si përherë do t’i vendosë notën e kënaqësisë dhe cilësisë.
Unë e vlerësoj si një pasuri që do t’i mbet këtij qyteti për t’u trashëguar në jetë të jetëve, si një monument i ngritur në letrat shqipe, njëkohësisht nderim dhe pasuri edhe për familjet shijakase, që u përjetësuan në përjetësi. Besoj dhe jam i bindur, se Nikolla është i pari që ndërmerr një botim të tillë për Shijakun, si vazhdim i librit “Copëza jete”, publikuar në vitin 2007. E çmoj lart punën e tij, pasi e di se ç’heq një studiues historie, për t’i dalë në krye punës studimore e shkrimore. Mos harrojmë ankesat që vijnë nga s’e pret. Kështu them nga përvoja ime.
Koha do të dëshmojë, se në të ardhmen mund të dalin të tjerë kokëkrisur, (kështu i qaj unë historianët që hyjnë në sinorët e monografisë), që do të guxojnë të shkruajnë historinë e këtij qyteti të vogël, fare pranë Durrësit të lashtë. Edhe vetë autori thekson: “Nuk kam pretenduar të mbaj monopolin e historisë .......”. Përvoja e ka bindur, se edhe sikur të dojë, nuk e mban dot monopolin, pasi sa e sa shumë gjëra mbeten pa u thënë, pa u prekur, pa u zbuluar nga pluhuri i kohës dhe mëkati i harresës. Vetëm porta e historisë nuk mbyllet kurrë.
Pa përsëritur parafolësit e nderuar, më duhet të them pak, por të vlerësoj shumë kapitullin e III-të, të titulluar “Vazhdimësi”, që përfshin rreth 144 faqe të këtij libri madhor me rreth 362 faqe. Ajo që më bën përshtypje, aq sa libri nuk më lëshonte nga dora, është historia e qytetit e rrëfyer nëpërmjet përshkrimit të jetës dhe veprimtarive të “heronjve”, intelektualë, apo qytetarë të thjeshtë shijakas, të cilët në pjesën dërmuese autori i ka njohur personalisht. Të gjithë, si miq, shokë, kolegë dhe bashkëpunëtorë, përfshirë edhe qytetarë nga komuniteti Boshnjak dhe çamët e Shijakut, me të cilët ka ndarë gëzime dhe trishtime, fitore dhe humbje, etj, etj.
Gjykoj se është forma më e gjetur, më e mirë e përdorur artistikisht, pasi nëpërmjet copëzave të jetës të gjithsecilit, shpaloset e gjithë historia, bukuria dhe pasuria e qyteti, me të mirat e të këqijat, fitoret dhe humbjet, teprimet dhe mangësitë, pse jo edhe dështimet e ndëshkimet, si dukuri që sjell dhe përcjell çdo kohë. Aq e vërtetë është kjo sa çdo lexues, kur të mbyllë faqen e fundit, do t’i kalojnë si në film dokumentar: arsimi, shkolla, shëndetësia, arti dhe piktura, sporti dhe sportistët, kultura, krijimtaria letërsia e poezia, punësimi, lodhja e mundimi, ndërmarrjet ekonomike, varfëria, madje diku-diku edhe zakonet familjare e shoqërore, si mikpritja, bujaria, trimëria, fjala dhe besa, arritjet dhe shpresa, etj, etj. Kështu libri bëhet i ngrohtë, sepse në faqet e tij rrjedh lëng jete, gatuar me brumë të vërtete. Por faqet e jetës kanë edhe heronjtë e vet, që në libër janë të shumtë dhe autori duket sikur bisedon me ata si dikur, duke shëtitur në sheshin e qytetit, në fushën e futbollit, në stendat e muzeut, e më rrallë në kafe pranë lumit Erzen.
“Heronjtë” janë aq të shumtë, sa edhe unë nuk kam si të ndaj disa dhe të lë mënjanë disa të tjerë, ku shumicën e tyre e njoh edhe unë nga afër, pasi më ka lidhur puna. Secili është një copë bote më vete, vendosur në këtë mozaik letrar-historik, si stoli e vyer e qytetarisë shijakase. Kështu po ndalem të them dy falë vetëm për dy prej tyte, për të cilët edhe unë kam shkruar kohë më parë.
Përmend në fillim:
. “Mësuesi i popullit” Sulejman Zalla, i pagëzuar nga populli me emrin e shenjtëruar, “Sulë Shqipja”. Ndërsa unë e vendos në vlerësimin: “Misionar në udhën e dijes”. Gjykoj dhe besoj se nuk ka dekoratë më të bukur dhe më të fisme, kur të pagëzon koha dhe historia. K. Tarelli. Libri. “Misionarë në udhën e dijes”. 2013.
