
- Fragment i një romani në proces
NGA SPASSE THANASI
Të Mëdhenjtë dhe të Mirët nuk vdesin as në këtë botë !
1.
Ishin rrahjet e fundit që rrëzuan “murin e hijes” midis jetës dhe përjetësisë. Statuja e Titit, ashtu e thjeshte e krenare, nuk ishte “gjunjëzuar” edhe në këtë çast venitje, kur u shua përgjithmonë nga drita tokësore më 27 Shkurt 2021. Qendroi i bekuar me çastin e fundit duke drithëruar me forcën e thënies së paqtë : “ne kemi jetën, por edhe vdekjen” !...
Titi iku me memorien e një “shëtitësi vital” në kohën e jetës, ku bekimi i Nënës, si dikur në rini e shoqeroi gjatë në një udhëtim mes ngjyrash pranverore, mes dashurisë familjare e shoqerore, mes lodhjes së punës dhe përkushtimeve ndaj fëmijëve…Ishte një bekim i çmuar për ti dhënë kuptim jetës, gjithçkaje njerëzore në “galaktikën e përjetimeve”. Edhe bekimi i Gruas në një solemnitet burri, që ai ëndërroi për jetën dhe familjen e bëri një “kollos vlerash” në idealin e ëndërruar, në dashamirësinë e qënësishme të shpirtit për një jetë reale që duhet thënë “troç” pa zbukurimet qe ne jemi mësuar të bëjmë shpesh. Ai nuk shkeli asnjë normë të edukatës,asnjë sjellje të miqësisë e të shoqerisë së vërtetë. Prandaj do mbahet mend me një përjetësi dashurie që nuk ka mjegull të kohës ta zhduk në harrime. Vyrtyti i tij, i një burri fisnik, i një miku të vyer dhe të një familjari shpirtëror e serioz, do të lexohet gjatë nga brezat që vijnë pas.
Kjo“simfoni rrezesh” brenda meje, vjen në mënyrë krejt të veçantë me historinë e një burri të madh, që lindi në Berat gjatë kohës së luftës të pushtimit italian , që u rrit e u burrërua si një “lis” në Tiranën e barrikadave me një “lavdi” interesante jete e dashurie.
Një emër me përjetësi !.
Saga-ja “sulate” e këtij njeriu plot mirësi e ndjenjë, me emrin Astrit, fillon aty ku lindi,anës rrugës kryesore në lagjen “Murat Celepi” nga ana e hapësirës së rrugicave të kalldrëmta që të çojnë në kodrën e Kalasë dhe te Furi i Sahatit, që shërbente dikur si një treg pazari apo kafe; aty ku mori epitetin e “fëmijës së luftës” tamam si “Gavroshi” i Viktor Hygo-së me vazhdimësinë e fisit, të traditës e të vyrtyteve të një brezi plot ideale e madhështi jetësore. Ndeshem përsëri me “Urën gjigande” e bukuroshe të Beratit,që lidh qytetin me lagjen “Goricë”,( kjo ka një histori më vete se pikërisht në këtë lagje në vitin 1921 u hap Spitali i parë i qytetit të Beratit nga gjyshi i Astritit, Doktor Hajdar Sulo); eci në Grykën e ngushtë, të gjatë dhe shumë të lartë, që me dy faqet shkëmbore duket sikur merr frymën e qiellit….Ndjej të fryjë era e Tomorrit hijerëndë tej në horizont,që freskon pamjen e ndritshme të qytetit me ajrin e pastër të malit. Kujtesa e viteve, përkatësia dinjitoze e një njeriu me hijëshinë e vetë, më “zgjon” në mendje mirazhin e “vezullimeve të drithërimta”me të cilat lidhen shumë njerëz me këtë qytet të bukur e historik. ( shpirti i qytetit më përgjon me vështrimin e tij të ngulmët). Ashtu si gjyshi i tij, mjeku i papërsëritshëm Dr. Hajdar Sulo, jeta e denjë e pinjollit tjetër të fisëm Astrit Sulo, qendron si një “kristal” përball kohës dhe njerëzve të familjes, përball “sfidave” e “labirintheve” pafund të jetës. Jeta e tij e nis “fillin” në këtë qytet dhe vazhdoi të ndriçojë vite e dekada në Kryeqytetin shqiptar,Tiranë. Dhe jo pak, por 70 vite me “lavdinë mbi supe”, me “krenarinë në zemër”, me “dashurinë në shpirtë” !...
