top of page

Kadri Tarelli: AMERIKANI



Skicë humori


Papritur, përballë në trotuar m’u shfaq Koli, kështu e thërrasim shkurt, kolegun tim të hershëm, ish drejtor shkolle, tashmë mërgimtar në Amerikë, meqë jeton te e bija prej gati 10 vjetësh. Iku sapo doli në pension. Mbaj mend që i bëra edhe një shkrim urimi për “pranimin”, në vargun e gjatë të pensionistëve. Kishte pak dit që kishte ardhur, natyrisht vetëm për të marrë pensionin dhe ta ajroste shtëpinë. Mbase e kishte marrë malli edhe për shokët dhe shoqërinë. ….. Ku i dihet!?

U përshëndetëm si miq të vjetër, nuk u përqafuam si qëmoti, para se të shfaqej i mallkuari Covid. Pyetjet ndaj njëri-tjetrit nuk gjenin radhë. Vura re se nuk e kishte me ngut, ndaj edhe nuk shkulej. Priste që ta ftoja për kafe. Kushedi si ka menduar, tashmë është mik i largët, “i huaj”, jo vendas si unë, bie fjala.

- O Koli, po s’e pate me të shpejtë, ulemi pimë një kafe. U bë kaq kohë që s’jemi parë.

- Po, po! Me gjithë qejf! – Dhe u drejtua tek tavolinat aty pranë.

Kamarieri, një djalosh i ri, besoj gjimnazist me pushimet e verës, erdhi me një herë, për të marrë porosinë:

- Dy kafe dhe dy raki, të lutem! Po raki nga ajo e mira, se ky miku im ka ardhur nga Ameriqia, - i them duke qeshur, ndësa djaloshi më shkeli syrin.

Koli, si Koli, çakmak me gur stralli, lëvizi dhe pyeti: Pse, sa lloje rakie ka këtu, s’ma ka zënë veshi?

- Eh more Koli! Sa gjëra kanë ndryshuar që kur ke ikur në Ameriqi. Rakia, që thua zotërote, zgjidhet sipas largësisë nga vjen miku, - po vazhdoja ta tirrja shakanë, - Sa më larg, aq më e mirë dhe më e fortë! - i thashë gjithë seriozitet, duke mos i dhënë shkas të dyshojë. Nuk u bind, por edhe shakanë s’po e përtypte.

- Mirë o mirë, po çmimi? – pyeti Koli.

- Ndryshon ca, po ç’ vlerë ka çmimi për miq që vijnë nga larg? – Desha t’i thosha, për miq që vijnë e na ankohen se jeta në Amerikë është e shtrenjtë, unë heshta. S’di pse heshta‼‼!

Sapo u vu kafeja dhe rakia në tavolinë, Koli nuk priti as ta tokim, sipas zakonit tonë, por e rrufiti gjysmën e gotës. I dogji në fyt, sytë i lëshuan xixa, por i pëlqeu. Unë u kënaqa, se nuk u turpërova që e lëvdova rakinë, pa e provuar më parë.

- Vërtet qenka raki e mirë! Lum si ju! Vërtet ju kam zili! – dhe u rehatua më mirë nga kënaqësia.

Biseda morri udhën e zakonshme, por Koli nisi të tregojë për kushtet që ka në Amerikë, pak foli për shtëpinë dhe fëmijët, por më shumë për shkollat, që mesa po kuptoja unë, i kishte parë me shumë vëmendje dhe, natyrisht që i kishin pëlqyer, pasi nuk pushonte:

– Ç’të shikosh më parë, ndërtesat, oborrin e tyre, pale më klasat, hapësirat dhe ndriçimin! Eh, more Kadri! Jo si shkollat tona, që ti i di po kaq mirë sa unë. Ç’të të them unë i ziu!? Një mrekulli e vërtetë. Ka punuar me vakt bota, jo si te ne, puno sot për sot, dhe i lemë gjërat çyryk. – Vura re se u dalldis në rrëfimin e ca gjërave, që unë sikur po i dëgjoja për herë të parë. Por nuk e ndërpreva, ndaj vazhdoi: - Po metodat mësimore? Çuditesh fare. Po të kisha fuqi, do t’i çoja ca nga ca të gjithë drejtorët, e të marrin përvojë, që të përparojë arsimi ynë.

