top of page

Kadri Tarelli: Mark Zadeja në një studim të ri filozofik


Kadri Tarelli shkruan:

 

Njeriu u mirë duhet të jetë një qytetar i mirë. Një njeri i mirë vështirë të ekzistojë jashtë një qeverie të mirë. E kotë të diskutohet se çfarë është e mirë për njeriun, pa marrë parasysh se çfarë është e mirë për qytetin.

                                                                                               Platoni                                                                                                       

 

FILOZOFIA dhe SHPIRTI....!?

Mark Zadeja në një studim të ri filozofik

Përshëndes fisnikun shkodran Mark Zadeja, që më dhuroi librin e tij më të fundit, ku shtruar ulen e kuvendojnë, “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit”. Çka i dallon e çka i bashkon, që rrinë kaq pranë e pranë, në udhën e gjatë të dijes, mendimit dhe shkrimit.....!? – Përpiqem ta zgjidh.....!

E falënderoj edhe për një arsye me shumë: se pas kaq vjetësh i harruar në lexime librash historik, romane, novela, monografi, drama, tragjedi dhe poezi, etj, etj, më ktheu të rifilloj të këndoj një tjetër letërsi, duke më futur sërish në detin e pafund të filozofisë, ku qetësisht po ndjehem mirë.

Nuk pretendoj se njoh të gjithë krijimtarinë e këtij autori. Kam kaluar nëpër duar veç tre libra: “Qyteti i vuajtjes”, “Forca e mendimit”, dhe më të fundit “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit”. Në përfundim, si shenjë falënderimi dhe mirënjohje, nuk kam përtuar që, pasi mbaroj së kënduari secilin libër, të shkruaj diçka nga përjetimi që ndjej dhe mësimi që gjej, ku është derdhur pa kursim shumë punë, vullnet, dëshirë, përpjekje, studim dhe mendim. Të gjitha së bashku të ngjeshura në arkën e thesarit të dijes dhe kujtesës, që është libri.

Nuk isha i gabuar kur më parë shkrova dhe publikova shkrimin: “Vuajtja e qytetit, si histori, psikologji dhe filozofi”. ..... Ku Marku bën zbërthimin shpirtëror, zbulon turbullimet që ngjasin në ndërgjegjen e tij dhe të bashkëqytetarëve, studion deri ku të çon durimi dhe si mundet që njeriu para këtyre llahtarive të mbetet përsëri njeri dhe qytetar. Ai, më konkretisht, merret me dukurinë e kujtesës individuale e kolektive, si proces mendor e më pak fizik, duke e trajtuar në ndjesitë psikologjike, më pas të përgjithësuar në mendim historik e filozofik.

Ndryshe ndodh me titullin e një libri tjetër, “Forca e mendimit”; ku autori vuan derisa gjen titullin, pasi çdo fjalë apo grup fjalësh, përmbledh në mënyrë lakonike esencën e përmbajtjes dhe kumtin që duhet të përcjellë te lexuesi, që në shikim të parë. Dhe, në rastin konkret shtrydh në ballinë, përgjithësimin teorik e praktik të dukurive apo ngjarjeve të ndryshme, që të çojnë drejt majës së majave, drejt mendimit filozofik.


Në librin e ri, autori merret thjesht me filozofi, duke na e sjellë atë që në lindje, shekuj më parë, me emrat e njohur Platoni, Artistoteli, Pitagora, Sokrati, etj, etj, për të vazhduar me tej me Michel De Montaigne, vazhdon me filozofin Emmanuel Kantin, ku mbi varrin e tij do të shkruhej postulati i “Kritikës së arsyes praktike”: “Qielli me yje mbi mua, ligji moral në mua”.

Autori vazhdon me më të fundit filozof, me ekzistencialistin Jean Paul Sartre, i cili jetoi dhe veproi në shekullin XX-të, por që refuzoi çmimin “Nobel”, me thënien e tij të njohur: “Një shkrimtar që përvetëson pozicione politike, shoqërore apo letrare, duhet të veprojë vetëm me mjetet që janë të tijat – pra me fjalën e shkruar”. E gjithë esenca e mendimit të tij filozofik përmblidhet në këto pak falë: “Të ekzistosh do të thotë të mendosh mbi jetën, deri sa mendimi të marrë formën më të përkryer të pranuar prej njerëzimit”. Më tej: . “Për të qëndruar do të thotë të ekzistosh, pra prania jote aty ku jeton, është ekzistenca e mendimit. Ajo do të vlerësohet prej arritjeve që jep ti.......”.

