Kadri Tarelli: Projekt mësimor nga Lindita Gera Rushiti
- Prof Dr Fatmir Terziu
- 7 hours ago
- 6 min read

“Perëndia gjithmonë ka folur shqip. Edhe sikur të gjithë rilindësit t’i helmojnë, Zoti s’do pushojë së foluri Shqip! Çdo fjalë shqipe nuk shitet e nuk blihet për tërë arin e botës, mbasi floriri humbet, kurse gjuha shqipe mbet!”. Papa Kristo Negovani
DËGJONI ZËRIN E FËMIJËVE:
“E duam gjuhën shqipe”
Më 14, të muajit prill, 2025, u ndodha në një veprimtari mësimore, i ftuar në shkollën 9-vjeçare “Abedin Dino”, në zonën e Plazhit në Durrës, ku mësuesja Lindita Gera Rushiti, po realizonte përfundimin e projektit të saj mësimor. Një formë e re pune kualifikuese për mësuesit.
Të pranishëm: drejtore Miranda Mosho, nën drejtoret: Greta Sharkaj, Nevreze Çizmja, unë Kadriu dhe.........: E papritura e parë që ndesha, ishte pjesëmarrja në këtë “festë” të gjuhës shqipe, e zonjush Ermira Selimi, studente në Universitetin e Shkupit, ideatore, nismëtare dhe realizuese e hapjes të “Bibliotekës së librit shqip” në qytetin e Manastirit, qytet simbol i “Alfabetit të gjuhës shqipe”. U takuam si miq të vjetër. Me Ermirën jam njohur që në nëntor të vitit 2023, me rastin e festimit të 115 vjetorit të Kongresit dhe përurimit të bibliotekës, më pas edhe në 2024, në përvjetorin e parë të bibliotekës.
Ky projekt, një orë mësimi model, i ideuar prej kohësh: “Gjuha shqipe, e ëmbël si flladi i verës”, u vu në jetë nga mësuesja Lindita, në bashkëpunim me nxënësit e klasës së 3-a, në kuadër të kualifikimit për të fituar titullin "Mësues Mjeshtër". Një formë pune e zgjedhur nga organet drejtuese të arsimit, për të vlerësuar mësuesin, zotësinë dhe përkushtimin vetjak në dobi të detyrës si “Misionarë të dijes dhe edukimit”, përherë në shërbim të nxënësve, sot të vegjël, nesër qytetarë të zot e të ditur, për t’i shërbyer mëmëdheut dhe kombit.
Si mësues dhe drejtues shkollash, për një kohë të gjatë në arsim, kam kaluar të gjitha hallkat dhe etapat e kualifikimit të më mësuesve, si brenda shkollës ashtu edhe në shkallë komune apo edhe rrethi. Tani që jam në pension, por asnjëherë i shkëputur nga jeta dhe veprimtaria e shkollave, po ndeshem me këtë përvojë të re kualifikimi: orë mësimi “Projekt”. Jam i bindur se format e kësaj pune përherë hanë përplasje mendimesh, por e rëndësishme është pritshmëria, rezultati përfundimtar, që mishërohet te dituritë dhe aftësitë që përfiton nxënësi. Ky është profesioni dhe misioni i çdo mësuesi dhe më tej i çdo shkolle në të gjitha shkallët e saj.

Në këtë udhë mendimi po përqendrohem te kjo veprimtari që më la mbresa, si në formë dhe ca më shumë në përmbajtje: orë mësimi e llogaritur deri në hollësi, për të thënë gjithçka brenda kohës 45 minuta. Pa harruar dekorin e klasës, veshjen “Kuq e zi” të të gjithë nxënësve, vajza e djem, si për t’i prirë temës me theks të thuktë atdhetarie: Gjuha shqipe si bërthama e qenësisë së kombit tonë, për të cilën ne kemi dëshmorë dhe heronj, që ngrihen madhërishëm në historinë e kombit, si Papa Kristo Negovani, Petro Nini Luarasi, Gjok Shqiptari, etj, etj, pa harruar Motrat Qirjazi. Nuk po them diçka të re, por besoj se është e vetmja gjuhë në botë, që mbijetoi ndër shekuj, duke derdhur shumë mund e gjak martirësh. Ndjesë nëse jam gabim, por gjykoj se nuk ka gjuhë në botë që i janë thurur aq shumë vjersha, vargje, poezi, nga poetët më në zë të kombit, këngë e melodi, aq thënie të bukura e me vlerë, për ta dashur e madhështuar gjuhën shqipe, si gjuhë perëndie. Pa u tërhequr nga mendimi im, them: se përsëri po dalin e po ngjallen misionarët që po përpiqen ta mbrojnë e ta përparojnë këtë dhuratë perëndie: Gjuhën shqipe.
