top of page

Kadri Tarelli: Gëzim Isuf Baruti, e bëri të flasë shqip



 

 

Nuk ka liri më të çmuar se liria e gjykimit.

E lakmoj ta kem për vete, por pa ua hequr të tjerëve.                                                                                                                                                Françesko Pertrarka 

 

MISHEL DË MONTENJ

 ESSAIS, (ESE).

Gëzim Isuf Baruti, e bëri të flasë shqip

Kam në dorë dy volumet e librit Esais, (Ese), të autorit Mishel dë Montenj, (1533 – 1592), përkthyer nga Gëzim Isuf Baruti. Volumi i parë me rreth 368 faqe, ndërsa i dyti me 520 faqe, libra me peshë të rëndë në pamje, por më të rëndë edhe në përmbajtje.

Një vepër që duhesh njohur kone më parë, ndaj më vjen keq që unë dhe shumë të tjerë si unë, po njihemi kaq vonë me një “Thesar” të tillë, që sipas studiuesve dhe kritikëve, “Ese”-të e filozofit Mishel dë Montenj, është një ndër veprat më të mëdha të kulturës Europiane, që hapi një epokë të re në vorbullën e rrëmujshme të mesjetës.

Jo se nuk kam njohje për filozofinë, madje kam shfletuar për t’u njohur edhe me filozofë shqiptarë, si me Isuf Luzaj, filozofin tonë nga Kanina e Vlorës, i vlerësuar si një ndër shtatë filozofët më të mirë të shekullit 20, vlerësuar dhe dekoruar edhe nga presidentët e SHBA.  Ashtu, tash së fundi u njoha edhe me veprën filozofike “Forca e mendimit” të autorit shkodran Mark Zadeja. Sa keq, që libra të tillë mungonin atëherë kur më duheshin dhe na duheshin.

Gjithsesi përshëndes me mirënjohje përkthyesin Gëzim Isuf Baruti, që me shumë përkushtim, për gati më shumë se dhjetë-vjet, mundi të sjellë këtë vepër madhore në gjuhën shqipe. Më korrigjoni nëse gaboj, pasi besoj se është i pari përkthyes, që më së fundi, po e bën francezin Mishel dë Montenj, 500-vjeçar, të flasë shqip.

Me aq sa e njoh letërsinë dhe teknikën e shkrimtarisë, përkthimi nuk është aq i lehtë sa duket në pamje të parë nga lexuesi. Nuk dua të flas për mundimet dhe lodhjen e atij që niset të përkthejë. I di ai dhe s’ka ç’na duhet. Ne na intereson cilësia e përkthimit, që të flasë shqip dhe të kuptohet lehtë, si për të diturin e të kënduarin, filozofin apo studiuesin, ashtu edhe për lexuesin e thjeshtë. Ne jemi të mrekulluar nga përkthyesit e viteve 30-të,  të shekullit të kaluar, si Vedat Kokona, Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, etj, aq sa shkrimtarët dhe poetët e përkthyer, na dukeshin sikur janë këtu në Shqipëri dhe jetojnë mes nesh.

Ku qëndron sekreti.....?

Sipas mendimit të studiuesit dhe kritikut Ali Aliu, përkthyesi duhet të lundrojë mes përkthimit besnik të fjalës, pa u menduar si do të kuptohet dhe shijohet shqip, ashtu edhe mes frymës apo frymëzimit letrar, që mund të duket i bukur, por vetiu cënon përmbajtjen. I lumtur dhe i fituar është ai që, i lidh apo i përqafon të dyja këto dashuri. Intervistë në TV. Shqiptar. Qershor 2024. Në këtë udhë është edhe përkthyesi ynë Gëzim Isuf Baruti, që meriton nderim dhe mirënjohje.

Ndërsa unë në një shkrimin tim, korrik 2018, kushtuar përkthyesit Nikolla Sudar, që solli në shqip Nobelistin Sollzhenicin, me romanin epope, “Gusht 1914”, shprehem:

“Ai që niset të përkthejë, është i dënuar dy dhe trefish: Duhet të njohë mirë gjuhën dhe kulturën e vendit dhe po kaq mirë edhe gjuhën e kulturën e shkrimtarit, nga vjen. Ai duhet të futet në lëkurën e autorit, të jetojë, të mendojë e të veprojë si ai. Në vazhdim: Ai është i dënuar të dashurohet me autorin, t’i ndjejë frymëmarrjen, rrahjet e zemrës, buzëqeshjen dhe trishtimin, tekat, veset, dobësitë, botëkuptimin. Kështu përkthyesi e rikrijon veprën me të gjitha përmasat: letrare, artistike, shkencore dhe filozofike.

