INTERVISTË ME BIZNESMENIN E SUKSESSHËM SHQIPTAR, ME BANIM NË SUEDI,
ROBERT HOTI
NGA: SHKRIMTARJA. STUDIUESJA, PUBLICISTJA…
ZYBA HYSA
“Jeta më ka mësuar, se arritjet vijnë nga idetë e mia, që për t’i vemë në jetë, duhet në fillim me hapa të vegjël dhe hap pas hapi, ngjiten shkallët e suksesit, se kam vënë re, që dikush hap një biznes i ndihmuar nga tjerët, apo të gjetur gati, shpërthen si fishekzjarre e më pas venitet, derisa vjen dështimi! Unë kisha synime për të jetuar normalisht me familjen time dhe vetëm tek familja u mbështeta”!
(ROBERT HOTI)
- Z. Robert, është kënaqësi që të kam takuar për vlerat njerëzore që mban, ndaj kam dëshirë të njoh gjerësisht dhe thellësisht, kështu që unë do të lë të lirë dhe do të ndërpres vetëm atëherë, kur dua të sqaroj diçka…. Prezantohuni!
- Edhe mua më vjen mirë që keni ardhur dhe jam i nderuar, se me thënë të drejtën, falë Zotit që unë kam pas fatin të jem gjithmonë afër njerëzve që janë të shquar, njerëzve intelektualë, njerëzve që gjithandej kanë lënë vepra dhe kanë bërë vepra, ndaj edhe unë jam ai që jam sot! Kjo është njëra anë, ana tjetër, se si kam vepruar dhe si kam ardhur në Suedi, është me të vërtetë një histori pak si e veçantë. Unë kam lindur në Kosovë, në fshatin Caralluk, komuna e Malishevës dhe që 18 vjeç kam shkuar në Gjermani. Isha i vetëm, pa familjen, më vonë, u bashkova edhe me vëllanë, i cili kishte shkuar para meje atje. Kam punuar dhe vepruar në Gjermani, gati shtatë vjet e gjysëm, ngaqë nuk e përfitova azilin, u desh të ndryshoj shtetin dhe u ktheva në Kosovë. Pasi u ktheva, kam nisur atje një biznes me butikë, ku punova pesë vjet. Gjatë kësaj kohe, ishte fati që takova nusen time, e cila kishte ardhur me pushime në Kosovë, se jetonte në Suedi, ku edhe vendosëm më vonë, të jetojmë përgjithmonë.
Kur kam ardhur në Suedi, kam pasur 2 qëllime: e para që të rehatohem mirë me familjen dhe e dyta që ka qenë prioritare dhe që i kam thënë nuses sime që në njohje, se jam njeri që dua të bëj diçka dhe startova në një firmë të ndërtimtarisë, gjë që e kisha provuar edhe më parë në Gjermani.
Jeta më ka mësuar, se arritjet vijnë nga idetë e mia, që për t’i vemë në jetë, duhet në fillim me hapa të vegjël dhe hap pas hapi, ngjiten shkallët e suksesit, se kam vënë re, që dikush hap një biznes i ndihmuar nga tjerët, apo të gjetur gati, shpërthen si fishekzjarre e më pas venitet, derisa vjen dështimi! Unë kisha synime për të jetuar normalisht me familjen time dhe vetëm tek familja u mbështeta!
Ishte një fillim i vështirë, nuk e njihja gjuhën, ndaj gjëja e parë që kam bërë, fillova të mësoj gjuhën. Startova. Nuk më njihte askush dhe ishte e vështirë t'i futeshe në shtëpi një suedezi që t'i tregoj, se kam aftësi të bëja këto punë, apo ato punë!