Sartri filloi të harmonizojë të ashtuquajturën letërsinë me problemet e kohës. “Kush shkruan nuk shkruan për vete, por për një detyrë në shërbim të tjetrit, i cili është ai që qëndron përpara dhe rri përballë duke gjykuar e vlerësuar. Faqe 14.

Sa më pëlqejnë këto pak fjalë, që po ia them vetes, por dua t’ua përsëris edhe të gjithë miqve të mi krijues. Askush nuk mund ta thotë me bukur dhe më shkoqur....! Ndërsa autori ndjek, përqafon dhe zbaton modelin e filozofëve si Sartri, - “Që është dhe që duhet të jetë gjithmonë aktiv edhe në ditët e sotme”.

Kam ndjesinë se autori në këtë libër të ri, mbi rrugëtimin e filozofisë ndër shekuj, ka zgjedhur një formë tjetër nga ajo e Mishel dë Montenj, i cili në “Esse” i vendos filozofët të shprehin dhe diskutojnë idetë e tyre ballë për ballë, duke u pajtuar e kundërshtuar njëri-tjetrin. Ndërsa filozofi ynë Marku i vendos doktrinat e secilit karshi-karshi, njëra-tjetrës. E gjitha me mendimin se i takon këndonjësit të ditur, të bëjë vlerësimin e tyre, diku t’i mbajë, diku t’i ndajë e t’i shajë, diku t’i afrojë dhe t’i pajtojë.


Kjo mënyrë studimi ka një përparësi, pasi na jep të gjithë evolucionin e mendimit filozofik që nga lashtësia deri në ditët e sotme, duke u pasuruar me ide, nga të dhënat shkencore që kanë arritur një shkallë të tillë zhvillimi, të paimagjinueshme për një mendje normale.

Nuk kam ndërmend të trajtoj doktrinat e filozofëve, që përmenden nëpër faqet e këtij libri të rëndë. Do të ishte guxim i tepruar, pasi i ka dhënë përgjigje autor Marku. Mjafton të ndalem vetëm në një prekje fare të vogël në dukje: Diku në faqe 37, ka një nën-kapitull “Virtuti është njohuri”, një ide e shfaqur dhe e mbrojtur sipas filozofisë Platoniane.

Sot askush nuk e pranon këtë mendim, aq më pak Mark Zadeja, që në titull të librit shprehet, “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit”, sepse “virtuti” në vetvete është pjesë dhe cilësi e shpirtit, jo e mendjes dhe nuk ka të bëjë as me kohën, moshën, varfërinë, pasurinë apo me postin dhe detyrat që mban. Virtuti mund të zbukurohet, ndriçohet dhe hijeshohet nga dijet dhe njohuritë e shumta, por në fund mbetet pasuri e shpirtit të çdo individi dhe që gjen vend të shfaqet në të gjithë veprimtarinë e tij shoqërore. Dukshëm në marrëdhënie me njerëzit, me besimin, me detyrën, qytetin, shtetin dhe më gjerë, me kombin në tërësi.

Një vlerë e veçantë e këtij libri studimor, është përvoja jetësore e ngulur në sinorët e filozofisë, si e “vërtetë e shpirtit”, si mësim i domosdoshëm për çdo individ dhe ca më shumë për ata që marrin përsipër të drejtojnë shoqërinë, apo drejtësinë, institucionet, zyrat dhe shtetin. Lexuesi bindet sapo të këndojë vetë dy-tre citate të shkëputura nga libri, si porosi për t’i lexuar e mësuar dijetarët e gjyqtarët, mësuesit e pedagogët dhe më së shumti zyrtarët e pushtetarët tanë.

Platoni thotë:

. Njeriu u mirë duhet të jetë një qytetar i mirë. Një njeri i mirë vështirë të ekzistojë jashtë një qeverie të mire. E kotë të diskutohet se çfarë është e mirë për njeriun, pa marrë parasysh se çfarë është e mirë për qytetin. Faqe 38.

. Drejtësia është t’i japësh secilit atë që i takon. Ajo që i takon secilit është në fakt e drejta për t’u trajtuar ashtu siç është, bazuar në aftësitë dhe edukimin e tij. Ndërsa ajo që duhet të bëjë secili është përshtatja me ato detyra që i kërkon pozita që i është dhënë. Faqe 49

. Drejtësia është lidhja që mban të bashkuar një shoqëri, një bashkim harmonik individësh, ku secili ka gjetur rolin e tij sipas prirjes dhe edukimit të tij.