Historia e emrit
Astriti ka një emër të veçantë me histori që lidhet me traditën e hershme…Sipas kuptimit të figurshëm dhe shpjegimit të fjalorit shqip,emri “Astrit” do të thotë një njeri shumë i shkathët, sypatrembur, trim e këmbëngulës. Të parët e tij duke qënë njërëz të shkolluar e të ditur, jo pa qëllim ruajtën traditën e emrit të mirë e të ndritshëm në jetë, që të sillte mirësi e dashuri. Dhe ky emër i përzgjedhur nga gjyshi i tij,me një kuptim të caktuar “Astrit”, ishte emri me një shenjtëri të dukshme njerëzore e shoqërore.
Astriti ishte një njeri që ka mbetur në kujtesë edhe me një takim. Siç kujton Shefqet Meko për të në vitet 1980, në një ekip pune në Kllojkë, një pjesë e thellë e malësisë së Tiranës : “më mbeti në mendje si njeriu që “fliste” në heshtje dhe “burri i madh me vyrtyte” që mbetet si vigan në Panteonin e së “mirës shqiptare” në shekullin e 21-të...”.Astrit Sulo i takon plejadës më të lavdishme të një brezi që kontriboi në shoqerinë shqiptare si patriot i vërtetë, me dinjitet dhe personalitet të pashembulltë.Ai dallonte si intelektuali “me hapa të shpejtë” të kësaj plejade në shërbim të Kryeqytetit tonë,Tiranës me shumë kontribute dhe vlera njerëzore, shoqerore e cilësi të larta morale në periudhën më të vështirë të jetës së vendit…E gjithë historia e jetës së tij ngjan si një “evolucion i natyrshëm” ku u ndje i plotësuar nga gjithçka, me një gëzim të jashtëzakonshëm se nuk çoi dëm asgjë të rëndësishme në ekzistencat e tij në punë, familje e shoqeri.
Astriti kishte gjithmonë tonin e një fisniku, njeri me cilësi në rrjedhën e traditës familjare. Jetonte gjithmonë në kufijtë e jetës reale në çdo formë që i paraqitej : në orët e shqetësuara, në ditët optimiste në terrenet nëpër fshatra ku gjithmonë krijonte një mik sepse e kishte pasion miqësinë… Ai dinte të falenderonte, një parim me shumë vlerë. Falenderonte për gjithçka dhe ishte “ekspert” për të çliruar sakrificën. Ishte njeri që të ndihmonte e këshillonte, një vyrtyt njerëzor ky që humbet tmerësisht sot në shoqeri, në miqësi, në fqinjësi apo në politikë etj. Astriti i takonte atij brezi ku “zemra e të urtit e bënë të matur gojën e u shton hije buzëve”. Kishte një shpirtë të dashur, vepronte me mendime të drejta dhe ballafaqimin e mendimeve e shihte si një “depozitë” me fuqi krijuese…
Me punën e vetë ai u “shkri” në përjetësinë e tij. Nuk u thye nga “sfidat”, mbeti rob i normave të shkruara në ligje e rregullore.Në punë “stili i Astritit” ishte mjaftë i dukshëm, konçizë, i çliruar nga hijet e rënda të imponimit apo të zvarritjes së pa justifikuar dhe mund të them me plot gojë që ai ishte një “Astrit – artist”…i zgjuar, trim, mjeshtër i fjalës, i shkrimit dhe imazhit nën një “qiell kujtimesh”…
Dashuria e tij monumentale është si “lulja e trëndafilit” në jetë të jetëve e do të udhëtoj në shpirtin dhe zemrën e brezave të tjerë të trashëgimisë së gjakut dhe të origjinës.
Fëmijëria në Berat ….
