Lexova esenë e Profesorit Thanas Gjika, me titull “Njeriu i qytetëruar dhe njeriu i paqytetëruar”, të botuar në numrin e djeshëm (27 gusht) të këtij Portali. Është një ese interesante, sepse pendesa dëshmon për shkallën e qytetërimit të njeriut të të gjitha niveleve të jetës shoqërore.
Shembulli i pendesës së Bill Klintonit pas ngjarjes me Monika Levinskin, i qytetarit me postin më të lartë në hierarkinë politike të Shteteve të Bashkuara, të një vendi me demokraci të konsoliduar, ku të gjithë janë të barbartë para ligjit, dëshmon më së miri se kemi të bëjmë me një demokraci funksionale.
Profesori, me keqardhje të thellë, nxjerr në pah një fakt tronditës nga realitetet shqiptare, ku askush nga sfera e politikës nuk e ka njohur dhe nuk e njeh absolutisht institucionin e pendesës. Mirë do të ishte që Profesor Thanasi të ndalej në disa shembuj konkretë.
E para që duhej të qe penduar pas vitit 1990, duhej të ishte Nexhmije Hoxha, bashkëpunëtorja e ngushtë e kryekriminelit Enver Hoxha. Përmes Nexhmije Xhuglinit, që gjatë viteve të luftës, siç thekson historiani dr. Vasfi Baruti, në strukturat e partisë dhe të ushtrisë përcilleshin porositë e prera:
“Të dekorohet pas koke, në befasi, në fshehtësi, me nderime (sipas rastit), pa lënë shenjë guri-varri… Dekorimi është marrje e jetës me plumb pas koke a shpine, dekorimi kërkohej të bëhej në befasi për kundërshtarin dhe në fshehtësi të madhe që e vërteta të kallet me kufomën…” (Citohet sipas: Vasfi Baruti. “Enver Hoxha: gjysma tjetër e hënës”. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Tiranë 2017, f. 377).
Në këtë mënyrë kriminale “u dekoruan” komunistët Mynyr Xhindi, Mustafa Gjinishi, Mustafa Kaçaçi etj., kundërshtarë politikë të askushit Enver Hoxha.
Në raste të tilla, personalitetet e shquara nga sfera e artit dhe e kulturës, përmes institucionit të pendesës, duhet të japin shembullin e vet për emancimin e njerëzve të politikës. Por, fatkeqësisht, në vendin tonë, ky lloj institucioni është fare i huaj, krejtësisht i panjohur edhe nga ana e këtyre personaliteteve.
Mendoj se ai që duhej të jepte shembullin i pari për pendesë, duhej të ishte Ismail Kadarea, një shkrimtar i njohur në mbarë botën, veprat e të cilit janë përkthyer që nga Japonia e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pendesa e Kadaresë ishte shumë e nevojshme për shkak të korpusit poetik që i pati kushtuar kryediktatorit, një korpus ky, të cilin arkitekti, poeti dhe përkthyesi i talentuar Petraq Kolevica e ka analizuar fare mirë në përmbledhjen kritike me titull “Autobiografia e Kadaresë në vargje”, që e pati nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Tiranë, 2002.
Në atë libër dëshmohet në mënyrën më të shkëlqyer se deri në ç’nivele të larta kishte arritur filozofia e servilizmit të neveritshëm të Kadaresë ndaj kryediktatorit. Por servilët e Kadaresë, të cilët, ashtu si fara e gramit dhe e egjrës që “u zë frymën” kulturave bujqësore, nuk ndenjën të qetë para botimit të asaj përmbledhjeje. Kjo për arsye se, sipas psikologjisë së tyre prej kurrizshtruarish para Kadaresë, u duhej zënë fryma të vërtetave që Petraq Kolevica shpaloste për servilizmin e pështirë të Kadaresë ndaj kryediktatorit.
Asokohe, një intelektual shkodran shkruante:
“Nuk është e rastit që një libër i tillë, u nda vetëm në disa kopje dorazi dhe u zhduk nga shtypshkronjat apo libraritë”. (Citohet sipas: Blerti Delia. “Kadare ose shembja e idhujve”. Shkodër, 2004. Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 qershor 2009).
Çuditërisht, Kadarea, nuk hoqi dorë nga servilizmi ndaj kryediktatorit edhe kur ky qe larguar për në botën e përtejme. Në esenë me titull “Një pasdite me shokun Enver Hoxha”, ai shkruan:
“Tani që udhëheqësi ynë nuk është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato janë pjesë e veprës së tij monumentale…” (Citohet sipas faqes së internetit “Radio Kosova e Lirë”. 17 shtator 2012).
