top of page

Kadri Tarelli: ALI BALLIU, SPECIALIST BUJQËSIE



 

 

Koha që nuk shkruhet, nuk le as gjurmë, as shenjë. Kështu harrohet e fshihet nga kujtesa, siç shuhet piktura në rërë nga vala e detit.  K. Tarelli

 

ALI BALLIU, SPECIALIST BUJQËSIE

Nuk e pranon fjalën “Pensionist”

(Portret)

Me drejtor Ali Balliun njihem prej kohësh, afro prej 50 vjetësh, kur ai në vitin 1977, djalë i ri, agronom, që sapo kishte mbaruar “Institutin Bujqësor”, Tiranë, (sot Universiteti Bujqësor), filloi punë si mësues specialist në Shkollën e Mesme të Bashkuar, (Gjimnaz dhe Bujqësore), në Katund të Ri, shkollë që sot mban emrin “Jusuf Hoti”.

Unë i thërras drejtor, pasi në vitet e trazuara të ndryshimeve politike të pas vitit 1990, u emërua drejtor i shkollës së Mesme, në Katund të Ri, ku edhe unë isha mësues, para se të transferohesha në Durrës, në shtator 1992.

Më vjen keq që, sa herë zyrtarisht kërkohet një jetëshkrim për secilin nga ne, mjaftohemi, që shumë shkurt e pa hollësi të shënojmë vetëm data, detyrat dhe vlerësimet. Kështu e kërkojnë nëpunësit, por pas këtij jetëshkrimi dhe fotografisë, fshihet një jetë e tërë, një histori njerëzore e mbushur me përpjekje e mundime, fitore, dështime e zhgënjime, për të bërë më të mirën e mundshme, njëkohësisht për t’u bërë dikush në jetë, për t’u rritur jo vetëm si moshë, por edhe si njeri e specialist, me dije dhe kulturë qytetarie e shqiptarie. Shumë herë, nga “modestia e tepruar” harrojmë edhe gjurmët që kemi lënë.

Shpesh në shkrimet e mia kushtuar punës në shkollën e Mesme të Katundit të Ri, theksoj pa mëdyshje një shprehje që ja kujtoja drejtorit Jusuf Hoti, i cili nuk jeton më mes nesh: “Je me fat, që në shkollën që drejton, ke mësues të aftë, të mirë dhe të përkushtuar”.


Isha plotësisht i bindur dhe koha e vërtetoi, se nga kjo shkollë kanë dalë me dhjetëra kuadro që ndoqën Universitetin, dhe askush nuk u kthye pa e përfunduar me rezultate të mira dhe shumë të mira. Madje na takon të mburremi, se mes tyre tre nga ish nxënësit tanë, Mitat Mema, Shpendi Shahini, Hazbi Lika, kanë merituar titullin Prof. e  “Doktor shkencash”,  dhe kanë arritur shkallën Akademike si rektorë Universiteti, për të vazhduar me mjekë, arsimtarë, ekonomist, ushtarakë, specialistë bujqësie, gazetarë, poetë, piktorë, pedagogë Universiteti e deri  te Dom. Gjergj Meta si shërbestar i Zotit, Arben Çejku ambasador, Pëllumb Berisha deputet, më tej edhe ushtaraku Agron Myftari, “Dëshmor i Demokracisë”.

Nuk besoj se gaboj kur them, se shkollës i japin emër mësuesit e përgatitur dhe kërkues, por më së shumti nxënësit e mirë, të cilët përparojnë në shkollë dhe në jetë. Këtu mund të shtoj pa u kursyer, se emrin e mirë e japin edhe veprimtarit e ndryshme letrare-artistike, sportive, dhe sidomos ato shkencore, që lenë gjurmë në historinë e vetë shkollës.

