“Pamja jote do të qartësohet, vetëm atëherë kur të mundesh të shohësh brenda në zemrën tënde. Kush sheh jashtë, ëndërron; kush sheh brenda, zgjohet”. Karl Jung
NË AMERIKË NUK ERDHI DOT TASIMI,
Tani, pa vizë udhëton shkrimi!
Meditim, për një ditë të veçantë të jetës!
Titulli i këtij shkrimi, mbase jo i gjetur bukur letrarisht, bën fjalë për një përpjekje të dështuar, do të thosha të ndërprerë dhunshëm, për të shkuar në Amerikë, kur shoku im i fëmijërisë Tasim Besho ishte ende fëmijë. Nuk mundi atëherë, kur vetiu do të kishte ndryshuar tërësisht jeta e tij. Sot pas rreth 70 vitesh miqësie, me kënaqësi po nis shkrimin, drejt asaj udhe kaq të ëndërruar, por të pa realizuar.
Me Tasimin jemi të dy moshatarë. Rastësisht jeta na bashkoi. Erdhëm në Durrës në të njëjtin vit, 1954, unë nga Devolli, Tasimi nga Çamçria. Ndoqëm të njëjtën shkollë 7-vjeçare “29 Nëntori”. Ishim në një klasë, po ashtu edhe në Gjimnazin “16 Shtatori”, (më pas “Nako Spiru”), në një klasë deri në maturë. Jetonim në lagjen më të mirë të qytetit, pranë detit, hyrjes së Portit, ku kishte një shesh me lule r rrugica të “Pikturuar” mrekullisht, pranë Torrës Veneciane. Banonim shumë afër Bankës, Kishës ortodokse, më tej Katedralja Katolike “Santa Luçia”, Stacioni i trenit, Kantieri detar. Shtëpitë tona fare pranë me njëra-tjetrën, vetëm oborri i gjimnazit tonë na ndante.
Shumë herë bashkë shkonim në studion e skulptorit Sabri Tuçi, bëheshim tërë baltë duke provuar të merreshim me skulpturë, por nuk ngjitëm as te ngjyrat as te balta dhe dalta. Na shanin në shtëpi, por nuk mërziteshim. Rënkonim e qanim kur ktheheshim të gjakosur në gjunjët apo nyjet e këmbëve, të vrara duke mësuar biçikletën te “Balta” pranë Thertores. Plazhi i Currilave ishte vendi i preferuar dhe argëtimi ynë në pushimet e verës, ku notonim, luanim e piqeshim në diell. Sot këto toponime i njohin vetë durrsakët e vjetër, pasi qyteti ka ndryshuar, sidomos zona e portit.
Çuditërisht jeta jonë ishte si një udhëtimi i përbashkët në mundësitë që na afronte qyteti, madje u regjistruam edhe në kursin e mandolinës në Shtëpinë e Pionierit. Tasimi u bë edhe muzikant i mirë, luante bukur jo vetëm në mandolinë e kitarë, por edhe në violinë, duke u bërë pjesë e orkestrës të Shtëpisë Pionierit, më pas edhe të orkestrës e korit të Shkollave të Mesme të qytetit, ndërsa unë u shkëputa, pasi fillova të merrem me sport, në ekipin e gjimnastikës. Çuditërisht u bëmë të dy mësues me arsim të lartë, Tasimi për matematikë, ndërsa unë për histori-gjeografi.
Ai punoi në shkollat e Mesme të Durrësit edhe në fshatrat e rrethit. Kohë më pas, gjatë viteve 1980....1989, krahas mësimdhënies, u përfshi në veprimtari shkencore “Matematika në prodhim”, ku ishte i pari në Shqipëri, që e zbatoi në sektorin e blegtorisë në Hamallaj, pjesë e Fermës së Sukthit. Ishte një punë shkencore që i dha emër, për t’u njohur e vlerësuar jo vetëm në rrethin e Durrësit, por në mbarë vendin. Kjo veprimtari shkencore, nxiti gazetarët të shkruajnë dhe kineastët, të frymëzohen e t’i kushtojnë filmin: “Njeriu i mirë”, që shfaqet e pëlqehet edhe sot.
