top of page

Ju rrëfej aksidentin tragjik


Më 26 Janar 1979, nga zjarri i rënë në zonën “D” të minierës humbën jetën 9 ish të dënuar ordinerë

44 vjet më parë – Ju rrëfej aksidentin tragjik në Bulqizë që tronditi diktaturën



Ing. Vebi Musta*


Më e keqja e asaj dite ka qene se punëtoret e burgosur nuk lejoheshin te dilnin ne mënyrë te shpejte nga te gjitha galeritë qe lidheshin me sipërfaqen, por vetëm nga një galeri qe shkonte ne mënyrë nëntokësore nga galeria 1200 ose Traverbanku “A” siç quhet teknikisht për ne dalje tek Zona e Parë me një gjatësi afro 500metra


Ishte dimër, 26 Janar 1979. Bora kishte zbardhur vendin, bënte ftohte e acar. Unë isha inxhinier stazhier ne Minierën e Kromit Bulqize. Atë dite kisha planifikuar te punoja ne zyre për te përpunuar te dhënat e grumbulluara për projektin e diplomës pas mbarimit te universitetit. Temën e diplomës e kisha mbi përmirësimin e skemës ekzistuese te ajrimit te përgjithshëm te Minierës se Bulqizës dhe ne veçanti te pjesës veriore te vendburimit te kromit.

Ne mëngjes shkova tek puna kur papritmas shikoj grumbuj njerëzish para zyrave si asnjëherë tjetër. Nuk flas me asnjeri dhe ngjitem ne katin e dyte ku dëgjoj zërin e larte te drejtorit i cili komunikonte me ministrin. “Unë mendoj se duhen lejuar njerëzit te kalojnë nga gjitha galeritë qe kane daljen ne sipërfaqe”- i thoshte drejtori ministrit, “qe te shpëtojmë sa me shume te jete e mundur punëtoret e helmuar”. Mësova se ne zonën D te minierës kishte rene zjarr dhe miniera ishte helmuar nga gazrat e shkaktuara nga zjarri i ndodhur ne horizontin e galerisë A ose 1200 sipas kuotës se nivelit. Ne atë kohe ne zonën Qendrore dhe zonën D ose Jugore te Minierës se kromit punonin punëtorë te dënuar për probleme e tyre te ndryshme por jo politike. Afër meje pashe qe kishte ardhur ndërkohe shoku im Agim Vargu, që ishte dhe ai inxhinier stazhier për punimet minerare ne Ndërmarrjen Gjeologjike te Bulqizës. Kur e pashe sikur mu dyfishuan forcat dhe u bëra me krahë. I them ngadalë te hyjmë bashke dhe te shpëtojmë sa me shume punëtorë te jete e mundur. “Po”- mu përgjigj menjëherë dhe unë i afrohem drejtorit tek tavolina e tij duke i thëne: “ A me lejon mua dhe shokun tim te futemi Brenda ne galeri meqenëse nuk ka ardhur Akoma grupi i Skuadrës Avari Shpëtimit te Minierave nga Tirana?”. “Kush jeni ju?”- me pyeti drejtori me zërin e tij autoritar qe kishte. “Unë jam Vebi Musta dhe shoku im Agim Vargu”- i them, “jemi të dy stazhierë dhe dimë te ndihmojmë ne këto raste aksidentesh. Njëkohësisht dimë te përdorim mjetet mbrojtëse dhe kundërgaz”. Drejtori nuk kundërshtoi por pa hezituar tha: “Po, por kujdesuni për veten tuaj dhe kapuni për dore me njëri tjetrin dhe për çdo rast ndihmoni njeri tjetrin”. Ashtu bëme. Veshëm pajisjet mbrojtëse kundërgaz, morëm dhe nga një bombel oksigjeni rezervë dhe hymë ne galerinë qe mjegullonte nga tymi. Nuk shikohej as një metër distance gjate ecjes. Është e çuditshme dhe çuditem edhe sot e kësaj dite pse nuk kishim frike por mendonim çfarë mund te bëjmë me mire. Mua me dha kurajë ajo qe kisha edhe temën e diplomës për ajrimin e minierës dhe mendova se ky rast do te ishte konkretizimi me i mire për te. Të kapur dore me dore me shokun tim u futem ne galeri dhe pasi kaluam dhjete apo njëzet metra postbllokun e policit roje te kampit te dënuarve, këmbët me shkelen ne trupin e punëtorit te pare te shtrire ne galeri.Shterngova shokun tim duke i dhëne sinjalin se diçka ka, kur papritur dhe ai me shtrëngoi dorën. U ulem se bashku dhe prekem qafen e punëtorit por me kot, ai ishte i ftohur plotësisht dhe kishte humbur jetën. Ai ka qene momenti me i vështire i jetës time.