Çdo njeri, në veçanti çdo mësues e shkruan historinë gjatë kohës që jeton e punon, ndaj duhet thënë pa modesti, (kur është e tepërt kthehet në dobësi), se kjo shkollë si rezultat i punës së mësuesve specialist, ku bën pjesë edhe Ali Balliu, arriti në atë shkallë të tillë suksesi dhe njohje, sa shumë veprimtari, si arritje dhe zbatim në fushën e bujqësisë, jo vetë në shkallë rrethi të Durrësit, por edhe në shkallë kombëtare, të zhvillohen në shkollën tonë. Besoj se është e vetmja, mbase e para shkollë e mesme, që në provimet e maturës, të zbatojë mbrojtje të temave shkencore. Ishte vërtet një arritje e madhe, jo vetëm për kohën. Më vjen keq që kjo përvojë e dobishme për nxënësit, nuk zbatohet më në shkollat tona.

Ali Ballun të gjithë e njohin më së shumti si specialist i bujqësisë i papërtuar, por duhet thënë se ai gërsheton këshillat dhe udhëzimet profesionale me shkrime letrare e artistike. Mbase është dukuri e rrallë në letrat shqipe, po ja që kështu ndodh dhe e uroj të vazhdojë pa u lodhur.

Unë nuk kam ndërmend të analizoj përmbajtjen e librit më të fundit, “Udhët me kalldrëm të jetës sime”, me autor Ali Balliu, libër u botua pak kohë më parë. Nuk dua të ndalem as te vlerësimet e shumta, që ka marrë nga dikasteret e ndryshme, jo vetëm këtu brenda vendit, as te dekoratat që flasin me gjuhën e heshtjes, pasi listën të plotë do t’i gjeni të pasqyruar në fund të librit. Po kursehem të përmend vetëm pak prej tyre:

1.    Dekoratë: “Naim Frashëri”, nga Kuvendi i Shqipërisë. 1991.

2.    Çertifikatë nga Komisioni Europian. Viti 2014.

3.    Çertifikatë nga Bashkimi Europian. Viti 2015.

4.    Kandidat për deputet. Në zgjedhjet e vitit 1996. Etj, etj.

5.    5. Ambasador i paqes. Pranuar në “Federatën e paqes Universale”, dega Durrës. Janar 2024. Me rastin e ceremonisë së pranimit, thura katër vargje:

“Agronom e mësues, i bëre një,

Në fushë e shkollë mbolle dituri.

Edhe në libra çele një zë…..

Ambasador i paqes në krijimtari!”. Poezia. “Kartolinë urimi”.

 Sa për librin, edhe këtë herë do veproj si për të gjithë librat që kaloj nëpër duar, sepse nuk i shtoj dot vlerat që pasqyron vetë autori. Është këndonjësi që i jep notën e merituar. Ndaj po qëndroj te puna dhe veprimtaria pas daljes në pension, kohë që jo të gjithë e vlerësojnë dhe harxhojnë duke punuar. 

Përvoja na dëshmon dhe na rrëfen, se për “Shumë nga ne kur “piqen” në moshë, ndodh që, puna mbaron dhe koha ndalon, kur njeriu del në pension”. Por i lumtur është ai që e gjen veten dhe nuk ndalet ta mbushë ditën me veprimtari të dobishme, për vete dhe shoqërinë. Këtu e ka vendin edhe miku ynë Ali Balliu, që si specialist bujqësie, nuk reshtet të këshillojë e udhëzojë bujqit, apo fermerët siç i quajmë sot, mbi problematikat që hasen në prodhimin bujqësor, mbi shërbimet stinore të tokës dhe drurëve frutor, krasitjet, kimikatet dhe spërkatjet. Madje edhe unë përsërit mendimin e specialistëve, se “Për bujkun dhe bujqësinë nuk ka pushime dimërore”, por Aliu shton se, nuk ka pushime në asnjë stinë të vitit, me përjashtim kur moti ka rrebesh, stuhi dhe bie shi.

Këtu po mjaftohem me këto pak fjalë të shkruara nga znj. Milva Ekonomi: “Ali Balliu është një specialist agronom, që vazhdon të ndihmojë fermerët e Katundit të Ri, dhe pse mosha e ka tërhequr nga tregu aktiv i punës. I palodhur, buzagaz, me një zemër të madhe dhe gjithmonë optimist, kështu e njohin të gjithë në zonë”.