Pra, Kadarea, ende nuk hiqte dorë nga servilizmi “veteran” ndaj kryediktatorit, duke e vlerësuar si “monumentale” veprën e tij, e cila dihej që do të përfundonte në koshin e mbeturinave, siç edhe përfundoi faktikisht dhe që arkës së shtetit i kushtoi miliona dollarë.
Kadarea a u pendua ndonjëherë për gjithë atë enciklopedi servilizmi ndaj atij kryekrimineli?
Jo, aspak. Ai nuk u pendua as para të përndjekurve politikë për qëndrimin fyes, deri në përbuzje, ndaj tyre dhe, përgjithësisht, ndaj klasës së përmbysur. Qëndrimi i Kadaresë ndaj tyre ka qenë në harmoni të plotë me qëndrimin e kryediktatorit në kuadrin e fushatave të luftës së klasave. Ky qëndrim del më së miri në pah në korpusin e tij poetik në shërbim të kryediktatorit, sidomos te poezia “Në mesditë Byroja politike u mblodh” (Mos lëvizën klasat e përmbysura,.. Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj) dhe te poezia “Terrori i bardhë” (“Njerëzit, pavarësisht nga klasat, buzëqeshin, / Dhe duke buzëqeshur, unë shpesh ju kam parë. / Por veç kur kam shkruar diçka që veçanërisht ju ka prekur,/ Mes smaltit të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë” (Citohet sipas: Ismail Kadare.Vepra letrare. Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, Vëll. 1, f. 331).
Kadarea nuk është penduar për asgjë në jetë. Këtë e ka pohuar me gojën e tij. Zonja Mimoza Kelmendi, në vitin 2014, pati botuar në Gjermani librin me titull “Kadare ndryshe”. Në atë libër ajo ka përfshirë edhe një intervistë që i ka marrë Kadaresë në Paris, në të cilën, mes pyetjeve të shumta, i pati drejtuar edhe pyetjen në vijim:
Ju jeni penduar për diçka në jetë?
Kadarea i përgjigjet:
“…tek mua s’ka vend fjala pendim për asgjë” (Citohet sipas: “Kadare për dashurinë, femrat, pasionin dhe pendesën.Sipas një bisede të lirë me shkrimtarin Ismail Kadare në Paris. Faqja e internetit “Epoka e Re”. 10 tetor 2014).
Me poezinë elegjiake, me titull, “Më fal, Enver”, të cilën e botoi fill largimit të kryediktatorit në pasjetë, Dritëro Agolli i vuri njollë vetes, duke fyer njëkohësisht mbarë popullin e varfër të qyteteve shqiptare, i cili, gjatë viteve ’80, zinte radhë që në orën 12:00 të natës para shitoreve të bulmetit dhe të mishit, për një shishe qumësht, për një pako me 100 gr gjalpë apo për 1 kg mish. Kjo gjendje ishte rezultat i veprës antikombëtare të kryekriminelit Enver Hoxha, i cili e katandisi mbarë popullin shqiptar deri në atë shkallë, saqë të rrezikohej nga degjenerimi gjenetik për shkak të ushqimit të pamjaftueshëm.
Është me të vërtetë e çuditshme ta mendosh se çfarë i pati shërbyer si nxitje Dritëroit të shkruante një poezi kaq të gjatë, me 27 strofa, e cila merr parmasat e një poeme. Sa qe gjallë Enver Hoxha, nuk patëm vënë re që Dritëroi t’i kishte kushtuar atij ndonjë poezi tepër ekzaltuese, si Ismail Kadarea.
Të duket e pabesueshme ta mendosh që me këtë poezi të përmasave të poemës, Dritëroi ka dashur t’i ngrejë vetes një monument për himnizimin qe i bëri figurës së Enver Hoxhës, diktatorit më të egër të Evropës pas viteve të Luftës së Dytë Botërore. Vallë të mos i shkonte mendja Dritëroit që me botimin e një vepre të tillë, ai i bënte një sfidë të rëndë popullit të thjeshtë shqiptar, të cilin Enver Hoxha e përçau tmerrësisht nëpërmjet luftës së përbindshme të klasave, duke e mbajtur në darën e izolimit kriminal dhe të varfërimit tragjik?
Pas vitit 1990, Dritëroi nuk u penduar kurrë që pati nxjerrë nga pena atë “himn” për kryediktatorin.
Me sa duket, edhe për Ismailin, edhe për Dritëroin, ka qenë krejtësisht e huaj shprehja e famshme aforistike e teologut dhe e filozofit bizantin Xhon Klimaku (John Climacus - 579-649), i cili ka thënë:
“Pendesa është pastrim i ndërgjegjes”.
Kaliforni, 28 gusht 2022
Comentarios