Më 24 Shkurt 1939, familja e bashkëshortëve Shabedin e Bedrije Sulo, pas lindjes së djalit të parë Hajdarit, u gëzuan rishtas me lindjen e një djali tjetër, që me iniciativën e gjyshërve e pagëzuan me emrin “Astrit”. Këtu në lagjen “Murat Celepi” në rrugën kryesore të qytetit të Beratit, në truallin e shtëpisë me portë të drunjtë, që ndante familjet e Ismail Goricës, Shahin Metohut e Vasfie Zhorrës, nënë BEDRIJE nxorri në dritë si diell,fëmijën e saj të dytë. Familja “SULO”, pjestar i së cilës ishte edhe Astriti, origjinën e kishte nga fisnikëria e qytezës së Libohovës në Gjirokastër, që ishte një kryeqendër me tradita patriotike, kulturore e demokratike. Banesa me një portë të madhe përpara hyrjes, ishte një banesë krejtësisht e re, e përshtatshme për të jetuar. Nuk ishte ndonjë vendbanim i ëndërruar, por në vështirësitë e kohës, ajo mund të quhej “elegante”, e mjaftueshme dhe e rehatshme, me një pus uji në oborr dhe një rrënjë Mani të madh ku zbaviteshin fëmijët. Pikërisht këtu erdhën në jetë radhazi fëmijët e shumtë si një gëzim i veçantë : në vitin 1934 lindi Hajdari, në vitin 1939 lindi Astriti, në vitin 1941 erdhi në jetë vajza Liri dhe në vitin 1948 lindi përsëri djali Ibrahim.
Shumica e shtëpive në lagjen “Murat Celepi” kishin një oborr me pusë uji. Në gjysmën e parë të shek.20-të në Berat kishte 8 puse uji publike, ku më i madhi ishte ai në Celepias pranë Xhamisë së Sahatit me 2 derdhje. Bashkëjetesa qytetare në Berat ka qënë një normë dhe traditë me vlera nga më të mirat. Fqinji duhej të ndihmohej e nderohej. Marredhëniet brenda komunitetit ishin të mbrujtura me virtyte të larta të ndërsjelljes, të respektit,përzemërsisë,çiltërsisë e të gjendurit pranë për çdo hall apo nevojë. Gëzimi dhe halli përjetoheshin bashkarisht…Niveli arsimor i shoqerisë së asaj kohe (përpara vitit 1944) ishte shumë i ulët, mbi 90% e popullsisë ishte analfabete, me gjithë iluminizmin e pritshëm për edukimin e brezave të ardhshëm. Megjithatë në familjet beratase e shqiptare vlerësohej mjaftë tradita e virtyteve e cila ishte fuqia dhe baza e edukimit shoqeror.Vyrtyti merrej si shembull i përparimit praktik. Vlerësimi me fjalët e thjeshta “të lumtë” i fëmijëve për veprime të mira, bëhej një ndjenjë emocionale për tu prirë drejt të mirës dhe fjala qortuese “turp” ishte një dominante e fuqishme për tu larguar nga e keqja. Në këto motive e vyrtyte të mbrujtura cilësisht në familjen SULO, në Berat përjetoi vitet e para të fëmijërisë Astrit Sulo.
Fillimi i rrugëtimit jetësor ka qënë në kohë lufte, kur fronti italo- grek kishte mbërritur edhe në qytetin e Beratit. Ende i vogël, fëmijë 4 -5 vjeç, përjetoi tmerrin e luftës në Shqipëri, shkatërrimet,djegjet,rreprezaljet e fashizmit italian dhe pa mbaruar grahama e tyre u hodhën me një egërsi më të tmershme nazistët gjermanë. Ai ka parë me sy gjermanët që kërkonin në qytetin e Beratit se ku ishin fshehur ushtarët italianë e bashkë me ta persekutonin edhe familjet shqiptare që i kishin strehuar. Ja si e sillte ndërmend ai një ngjarje të vitit 1943 :
“ Isha shumë i vogël, 4 vjeç në kohën e luftës. Pas kapitullimit të Italisë fashiste në vitin 1943, qyteti i Beratit u pushtua nga gjermanët, të cilët për hakmarrje të kapitullimit të ushtrisë italiane e strehuar në shtëpitë e beratasve, i vranë e i bënë pirg prapa mureve të Portës së Madhe të Kalasë. Një patrullë gjermane kaloi edhe para avllisë së shtëpisë sonë dhe ne 4 – 5 fëmijë vështronim tmerrin me sy ndaj popullsisë së pafajshme. Filloi bombardimi i qytetit. Mbresat e këtyre ditëve ishin tronditëse në sytë tanë. Frika për jetën dhe përpjekjet për të mbijetuar, ndërthureshin me qendresë, vitalitet e optimizëm përball gjakut të të rënëve në luftë. Dëshmorët berates Margarita Tutulani, Kristaq Tutulani,Kristaq Capo,Ajet Xhiondole,Koco Brisku, Thoma Shqina etj mbetën përgjithmonë në panteonin e lirisë…”.