Mbaj mend se nga organet drejtuese të Rrethit u propozua edhe për dekorim me “Çmimi i republikës”, po si duket çmimi “Humbi udhën”, pasi u bë pis nga “njollat” në biografi. Ndërkohë, si marrëzi e kohës, brigada e lopëve ku u veprua shkencërisht, dekorohet me titullin e lartë, “Heroinë e Punës Socialiste”. Afër fundit të viteve 1988-1990-1991, Tasimi drejtoi “Seksionin shkencor”, të ngritur pranë Komitetit Ekzekutiv të qytetit të Durrësit, (sot Bashkia).
Duke i thënë kështu, duket sikur Tasimin e ka përkëdhelur jeta, kur në të vërtetë ka thyerje apo tronditje të fuqishme, duke filluar me burgim dhe internime familjarisht, për shkak të njollave në biografi, si gozhdë të ngulura në këpucë, që shpojnë sa herë nis udhën e mundimit.
Kur takohemi, shpesh kujtojmë vitet e shkuar, ndaj përpiqem t’i mbush mendjen, se këto copa jete të thyera e të rënduara, që i kujton me kaq hollësi, duke t’u dridhur buza, pse nuk i shkruan.....? Është bukur, kur ua lënë fëmijëve, nipave dhe mbesave, si trashëgimi jete, ku durimi dhe guximi nuk të thyen, madje ngadhënjeve duke u bërë dikush, deri pedagog në Universitetin e Barit në Itali. Nuk janë arritje të pakta, madje duhet thënë, janë mësim për të rinjtë, se asgjë në jetë nuk arrihet lehtë, aq më shumë kur të hedhin gurë, të ngrihen edhe pengesa të papritura, shpesh kërcënuese e me pasoja jete. Nuk e di pse po përton.......!
Rrëfimi i tij nisi, sikur derdhej pelin mbi barin e njomë, zeher i shpirtit mbyllur në enë qelqi, ruajtur e mbërthyer për mos u thyer e kthyer në udhët me gropa e prita të çuditshme, aq sa nuk t’i rrok mendja.
– Nuk e mësojmë dot njëri-tjetrin, - vijon rrëfimin si filozof, miku im Tsimi, - Ditët e veçanta në jetën e njeriut, siç janë, bie fjala, ajo e lindjes, e martesës, etj, etj, kthehen në stacione të përhershme të kujtesës, madje edhe në festa të vërteta, të cilat përkujtohen e gëzohen me familjen e me miqtë.
Normalisht, këtë të drejtë e gëzojnë ditët që lidhen me ngjarje të lumtura të jetës tonë, por në raste të veçanta ndodh, që marrin kuptim të veçantë edhe ditët, të cilat lidhen me ngjarje të vështira e të trishta, ndoshta edhe të hidhura të jetës.
Unë sot kam pikërisht një ditë të tillë. Ndoshta është marrëzi nga ana ime, por më është mbushur mendja, që dhimbjen time që ende më shpon, dua ta ndaj me miqtë dhe lexuesit kudo që ndodhen, si lehtësim nga një brengë e vjetër.....!
Që në nisje të rrëfimit tim, unë duhet ta kisha harruar këtë ditë të mallkuar, por ja që nuk po më lëshon ajo. Njeriu mburret me heroizmin, guximin, durimin, punën, studimin dhe përpjekjet për të jetuar, por jo me varfërinë, si të barabartë në skamje, aq më keq me dhunën, fyerjen, përbuzjen, deri internimin, si formë ekstreme për t’u veçuar nga shoqëria. Megjithatë mbijetuam, por vendin s’e braktisa edhe atëherë kur duhet të isha ndër të parët që duhet të kisha marrë udhën e mërgimit, në Korrik 1990, apo Mars 1991. Më lëndon kjo frymë e ikjes nga mëmëdheu, të shqiptarëve të mi, kryesisht të rinjve, si të ndjekur nga pushtuesi, apo si udhë shpëtimi nga vetvetja. Pse.....! S’duhet të ndodhë.......! Po kush e ndalon....!?