Megjithatë, po ndalem në një veprimtari, që mesa di unë, kështu më thonë edhe shokët dhe miqtë mi të shumtë, është e rrallë, për të mos thënë e vetme: Kolegët mësues të Shkollës së Mesme “Jusuf Hoti” në Katund të Ri, që kanë dalë në pension, po mblidhen dhe festojnë së bashku, disa herë në vit, me shkak apo pa shkak. Dhe nismëtar i kësaj “lëvizje”, është kolegu ynë Ali Balliu, i cili kur doli në pension na mblodhi kolegët e hershëm, për të festuar jo moshën, pasi nuk e pranon fjalën “i moshuar”, por punën që do bënte dhe po bën, pa i thënë dhe pa e detyruar kush.

Të them të drejtën na pëlqeu ky takim festiv, dhe kështu me radhë, kohë pas kohe, mblidhemi dhe festojmë, ku nuk mungojnë dollitë për njëri-tjetrin, as shakatë, kënga dhe vallet, përfshi edhe kujtimet për bëmat tona gjatë kohës së punës si mësues, por edhe për të thënë: “Ç’ kam bërë, ç’po bëj dhe ç’do të bëj”. Kjo është një tjetër temë bisede dhe kuvendi, ku diskutimet marrin udhë në frymëzim, për ta ndjerë veten më të ri dhe mes të rinjve.

Shpesh këmbejmë libra të botuar e të përuruar mes miqsh e shokësh,  poetësh e shkrimtarësh, siç ka bërë Aliu, si botues dhe anëtar i “Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit”, siç do të bëj edhe unë në takimin e radhës, pasi në këto dit shkurti 2025, kam botuar librin më të fundit. “Filxhani me buzë të kafshuar. Tregime”, ku ka tema e ndodhi të mara e të jetuara nga koha pa kohë, me kolegët, nxënësit, kuadrot dhe banorët e fshatit, në fshatrat e Komunës Katundi i Ri.   

 Ajo që më pëlqen ta theksoj për kolegun dhe mikun e hershëm është thjeshtësia, sinqeriteti, besa dhe mirënjohja që buron nga shpirti. Është i papërtueshëm në çdo punë që merr përsipër. Dëgjon shumë dhe flet pak. Është i guximshëm në fjalë dhe premtim, ku nuk mungon edhe durimi e këmbëngulja, kur ngacmohet nervi nismëtar për gjëra të bukura, si në takim e kuvende miqsh, konferenca, tubime e udhëtime, sport, muzikë dhe shkëmbim përvoje, etj, etj.

Urime koleg e mik i vyer! Jetë të gjatë dhe shëndet të mirë! Ke ende kohë për të bërë gjëra me vlerë, duke lënë gjurmë në historinë tënde, të familjes, miqësisë, shoqërisë dhe krijimtarisë letrare dhe profesionale.

Po citoj dy fjalë që i kam dëgjuar nga ti, ku ka mendim të ngjeshur dhe shumë filozofi:

“Shumë njerëz mbahen të mëdhenj, kur janë hipur mbi kalë.

Por nuk e dinë, se jeta të madhëron me vepra, jo me fjalë”.

 

Miqësisht!

 

Kadri Tarelli

Fund marsi, 2025.

 
 
 

2 Comments


Enver isufi
3 days ago

Shume mire zoti Kadri, qe jeni munduar dhe keni shkruar per agronomin dhe mesusein ALI BALLIU. Aliu eshte si te gjithe herojt e heshtur qe formojne ate qe quhet shoqeri normale dhe e paster,shoqeri pa vese, sepse aty ku dominon dashuria per punen dhe njerezit nuk mbijne barera te egra sociale. Keto "kultivare njerzor" duhen ruajtur edhe duke shkruar per vlerat e tyre, sepse keto lloje njerzish na duhet ti shtojme ne shoqerine tone,ku lavdrimi i shembujve pozitve quhet ende ideologji .

Like

Guest
3 days ago

Përshëndetje dhe mirënjohje që publikoni këtë shkrim, kushtuar specialistit Ali Balliu, i cili edhe që ka dalë në pension, ende vazhdon të punoj. Ai nuk e pranon fjalën "i moshuar" dhe as fjalën pensionist, Të tillë njerëz duhen marë shembull, sidomos nga të rinjtë. Faleminderit!

Edited
Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page