Fillimi i luftës italo – greke ( Tetor 1940 – Prill 1941) mbushi bahçen e shtepise se Doktor Hajdar Sulo me ushtarë italianë, gjë që solli shumë viktima në qytetarët e Beratit gjatë kohës së luftës. Sulmi nga toka dhe nga ajri, që ishte bërë i përditshëm, bëri kërdinë mbi popullsinë civile të Beratit nga fundi i Dhjetorit të vitit 1940.
Astrit Sulo, fëmijë i brishtë si dhe mijëra të tjerë i përket “Fëmijëve të Luftës”, të cilët në historinë e popujve morrën simbole të veçanta. Në Shqipëri quheshin “Debatikas”, në Bashkimin Sovjetik (BS ) thërriteshin “Gardistët e vegjël”, në historinë e Francës u përjetësuan me “Gavroshin” e Viktor Hygo-it etj. Plagët e tmershme të kësaj lufte si edhe vyrtytet e larta të trimërisë së këtyre popujve, ishin premisë pozitive që këta fëmijë të adhuronin, të donin njeri-tjetrin dhe të lidheshin shpirtërisht si vëllezër të vërtetë.
Në kohën kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë më 7 Prill 1939, Astriti ishte vetëm 2 muajsh. Në vitin 1941, kur aviacioni anglez bombardonte në qytet, mu në bahçen e shtëpisë, Astriti dhe motra ishim në qilar për tu mbrojtur nga predhat. Nga shpërthimi i bombës së aeroplanit pranë dritares së vogël të shtëpisë, një copë predhës goditi Nënë Bedrijen në kofshë.Nga kjo ndodhi për kuriozitet ajo ka vdekur me copën e predhës në kofshë. Në muajin Gusht të vitit 1943 është si kujtim i Astritit në një fotografi me Nënën në shkallët e shtëpisë dhe një me Babin Shabedin që shërbente si ushtarak në Degën Ushtarake Berat.
Nga Berati i ati Shabedin Sulo erdhi në Zyrën e Rekrutimit të ushtarëve në Peqin dhe u strehua tek gjyshja Nurie Koni deri në vitin 1949. Aty ai u njoh dhe u martua me Bedrijen. Nga martesa patën katër fëmijë, tre djem që ishin Hajdari, Astriti dhe Ibrahimi dhe një vajzë, Liria. Astriti ishte fëmija i dytë, pas Hajdarit. Shkollimin 7-vjeçar e kreu në vitet 1952 -1955 pranë shkollës “4 Dëshmorët” në Tiranë, ndërsa arsimin e mesëm profesional pranë shkollës “Hasan Vogli” në “Rrugën e Durrësit” në vitin 1965.
Vllazëria e tre djemve të Shabedinit ishte e mrekullueshme si nëpër petalet e hapura të luleve ku hyjnë ëndërrat. Hajdari ishte ushtarak, Ibrahimi punonte si teknik elektronik, Astriti merej me mekanikën dhe politikën. Të punësuar qysh në fëmijëri për të ndihmuar familjen, ata gjithmonë rriteshin e lulëzonin nga dëshira e kënaqësia e punës. Rrallë mund të jetë ky shembull në harmoninë njerëzore të një familje të madhe me nevoja e kërkesa të ndryshme. Më i larguari ka qënë Hajdari se punonte ushtarak në Maliq të Korçës, kurse Astriti e Ibrahimi që ngjanin aq shumë si dy pika ujë, ishin pranë njeri-tjetrit, jetonin në një banesë me prindërit dhe nuset, ndanin bashkë shqetësimet dhe hallet e u bëheshin krahë e mbështetje prindërve, sidomos kur Shabedini vajti Shef i organizimit të Brigadës së Kuksit me komandant Delo Balili nga Tërbaçi i Vlorës, ku shërbeu disa vjet dhe u rikthye përsëri në Tiranë ku dhe doli në pension.
Puna që në moshë të vogël….
