Jo vetëm vëmendje, Mara, një shkrimtar bashkëkohor
Dr Fatmir Terziu
Në vend të hyrjes
“Nemo cupido ignotum”, që do të thotë nga latinishtja: çfarë nuk njihet, nuk duhet, duket se është mesazhi që shkrimtari dhe poeti vlonjat, Myrteza Mara, përcjell në tërë krijimtarinë e tij. Një prognozë, kjo, që ka lindur hershëm në shqetësimin letrar shqiptar. Hershëm, pra qysh në 1939-tën, kur një nga kritikët më në zë të asaj kohe, por që çuditërisht i mungojnë të dhënat bibliografike në arkivën letrare shqiptare, Andrea Shuli, do të diskutonte me guxim për “shterpësinë letrare” (Shuli; 1939, 31 Dhjetor, f.2. Gazeta: “Fashizmi”). Ai ngriti zërin në një kohë tjetër, me një problematikë tjetër, duke theksuar me të madhe se ‘shterpësia politike’, nuk vinte vetëm nga kriteret politike, por edhe nga nga mosnjohja, nga korrelacionet e kohërave, trajtimet klasike, apo edhe imponimi si “condition sine qua non”, pra si interpretim i diktuar dhe i shtirur(po aty). Por, në thelb diktoi atë që në vite mbeti një dilemë filozofike e krijimtarisë shqiptare. Një dilemë që vonë u kryqëzua nga mashat e ndikimit marksist-leninist.
Deri në ditët kur krijimtaria e shkrimtarit, Myrteza Mara vjen e bollshme, janë ende dihatje kritike të kësaj ‘shterpësie letrare’ edhe pse libra, botues, autorë, poetë e shkrimtarë kemi boll. Mara, ka ditur me një përkushtim kritik të dalë nga ajo bina që tejësohet në mesin e lavdisë së vetëshpallur kritike, duke krijuar hapin e tij të matur letrar, duke flakur tutje ‘shterpësinë letrare’, që më së shumti sot shfaqet edhe tryezave me krijues interesash, apo mes tezgave ku shitet libri për bukën e gojës, e që i ngjan shpeshherë fatit të rrobave në tregun e vjetërsirave. Fati e solli rastësisht të gjeja dhe lexoja krijimtarinë e Marës. Vlora e tjetërsuar, dhe një ditë mes krijuesish vlonjatë, më solli këtë shans të ndjehem mirë nën peshën e vargut, letrave dhe talentit të tij. Nuk mjafton një orë, një bisedë, një njohje spontane, … natyrshëm as edhe një respekt rasti, natyrshëm letrar të ndezësh motorët e të frysh e shfrysh energjitë. Por, kur e ndjen se je flakur tutje ‘shterpësisë letrare’ që sundon sot këndeve me ‘letrarë të ndezur’ natyrshëm meriton të kthehesh në një lexues inteligjent. Kësaj rradhe m’u diktua nga pesha e fuqishme letrare e shkrimtarit, Myrteza Mara. Myrteza Mara ka lindur në Vlorë në vitin 1943. Ushtarak karriere me arsim të lartë. Është autori i dhjetë librave me poezi, i dy novelave dhe një roman. Myrtezai është një intelektual i përkushtuar në qytetin e Vlorës. Nga viti 2006 drejton Shoqatën e Shkrimtarëve “Petro Marko” në Vlorë. Botime në poezi: “Ku është parajsa”, “Mëkati i botës”, “Nisja e vonuar”, “Dielli i puthjes”, “Në portat e iluzioneve”, “Dëshmitarja e verbër”, “Kur do kthehet dielli”, “Nën hijen e një ëndërre”, ”Gjurmët e heshtjes”,”Qiriri i penduar”. Në prozë: “Faji i bukur” novelë, “Lisjana” novelë, “Semaforët e Thyer” roman, “Gruaja e një ëndrre të bardhë”, novelë.
Por, nuk është ky thelbi i leximit të shkrimtarit, Myrteza Mara. Nuk është sasia produktive e tij, as edhe aritmetika e krijimtarisë së tij tashmë të larmishme, në poezi e në prozë. Është stili i tij, vlera e krijimtarisë së tij. Dy fjalët e fundit, stili dhe vlera janë dëgjuar shumë në mesin e krijuesve, analizave dhe kritikave letrare, apo edhe në salla me promovime, por kur ngjizen në krijimtarinë e Marës, ato marrin një dimension tjetër. Dimension që vjen nga disa faktorë. Ndër më kryesorët janë: pjesëtimi detajues i faktorëve nxitës, rrëmimi në gjuhën popullore dhe stilistikën letrare, zhdërvjelltësia e zbrazëtisë dhe rindërtimi konceptual, termi dhe terminologjia filozofike e fjalës dhe mesazhit të veprave të tij. Duke u ndikuar nga këto veçori të veprës së Marës, natyrshëm e ndjejmë me vend të klasifikojmë krijimtarinë e tij në stadin që e meriton, t’a kthejmë rolin vëzhgues e kritik në apriori. Dhe këtë ai e meriton, aq më shumë kur diktohesh nga ide që janë shfaqur herët e që sot komunikojnë ndjeshëm përpos timbrit filozofik në hapësirë, kohë e vend, në të cilin Myrteza Mara ka marë një dimension të rrëndësishëm.
