top of page

“Justina” një roman që mbeti enigmatikisht larg Nobelit


Lawrence George Durrell

Justina” një roman që mbeti enigmatikisht larg Nobelit


Dr Fatmir Terziu


Një nga romanet e shënuar si ndër “më të lexuara” për një kohë të gjatë në Britani të Madhe dhe më tej, është edhe romani “Justina”(1957). Vetë karakteri kryesor në këtë roman ka një lidhje me një shqiptar. Është një shqiptaro-francez që lidhet me vetë Justinën. Shqiptari nuk ka një peshë të madhe në roman por për kohën kur ai zhvillon ngjarjet ka një rëndësi të madhe. Ky roman është shkruar nga shkrimtari Lawrence George Durrell, (Lexo: Lorenc Durrell). U shkrua për një periudhë disavjeçare dhe u publikua në vitin 1957. Romani është i pari në kuartetin e tij Aleksandria. Në fakt Kuarteti Aleksandria është i njohur si tetralogjia e tij e famshme. Është e rëndësishme të theksohet se Lorenc Durrell ishte një shkrimtar i konsideruar me origjinë britanike, por kur ai nuk e mori dot pasaportën e qytetarit britanik. Madje këtë nuk e përfitoi edhe me ligjin e Aktit të Emigracionit të vitit 1962 për zonën e Komonuelthit. Ai ishte i ndaluar të hynte në Britani me këtë ligj dhe duhej të aplikonte për vizë në çdo hyrje në këtë vend. Ai ka lindur në 27 Shkurt 1912 dhe ka vdekur më 7 nëntor 1990-të. Ka lindur në ish-zonën britanike të Indisë në Jullundur nga një çift i lindur në Britani. Ishte poet, romancier, dramaturg dhe më së shumti një shkrimtar udhëtimesh. Kështu ai preferoi të ishte një kozmopolitan. Ai studioi në kolegjin Shën Jozef në North Point, Darjeeling, por edhe pse në moshën njëmbëdhjetë vjeçare ai vazhdoi në shkollën St Olave's Grammar School, vetë kishte deklaruar se fillimet e tij ndikuan në brumin e tij krijues, por gjithësesi ai dështoi në studimet universitare, derisa e ndërmori seriozisht shkrimin e poezive në moshën 15 vjeçare me koleksionin e tij poetik “Fragmenti Kuant” (Quaint Fragment) që u botua në vitin 1931. Ai është martuar me Nancy Isobel Myers, më 22 Janar 1935, që ishte një nga katër martesat e tij. Ai ka qenë shumë i lidhur me Ballkanin. Vëllai i tij, një shkrimtar tjetër, Gerard Durrell ishte vendosur në Korfuz. Në Korfuz, Lorenci me Nansin jetuan bashkë me një stil bohemik në një shtëpi moderne në Kalami me një miqësi të rehatshme të popullit çam të zonës. Në jetën e të dy vëllezërve thuhet se ka një ndikim të madh nga poeti doktor i shkencave Theodore Stephanides.


Më pas ai në vitin 1937 ka takuar në Paris në Villa Seurrat shkrimtarët Henry Miller dhe Anaïs Nin. Më vonë bashkë me Alfred Perles, Nin dhe Miller ai krijoi lëvizjen e vet letrare. Në vitin 1940 ai u vendos në Aleksandri të Egjyptit. Gjatë luftës ai shërbeu si Atashe shtypi në Ambasadën Britanike në Kajro dhe në Aleksandri. Aty ai u njoh me Ivetën, (Eve) Cohen, një grua me origjinë Izraelite që u bë më pas modelja e karakterit të tij Justinë në këtë roman, të përfshirë në Kuartetin Aleksandria. Ai u nda me Nancin dhe u martua me Eve Cohen në vitin 1947 dhe tre vjet më pas ai kishte vajzën Sappho Jane, (Safo) emër që ia vuri për nder të poetes greke të antikitetit, Safo. E bija me këtë emër i dha fund jetës në vitin 1985 me vetëvarrje, duke lënë në mes shkrime që Kritika i kishte konsideruar me vlera të mëdha.

Në vitin 1947 Durrell u emërua në Institutin e Këshillit Britanik në Kórdoba të Argjentinës, ku ai lekturoi për gati tetëmbëdhjetë muaj në kulturë. Ai u kthye në Londër në verën e vitit 1948. Rreth kohës kur Tito ndërpreu lidhjet me Stalinin, ai iku në Beograd dhe ndejti deri në vitin 1952. Këtu ai mori frymëzimet për romanin që shkroi “Shqiponjat e bardha mbi Serbi” (1957).

