top of page

JETA DHE SFIDAT E NJË MËSUESI GAZETAR


Intervistoi: Fran Gjoka


E SHKRUARA MBETET!

JETA DHE SFIDAT E NJË MËSUESI GAZETAR

- Intervistë me mësuesin dhe gazetarin e njohur, Ibrahim Hajdarmataj-

Kush është Ibrahim Hajdarmataj?

Ibrahim Ukë Hajdarmataj lindi në pranverën e vitit 1947 në fshatin Zogaj të Malësisë së Gjakovës, në Tropojë. Arsimin fillor e mbaroi në vendlindje. Arsimin 7- vjeҫar e vijoi në Kukës dhe e përfundoi në qytetin "Bajram Curri". Ka mbaruar shkollën pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër dhe më vonë, Fakultetin e Gjuhë-Letersisë në UT në Tiranë Pas mbarimit të Fakultetit, me korespondencë, ka mbaruar një kurs specializimi në Letërsi. Pothuajse gjatë gjithë kohës punoi në vendlindje, në pozicionet: mësues, Z/drejtor dhe Drejtor gjimnazi, Drejtor i Shtëpisë së Kulturës, Shef Kuadri, Kryetar i Këshillit Popullor të fshatit të Bashkuar, Zogaj. Tani është pensionist. Jeton e punon në vendlindje si fermer. Kur bisedon me të, nuk të ndërpret fjalën, të jep kurajë, besim, optimizëm, të lë të flasësh dhe kur fillon ai, ke qejf ta dëgjosh, është i kuptueshëm, flet thjeshtë. Edhe pse po i afrohet të 75-tave, ai ruan sinqeritetin, pastërtinë shpirtërore me një qëndrim të vyer. Forca e logjikës së tij shoqërohet gjithnjë me një sjellje njerëzore, thjeshtësi e aftësi komunikuese. Kudo ku punoi e drejtoi, asnjëherë nuk i uli vlerat deri në nivelin "korruptiv" të punës së tij. Sa drejtoi, asnjëherë nuk diti t’i diferencojë njerëzit sipas shoqërisë-miqësisë, por gjithmonë ishte pranë tyre me pasionin që i jepte profesioni, edukimi dhe kultura e lartë qytetare, edhe se ka vite në pension, ai punon dhe u shërben me devotshmëri familjes së tij. CV-ja e tij sot është tepër e pasur, e shoqëruar me shumë vlera, me një sjellje modeste e ngazëllyese. Kam rastisur shpesh të takohemi e të bisedojmë, veçanërisht kur biseda binte te tema e ndryshimeve të tranzicionit të tejzgjatur, gjithnjë i hapur, me vështrimin e ëmbël e të resppektueshëm, bashkëbisedon me pasion, ligjikë e argument për vlera aletrnative, për ide dhe mendime të dobishme për demokracinë në Shqipëri.I ngritur në dinjitet, parimor, jashtë çdo dukurie negative, Ibrahimi eshte dhe mbetet një vella, shok, mik e bashkëshort ideal dhe një familjar i shkëlqyer.


Ibrahim Hajrdarmataj

-Keni më shumë se gjysmë shekulli që kontribuoni dukshëm në fushën e arsimit dhe të gazetarisë. Cilat nga kontributet tuaja do të veçonit?