Mendova gjatë dhe gjeta një mënyrë; i thashë gruas sime që të merrte letra të bardha “A4” dhe të shkruajë në gjuhën suedeze disa fjalë, në formën e një reklame "Nëse ju keni nevojë në oborrin tuaj, në shtëpinë tuaj për pastrim, për lyerje, për rregullim oborri, a parqe, ne jemi një firmë e re që, sapo jemi krijuar në Suedi, por me përvojë shumëvjeçare nga Gjermania, ne mund të gatshëm t’u ndihmojmë…” Aty lashë dhe numurin kontaktues. Reklamën mund ta publikoja nëpër markete ushqimore, se ishte një vend sapo futesh në derë, ku kishte lloj - lloj fletushke, si: "Ka humbur një mace…" dikush që shet diçka, etj. Që nga Malmoja e deri në Hamsta, dikund nja 300 km në çdo qytet. Shpresa ime ishte, kur shikoja, nëse kishin hequr ndonjë numur dhe kur e shikoja që mungojnë 2 - 3 numura mendoja, se do më thërrite dikush…
Kështu kam startuar, me thënë të drejtën në fillim ka qenë një fitim shumë i vogël, deri në 30 mijë kruna suedeze, afërsisht 3 mijë euro. Me disa vegla të vogla, me një makinë të vjetër… fillova të gjej klientë, por qëllimi im ka qenë i pastër, ka qenë afatgjatë, jetësorë, se në çdo vend që shkoja të punoja, tek çdo njeri, tek çdo klient suedez, ta bindja me punë, ta bindja me vepra me aqsa mundja, që ata të kuptonin, se unë isha i duhuri. Ai ka qenë një princip që e kam përdorur dhe besoj që më ka çuar përpara, se tek çdo klient, mbrenda çmimit që merreshim vesh, çdoherë ka qenë për mua fokus dhe prioritet i parë që të mos dal nga aty, pa i bërë diçka tepër, që nuk e kishim përfshirë në marrëveshje; një murë të vogël, ndonjë rregullim, apo sistemim në bodrumet e tyre, a diçka tjetër. Kjo mënyrë të vepruari, më ka ndihmuar shumë, se kam startuar në 2008 dhe në 2013 kam filluar të ndjej veten si një biznesmen, se shikoja që planet e mia po realizoheshin!
Fillova të shtoj punëtorët, nga tre, katër e më shumë punëtorë, fillova të marr më shumë punë dhe në 2014 - 2015 kam marrë një fuqi punëtore, më shumë se 20 veta. Në 2016 edhe më shumë, pra të gjitha vitet e mia kanë qenë me sukses në rritje ekonomike, me fuqi punëtore, me gjithçka! U ndjeva më së miri, kur në vitin 2018 fitova një mundësi në “Entin e emigrimit” që të sjell punëtorë nga jashtë dhe me atë mundësi, fillova të sjell familjen nga Kosova dhe shumë shqiptarë nga Shqipëria dhe Maqedonia, ku mbrenda dy viteve kam sjellë përafërsisht 57 persona, të gjithë janë shqiptarë, të gjithë janë me familje dhe fëmijët e tyre shkojnë në shkolla dhe të gjithë punojnë e veprojnë tek unë. Kjo është një kënaqësi e veçantë për mua!
Në vitin 2021, unë u nominova, një ndër firmat më të suksesshme për rregullimin e fasadave, në Stockholm dhe kisha numurin e 50. Atë ditë më dhanë çmimin e parë dhe unë, me thënë të drejtën, jovetëm që s’e prisja, por as s’më shkonte ndër mend, se çka pashë aty, kishte firma tjera me suksese e me lloj - lloj projekte të mëdha dhe gjigande, por deshi fati dhe në fund u thirr emri im, ku fitova çmimin e pare! Kështu, ajo figuron në emailet e mia, në çdo përgjigje me dikënd, në websitet e firmës, figuron në historikun e firmës, që nga viti që e kam marrë vendin e parë bashkë me një firmë tjetër suedeze, që e fitoi për projektin dhe gjatë gjithë kësaj kohe, e ndjej veten shumë mirë dhe krenarë!
Falë dhe 2 vëllezërve të mi që punojnë dhe jetojnë në Suedi, që edhe ata janë shumë të suksesshëm, kemi vepruar, siç dhe ju jeni njoftuar nga kryetari z. Hysen Ibrahimi dhe Shoqata e Shkrimtarëve “Papa Kelmenti XI – Albani” kemi ndihmuar jovetëm këtë shoqatë, por edhe shoqata tjera… Gjithashtu kemi ndihmuar gjatë gjithë këtyre viteve organizimet e festave tona kombëtare të 28 Nëntorit dhe të Pavarësisë së Kosovës. Kemi ndihmuar shumë raste të veçanta në Kosovë, familje të varfëra që kanë nevojë për të rregulluar, apo rinovuar shtëpitë, në raste sëmundjesh, dmth, kjo është që më shumë më bën krenarë dhe ndjehem mirë dhe besoj që këtë sukses që sot e gëzojmë, besoj se e kemi falë të gjithë atyre të mirave që kemi pas mundësi dhe kemi pas gatishmërinë që të veprojmë kështu.