Fjalët janë tepër kur lexojmë programin, i cili u shpalos çiltër e saktë nga fëmijët të bukur si drita:
. Historiku i Kongresit të Manastirit.
. Alfabetet që përdoreshin në atë periudhë.
. Unifikimi i alfabetit shqip.
. Informacion për delegatët e Kongresit.
. Poezi për gjuhën shqipe.
. Thënie për gjuhën shqipe.
. Filmat “Udha e shkronjave” dhe “Mësonjëtorja”
. Mesazhi për rëndësinë e gjuhën shqipe nga Ermira Selimi, nismëtare, realizuese e kompletimit dhe hapjes së Bibliotekës në gjuhën shqipe në Manastir.
Grupet e nxënësve merrnin fjalën me radhë, sikush pjesën që kishte përgatitur. Të gjithë si artistë të vërtetë, pa u ngutur dhe pa i prerë fjalën njëri-tjetrit. Nëse pjesët e para kishin karakter historik, me një fjalë të dhëna që vetiu plotësojnë njohuritë dhe kulturën historike, aq të domosdoshme për këtë ngjarje kaq të madhe. Ndryshe nuk mund të vazhdohej më tej, për të arritur në thelbin e qëllimit dhe projektit: Dashurinë për gjuhën dhe nderim për martirët e saj. Pjesët në vazhdim u pasuan me lojë artistike, si recitime vargjesh nga Naimi dhe Fishta, apo thënie të mendimtarëve tanë të ditur e të ndritur, kushtuar gjuhës shqipe.
Ishte zgjedhje e bukur, interpretimi i pjesëzave, shkëputur nga filmat: “Udha e shkronjave” dhe “Mësonjëtorja”. Duhet të jesh pranë fëmijëve dhe të ndjesh nga afër çfarë energjie krijuese kanë ata, sa seriozisht hyjnë në realizimin cilësisht të detyrave të ngarkuara. Mësuesit me përvojë e dinë mirë se puna në grup ka rezultate të pa imagjinueshme, mjafton t’i bindësh se edhe ata janë pjesë e gjithë programit, t’i bindësh për dobinë e punës që marrin përsipër. Këtu qëndron edhe mjeshtëria e mësueses, për t’i bërë të veprojnë së bashku si një skuadër. Kush e mbërrin bindjen, korr suksesin, ashtu si mësuese Lindita.
Ne të pranishmit u mrekulluam jo vetëm për materialin të qëmtuar aq imtësisht në përshtatje me moshën 9-vjeçare të fëmijëve. Ata e jetonin kohën dhe i jepnin jetë rolit që kishin zgjedhur, e ndjeni veten delegatë të Kongresit, poetë, piktorë, filozofë (Fjalë të urta për gjuhën shqipe), pse jo edhe artistë filmash, duke imituar artistët e filmave “Udha e shkronjave dhe “Mësonjëtorja”.
Në fund pak fjalë nga Ermira Selimi, për vlerën kombëtare dhe rëndësinë, pengesat dhe guximin për hapjen dhe mbajtjen e Bibliotekës në “Qytetin e Shkronjave”. Fëmijët dhe ne të pranishmit duartrokitëm kur Ermira njoftoi, se fondi i librit është rritur si rezultat i dhurimit të librave, ku një vend të rëndësishëm patëm edhe nga dhuruesit durrsak. Më tej vazhdoi, se janë rreth 100 fëmijë të moshë 6-9 vjeç, që vijnë rregullisht dhe mësojnë të shkruajnë e të këndojnë në gjuhën shqipe. Këta fëmijë po e zgjojnë historinë, njëkohësisht po zgjojnë ata që flenë, apo ata që s’duan të zgjohen. Në këtë çast po më vijnë ndërmend fjalët e atdhetarit e veprimtarit të njohur Jerasim Qirjazi, që thoshte para 130-vjetësh, si porosi nga Manastiri: - “Do punoj për mëmëdhenë/ gjithë jetën sa të rroj./ Do të zgjoj ata që flenë,/ kështu jetën ta mbaroj”.