Për nevojat e shtëpisë dhe familjes Astriti u punësua fare i vogël, qysh 15 vjeç. Një foto e muajit Mars 1954 e tregon Astritin-djalosh në punë me Shyqyri Lundra tek Punishtja e Drurit të trasferuar tek Ndërmarrja “Mustafa Gjollesha” karshi gjimnazit “Qemal Stafa”( sot ). Aftësimi në punë bëri që 10 vjet më vonë në vitin 1965 të hyjë në grupin e Mekanikëve të Oficinës Mekanike “Misto Mame”. Ky kujtim është në foton e muajit Maj 1965 me grupin e mekanikëve si edhe në vitin 1966 me shokët mekanikë Agim Gega e Alfredin…Duke punuar me përkushtim ai krijonte shoqeri e miqësi të reja, hidhte në letër kujtime të jetës lidhur me punën dhe angazhimin e tij profesional të pandërprerë…
Si djalë i ri kishte figurë pozante me tipare mjaftë elegante dhe tërhiqte vemendjen e të tjerëve. Forca e punës e bënte trim, ndjenja e mirësjelljes dhe e ndërgjegjës së pastër e bënte fisnik. Midis shokëve e kolegëve të punës krijoi raporte korekte plot dijeni profesionale e praktike e kjo bëri që ai të ishte në ndërmarrje një figurë e njohur punëtore në shumë aspekte tekniko-profesionale me cilësi të lartë. Shembulli i tij reflektohej në tejkalimin e normës, në kryerjen e punëve specifike me mirëmbajtjen e makinerive e pajisjeve të punës (si mekanik ai kishte duar të arta, rregullonte e riparonte gjithcka kur paraqitej nevoja, pa shpenzime të tjera riparim-mirëmbajtje dhe ky shpirtë kursimtar ishte domethënës në një punë të vështirë e në një vend të varfër ).
Jeta e re në Tiranë, do ta përballte këtë djalë të ri naiv e të padalë as jashtë qytetit të Beratit, me një shoqeri të vyer, me një kulturë mjaftë të zhvilluar, me ndjenjën e përgjegjësisë e të besimit në vetvete. Përvec kësaj ai gjeti në shoqerinë shkollore të Kryeqytetit vyrtyte që e lidhnin edhe më shumë shpirtërisht sic ishin thjeshtësia, urtësia, zemërgjerësia, ciltërsia, dëshira për të punuar, sjellja e kulturuar e fisnike, veshja e pastër dhe elegante, që ishin vyrtyte të larta të njohjes së botëkuptimit shpirtëror të brezave të rinj. Përpjekjet për të arritur rezultate të larta në cdo sferë të jetës, me shqetësimin për të ecur në një hap me kohën, sadisfaksioni për të sjellë ide të reja për një jetë më aktive, dashamirëse e njerëzore, ishin motivet dhe përjetimi i tij shpirtëror në këto kohë të reja plot vizione për jetën.
Ai i përket asaj intiligjencie të re dhe bashkëkohore që u përgatit dhe u ngjit në shkallë të lartë nga mijëra të rinjë të vendit. I përket brezit që u rrit dhe u arsimua pas Luftës së Dytë Botërore, që përjetoi atmosferën e çlirimit të atdheut nga nazifashizmi, që u përfshi nga vrulli i ndërtimit të jetës së re, që u edukua ndjeshëm me frymën e atdhedashurisë dhe që përpara tyre përjetohej i freskët shembulli i dëshmorëve të atdheut, të cilët nuk i ndau kurrë nga kujtesa. Ajo ishte një rini që vazhdonte të vuante plagët shpirtërore dhe pasojat ekonomike të luftës, shkatërrimin e vendit në varfëri të skajshme. Ajo u përfshi e gjithë nga një entuziazëm dhe besim në rindërtimin e vendit, në krijimin e botëkuptimit të ri, në arsimimin dhe kulturimin e popullit në të gjitha fushat e jetës. Ishte një rini me gëzime të thjeshta e naive,por me ndjeshmëri të mëdha kombëtare dhe shumë e përkushtuar.
Në këtë kohë vitale të vendit, Astrit Sulo u rrit me dëshirën e et’shme për tu ngjarë burrave të mirë, për tu mbajtur pas fjalës, miqësisë dhe së vërtetës.Në rrugën e tij të gjatë në një kohë mjaftë të vështirë, ai njohu kurdoherë vetëm fjalën “punë” dhe “pleqëroi” me një burrni të çuditshme si në një piedestal…
Comments