Unë në shumicën e rasteve kam thënë punëtorëve të mi kështu: "Dëgjoni, djersa juaj, risku juaj, bashkëpunimi juaj me mua, ndahet gjithandej, ku unë shkoj i jap dikujt, sepse çdokujt që kam mundësi t'i jap diçka, është një pjesë juaja patjetër edhe pse unë nuk mund të marr secilin punëtor për dore e t’i them, se sot po shkoj në emrin tuaj dhe në emër të Zotit të dhuroj kaq, apo aq para! Kjo është një gjë, që ne s'mund t'i ikim, është një realitet, se falë bashkëpunimit tonë, unë kam arritur që kam mundësi dikujt t'ia gëzoj ndoshta një ditë, ose t'ia gëzoj derën, ose fëmijët…
- Kam studiuar një pjesë të veprës së filozofit shqiptar, Isuf Luzaj, i cili shkruan: "Bëni mirësi në jetë e keni besim, se edhe mirësia që ju bëni, depozitohet në thesarin e Zotit, ku asgjë nuk e prek, asgjë nuk e dëmton, asgjë nuk e rrit, asgjë nuk e zvogëlon…"!
- E vërtetë, shumë e vërtetë! Kjo është shprehja më e duhur!
Me thënë të drejtën, kemi dhe shumë tjerë që dhurojnë dhe secili bën vepra më të mira se tjetri, por me keqardhje e them, nuk jemi aq humanë dhe nuk bëjmë, aqsa kemi mundësinë. Unë e di shumë mirë, që kemi mundësi që shumë e më shumë bëjmë.
Së pari, sapo të ngrihemi në mëngjes, apo të dalim për kafe, apo të rrimë dikund, t'i gëzohemi faktit që një shqiptar ka hapur një veprimtari, një biznes, të flasim për të mirat e tij, ta ngremë atë, sepse kështu i ndihmojmë njëri - tjetrit. Sikur ne të kemi negativitet, sikur ne mendojmë negativisht, "Pse ky ka, pse ky kështu" të mos i gëzohemi së keqes, por t'i gëzohemi, sa më shumë të mirës, sepse unë besoj, që përveçse kemi ndihmuar gjithmonë, ndihmojmë dhe jemi faktori kryesorë i vendit tonë në të gjitha aspektet, unë besoj që ne kjo na ndihmon edhe për të ardhmen e fëmijëve tanë. Gjithë ato vepra që dje u shpalosën, gjithë ato vepra që janë shpalosur me vite, janë shembulli më i mirë dhe një vegël e mirë e punës që ne mund t'ia sjellim në shtëpinë tonë fëmijëve, ta dimë që ka ku lexohet.
- Më bëri përshtypje lidhja e përherëshme mes donatorëve dhe Shoqatës së Shkrimtarëve, në Shqipëri nuk egziston, si e keni ndërtuar këtë bashkëpunim?
- Eeee kështu… shumë lehtë besoj, se aq mirë kanë ditur këta njerës që kanë punuar dhe punojnë veprat e mira, se e di cilat janë veprat e mira, ato vepra që janë në favor të gjithkujtë, sidomos të kombit tonë! Nuk besoj që duhet ta mendosh dhe që ta keshë gjithmonë prioritet, që ti jep një dhe të fitosh pesë, unë besoj që ne e kemi rastin me klientët tanë, ku ne të fitojmë, ama të investojmë në libra, ne fitojmë më shumë, aqsa nuk mund të paguhet me pare! Bëje të mirën, se shpërblehesh atëherë kur ti ke nevojën! Kjo është një investim, që nesër edhe kur s'jam gjallë, fëmijët e mi do ta shohin, ose do të fitojnë nga këto vepra që janë bërë.
- Përveç kënaqësisë së dhurimit, kontakti me njerëzit e letrave, çfarë vlere kanë për ju?
