top of page

“JETA IME, NË JETËN E TË TJERËVE”


Mihal GJERGJI

“JETA IME, NË JETËN E TË TJERËVE”

Me publicistin Zylyftar Hoxha


E gjykova të arsyeshme se, një intervistë do kishte më shumë vlerë në një libër biografik, ndërkohë që unë jam duke pasqyruar mendimet e mia, por jo vetëm ato, për krijimtarinë e Zylyftarit. Provoj një ndjesi të çuditshme, drithëruese do të thosha, t’i vendosësh tjetrit një gur sipër kokës, ndërkohë që ai është i gjallë dhe në jetë.

Keni shkuar ndonjëherë në sallën e gjyqit, atje ku arkivohen mëritë? Përballë qëndrojnë të veshurit me veladonët e zinj (ata e kryqëzuan Xhordano Brunon!). Salla mban vesh. Krrokamat e korbave të zinj i shpreh me fjalë dhe i hedh në letër sekretarja. Në mos qoftë e bija e Pons Pilatit, mund të jetë vajza apo mbesa e ndonjë senatori. I pandehuri çohet në këmbë dhe pret të dëgjojë pyetjet e radhës.

Kështu e përfytyroj Zylyftarin, si një fajtor pa faj, i cili do detyrohej të më jepte shpjegime për të kënaqur egoizmin tim:

“Babai im, Ismaili, jetoi dhe vdiq bashkë me idealin e tij. Vetëm ai e kuptonte fëshmërimën e gjetheve të lisit, gjuhën e tyre, dhe ndjente nga larg erërat që zbrisnin nga lartësia e Tomorrit. Me pëllëmbët e argasura nga puna, ledhatonte gurin dhe parmendën e bujkut. Dinte të bënte miq dhe t’i mbante ata. I kishte lezet trapezi, i hahej buka.

Nëna ime, Qazimeja, e qeshur si dielli. Zoti i dha dhjetë fëmijë, të bukur dhe të shëndetshëm, i plotësoi dashurinë e munguar të prindërve. E dha shpirtin te shtëpia ime, këtu në Tiranë. Por unë s’munda ta hidhja në gjoksin tim, s’iu ndodha pranë...! Ajo kishte vite që e kishte braktisur gëzimin njerëzor. Sytë e saj kullonin lot të hidhur.

Në vitin 1993 humbi djalin, Kastriotin 30-vjeçar. Sapo ishte fejuar. U detyrua të shkonte në shtetin fqinj, në Greqi. I duheshin lekët për të ndërtuar strehën e tij të re. Fati s’i buzëqeshi. Humbi jetën në një aksident. Ne s’morëm asnjë njoftim, emigrantët e pyetur nga policia s’e njihnin. E varrosi Bashkia e qytetit në Lamie.

Nëna kërkonte djalin, të qante te varri i tij. Sa shumë ishin të lidhur me njëri-tjetrin. Ishte djali i vogël. Ç’të bënim? Duhet të mbushte pesë vjet atje, pastaj ta sillnim në Shqipëri. Kam shkuar me njërin nga vëllezërit e mi, për të parë vendin ku prehej. Varrin ia gjetëm të mbuluar me karafila. Një sportist me emër ishte krah tij. Takuam nënën e këtij djali fatkeq.

– Janë shokë, na tha ajo, jetojnë në të njëjtën banesë. Unë u sjell karafila të freskët çdo ditë... Oh, Nënat! Ato janë njëlloj të dhembshura në gjithë botën, si nëna ime, Qazimeja.

E sollëm Kastriotin pas pesë vjetësh, mirëpo tashmë nëna ime kishte marrë tatëpjetën. Vetëm qante, ashtu, zemërcoptuar. Pinte duhan dhe ndonjë kafe të hidhur. Pastaj ju dorëzua vdekjes. Ajo plagë ka mbetur e hapur për motrat dhe vëllezërit, është një plagë që dhemb, por jo si ajo e nënës. Ajo ka formën e varrit.