Besoj se kisha dhe kam të drejtë, por në rastin e tanishëm, kur flasim për një vepër filozofike, duhet të shtoj, se lexuesi, kushdo qoftë, duhet të ketë një shkallë njohjeje dhe kulture, mbi mitologjinë, filozofinë, historinë e lashtësisë, përfshi edhe Mesjetën feudale, pasi filozofi Montenj, të gjitha Ese-të i ka ndërtuar si një bashkëbisedim, kryesisht me heronjtë dhe filozoftë e lashtësisë, bashkë me ata të periudhave të më vonshme, përfshi edhe kohën që ai jetoi, pjesën e fundit të mesjetës. Besoj se nuk jam i pari që e them, pasi bota e ka thënë me kohë, se e vlerësoj Ese-në e zgjedhur dhe ndërtuar nga Montenj, si gjetje ideale për të shprehur apo shpërfaqur mendimin e tij filozofik. Mendim që fle dhe gjallon ngrohtë, mes zjarrit dhe prushit të ndezur në mijëra-vjeçarë.


Gëzim Isuf Baruti

Të dy volumet mbërthejnë rreth 86 tema të ndryshme. Kështu guxoj të pyes veten dhe të tjerët që mund të kenë njohje, se a ka mbetur çështje pa u rrahur e trajtuar, si problem jetësor dhe shoqëror, për kohën, por që i mbeten të gjithë kohëve....?

Në këtë udhë të gjykimit, mund të përmend disa tema, si “Rilindja dhe epoka moderne”, “Mbi trishtimin”, “Për gënjeshtarët”, “Për papunësinë”, “Mbi frikën”, “Edukimi i fëmijëve”, “Mbi vetminë”, “Mbi miqësinë”, “Mbi moshën”, “Mbi dehjet”, “Loja e shahut”, “Mbi një fjalë të Çezarit”, “Mbi ndërgjegjen”, “Mbi guximin”, etj, etj.

I lexoj dhe i rilexoj pjesët, për të shijuar artin e rrëfimit, forcën e ballafaqimit apo përplasjeve të mendimit mes të diturve të mëdhenj, duke shprehur një lloj admirimi për kulturën e gjerë, veçanërisht kujtesën e mbinatyrshme të autorit, për të cituar në ligjëratë të drejtë, filozofët, perandorët, sundimtarët, feudalët, ushtarakët, politikanët, artistët, letrarët dhe poetët. Besoj se janë këto dhunti, për të hartuar një libër të tillë, si përmbledhje e të gjithë volumeve të marra së bashku. Libër me vlera që i reziston kohës, për t’u lexuar e shijuar edhe pas 500 vjetësh, si një monument i ngritur në letra, që lëviz me të gjithë shkëlqimin e tij në të gjithë rruzullin, deri te lexuesi shqiptar i kohës së sotme.

Ndjej ngazëllim kur shoh, se në listën e të mëdhenjve të kohërave, përmenden Filipi i II-të, Aleksandri i Madh dhe Pirro i Epirit, me bëmat e tyre, që lanë gjurmë në historinë e botës.

Pa mëdyshje, i tërhequr plotësisht nga leximi, më pëlqen modestia e këtij njeriu të madh në letra dhe në dije. Mjafton të citoj vetëm dy thënie:

. Përsa më përket mua, mendoj që disa njerëz janë shumë më lart se unë, dhe veçanërisht (Antikëve), .......... Megjithatë orvatem t’i vështroj nga larg, dhe të gjykoj burimet që i lejojnë ata të jenë në këtë nivel. Të njëjtën gjë bëj edhe për mendjet e ulëta, nga të cilat nuk befasohem, e as nuk refuzoj t’i besoj. Volumi II-të, faqe 516.

. Mbi këtë temë letrare, dua të them këtë fjalë, se kjo është një punë që miqtë e mi mendojnë se kam një farë aftësie. V. I-rë. Faqe 365

Më duhet të jem i kursyer në vazhdimin e fjalive të librit, por më shtyn të mendoj, se ç’ka duhet më shumë nga ne dhe të tjerët që jemi futur në udhën e krijimtarisë letrare, për ta marrë si model të një thjeshtësie, që nuk le shteg për t’u mburrur e lëvduar, pavarësisht se ai ishte dhe mbetet në majë të mendimit letrar dhe filozofik.