Po në vitin 1957 ai botoi romani “Justina” të parin nga katër të tjerët e Kuartetit Aleksandria, “Balthazar” (1958), “Mountolive” (1959) dhe “Klea” (1960) që e bënë të famshme punën e tij. Ai i quajti këto romane ‘relativistike’ dhe vetëm në romanin “Klea” historia avancon në kohë dhe kap konkluzionin.

Kuarteti impresionoi kritikët, për pasurinë dhe stilin e tij, por edhe për zhdërvjelltësinë e karaktereve të tij. Lëvizjet e tij midis politikes dhe personales, ekzotikes në paraqitjen gjeografike rreth qyteteve të cilat ai portretizoi krijuan shijet e dëshirave të ekspozuara. Suplementi Letrar “The Times” (Koha), në një shkrim të asaj kohe shkruante: “nëse ka ndonjë krijim që pëlqehet në çdo fjali të tij është puna e këtij autori”. Në atë kohë ka patur edhe mendime për dhënien e çmimit “Nobel”, por nuk u realizua.

Justina” në vitin 1969-të frymëzoi edhe regjisorin George Kukorqë të ekranizonte atë, por filmi i tij ishte një melodramë dhe u prit shumë dobët. Ai ka qenë më vonë në vitin 1982 i përzgjedhur për çmimin “Booker Prize”.

Poezia e tij dhe “Justina

Në fakt poezia e tij ishte dhe mbetet e mbuluar nga hija e romaneve të tij. Kritiku i mirënjohur Peter Porter shkruan: “një nga poetët më të mirë të njëqind viteve të shkuara”. Një nga më natyralët dhe kënaqësisjellësit do të shkruhej më pas. Ai shkon duke cituar se poezia e Durrell ishte gjithmonë e bukur si zë dhe sintaksë.

Justina” romani më i bukur i shkrimtarit Lorenc Durrell është cilësuar si një roman klasik e romantik. Dashuria dhe pasioni pas dashurisë është tema pas këtij romani që merr jetë nga psikanaliza e Frojdit. Është vetë jeta e Durrell që eksperimentohet në fjalësintaksën perfekte të kësaj psikanalize që nis në portin egjyptian të Aleksandrisë pak para shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Dy çifte janë përfshirë marëzisht me njëri-tjetrin në një ‘ngatërresë’ romantike që përfundon në vdekje dhe ndarje. Lindja e një vajze është një krizë dhe një shkas tjetër. Një histori që tingëllon mjaft e komplikuar.

Të tillët janë në rrjetën e dashurisë. Gruaja në qendër të romanit është Justina. E bukur, arrogante, çifute me ndjenja të paqarta. Justina, e cila, rastësisht mëson nga një roman autobiografik të shkruar nga ish-burri i saj shqiptaro-francez një histori të ndërlidhur, më tej nuk mund të japë ose të marrë kënaqësi në dashuri, sepse çdo herë kur ajo ka marrëdhënie seksuale me një dashnor, ajo ri-imagjinon pa joshur asgjë si një vajzë e re. Por kjo nuk e bën atë më pak të dëshirueshme për burrin e saj të tashëm. "Princi" Nesim, një princ koptik-tregtar, i cili menjëherë ka rënë në dashuri me të. Të tjerët paguajnë çmimin. Burri ka hakmarrjen e tij, ose kështu të paktën kryhet dhe realizohet që të besohet. Një i afërm, i cili vdes në një aksident gjuetie, mbetet enigma e romanit. Dhe viktima tjetër është Melisa. Melisa e ëmbël. Balerina greke e kabareve që e donte pa kushte dhe pse e dinte, pse ata qëndronin së bashku, dhe pse e dinte se Justina ishte gruaja që ai e donte. Më vonë gjithshka mbetet si një dinakëri duke realizuar një fëmijë me Nesimin dhe shkurt ata janë dy të dashuruar që kërkojnë ngushëllimin e hidhëruar në njëri-tjetrin.

Durrell e përshkruan këtë në fillimin e ‘çështjes së tyre në roman’me pak rrjedhë dhe shumë fjalëqetësi, por me qartësi mahnitëse.


23 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page