. Nuk ka gjë më të mirë për një njeri, se sa të ketë punën e tij dhe të rrëmbehet prej saj.

. Njeriu kur është me të vërtetë njeri, është më i miri i kafshëve, por kur është jashtë ligjit dhe drejtësisë, ai është më i keqi prej tyre.

Ndërsa Aristoteli, shprehet:

. Nuk mund të kuptosh botën dhe as njeriun, pa u nisur nga një analizë e thellë në vetëdije, deri sa mendimi të marrë formën e tij. Faqe 13.

. Qëllimi aktual i një shteti, duhet të përfshijë përparimin moral të popullit të tij. Etj, etj. Faqe 54

         Në libër, autori i kushton një hapësirë më të zgjeruar mendimit filozofik të dijetarit gjerman Emmanuel Kanti, aq sa duket sikur ai është dashuruar me këtë filozof, i cili e sundoi kohën, gjatë fundit të shek. 18 dhe fillim të shek. 19. Shtyhem të mendoj kështu pasi i pëlqen të përsërisë për vete dhe të tjerët, një frazë që përcakton të gjithë udhën e studimit të tij, duke u përpjekur ta shpërndajë edhe te të tjerët, madje ta zbatojë edhe vetë, më së miri në librat dhe studimet e tij:

-“Ai, filozofi Kant, u përsëriste gjithmonë studentëve të tij, - Se detyra e tij nuk ishte t’u mësonte atyre filozofinë, por më tepër të filozofonte, domethënë të mendonte, të arsyetonte me kokën e vet, duke u nisur nga injoranca, (mos dija) e tij”. ...... - Përvoja, kur nuk është e lidhur në mënyrë unike me intelektin, në vetvete do të ishte e padobishme. – Shprehet në vazhdim autori.

         Mendoni një çast mësuesin e historisë: - Si është më mirë, të mbetet skllav i një date apo emri, (shpesh pa shumë rëndësi), apo t’i kërkojë nxënësit apo studentit të analizojë ngjarjen në tërësi....? – Jam i bindur se kjo është rruga dhe mënyra më e mirë, që nxit të menduarin aktiv, vlerësues dhe kritik, për t’i parë ngjarjet të lidhura me sistemin shoqëror, kohën, interesat dhe rrethanat. Një formë pune që shpesh nuk merret parasysh edhe në hartimin e teksteve mësimor.

Ky libër më shtyn të gjykoj veten dhe të tjerët, kur lexoj:

- “Vendimet morale nuk mund t’i nënshtrohen asnjë kushti, nëse një individ vepron për përfitime personale ose nga frika e ndëshkimit”......

Më tej: - Normat morale respektohen sepse imponohen nga ndjenja e detyrës, jo për shkak të asaj që mund të arrihet, duke i respektuar ato..... - Morali nuk është një çështje private, pasi nuk është private të veprosh drejt apo gabim”.

Jam i bindur se edhe autori Mark Zadeja mendon si unë, kur po shprehem, - Se ndëshkimi apo lavdërimi është privat dhe i takon vetëm individit, t’i provojë, t’i dhembi dhe t’i shijojë.

         Një vlerë e shtuar e këtij libri është, që rrallë e ndesh te autorë të tjerë, paraqitja e filozofit Emmanuel Kant, jo si i futur dhe i mbyllur në kornizë, por si mësues e pedagog, më tej edhe si njeri i thjeshtë, si unë, si ti dhe si gjithë të tjerët, por me një kujtesë “të frikshme”, - thuhet në libër. Dijetari Kant, ashtu si ne, kishte dëshira dhe s’i tutej mundimeve për ta përballuar dhe shijuar jetën, edhe duke i lënë shtegun hapur edhe ndonjë prapësi të vogël, pa dëmtuar njeri. Aq sa autori vazhdon: - Me bindje mund të them, se asnjë pasuri sado e madhe mund të jetë, nuk mund të krahasohet me qytetërimin e njeriut.

Autori Mark Zadeja, si studiues ngulmon të thotë: - “Filozofia e vjetër i studioi dhe i pasuroi epokat dhe ngjarjet, ndërsa filozofia moderne na jep një mesazh më të fortë:  - Se historitë pa filozofinë nuk do të kishin realizuar misionin e tyre të mbarë njerëzimit. – Shprehet autori. Faq 9.