- Ato kanë vlerë të veçantë, sepse me të thënë të drejtën, në çdo takim, në çdo vend pune, në çdo vend ku janë shpallur dhe janë veprat e tyre, sa ulesh dhe i kushton rëndësi vetëm i shpalos ato fletë, edhe po s'pate kohë që të lexosh, vetëm sa ulesh dhe i shpalos ato, sheh aq shumë vepra të mira të njerëzve, sheh aq shumë dokumentarë, të cilat janë me vlerë kombëtare, të cilat kanë zënë rrënjë dhe do të jenë jetësore, unë them, se aty patjetër duhet t'i japë pak kohë dhe të pyes, beso, beso, vetë jam i interesuar, se ku janë eventet e tyre, kur kanë nevojë diçka për një libër që të botohet çdo gjë, se e di që është kosto. Këta njerës që punojnë, përveçse nuk përfitojnë asnjë gjë nga ana materiale, besoj që këta japin nga xhepi i tyre. Në shumicën e rasteve, kur jam njoftuar, se të gjitha trevat shqiptare i kam vizituar e kam qenë të mirëseardhur me veprat e tyre në Kosovë e gjithandej e këta i kanë paguar shpenzimet e veta, kur shkojnë në ato takime, atëherë çka të presim ne që i kemi mundësitëmë shumë dhe që kemi mundësi që t'i ndihmojmë!?
Çdo shtet; Izrael, Amerikë… pra çdo shtet bën për veten, për veprat e tyre, pse ne të mos e bëjmë!? Por ne kemi arësyen edhe më të madhe të bëjmë, sepse kemi qenë deri dje në robëri, sepse s'kemi më shumë se 20 vite që kemi kaluar në liri, se ne s'kemi guxuar të shkruajmë shqip, por kemi shkruar fshehtë, kemi shkruar nëpër vende malore e sot që janë gjithë këto kushte që janë për të shpalosur veprat tona, pse të mos i përkrahim!?
- Prapë më vijnë në mend fjalët e po atij filozofi që thotë: "U mblodhëm në një kongres mendimtarët e botës në Amerikë dhe tema e diskutimit në këtë kongres ishte nëse duhet të merremi më me filozofi, me letërsi... ngaqë revolucioni tekniko - shkencor ka arritur majat…” Gjysma e tyre kishte mendimin, se nuk kanë çfare duhen, përderisa njerëzit kanë të mira materiale, por Isufi duke u dhënë shembuj, vërtetoi, se duhet të merremi edhe me filozofi, edhe me letërsi... se këto ndikojnë në kualitetin e jetës...
- Ne i shikojmë vlerat e mira si një trashëgimi të mirë shumë, të cilat janë kombëtare, mund të them jetësore që duhen për të ardhmen e fëmijëve tanë, po dhe ato shifrat e biznesit i shikojmë, por asnjëherë në atë mënyrën e pangopësisë...
- Ne, shqiptarët nuk e kemi pas njohur veten, politika e Enver Hoxhës ndërtoi një histori pa të vërtetat tona, se të vërtetat tona i përvetësuan grekët, serbët, italianët, gjithë shtetet që janë ngritur mbi trupin e trojeve tona të herëshme, ndaj ne duhet të gërmojmë për të sjellë të vërtetat e këto të vërteta, të shkruhen e të publikohen... A mendoni ju, se ai shekull ka zgjuar një ndjenjë krenarie tek shqiptarët e pse përherë e kemi thënë se: "Jam krenar, që jam shqiptar" pra ne e ndjenim krenarinë, pa e ditur që vërtet jemi për të qenë krenarë...
- Unë besoj që shqiptari është zgjuar, për vetë faktim, po marr një shembuj që e shoh në këndvështrimin tim; sa herë që zhvillohet një lojë futbolli, pra ekipet tona dhe të gjithë këndojnë këngën e Adem Jasharit dhe mbushet stadiumi me tifozë të veshur me tesha kuq e zi dhe stadiumi me simbolet tona kombëtare, aty e shoh, që me të vërtetë ka një zgjim kombëtar, natyrisht kjo është një punë e vazhdueshme e njerëzve intelektualë dhe janë disa shenja pozitive që po shihen gjithandej, falë dhe gjithë juve që nuk ndaleni që nga Shqipëria keni ardhur në këtë event! Kjo është një vlerë shumë e madhe, se takoni vlerat këtu në mërgatë, pra ju sillni vlera dhe gjeni vlera dhe këto shkëmbime rrisin vlerat kombëtare!
Sot i kam tre fëmijë, të tre shkojnë në shkollë, gjë që unë e kam pasur gjithmonë në mendje, nëse do mundem t'i shkolloj fëmijët, se vetë nuk mundëm të arrinim atje ku dëshironim, se nuk do të duroja mos shkollimin e tyre. Unë i përkrah jovetëm për të vazhduar normalisht shkollën, por edhe përmes veprave letrare dhe historike që marr nga ju, shkrimtarët dhe studiuesit dhe e bind fëmijën për vlerën e këtyre veprave, se secila prej tyre të afron me atdheun, me kombin nga i cili kemi prejardhjen.