U shtangem te dy. “Ecim”- me dha kurajë Agimi dhe ashtu bëme. Nuk kaluam as pese metra dhe takojme ne trupin tjetër te pa jete. Pasi e kontrolluam për shenja jete, vazhduam me tej. Po e njëjta gjë ndodhi për pese apo gjashte punëtore qe ishin te pajete. Tek i pesti apo i gjashti nuk jam i sakte dhe nuk me kujtohet nga momentet qe kaluam, pame qe trupi i punetorit te rradhes ishte i ngrohte dhe gërhiste me vështirësi. Shpejt e shpejt e ngritëm te dy dhe e futem ne degëzimin e punimit ku shërbente për magazinën e veglave te punës dhe ku nderoheshin turnet. Unë ketë degëzim e dija sepse e kisha vendosur ne projektin tim si pike e mundshme për ndihme te shpejte ne raste aksidenti. Hapem tubin e ajrit te pastër, dhe filluam te ndihmojmë punëtorin. Ai mundohej te merrte fryme por ishte me goje te mbyllur dhe hunde te bllokuara nga pluhuri. Ndërkohë shoku im i hapi gojën me force dhe unë i vendosa një cope druri ne goje duke i nxjerre jashtë gjuhen. Ajri i tubit te hapur nga ana jone e beri punën e vet dhe na ndihmoi shume . Vumë re qe punëtori shtrire dhe qe e ndihmuam ishte tekniku i sektorit te trete te zonës qe quhej Asllan Lami. Më vone e kuptuam qe ishte nder tekniket me te mire te minierës dhe krijuam miqësi e shoqeri me te. Pasi u bindem se po përmirësohej dhe nuk kishte me rrezik për jetën, i thamë te qëndronte aty pa lëvizur dhe te na priste deri sa te ktheheshim. Na dëgjoi ne heshtje dhe na dha shenje qe te iknim.Ne filluam ndjekjen e galerisë. Edhe dy punëtore te tjerë qe ishin te helmuar i shpëtuam ne te njëjtën mënyre ne këtë galeri. Për fat te keq emrin e tyre nuk e mësuam sepse ishin punëtore te dënuar. Ndërkohë vjen grupi i Avari Shpëtimit te Minierave dhe na urdhëroi te dilnim jashtë qe ato te vazhdonin kërkimet. Njeri nga grupi na shoqëroi te dyve derisa dolëm nga galeria. Kur e pame njeri tjetrin ne sipërfaqe vërejtëm se te dy ishim te nxire nga fytyra. Ishin momente shume te vështira qe njeriu rralle i takon ne jete.