Besoj se më lejohet të jap edhe një gjykim, njoftim apo ngacmim për lexuesin, por më së shumti për ata që merren me shkrimtari, ku fus edhe veten time: - Të lexojnë me vëmendje duke mbajtur lapsin në dorë për nënvizime dhe shënime, mbi Ese-në e fundit, të volumit të I-rë, të titulluar, “Konsideratë për Ciceronin”. Faqe 359 – 369.

Në të vërtetë filozofi Montenj, këtu flet shumë pak për Ciceronin, për t’ia lënë vendin ballafaqimit, afrimit apo përplasjeve të mendimtarëve të mëdhenj të kohës së tyre, duke dhënë për secilin, disa thënie plot mençuri, që unë po i quaj të magjishme për kumtin që përcjellin për të gjithë kohët, më shumë edhe për ditët e sotme. Nuk e teproj të bëj një krahasim, (mbase nuk shkon për ballafaqim shekujsh), por secilit nga ne, do të na duket vetja sikur jemi para ekranit të TV, ku drejtuesi i emisionit, z. Montenj, rrethohet nga filozofët e mëdhenj, Demosteni, Aristoteli, Horaci, Virgjili, Plutarku, Epikuri dhe Seneka, etj, etj, që grinden dhe pajtohen mes tyre, pa mbajtur mëri, apo pa u ngutur, kush të dalë më i lartë se tjetri.

Është një mrekulli e vërtetë. E ndjen forcën e mendimit, mjafton të futesh në magjinë e këtyre hojeve të mbushura plot dhe të mos dalësh dot, nga kënaqësia dhe pesha e mësimit, për jetën dhe të vërtetën.

. Ti bën gati mermerin në kohën e vdekjes, dhe në vend të mendosh për varrin, ti zë e ndërton shtëpi. Thotë Horaci.

. Prej një kohe të gjatë, unë nuk humb e nuk fitoj gjë. Më kanë  mbetur më shumë zaire, sesa rrugë për të bërë. Seneka:

. Ujku, arinjtë frikacakë dhe kafshët më të ndyra, u qepen keq atyre që janë duke vdekur. Thotë Ovidi. Vol. II-të. Faqe 484.

Në mbyllje, po shtoj pak thënie të vetë heroit tonë, Mishel dë Montenj, ku thotë:

. E urrej veten për vdekje, të ngjaj si një lajkatar, për atë që nuk më njeh, drejt përbuzjes, sepse kjo, natyrshëm më bën që të hidhem në një fjalim të thatë, të rrumbullakosur dhe të pa përpunuar...... vol. I-rë. Faqe 366.

. Unë nuk besoj shumë, dhe nuk më pëlqen të them më shumë sesa besoj.

. Ato që më kushtojnë më shumë, janë ato që vlejnë më pak. Kur i marr me vete, është shenjë që nuk jam aty.

. Letrat e mbushura plot me mendime të mëdha shkencore, me të cilat ne arrijmë të bëhemi, jo më shumë gojëtarë, por më të ditur, e që na mësojnë, jo të themi mirë, por të bëjmë mirë.

Në fund mund të them pa frikë, se çdo tejkalim i fjalës është i tepërt, sepse nuk i shtoj vlerat librit dhe as punës së përkthyesit. Ndaj po ngutem të uroj autorin:

Z. Gëzim Baruti, me mirënjohje ju përshëndes për këtë vepër kaq të bukur, kaq të vështirë, po edhe kaq të arrirë e me vlerë në letrat shqipe.

Ju uroj, jetë dhe shëndet të mirë, për të përmbushur dëshirat e tua në fushën e përkthimit.

 

Miqësisht!

Kadri Tarelli

Durrës, më: 04, të fillimvere, 2024.

15 views1 comment

1 Comment


Mirënjohje "Fjala lire", që publikoi këtë shkrim, që i bën dritë një vepre filozofike me peshë të madhe në mesjetë, por që ka vlera universale edhe në ditët tona.

Për Mishel dë Montenj, nuk kam ç'të them, pasi e njeh tërë bota akademike, si një ndër të paktët dijetarë qe i hapën udhë mendimit të lirë. Por dua të përshëndes përkthyesin e nderuar Gëzim isuf Baruti, që ka bërër një punë të shkëlqyer, për ta bërë filpzofin francez të flasë shqip.

Urime z. Gëzim, për të sjellë vepra të tjera në letrat shqipe.

Miqësisht dhe mirënjphje!

Kadriu

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page