Pronoza artistike dhe dialektika e jetës
Leximi i poezisë dhe prozës së shkrimtarit, Myrteza Mara, nuk është një arsye që shënon larminë gjeografike të krijimtarisë, as edhe një detyrim kondicional. E bën këtë një shtysë që vjen nga argumenti. Argumenti filozofik. Në rregull. Vetëm kaq?! Çfarë ka filluar si një oportunitet në leximin e prozës së tij në veçanti, konsiderohet si një hapësirë dhe një afrimitet në fushën e punës së artit, ndryshe që në kulturën dhe analizën perëndimore quhet një konsideratë e ‘art-punës’. Ajo ka nisur si një domosdoshmëri për të flakur spekullimin letrar të vargëzimit apo edhe të renditjes së fjalive në prozë, jashtë prognozës artistike të ndikuar nga hapësira dhe zbrazëtia. E premtuar në filozofi nga Heidegger dhe e zhvilluar më tej nga filozofë të tjerë, arti dhe hapësira në krijimtarinë e Myrteza Marës, merren në konsideratë tek “Gruaja e një endrrë të bardhë” që vjen në formë të plotë me një fabulë të arritur artistikisht “Ana e bukur, vajzë e një familjeje të varfër, pasi ka dështuar në dashurinë e parë, bën kompromis duke u martuar me Dividin”. E gjitha kjo hapësirë në kuptimin filozofik të jetës që ndikohet nga dashuria, krijohet në një lidhje të ngushtë me depërtimet në labirinthet e njohura e të panjohura të vetë fatit të individit në shoqëri, ku e vetmja distancë shprese krijohet nga pasazhet ku shpresat jetëdhënëse zbulojnë një gjuhë tërheqëse. Në rikonsiderimin e aestetikës dhe huntologjisë, si dy teori që ndikohet dhe ndërlidhet me krijimtarinë e Marës, ku e para formon kriterin art-ndikues dhe e dyta lidhjen filozofike me gjuajtjen figurative të fateve njerëzore në hapësirë dhe zbrazëti, “Gruaja e një endrrë të bardhë” vjen si një model proze që vlen më shumë vëmendje. Në këtë vëmendje natyrshëm termi ‘marëdhënie’ dhe ‘dialektik’ kanë një hapësirë më të zgjruar. Duke iu referuar konceptit filozofik të Derridë, këtu në tërë strukturën artistike të “Gruaja e një endrrë të bardhë” identifikohet kuptimi i artikulimit dhe spektri imperativ (kryesor) që mbart jo vetëm fabula, pore dhe tërë struktura ndërtuese dhe kompleksi letrar. Është në fakt edhe ajo që botuesi shprehet rreth këtij libri“Që një ëndërr të bëhet realitet kërkon punë, mund, lodhje e durim. I riu Sotir, një emigrant në Greqi sheh se si i digjet shtëpia e vjetër ku gjendej nëna dhe qeni i tij besnik. Ana e bukur, vajzë e një familjeje të varfër, pasi ka dështuar në dashurinë e parë, bën kompromis duke u martuar me Dividin, një njeri shumë i shëmtuar që do të kthehet në makthin e saj. Shëmtia është pasqyrim i shpirtit të tij të zi. E keqtrajton Anën pse është e bukur, duke dashur kështu të luftojë mirësinë, bukurinë dhe vetë Zotin. Misteri sa vjen e zbulohet. Është Dividi ai që ka vrarë nënën e Sotirit për t’i rrëmbyer kursimet e këtij të fundit, por nuk del i pashpërblyer, sepse qeni e ka shfytyruar atë, duke e kthyer në gjendjen që është. Ëndrra e bardhë bashkon Sotirin dhe Anën. Kjo është fabula e romanit më të ri, i sjellë me penën e një mjeshtri në duart e leximdashësve.”
Diskursi i motivimit
Duke vazhduar më tej edhe me këtë pikasje, esencialiteti kryesor jo vetëm që motivon diskursin, por edhe kumton një funksion të veçantë në funksionimin e lidhjes me fabulën në tërësi si një funksionator apo edhe një rregullator topologjik i variacionit letrar. Ky mjet topologjik që gjen fuqinë e argumentit dhe fjalës, kapërcen një rrugë pikëfilluese dhe shkon deri në një rrugë që synon majat letrare. Myrteza Mara, ka një lidhje të qartë e të plotë në këtë rrugë të ndjeshme proze. “Lisiana”, është një fakt tjetër. Koha dhe detaji artistik në të kanë po ato vlera artistike dhe filozofike. “4 korrik... Ashtu padashur, si një aventurë gati-gati fëmijërore nis gjithçka nga një telefonatë... Lisiana, një studente jetime, pasi bën një telefonatë rastësore gjen një mik që do të kthehet në engjëllin e saj mbrojtës. Agim Adili është një burrë rreth të pesëdhjetave, i ve. Ai mendon se jeta për të ka mbaruar, por ja ku del një rreze shprese për të. Ata do të qëndrojnë pranë, por veçse përmes telefonit. Ndjenja që sa vijnë e rriten pa u përplasur asnjëherë me njëra-tjetrën dhe shkaktojnë “vuajtje” të ëmbël. Dhe kur ndodh të takohen...” Në këtë pikë diskursi i motivimit arrin të depërtojë në llogari të finksionit artistik, që rradhë herë mund të shihet si një fakt dhe fat letrar në fushën krijuese. Këtu pikërisht ka ndikim edhe zbrazëtia si motiv filozofik. Zbrazëtia është ndërtuar në këtë novelë si një kundërthirrje për plotësimin e distancës jetike të ndikuar nga faktorë të ndryshëm. Pra, duke udhëtuar mes ritmit artistik të krijimtarisë së shkrimtarit, Myrteza Mara, natyrshëm gjejmë dhe diktojmë arsyen të themi se ndaj krijimtarisë së tij duhetjo vetëm vëmendje, por Mara, është një shkrimtar bashkëkohor me vlera të arrira në krijimtarinë letrare shqiptare.
Commentaires