MË E KEQJA E ASAJ DITE, BLLOKIMI I PUNËTORËVE TË BURGOSUR


Nga analiza e aksidentit ne ndërmarrje u konstatua se atë dite u helmuan te gjithë punëtoret, ne gjendje te rende dymbëdhjetë prej tyre nga te cilët nënte me humbje jete dhe tre te shpëtuar nga ana e jone. Tre te shpëtuarit u dërguan ne spital për tu kuruar. Nuk po e shkruaj ketë artikull për te treguar trimërinë dhe heroizmin tone, por për te sensibilizuar këdo qe drejton dhe ka për detyre te ndihmoje punëtoret e minierave kudo qe janë. Puna ne miniere është jo vetëm e vështire, por edhe e rrezikshme ne çdo moment si do te përpiqesh qe ti marrësh te gjitha masat mbrojtëse. Njëkohësisht te sensibilizoj pushtetarët e çdo lloj krahu dhe bindje qe kane për ti vlerësuar me shume dhe ne maksimumin e mundshëm ato qe punojnë ne miniera. Një status për ta është shume pak për punën qe bëjnë, dhe jo te mos përfillet fare nga çdo lloj sorollopi te pushtetit qe se njeh fare punën ne miniere por vetëm tund lapsin neper zyra. Përveç rastit te ndodhur duhet te plotësoj shkrimin tim pe rate qe ndodhi dhe reagimin e njeresve te sistemit e rrëgjimit anti-njerëzor qe kemi kaluar ne shqiptaret dhe çdo njeri është ne te drejtën e tij qe te mendoje si te dëshiroje. Gjate viteve 1978-1981 ne zonën qendrore ose zona e pare dhe ne zonën Jugore ose zona D punonin punëtore te detyruar ose te dënuar për arsye te ndryshme e jo politike. Qendra e banimit te tyre ishte ne zonën e Pare. Një kamp i rrethuar me tela me gjemba ishte qyteti i tyre. Nga vendi i banimit nepermjet një galerie sipërfaqësore dhe nëntokësore lëviznin te shoqëruar me roje te armatosur deri ne punimet e zonës D per te punuar. Çdo galeri ne hyrje te saj kishte një post bllok ku qëndronte roja e armatosur dhe shërbente si hyrje për punëtoret e lire. Te detyruarit shoqëroheshin çdo turn ose brigade me dy ose tre roje te cilët i kontrollonin ato gjate punës dhe I shoqëronin për ne vendin e banimit. Punëtoret e detyruar punonin si vagonistë e minatorë dhe çdo brigade kishte brigadierin e vet te dubluar nga brigadieri i vendosur nga sektori e zona. Çdo sektor kishte nga tre brigadier te lire për prodhimin, një për punimet minerare dhe një për punimet ndihmese te armatimit, shtrimit te shinave e tubove te ajrit, transportit te materialeve te ndryshme qe nevojiteshin për pune etj. Zona D përbehej nga katër sektorë prodhimi dhe një sektor transporti dhe përpunimi te mineralit qe dilte ne sipërfaqe. Çdo sektor drejtohej nga përgjegjësi i tij qe ne te shumtin e kohës ose te rasteve ishte inxhinier miniere, teknik i minierës, gjeolog, marksheder, normist, inxhinieri gjeolog apo inxhinieri marksheder qe ne shumicën e rasteve mbulonte dy ose tre sektorë. Zona drejtohej nga shefi I zonës dhe inxhinieri I zonës. Zona kishte edhe repartin mekanik dhe elektrik qe shërbente për te gjithë sektorët. Normalisht e gjithë Miniera e kromit Bulqize nuk ishte miniere me regjim te detyrueshëm gazi dhe ajrimi artificial. Në zonën Veriore përdoreshin ventilatorë lokalë ne disa fronte pune por ne zonën Qendrore ,zona e Pare, dhe zona Jugore, zona D, ato përdoreshin rralle ose fare. Miniera ajrosej me ajrin qe përdorej për shpimin e birave nëpërmjet çekiçëve shpues ose matrapikeve ne gjuhën e zakonshme. Njëkohësisht ajrimi behej ne mënyre natyrale si rezultat i difuzionit te lëvizjes se ajrit dhe diferencës se temperaturave te ajrit sipas stinëve ose ndryshimit te temperaturave te ajrit ne sipërfaqe dhe ne brendësi te minierës. Normalisht ne Zonën veriore funksiononin rregullisht për te tre turnet personeli i matjes se ajrit kurse ne zonën D ishte me i rralle. Miniera u vendos ne gjendje te detyruar gazi dhe ajrimi pas fenomenit te shfaqjes se gazit metan ne nivelin e 10 te zonës Veriore ose Pusi nr. 2, ne frontin ku punonin minatori Nzif Gjoni dhe zjarrmëtari Munir Sinani. Ishte 27 Mars, 1992.Une ne atë kohe isha me detyrën e kryetarit te zyrës se Studimit dhe Projektimit. Menjëherë jam marre me studimin dhe ndjekjen e këtij fenomeni te ri për Minierën e Bulqizës. Meqë është një fenomen i rëndësishëm dua me pak rreshta ta sqaroj lexuesin me poshtë: “Unë hypa ne furnel për te bere bira”-me tha Nazifi, minatori I frontit kur ne njërën dore mbaja llapen e karbitit dhe ne dorën tjetër barominen. Pas meje ngjitej Muniri zjarrmëtari I frontit.