E gjitha e përmbledhur në pjesën e dytë të librit, që ka në themel të “Vërtetën e shpirtit”: - Ku dijet, kultura, informacioni, luksi, veset, prapësitë dhe luftërat janë shtuar, ashtu edhe jeta dhe veprimtaria shoqërore ka ndryshuar, është bërë më e hapur, ndërsa shpirti i njeriut ka mbetur po njësoj, me të gjitha cilësitë e mira apo të liga, pavarësisht se bota është bërë shumë e vogël, si nga lëvizjet, ashtu edhe nga mjetet e komunikimit dhe informimit.

Pikërisht kësaj dukurie shpirtërore, autori i kushton një goxha vend studimi, shtrimi dhe diskutimi racional. Është meritë e tij, që bën një shtjellim të guximshëm mbi filozofinë e “Arsyes së kulluar”, duke e shtrirë edhe në botën e mendimit shpirtëror të shqiptarëve, duke arsyetuar dhe mbështetur bindshëm, se “Është realiteti që prodhon mrekullinë”. Një përfundim dhe përkufizim i mirëpritur nga filozofi ynë, si “gjetje e re” për “Të vërtetat e shpirtit arbëror”, si arritje e shkallës së lartë të mendimit teorik, kur bëhet fjalë për shpirtin dhe Zotin.

Është e tepërt të shtojmë fjalë: - kur, ”Mendimi, kjo dhunti  e paçmueshme e Zotit dhe e natyrës është padyshim kapitali  më i çmueshëm  i krijesës njerëzore”, - Thotë në vazhdim autori Mark Zadeja. E gjitha është një përmbledhje dhe përshpirtje madhore, ku filozofia, besimi dhe jeta, ndërthuren pazgjidhshmërisht si realitet dhe botëkuptim.  

         Ajo që dua ta them me forcën e mendimit dhe fjalës sime, që mbështetet mbi dobinë e këtij libri filozofik, si për nxënësit e studentët, ashtu edhe për të gjithë njerëzit që merren me shkencë, me studime dhe veprimtari praktike në fushën e edukimit qytetar dhe drejtimin e shtetit. Kjo, mendoj, është dhe arsyeja që ky libër e meriton të jetë mbi tavolinën e punës, apo në çantën e shkollarëve të rinj, për ta kënduar më nge, kur duan të marrin këshilla të vyera, apo kur marrin vendime për jetën dhe të ardhmen e tyre.

Në fund shkrimin dua ta mbyll me këto pak fjalë, të filozofes Anelore Euler, hartuese e hyrjes së këtij libri, si një porosi për krijuesit e shumtë, që gjallojnë mes nesh:

- Jeta e shkrimtarit ose krijuesit, është e lidhur thellë me mendimin vetjak, për t’u mbështetur fort mbi realitetin e jetës që na rrethon..... për të shprehur me të gjitha ngjyrat, çastet, njohuritë, frymëzimin dhe vendosmërinë, për të krijuar mendimin në frazën filozofike.

Ndërkohë autori Mark Zadeja, në shumë poezi si pjesë e këtij libri, të cilat kërkojnë një analizë të veçantë ideo-artistike dhe njëherazi filozofike, ngulmon të thotë:

.....................

Jeta e përbuzun, mbështjellë me padrejtësitë,

Shfaqte revoltën e shpirtit tim.......

................

Andrra ime u zgjue, m’tha: shkuej!

Shkruej! Do të vijë një ditë....! Poezia “Andrra ime”

            Më pëlqe të vë në dukje, se ky libër është përkthyer në gjuhën gjermane dhe bashkë me tre librat e tjerë: “Vogëlushja”, “Ndëshkimi i spiunit” dhe “Forca e filozofisë dhe e vërteta e shpirtit”, janë pranuar në fondin e Bibliotekës Kombëtare Gjermane. Besoj se nuk është pak. Është vlerësim i merituar që na ngroh e na bën të ndjehemi mirë edhe ne si shqiptarë.

         Urime dhe suksese i nderuar z. Mark Zadeja. Libri yt është i rrallë, mes të rrallëve, ndaj i urojmë të shkojë e të mbetet në dorë të lexuesit të ditur, që të pasurojë dijet me filozofinë dhe të vërtetat e shpirtit krijues.

 

         Kadri Tarelli

Janar 2025.

14 views1 comment

1 Comment


Guest
15 hours ago

Përshëndetje dhe mirënjohje, që publikoni këtë shkrim. Besoj janë të rralla shkrimet për filozofinë në tërësi dhe për Studiuesin mark Zadeja në veçanti.

Miqësisht dhe shpirtërisht!

Kadri Tarelli

Durrës.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page