Kam dy fëmijë që i dua shumë, Eraldin dhe Orgetën.Nuk e di, ato që kam shkruar, a do t’i njihni si krijesat e mia? Më dhimbsen edhe ato. Kam gruan, Lavdijen. E kam marrë nga dheu im. Flasim një gjuhë dhe kuptohemi aq mirë. Nuk kam parti, jam dy herë jetim. M’i kanë marrë të gjitha, edhe gazetën “Dielli i Tomorrit” edhe shoqatën. Sa shumë jemi lodhur, bashkë me Xhevahirin dhe skrapallinjtë e tjerë, vetëm ne e dimë.

Kam lindur ditën e Shëngjergjit, por jam regjistruar vonë, më 8 qershor 1947. Kam mbetur i varfër, por vetëm ekonomikisht. Perëndia ime është ky popull flori. Të zgjedhurit e mi janë banorët rreth malit të Tomorrit, pastaj, trapezin e kanë mbushur të ftuarit. Ata kanë bujtur nga çdo cep i Shqipërisë.

Këta s’mund të mi marrë askush. S’munden. As fjalën time. Brenda saj është e vërteta. E kam kërkuar me stërmundim dhe ua solla. Ndjehem i lodhur, kam nevojë të prehem...

Kam motra dhe vëllezër, nipër dhe mbesa, miq dhe kundërshtarë. Kam dhe të vdekurit mi. Shkoj e çmallem me ta, u shpie lule dhe ndez qirinj. Njeriu ka nevojë edhe të qajë, të derdhë lot, sepse qan zemra jo syri. Shtatëdhjetë vite janë sa shtatë jetë, apo jo? Kupat e zhgënjimit i kam pirë shumë herë, e tashmë, si ai që është djegur nga qulli, i fryj kosit…

Kam gjysmë shekulli që shkruaj dhe botoj (shkrimi i parë ka qenë në vitin 1966 në “Zëri i Rinisë” dhe i fundit, s’mund ta them, sepse vazhdoj të shkruaj), kam lidhur jetën dhe kam ushqyer fëmijët me këtë profesion; sepse e kam dashur si një profesion jetësor që të lidh me njerëzit dhe që prodhon fryte dashurie; sepse ka qenë një zeje ndjenje dhe pasioni; sepse i kam bërë gjimnastikë mendjes dhe e kam atë të freskët dhe të begatë më shumë se asnjë herë tjetër

Ajo që kam shkruar unë deri tani, është jeta ime te të tjerët dhe jeta e të tjerëve te jeta ime. Një ndërthurje e çuditshme që e ke konstatuar shumë saktë edhe ti, i dashur Mihal, që po më pyet në këto çaste, por edhe ata që këtu më sipër kanë folur për mua. U jam mirënjohës që, vlerat e krijimtarisë time, i keni kthyer në vlera përgjithësuese që u shërbejnë edhe të tjerëve. Ajo që kam shkruar unë, në fakt janë ato që kam ndjerë, mozaikë ngjarjesh, faktesh, detajesh, refleksionesh e mendimesh, të cilat nuk është kanë “çuditur” botën, por brenda kanë të vërtetat e një kohe, që besoj se ia vlejnë.

Do të më shajë ndonjëri se mburrem dhe nuk tregohem pak modest, kur them di të shkruaj. Le të thonë ç’të duan. Unë di të shkruaj, jo se them vetë, por lexuesit e mi të shumtë... “E bëre si Beluli”, mund të thuash! Ti, nuk e thua këtë gjë, edhe shumë miq të mi, nuk e thonë, se e njohin natyrën time, por ndonjë tjetër që mund të lexojë këta rreshta e thotë. Punë e madhe, le të flasin sa të ngjiren.

E bëra këtë për t’u thënë shumë grafomanëve, shllapuritësve dhe zhgarravitësve, që çuditërisht janë shtuar shumë, se Zylyftar Hoxha nuk është si ata, pavarësisht se koha na vuri të rrimë i thati me të njomin në të njëjtën stivë; e bëj këtë në respekt të profesionit dhe misionit të gazetarit për të çuar te njerëzit realitetin dhe të vërtetë...”. Janë fjalët e Zylyftarit.