Edhe punën që bëjmë ne, që çojmë të ardhura në shtëpi për familjen, jemi munduar të kemi punë të pastër, se një punë e pastër, më shpie në çdo event që bëhet, sepse kam çfarë të flas dhe kam një eksperiencë të mirë, se e kam punë me djersë. Këto janë që ndihmojnë të ecim përpara!
- Kur dëgjova emrat e sponsorëve të shoqatës, më tërhoqi mbiemri "Hoti", aty kishte shumë, por mbiemri juaj më fliste diçka ndryshe, se më kujtonte filozofin e madh, Ukshin Hotin. Meqë unë kam studiuar filozofin shqiptar, Isuf Luzaj, ish eksponent kryesor i Ballit Kombëtar, dënuar me vdekje nga Enver Hoxha, arratisur në Amerikë që në 1944, kam qenë e apasionuar edhe pas Ukshin Hotit, për aqsa e njoh, se nuk e njoh në detaje, se të dalësh në përfundim të plotë, duhet studiuar hap pas hapi, ndaj përsa i përket Ukshinit me enigmat e tij, por sa më shumë enigma të ketë, aq më shumë më ndjell për të kërkuar dhe studiuar dhe me kaq sa kam mundur të lexoj, Ukshin Hoti shkëlqen shumë e më shumë në hapat e kohës...
Kam dashur të bëj një vepër monumentale për luftën e Kosovës, por ende nuk kam mundur, se në veprat e mia flitet vetëm vërtetësisht dhe nga dëshmitarë okularë, nuk mund të bëhen vepra vetëm përmes opinioneve!
- Unë jam kushëriri i Ukshin Hotit dhe e kam për nder që mbaj këtë mbiemër. Për Ukshinin është bërë një dokumentarë nga TVSH dhe nëse është njeri më me vlerë, pas figurës së Adem Jasharit, unë besoj dhe besoj, pa asnjë hezitim e them, se është Ukshin Hoti!
- Secili person, për kontributin që jep në shërbim të atdheut, është i parë, kështu Adem Jashari sakrifikoi jetën e familjes, është një sakrificë Jezusjane, ama edhe Ukshin Hotit i ka ndodhur si Jezusit, i gozhduar për popullin, për Kombuin, për njerëzimin! Adem Jashari, me vetflijimin, la pas virtytet e vyera të shqiptarit, si guximin, trimërinë, sakrificën, dashurinë për kombin, ndërsa Ukshini përveç virtyteve të pastra shqiptare, ai ka lënë dritën e diturisë pas, ajo dritë, na takon, ne, berazave për të mos e lënë nën hije, por ta nxjerrim në dritë për të parë më mirë udhën e së ardhmes sonë kombëtare. Ju, të afërmit, në bashkëpunim me krijuesit, të cilët kanë guximin, dëshirën, por dhe aftësinë, se vepra e Ukshin Hotit s’është si të shkruash përralla, apo romane, kërkon kohë dhe studim të veçantë e të thellë për ta shpalosur dritën e Ukshin Hotit me të gjitha rrezet e saj, pra duhet bërë një libër monument, i cili të kalojë dorë më dorë për ta shndërruar në një burim drite për të treguar vërtetësisht Udhën e Bashkimit tonë Kombëtar!
- Keni të drejtë, duhet bashkëpunuar jovetëm me kontribue për financime, por edhe të bashkëpunojmë për të realizuar vepra të një cilësie të lartë!
- Ishte kënaqësi që biseduam bashkë, se intervista juaj vlen për çdo shqiptar që banon në trojet e veta, por edhe për këdo që merr rrugën e mërgimit, se mënyra sesi keni nisur biznesin dhe sesi keni ecur hap, pas hapi, është një eksperiencë e vyer për t’u thënë shqiptarëve, se gjithmonë fitohet, nëse bëjmë punë të ndershme, se paratë që fitohen me punë të pista, një ditë na kushtojnë edhe jetën!
Faleminderit z. Hoti, pasardhës fisnik i një fisi të madh!
Unë mësova shumë gjëra nga ju!
Faleminderit!
- Faleminderit ju, zonjë e letrave!
Ishte vërtet kënaqësi që u takova dhe pata fatin të bisedojmë më gjatë!
Comentários