- Meqë je këtu disa dit, pse nuk bën një rrugë deri në Tiranë, në ministri, e t’u thuash këtë mendim? Më duket se ka mbetur ndonjë “stekë” e vjetër e kohës sonë. – E shtyva më tej shakanë. – Apo ke filluar plazh në Currila? Aaaa….. Këtë mos ma shaj! – i thashë. - Nuk ka si Currila jonë! Shko ku të duash, po plazh më të mirë nuk ke ku e gjen! E kujt po i them edhe unë!? “Hajde baba të tregoj arat”.

- Ikën ato kohë. Tani u plakëm. Në Currila kam shkuar disa herë, vetëm për kafe. Nuk ma mban të futem në det, nga reomatizma. Po për Currilën, ….. vërtet ju kam zili!

Vura re se Koli e kishte tharë gotën dhe po e rrotullonte nëpër gishta. Më dukej sikur e kërkonte edhe një teke. Unë s’po tundesha. Mendoja se do porosiste ai. Megjithatë ndërrova mendje dhe thirra kamerierin: - Edhe dy raki, po si kjo ama! – pashë që Kolit i ndriti fytyra dhe më tha:

- Lum si ju! – Këtu unë gjeta rast ta ndryshoj muhabetin:.

- Sa herë që mblidhem me shokët, ju kujtojmë, bile i numërojmë të gjithë me radhë dhe pyesim: A janë gjallë? Se koha bën të vetën. Disa na kanë lënë “uratën”! Bile pyesim edhe për ty, se u bë kohë që nuk je parë.

- Po, po!  E kam marrë vesh. Më vjen keq, po nuk duhet të zemërohemi me ligjet e jetës. Natyra nuk na pyet ne! - vijoi të filozofojë miku im. – Pa pritur e hapi thesin e pyetjeve: - Po ku rrini, ku e pini kafenë, nuk ju pengon karantina? Besoj se mblidheni çdo ditë? Ju kam zili që takoheni! Mua më është tharë gjuha të flas shqip, se amerikançen, ëhë…, s’ ja them fare. Veç me gruan, se shokë nuk kam. Hë, ja po të pyes ty….: Krijohet shoqëri në këtë moshë? Tallen nipi me mbesën dhe më thonë: - Gjysh! Ti ke qenë mësues e goxha drejtor dhe na thua mësoni! Po ti që ke kaq vjet këtu, e s’ke ngulur asnjë fjalë? Ç’ tu them? Po rriten. Janë bërë të zgjuar e të ditur.

– Koli! Mos u anko e mos bëj gabim të thuash edhe një herë “Ju kam zili”, - e ngula fjalën aty ku desha, - sepse bën vaki dhe të dëgjon ndonjë nga qeveritarët tanë, e do na “marrë më sysh”. Ata tek ju i mbajnë veshët. Kështu që pensionet tona, ëhë.. nuk do të rriten. A e di pse? Sepse u shkon mendja ters: Amerikanët qahen, ndërsa këta tanët hanë e pinë dhe ju tepron! – Po vazhdoja humorin tim.

U ngrit sikur e pickova në vend të keq. Kush e di, ndoshta kishte ndonjë porosi të harruar nga gruaja! U përshëndoshëm, më dha dorën dhe më falënderoi, thjesht: - Faleminderit!

Më erdhi keq që nuk priti t’i them, tashmë qetësisht: - Mos na ki zili, o Koli! Ne këtu jemi, por nuk mburremi me varfërinë tonë…….!

Thirra kamerierin, dhe gjatë kohës që po merrja kusurin, ktheva kokën pas. Pashë mikun tim “Amerikan” që nxitonte duke u lëkundur dhe thashë me vete: - Sa të varfër janë bërë këta amerikanët!

 

Kadri Tarelli

Gusht. 2021.

45 views1 comment

1 Comment


Guest
Jul 20

Mirënjohje që publikuat këtë shkrim me pak humor, sifreski në këtë vapë të çmendur korriku.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page