Ilmi Plaka
Ju rrëfej vuajtjet e babait tim Shaban Plaka 20 vjet në burgjet komuniste; vuajtjet e gjyshes time Hanko Plaka, që humbi tre djemt e saj: një dëshmor e dy të tjerë të burgosur politik nga diktatura; vuajtjet e nënës time, Behije Plaka, që më lindi një muaj pasi u burgos babai; Ju rrëfej si e njoha tim atë pas hekurave të burgut; vuajtjet e një fëmije bir “kulaku”; si u rrita e u burrërova me damkën e “armikut të popullit”, pa të drejtën e triskës së frontit për 46 vjet, deri kur erdhi demokracia.
Takimi i parë me babanë
Ishte një ditë pranvere e vitit 1949. Sapo kisha mbushur pesë vjeç. Nëna ime Behija, më veshi me rrobat më të mira që kisha dhe më tha se bashkë me gjyshen time do të niseshim për rrugë. Nuk e dija fare se ku do tëshkonim, por u gëzova shumë kur vesha rrobat e mira dhe do të nisesha për shëtitje, kështu e kuptoja unë në atë kohë. Mbaj mend çdo detaj, qysh kur me vishte nëna me kujdes. Mbaj mend edhe gjyshen, që kishte mbledhur disa trasta dhe po i mbushte me ushqime e rroba. U nisëm heret në mëngjes. Pasi ecëm mëkëmbë një rrugë të gjatë, u ulëm të pushojmëpak dhe me ne u bashkua edhe nusja e dajës dhe kushëriri im. Nëna më afroi në prehër dhe nisi të më tregojnte se ku do të shkonim. Më tha se do tëkalonim disa qytete e fshatra, shumë fusha e male. Do të shkonim në një vend që quhej Kuçovë, të cilin e dëgjoja për herë të parë. Pastaj vazhdoi të më tregonte se aty do të gjenim babain tim. U emocionova shumë. Nuk e kisha takuar kurrë në jetë babain tim. Unë linda një muaj pasi babai ishte arrestuar. Kisha dëgjuar nga nëna e gjyshja shumë rrëfime për të, por nuk e njihja babain tim. Nuk e kuptoja dot, pse unë, si fëmijë, nuk kisha një baba, sepse shokët e mi e kishin. Kisha arritur të kuptoja, se babai të mbron. Kur e pyesja nënën, se pse unë nuk kam baba, ajo më thoshte: - Ti e ke babain, por është diku larg, duke punuar që të na sjellë para për të blerë bukë. Ecëm me këmbë disa orë dhe mbërritëm në qytet, në Elbasan. Pritëm atje disa orë, derisa erdhi një makinë. Hipëm mbi karrocerinë e saj dhe ecëm për disa orë. Ndaluam në një qytet tjetër, pastaj zbritëm pritëm disa orë, derisa erdhi një makinë tjetër. Pas disa orë shtë tjera udhëtimi mbërritëm në një vend tjetër që më dukej aq larg, sikur ishim në fundin e botës. Zbritëm nga makina me nënën dhe gjyshen, bashkë me kushëririn tim dhe nënën e tij. Atje më mori nëna afër dhe më tha se do të takonim babain… Nuk e harroj kurrë. Ecëm edhe pak prej kuna la makina dhe ndaluam. Ishtë një vend i rrethuar me tela me gjemba, rreth shtatë– tetë metra të lartë. Gjyshja u afrua te porta dhe diçka bisedoi me një polic. Qëndruam pak minuta dhe para nesh u shfaqën gjashtë burra. Aty afër nesh kishte edhe disa familje të tjera që qëndronin në heshtje. Askush nuk fliste. Pas pak minutash na urdhëruan të futeshim tek porta. Brenda telave me gjemba, ishte një tjetër rresht, po me tela me gjemba. Ishte një si koridor i vogël, aty ku na thanë të qëndrojmë… Përballë nesh u shfaqën ata gjashtë burra. - Nisu! - më tha nëna. Shko e takojë babanë! Unë u nisa me vrap, por në mes të rrugës ndalova. Nuk e dija cili nga ata të gjashtë burra ishte babai im. Pas pak, babai u shkëput, e u nis drejt meje dhe unë e kuptova. Shkova e iu hodha në qafë. Më pushtoi me perqafime duke qarë me dënesë. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë. Nuk e di se sa kemi qëndruar me babanë. Nuk foli gjatë me nënën e gjyshen, por veç me mua. Më thoshte: - Po ti je rrit’, je bërë burrë. Dhe sytë i kishte gjithnjë me lot. U përqafova sërish me babanë dhe u ndamë. Morëm rrugën e kthimit. Gjyshja qante thuajse gjithë rrugës. Nëna qëndronte e heshtur, ndërsa unë isha shumë i gëzuar, sepse tani e dija se me të vërtetë kisha baba. U kthyem në shtëpi pas dy ditësh, sepse udhëtimi i kthimit ishte i vështirë. Fjetëm jashtë një natë, pastaj të nesërmen ecëm thuajse gjithë ditën me këmbë. U lodha shumë, por isha gjithashtu shumë i gëzuar se doja tëkthehesha në fshat e t’iu tregoja shokëve se edhe unë kisha baba. Kur u kthyem në shtëpi i pyeta sepse babai rrinte aq larg shtëpisë dhe çfarë pune bënte atje. Gjyshja më mori afër dhe nisi të më tregojë se babai im, Shaban Plaka, ishte dënuar me burg, që do të thoshte se ishte i ndaluar të dilte nga ata telat me gjemba dhe se për shumë kohë nuk do të mund të vinte në shtëpi, ndaj dhe ne do të shkojmë ta shohim atje. Nisën të më tregojnëmë tepër për babain dhe mbaj mend një detaj, kur nëna më tha, se babai punonte me lopatë në kanal. Ishte ai takim, që m’u duk se me rriti menjëherë. Bisedat me nënën e gjyshen gjithashtu më mësuan të vërtetën. Më porositën dhjetra herë që bisedat që bënim të mos i tregoja jashtë shtëpisë. Nuk kaloi shumë kohë dhe nisa ta kuptoj se isha ndryshe nga fëmijët e tjerë, sepse babai im nuk ishte si baballarët e shokëve të mi.