Veçori të spikatura


Zylyftari  është njeri dhe krijues i vërtetë. Është i talentuar, madje kjo veçori më nxiti të merrem me të. Thashë që është i vërtetë, por e vërteta ka nevojë së paku për dy njerëz, njëri të flasë dhe tjetri të dëgjojë e  kuptojë, sikurse fjala e shkruar ka nevojë për lexuesit e saj. Në këtë krizë të lartë morale, varka e shpëtimit ka mbetur mes gjolit të injorancës. Aty dëgjohen vetëm zërat e zhabave dhe fishkëllimat e zvarranikëve. Dhe ndërtesat e një populli s’mund të lartësohen asnjëherë, gjersa morali i tij është rrënuar.

Ka disa veçori krijimtaria e Zylyftarit. Së pari, çdo krijues ka një perëndi, por ka edhe një mit të vetin, perëndia e Zylyftarit është populli, njerëzit e këtij vendi, bujku, blegtori, intelektuali, artisti, që ai i ka bërë pjesë të shkrimeve dhe krijimtarisë së tij.

Dhe miti i Zylyftarit është njëri prej simboleve tona të lartësisë, më konkretisht, është mali hyjnor i Tomorit, djepi i Dodonës Pellazge. Ky pushtet i këtij mali, kjo peshë e tij ka ndikuar që Zylyftari ta krijojë zotin apo ta lartësojë atë brenda vetes së tij.

Së dyti, tematika e këtij autori është shoqëria, njerëzit, pjesëtarët e kësaj shoqërie në një hark që i kalon të 70 e ca vitet. Janë dy periudha kohore të dy sistemeve ekonomiko- shoqërore  që i bashkon një ylber dhimbjeje. Klasa e artit e përjeton më shumë këtë dhimbje se sa qytetarët e thjeshtë, dhe kjo ndjehet lehtësisht në krijmtarinë apo në veprën e shkruar apo të publikuar të Zylyftarit.

Por më e rëndësishmja se sa kjo është arti, arti i fjalës, më shumë se sa e kultivuar përmes punës, kjo është e lindur, është një dhuratë, le të themi se Zoti është treguar bujar me Zylyftarin. Sepse Zylyftari nuk shkruan, Zylyftari qëndis.

Kush ia jep fuqinë e mendimit këtij autori? Pikërisht referenca që ka zgjedhur ai për ta ushqyer mendimin, është filozofia dhe mençuria e popullit, e pakrahasueshme deri tani. Ai e gjen atë në thellësinë dhe mademet e dheut,  e vendit të tij, pastaj e gdhend me daltën e mendimit, e laton atë në një mënyrë të mrekullueshme dhe na e sjell neve.

Por brenda artit të fjalës janë edhe dy veçori të tjera që mendoj se duhen theksuar: Në fillimet e veta Zylyftari është marrë me njeriun e thjeshtë, pastaj përmes tij ai ka arritur te fenomeni, kjo tregon një shkallë lartësie të tij.

E përtej këtij formësimi si profesionist, ka kaluar në një stad më të lartë. Ajo që përcakton edhe elitën e publicistikës, është trajtimi i ideve. Pra, ka arritur t’a realizojë kurbën e plotë të ngjitjes.

*     * *


Rrugëtimi i tij është i gjatë fillon me “Flakërimat” që mbajnë brenda sarkazmat therëse, pastaj, për “Orakuj të harruar”, merr përsipër barrën e rëndë të rrëfimtarit të palodhur, për muzeun natyror dhe njerëzor të Skraparit, ndalon pak te veshjet e çmuara, të cilave s’ua dinë vlerën ata që i mbajnë -“edhe ti o Brut!?” dhe vazhdon me “Memo enciklopedi”, evidenton histori interesante nga gjithë trevat shqiptare, eshtra të mbetura mbi e nën dhé, heronj të qarë e të paqarë, personalitete të shquara të mbetura në humbëtirën e kohës…

Të gjitha këto janë pasqyruar në veprën e tij dinjitoze: “Udhëtime nëpër Shqipëri”

Unë mund të vazhdoja me analizën dhe gjykimet e mia, mirëpo zëri që zbret nga lart më kujton se duhet të ndalem këtu, sepse, “sikur biri i Adamit të kishte një luginë me flori, me siguri do kërkonte dhe një tjetër, e nuk e ngop gojën e tij vetëm se dheu.”



172 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page