I NDALUAN TË DILNIN NGA HYRJA KRYESORE,

TË DËNUARIT U DOGJËN TË GJALLË

Kishim gati dy jave qe punonim aty ,por sot na ndodhi diçka e çuditshme. Pa arritur akoma ne ballin e furnelit, një flake jeshile na u shfaq para syve dhe u shoqërua me një zhurme te afërt me zhurmën e një kapsuleje.Llampat na u fiken. Ashtu ne te erret u ulem poshtë ne nivel dhe ndezëm llambat. Kur e pame njeri tjetrin ne fytyre, vumë re se te dy ishim mbuluar me pluhur dhe vetullat e flokët na ishin përcëlluar. Si specialist miniere dhe me eksperiencën tone kishim menduar se kemi te bëjmë me një grumbullim te vogël acetileni si rezultat i lënies se ndonjë cope karbiti ne punim ose mundësisë se djegies se oksidit te karbonit I cili ne miniere e sidomos ne krye te punimeve vertikale e te pjerrëta si furnelet ishte shpesh here I pranishëm. Pas marrjes se provave te gazit dhe analizave te tij ne Institutin e Naftës dhe gazit ne Fier rezultoi se përmbajtja e ajrit te marre kishte gaz metan ne masën 1.93 përqind. Siç dihet gazi metan është gaz eksplodues ne masën e tij te përcaktuar dhe ne mungese te oksigjenit dhe shoqërohet me zhurme. Pas këtij fenomeni dhe pas studimeve me te hollësishme Miniera veriore u vu ne regjim te plote gazi dhe filloi përdorimi i detyrueshëm te llambave elektrike me bateri për te gjithë punëtoret dhe ndalimi i përdorimit te ndriçimit me flake te hapur ose kandilit te karbitit. Për studimet e mëtejshme te ajrimit nuk jam kompetent te flas dhe i sakte sepse unë me vone u largova nga miniera e me pas edhe nga vendi për ne emigracion. Çdo njeri qe ka punuar ne Miniere ose banon ne një qytet minerar është i njohur me aksidentet e ndryshme gjate punës. Ato janë te ndryshme dhe kane te bëjnë me shembjen e copërave te galerisë nga tavani apo faqet anësore, shembjen e armatimeve nga presionet e ndryshme, rreziku i lendeve eksplozive si dhe helmimi nga gazrat qe krijohen ne ambientet e mbyllura nëntokësore te punimeve minerare. Rasti qe ne përshkruam me lart ku humben jetën nëntë punëtorë, ishte tragjik dhe i pari ose i vetmi qe ndodhi ne minierën e Bulqizës pas 31 vite pune te minierës nga krijimi I saj dhe 75 vite deri ne ditët tona. Por si ndodhi konkretisht helmi i punimeve te zonës D dhe pse? Siç e shpjegova me lart për ndriçim personal ne zonën D çdo njeri ishte i pajisur me një llambe karbiti acetileni, e cila përbëhej nga dy rezervuare te vegjël. Ne te poshtmin rezervuar futeshin copërat e karbitit ne formën e gurëve te vegjël dhe ne te sipërmin mbushej me ujë te zakonshëm jo te pijshëm por te pastër. Çdo pike uji qe binte mbi copën e karbitit e bënte atë qe te krijonte gazin e acetilenit qe ne prani te flakës se një shkrepëseje bënte flake dhe drite e mjaftueshme për 8 ore pune normale. Llamba nuk ishte e rrezikshme ne përdorim veçse ne gjendje te pa ndezur kishte ere te keqe dhe te padurueshme. Sipas gjithë gjasave apo mundësive, mëngjesin e 26 Janarit