Kjo dita në fjalë, lindi dhe u përjetua afro 70 vjet më parë, kur unë mbusha 10 vjeç. Ajo dita atëherë në Çamëri, ishte tëpkë si kjo e sotmja këtu në Durrës. E nxehtë që në mëngjes e pa një copë reje apo erë freskie.
Nuk dija dhe as e kuptoja se po arratiseshim familjarisht.... !
Ishte natë pak e ndriçuar nga hëna. Skena që m’u përvijua me hutoi fare. Kur unë fillova të “kullohem”, pashë me çudi që isha zgjuar në shpatullat e babait tim dhe mbahesha shtrënguar në qafën e tij. Ktheva kokën prapa e u pataksa (tmerrova), kur pashe nënën time, nuse të bukur, që mbante në kurriz motrën time të vogël. Nga mënyra si i tundeshin këmbët motrës, e cila i mbante krahët shtrënguar rreth qafës se nënës sonë të dashur, unë kuptova që motra ime ende po flinte. Nga frymëmarrja e babait dhe mënyra se si i hidhte hapat nëna, kuptova që ata po nxitonin.
Ne po ecnim në një monopat të ngushtë, mes ca shkurresh të dendura. Djathtas pashë një lloj mali që ngjitej lehtë drejt një majë me lisa. Nuk dija ku na çonte shtegu i panjohur, mbase te ndonjë kushëri i ynë.
Qindra pyetje më kishin sulmuar në të gjitha shqisat. Natyrisht në këto raste, frika është ndjesia e parë, por unë si fëmijë ia gjeta zgjidhjen. Kontrollova mirë me sy nga të gjitha anët e horizontit dhe nuk pashe asnjë ujk apo ari. Pastaj fërkova lehte supet e fortë e të mbushur të babait, kalova një dorë në flokët e tij të dendur e pastaj në qafën e tij muskuloze dhe ndjeva një siguri te madhe. M’u duk vetja sikur isha mbërthyer sipër një lisi të madh, që çvendosej i sigurte mes për mes atij pylli të gjelbër.
- Taso, do ujë? ~ më pyeti babai me zë të plotë?.
Kjo pyetje që më erdhi fare papritur me zërin e sigurt të babait, mua më çliroi fare. Ktheva kokën përsëri nga nëna e nga motra që, mesa duket kishte filluar të ndjente frikën e këtij mjedisi e të kësaj gjendje kaq të çuditshme. Dëgjoja zërin e ulët të nënës, që i fliste motrës. Edhe sot pas kaq vjetësh e ndjej zërin magjik të nënës dhe fjalët e saj më derdhen në shpirt atë ngrohtësi që më jepnin këngët, që ajo m’i këndonte, kur më përkëdhelte për të më venë në gjumë, apo të më qetësonte, kur rrëzohesha nëpër kalldrëmet e fshatit, sidomos kur vrapoja të arrij viçin e vogël që më shkëputej nga dora.
Në fakt ajo dita që po jua përshkruaj nuk meriton shumë nderim nga unë e familja ime. Kjo vjen se, kur u zbardh e terë hapësira ku ne po kalonim, na panë rojet e kufirit, që mesa duket ruanin kufirin me dylbi që sipër nga piramida. Na rrethuan dhe ashtu familjarisht na çuan në burg, si fillim në Konispol e më pas në Sarandë.
Këtu filloi fatkeqësia e asaj ditë të paharruar, që na u ngjit pas trupit si rrodhet në lëkurën e deleve. Në fakt ajo ditë u pasua nga ditë burgjesh, dhe vite e vite e internimesh. Atë ditë po arratiseshim për në Greqi e më pas drejt Amerikës. Një bekim Hyjnor na mbrojti atje atë ditë, si dhe na dha shpresë e na mbajti të rrethuar me vellon e heshtjes, në çdo çast të jetës sonë, në vitet që rrodhën më pas.