Përballja me diktaturën komuniste
E nisa këtë rrëfim me ngjarjen e rëndësishme të fëmijërisë time, takimin e parë me babain tim. Kjo është ngjarja që e kujtoj edhe sot si një ndër ditët më të bukura edhe pse shpejt do ta kuptoja, se e gjithë jeta ime do të ishte aq e mundimshme, bashkë me nënën time Behijen, gjyshen Hankon dhe babain tim të burgosur, Shaban Plaka e xhaxhain, gjithashtu të burgosur, Ibrahim Plaka. Do të përpiqem të sjell në kujtesë historinë e jetës time, vuajtjet dhe mundimet e familjes sime të madhe e të vogël, edhe ato të fisit Plaka. Një fis i madh, që i vuajti 45 vitet e diktaturës me ndëshkimet më të rënda, mënjanimin nga të gjithë me damkën demaskuese kulakë, por kurrë nuk u nënshtrua dhe i bëri ballë me dinjitet atyre kohërave të vështira. Do ta tregoj jetën time ashtu siç e jetova, me vuajtjet e hidhërimet, me përpjekjet e pafundme për t’i mbijetuar persekutimit të egër nga diktatura komuniste. E ndjej detyrim, që të shkruaj kujtimet e një jetë të vështirë, në mënyrëqë fëmijët e mi, nipërit e mbesat, por edhe të rinjtë e Shqipërisë ta njohin historinë e viteve të diktaturës komunite, t’i njohin ngjarjet ashtu siç kanë ndodhur dhe të patjetërsuara, sepse është një ndër kohët më të vështira që ka kaluar vendi ynë, që nuk duhen harruar për të mos u rikthyer. Përveç babait tim, në atë kohëu burgos edhe xhaxhai im Ibrahimi, në vitin 1947. Bashkë me nënën e gjyshen shkonim gjithashtu edhe të xhaxhai për t’i çuar ushqime dhe veshje. Pas takimit të parë me babain, nëna me gjyshen më merrnin në çdo takim që kishim. Kështu njoha çdo burg të Shqipërisë. Më pas, kur u rrita, shkoja vetëm herë pas here për të takuar babain e për t’i çuar ushqime dhe veshje. Kur kthehesha në shtëpi që pothuajse ishte boshatisur e kishte mbetur vetëm me muret e zhveshur, e kisha shumë të vështirë ta besoja se dikur ajo kullë kishte qenë plot me njerëz që prisnin e përcillnin miq dhe begati që vinte nga puna e palodhur e të gjithëve. Më vonë, e kam kuptuar se babai im Shaban Plaka, kishtë në zotërim disa hektarë tokë, përmes të cilave siguronte të ardhura të mjaftueshme jo vetëm për familjen e tij, por edhe për të ndihmuar banorët e zonës. Dikur, nëna dhe gjyshja kishin jetuar në kushte shumë të mira. Një ditë, gjyshja më tregoi tokat e babait, të cilat nuk ishin më tonat, sepse i kishin sekuestruar. Atëherë nisa të kuptoj pse mua më thërrisnin “biri i kulakut”. Mësova se babai kishte hyrë në burg, sepse akuzohej si “armik i popullit”. Këtë fjalë unë e kisha dëgjuar në shkollë. E dija se ishte një fjalëfyese dhe kur mëtregoi gjyshja të vërtetën, unë u mërzita shumë. Nuk arrija dot ta kuptoja mirë në atë kohë, por nuk e harroj ndjesinë e keqe që m’u krijua. Më dukej se unë nuk do të isha kurrë si fëmijët e tjerë. Megjithatë, nëna me gjyshen më kanë rritur me shumë kujdes dhe dashuri. Edhe pse mbetëm pa asnjë burim të ardhurash, madje u bëmë shumë të varfër, e gjenin mënyrën që të më mbanin sa më mirë të mundeshin.
Comments