ndoshta dikush me dashje apo pa dashje ka lënë llambën e karbitit me flake te hapur ne armatimin e drurit te galerisë A, dhe armatimi ngadalë por ne mënyrë te vazhdueshme është djegur duke shkaktuar zjarr ne punim. Si rezultat I zjarrit dhe tymit te krijuar gradualisht por ne kohe prej jo me shume se një ore te gjitha punimet e minierës Jugore janë mbushur me tym. Pa dyshim se prania e zjarri dhe e tymit kane bere mbushjen e punimeve me dyoksid karboni e me tej me oksid karboni te lire i cili është gaz helmues e i rrezikshëm për një kohe shume te shkurtër, me pak se gjysmë ore. Më e keqja e asaj dite ka qene se punëtoret e burgosur nuk lejoheshin te dilnin ne mënyrë te shpejte nga te gjitha galeritë qe lidheshin me sipërfaqen, por vetëm nga një galeri qe shkonte ne mënyrë nëntokësore nga galeria 1200 ose Traverbanku A siç quhet teknikisht për ne dalje tek Zona e Pare me një gjatësi afro 500metra ose me shume a me pak nuk jam I sigurte sepse u be kohe e gjate dhe nuk e mbaj mend. Por dalja e rregullt dhe organizuar ne rresht dhe e kontrolluar krijonte vonesa ne largimin e punetoreve nga zona e helmuar ne drejtim te qendrës se banimit dhe pasojat ishin te medha sic e tregova me lart. Ky ishte fati i atyre te detyruarve qe jo vetëm vuanin dënimin për gabimet e tyre personale, por humben edhe jetën pa ju njohur asnjë e drejte qofte edhe ajo e jetës nga regjimi i kohës. Çfarë te keqe do te kishte sikur këto te vlerësoheshin njëlloj si punëtorët e tjerë te lire qe aksidentoheshin ne Miniere? Asgjë e keqe veç respektit se qenies njerëzore. Por diktaturat nuk kane kufi dhe njerezillek por veç sundim dhe poshtërim te njeriut. Ky ishte aksidenti me i madh i ndodhur ndonjëherë por dua te sqaroj se ne minierën e Kromit Bulqize ne kohen e sistemit komunist aksidentet kane qene te shumta krahasuar me ato qe ndodhin tani dhe uroj qe te mos ndodhin asnjëherë. Mesatarisht nga viti 1948 i hapjes se rregullt te Minierës se kromit Bulqize kane ndodhur 10 deri ne 13 aksidente ne vit ose te paktën një aksident ne muaj. Kjo është e sakte dhe e argumentuar ne baze te librit te zi qe mbante dega teknike e Minierës për regjistrimin e aksidenteve te punës me humbje jete. Për te qene i sinqerte ne kushtet e kufizuara fizike te punimeve minerare dhe kushteve te punës neper miniera aksidentet janë te pamundura te eliminohen një qind për qind por marrja e masave për parandalimin dhe zvogëlimin e tyre ne minimum është detyre e çdo drejtuesi e pronari i çdo aktiviteti minerar. Duke i kërkuar lexuesit dhe specialisteve te fushës minerare si art ne vehte,ndjese për gabimet pa asnjë qellim apo me dashje, apo ndonjë pasaktësi dhe lëndimit te atyre qe kane humbur jetën ne Minieren e Bulqizes e mbare vendin, unë lutem dhe shpresoj qe mos te dëgjojmë me raste te tilla.

*Ish punonjës dhe drejtues në Minierën e Kromit Bulqizë

357 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page