Më korrigjoni nëse e kam gabim, pasi megjithëse jam i kënduar në histori, më dalin vetëm tre personalitete që kanë fituar dhe merituar një emërtim mbarë popullor:
. I pari, rilindasi ynë i shquar, poeti kombëtar “Naim Shqipëria”.
. I dyti, “Gjok Shqiptari”, i masakruar nga forcat antishqiptare rreth 100 e ca viteve të shkuar, përpara se Shqipëria të bëhej shtet.
Dhe i treti Sulë Shqipja, për të cilin kanë shkruar edhe të tjerë, duke lartësuar figurën dhe veprën e tij.
. Sa për njohje, “Sulë Shqipja”, është mësuesi që hapi i pari shkollën shqipe në Ishëm, që është e para shkollë shqipe në Qarkun e Durrësit, pak muaj pas shpalljes së Mëvetësisë së Shqipërisë, më 04, të marsit, 1913. Është një temë e hershme, por të them të drejtën edhe unë çuditem: - Si ka mundësi që ky mësues i nderuar dhe me emër të ndritur në Shijak e fshatrat për-rreth, të nderohet me titullin e lartë “Mësues i popullit”, vetëm në vitin 1994......!?
Personaliteti i dytë që dua të përmend është “Misionar i dijes”, mësuesi Fiqiri Resuli, talent në matematikë dhe fizikë, orator i papërsëritshëm, por me “njollë” në biografi, i cili me guxim e durim të jashtëzakonshëm, mundi të shkollohet e të bëhet mësues. Shëtiti në shumë shkolla të fshatrave të Durrësit, dhe më pas të kërkohet e të emërohet në gjimnazin e Shijakut. Puna dhe zotësia e bëri që të kërkohet në shkolla të ndryshme të vendit, për të vënë në punë laboratorët e fizikës për shkollat e mesme.
Në fund të fjalës sime, po vë në dukje si diçka të veçantë në libër, që më ngacmon ndjesinë dhe kënaqësinë . Më pëlqejnë disa fjali apo fraza që letrarisht thurur bukur, por të ngjeshura mendërisht, që të çojnë drejt mendimit filozofik. Mendime që i shtojnë vlerat librit, të cilat si pa dashje autori i krijon dhe i vendos në fillim të çdo shkrimi, si një trokitje në portën e heroit, për të cilin shkruhet.
Unë po ngutem të citoj vetëm dy-tri, për t’i lënë lexuesit të gjejë të tjera, t’i shënojë e t’i mbajë mend për t’i kujtuar e përmendur në biseda, fjalime e shkrime, kuvende letrare e konferenca shkencore:
. “Jetën e zbukurojnë njerëzit, sidomos ata që me veprat e tyre, e bëjnë atë më të mirë. Ata që nuk kursejnë asgjë për shoqërinë, duke u shndërruar në model mirësie dhe humanizmi për cilindo, për të tashmen dhe për të ardhmen. Faqe 295.
. “Sado që njeriu i jep guxim vetes për të përballuar çdo vështirësi në jetë dhe ia arrin qëllimit, përsëri ai nuk pajtohet më atë që mund jetën...... me vdekjen”. Faqe 284.
. Cilido prej nesh, do të kujtohet për atë që do të lërë prapa, për kontributin në të mirë të atdheut dhe të popullit. Faqe 298.
Këtyre fjalëve të fundit, do t’i shkojnë përshtat këto dy vargje, të thurura kohë më parë:
Mos u mburr për vitet që ke ngrënë,
Shko e trego, veprat që ke lënë.......! Kadri Tarelli. Libri “Koha në vargje”. Poezia. “ Plaku, vapa dhe gushti”.
Dikur mendimtari i njohur Hygo, është shprehur: “Njeriu me vepra e ngre vetë piedestalin, koha i vendos përmendoren”. Ndërsa unë do të shtoja: Artisti, shkrimtari dhe poeti, duke ngritur monument për të tjerët, pa dyshim i ka lënë vend vetes për t’u kujtuar në përjetësi.
Urime dhe mirënjohje miku ynë Nikolla Sudar! Jetë të gjatë dhe shëndet të mirë. Na duhet pena juaj për të krijuar e botuar libra të tjerë me po kaq vlerë qytetarie dhe atdhetarie.
Është e dyta herë që flas në këtë sallë të Akademisë së shkencave të Shqipërisë:
E para, do kohë më parë, kur akademiku i nderuar Kopi Kyçyku bëri përurim të librit kushtuar artistit të Dardanisë Besim Sahatçiu.
Ndërsa tani po flas në përurimin e librit të mikut tonë të nderuar Nikolla Sudari. Që unë po e titulloj: Monument për qytetin dhe qytetarët, ngritur në libër nga historiani Nikolla Sudari.
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës. Fund maji. 2024.
Comments