Në përfundim mësuesja shpërndau certifikata vlerësimi për grupet e punës dhe për disa nxënës: 1. Grupi historianët e vegjël. 2. Grupi “Delegatët” e Manastirit. 3. Grupi “Mendimtarët ndritur”. 4. Recituesit e vegjël, 5. “Aktorët” e famshëm. 6. Duarartët e vegjël. 7. Antonio Kopaçi, për interpretimin e shkëlqyer në rolin e Dhaskal Todrit. 8. Dajza Bogdani, për shpirtin ngulmues në motivimin e shokëve dhe shoqeve për guxim dhe siguri në shpalosjen e dashurisë për gjuhë, shkollë dhe dije. 9. Roel Duro një libër dhuratë si lexuesi më i mirë i klasës. Këtu u përfshimë edhe ne të ftuarit]: Kadri Tarelli dhe Ermira Selimi.
Veprimtaria u mbyll suksesshëm me duartrokitje nga të gjithë ne të pranishmit, mësues, të ftuar dhe nxënës.
Duke gjykuar nga përvoja dhe duke marrë shkas nga forma, përmbajtja, loja artistike dhe mesazhi atdhetar “Ta duam gjuhën shqipe”, si një dëshirë e zjarrtë fëmijësh, që përcjell kjo veprimtari, mendoj e gjykoj se e vlen që në ditët në vazhdim, drejtoria mund të organizojë një mësim përgjithësues me të gjithë mësuesit e ciklit të ulët, shoqëruar edhe nga nxënësit e tyre. Jo përherë ndeshemi me veprimtari kaq cilësore, që i bëjnë nder shkollës, drejtorisë, mësuesve dhe nxënësve. Talentet zbulohen. Shkolla dhe koha i përgatit për t’u bërë dikushi në jetë
Në mbyllje, një pjesë nga mësuesit u larguan, por çuditërisht fëmijët nuk luajtën nga klasa, madje u rehatuan nëpër vendet e tyre duke u kthyer me fytyrë nga fundi i klasës, me sytë drejtuar pikërisht zonjushes Ermira, si për t’i thënë faleminderit që na bëre ftesë për të vizituar qytetin e Manastirit. Dhe, zonjush Ermira, mjaft e shkathët në fjalë, sidomos me fëmijët, përsëriti: -Në bibliotekë vijnë rreth 100 fëmijë shqiptarë, që mësojnë të shkruajnë e këndojnë në gjuhën shqipe. - Vazhdoi duke renditur plot emra të tyre.....”. Ajo nuk u mjaftua me kaq, por hodhi idenë:
- A kini dëshirë të shkruani letra për moshatarët tuaj në qytetin e Manastirit...?
Kaq u desh me menjëherë mësuese Lindita i pajisi të gjithë me nga një letër përpara dhe nxënësit tanë i qëndisën letrat me fjalë dhe vizatime të thjeshta plot ngjyra. Ndoshta, por unë besoj se letrat janë një ftesë edhe për nxënësit e Manastirit për të vizituar Durrësin tonë të bukur 3000-vjeçar, pse jo edhe për t’u bërë shokë e miq të mirë, si shqiptarë të vërtetë.
Ta duam gjuhën shqipe të shenjtë, si pasuri që na bashkon me njëri tjetrin, duke folur, duke shkruar e kënduar shqip!
Mbase më bukur është shprehur vetë mësueses Lindita, kur thotë:
Shumë dashuri tek ky projekt......!
Dashuri për gjuhën shqipe;
Për punën me përkushtim.
Për fëmijët që ndritën më shumë se yjet,
Për të ftuarit; Për të pranishmit, Për dashamirët.
Urime dhe suksese në veprimtari të tilla të dobishme, për nxënësit, mësuesit, shkollën dhe qytetin tonë!
Kadri Tarelli
Durrës, mes prilli, 2025.
Shënim: Fotografit i punoi mjeshtër Beni. (Beniamin Çyçeku).
Përshëndetje dhe mirënjohje. Publikuat këtë shkrim që i përket shkollës dhe arsimit shqiptar. Tema e përzgjedhur në projekt ishte sa interersante aq edhe e dobishme për nxëxnësit, duke i bërë jehonë dashurisë për gjuhën si elemeti bazë i një kombi,
faleminderit z. Fatmir. Faleminderit "Fjala e lirë"
Miqësisht!
Kadri Tarelli
Durrës.