Besoj shumë në fatin tim, që më ka ndjekur vazhdimisht, sikur më ka mbajtur në krahë, pavarësisht pengesave që më “dhuroi” koha, si provë guximi, qëndrimi e durimi. Na sollën në Durrës. E gjykoj si një mrekulli të vërtetë, të pa menduar as në ëndrrat e mia më të çartura.
- Jam në një mendje me ty mik i vjetër, - i them ashtu qetë-qetë. Sot po përsëris atë që kam shprehur edhe më parë në shkrime dhe intervista. Durrësi është qytet magjik, që të thith brenda vetes pa u ndjerë, pa zhurmë, pa bujë, me bujari të heshtur qytetarie, si askund tjetër. Qytet që fal qetësi e siguri me tepri, ku secili mund të shpaloste të gjitha aftësitë fizike dhe mendore, pa u penguar nga askush. Kam përshtypjen se e keqja nuk na vinte nga durrsakët. Ishin të tjerë kanale të nëndheshme, që shpërthenin herë pas here, siç ndodhi edhe me familjen tënde. Megjithatë të besoj shpirtërisht, kur thua: “Durrësi im i shenjtë”, i bekuar nga vetë zoti, këtu pranë detit Adriatik. Ke të drejtë edhe kur mendon: - “Nuk e di si do të kishte shkuar filli i jetës time, nëse do të më kishin çuar diku tjetër.....”. Po historia dhe jeta nuk bëhet me sikur, miku im.....!. Unë i besoj asaj fjale të moçme, që thotë: “Jeta nuk është ajo që ke jetuar, por ajo që mbetet për t’u treguar”.
- Tashmë jam në pension, - vazhdon bisedën Tasimi, - por kujtimet më shtyjnë të vlerësoj kohën dhe njerëzit, miqtë e mi, durrsakët që më rrethuan, më mbështetën dhe më ndihmuan. Nderimi për ta është i pa matë.
Po i them vetes, natyrisht edhe me pak mburrje: Ja, shiheni tani fotografinë që flet me gjuhën e heshtjes, atë “heroin”, i cili jo më shumë se 6-7 vite pas asaj ditës që u rrëfeva, na u bë muzikant në qytetin e bekuar të Durrësit!
Ky rrëfimi shkurtër që bëra deri këtu, është një ngjarje që më ka mbetur e regjistruar në kujtesë si ndonjë film i vërtetë, me veten time si aktor, e cila nuk më shqitet as nga mendja e as nga shpirti; ndonëse që nga ajo dita e “arratisjes”, vazhdon të më cimbisë edhe tani që po i mbyll të tetëdhjetat e moshës.
Për ta bërë sa më të besueshme rrëfenjën, apo filmin brenda shpirtit tim, po të tregoj edhe një tjetër fotografi të atij “heroit”, të atij filmit që e përjetoj shpesh në kujtimet e mia. S’besoj se bëj gabim, sepse edhe këto ngjarje artistike të adoleshencës sime, më ngrohin tej mase, si një dhuratë e çmuar e qytetit tim të adhuruar. Kështu shtyhem, që në ditët në vijim të mollois një shkrim të veçantë, si falënderim për mirëpritjen, rritjen dhe ngritjen time, mes qytetarisë durrsake!
Foto e nxjerrë nga gazeta “Shqiptarja”.........
Urime Tasim! Për një jetë të gjatë e plot shëndet, për të përmbushur premtimin që i ke bërë vetes, duke shkruar ato copëza të jetës, derdhur e mbledhur nëpër udhët e Durrësit plak, që frymëzon, pasi mbetet përherë me shpirt të ri...... në trup e gjak!
Kadri Tarelli
Gusht 2024.
Përshëndetje dhe mirënjohje që publikuat këtë shkrim paksa të gjatë, por me shumë kujtime të mbetura në heshtje për kaq vjet.