Pas viteve 60 fillova punën e mësuesisë në vendlindje. Aso kohe kishte vetëm shkollë fillore (katër klase). Nuk harroj kurrë Idriz Logun, i cili ishte Shef i Arsimit në Tropojë. Pas një inspektim/ kontrolli që më bëri, mbeti i kënaqur nga puna ime dhe më pyeti nëse kisha ndonjë problem apo kërkesë. Unë i thashë se dëshira më e madhe e imja, e nxënësve dhe e prindërve ishte ndërtimi i një shkolle 7-vjeçare. Idrizi, pasi u mendua, tha:-E gëzofshi shkollën 7-vjeçare. Këtë urim ai e bëri realitet pas një viti. Në atë kohë ndiqja Fakultetin e Gjuhë-Letërsisë me korrespondencë në Tiranë dhe vijova të jepja lëndën e gjuhës shqipe dhe leximit letrar në shkollën 7-vjeҫare. Paradite mësoja nxënësit dhe pasdite, tre herë në javë, mësoja prindërit e tyre, të cilët kishin mbaruar vetëm arsimin 4-vjeҫar. Vitet kalonin dhe në fshatin tonë u bë një aktiv partie që drejtohej nga Sekretarja e Komitetit të Partisë së Rrethit Tropojë, Mira Marku, ndërsa nga Tirana, i deleguar kishte ardhur anëtari i KQPPSh dhe këshilltar i Ramiz Alisë, Mehmet Karakushi. Nga fundi i aktivit të Partisë, Mehmet Karakushi thotë:-Nëse ka ndonjëri ndonjë problem të veçantë apo kërkesë, ta thotë. Meqenëse unë isha dhëndërr i tij pra, nusja ime ishte motra e tij, njëherësh edhe kolegia ime, mora zemër dhe fola: -Po, unë kam një kërkesë. Duhet të hapet shkolla e mesme këtu në Zogaj, drejtim gjimnazi dhe bujqësore. Mehmeti u kthye nga Mira dhe e pyeti se si i bëhej. Mira foli për Zogajt si një fshat me perspektivë, 60 km larg qytetit dhe se kërkesa ishte me vend. Mehmeti kontaktoi Tefta Camin, e cila në atë kohë ishte ministre e arsimit. Ajo e miratoi kërkesën tonë dhe brenda dy viteve u ngrit shkolla e mesme në Zogaj. Kjo shkollë u shërbente edhe nxënësve nga disa fshatra të Hasit dhe vijon punën si institucion i dijes dhe edukimit edhe në ditët e sotme. Unë vijova punën si mësues në gjimnaz, pastaj si Z/drejtor e Drejtor i gjimnazit. Kam qenë i angazhuar me shoqërinë civile, sidomos si aktivist për projekte të mbështetura nga Fondacioni Soros, falë të cilit kam botuar për vite me radhë gazetën “Ylberi i Zogajve” dhe “Biznesmenët e Arsimit”, në cilësinë e kryeredaktorit. Nuk e harroj kur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, pas takimit me disa gazetarë, dolëm për kafe me Qemal Sakajevën e Mehmet Elezin, të cilët më thanë: -Je i veçantë. Gazetën tënde të Zogajve e vlerësojmë në të njëjtin nivel me gazetat e Tiranës. Gazetat kombëtare kanë vlerësim pozitiv për gazetën e Zogajve! Kolegët e mi mësues, Hasan Hyka dhe Skënder Demaliaj u bënë profesorë në universitet dhe kanë gradë shkencore. Janë doktorë shkencash dhe shefa katedre. Kolegut tim, mësues Pëllumb Sulo, gjatë analizës së një ore mësimi, i thashë se e kishte vendin si gazetar. Sot ai është gazetar te “Zëri i Amerikës”. Kolegu im, Skënder Buҫpapaj e bëri analizën e orës mësimore në mënyrë poetike dhe unë i thashë se ai kishte lindur poet dhe se mund të shkëlqente vetëm në poezi. Skënderi u bë gazetar dhe kryeredaktor i gazetës “Drita”, Drejtor i Televizionit Shtetëror dhe Kryeredaktor i gazetës “Bota sot” në Prishtinë e Zvicër. Është poet i përmasave botërore.

-Cilët ishin artikujt tuaj të parë në shtyp? Mund të na thoni ndonjë mbresë të veҫantë?

-Artikujt e mi të parë janë botuar në revistën “Pionieri”. Një ndihmë të madhe në atë kohë më ka dhënë redaktori i kësaj reviste, gazetari i njohur, Murat Gecaj dhe më pas kryeredaktori i gazetës“Mësuesi”, Bedri Dedja. Që në vitet ’60 nuk jam ndalur së shkruari artikuj për gazetat. Në gazetën “Bashkimi” më kanë përkrahur Fiqiri Vogli, Hamit Boriçi dhe Qemal Sakajeva, të cilët kanë qënë kryeredaktorë në këtë gazetë. Më vonë, në këtë gazetë erdhi dhe Murat Gecaj, duke e bërë redaksinë e kësaj gazete një shtëpi të dytë timen. Me kryeredaktorët, gazetarët Murat Gecaj e Viron Kona, më hapeshin dyert e Ministrisë së Arsimit. Edhe sot, që janë pensionistë, me ish – drejtuesit e gazetës“Mësuesi”, Kozma Grillo, Bardhyl Xhamo apo Sejdo Hako, Viron Kona, Vjollca Spaho, Andon Andoni takohemi e bisedojmë me orë të tëra, me respekt për punën që kemi bërë ndër vite. Duke qenë se isha shumë aktiv, ATSH më dërgonte çdo dite lajmet në Zogaj. Në kujtesë më vijnë gazetarët tropojanë Ramiz Lushaj, Gani Qerimi, Riza Çela, etj. Aso kohe zhvilloheshin shumë aktivitete kombëtare të shtypit në Tiranë, Durrës, Shkodër, Peshkopi, Krujë e Sarandë. Takimi me Ismail Kadarenë në qytetin “Bajram Curri”, më duket sikur ka ndodhur sot. I shoqëruar nga dy shkrimtarë, ai bëri një takim me të rinjtë dhe kërkonte mendime për emrin e një reviste të re që do të botohej. Ismaili mendonte që ky emër të ishte “Ylli i Kuq”, por unë i thashë se nuk kishte yll të zi. Ylli personifikonte ngjyrën e kuqe, prandaj sugjerova që revista të pagëzohej thjeshtë “Ylli” dhe pas shumë diskutimeve, kështu u vendos. Krahas anëve pozitive, shpesh në shkrimet e mia trajtoheshin probleme e shqetësime dhe ata që merreshin me shkrime në atë kohë, më kuptojnë fare mirë. Pas viteve ’60 botova një reportazh në gazetën “Bashkimi” me titull “Tetë ura mbi lumin Skatina”. Ky lum kalonte mes fshatit Zogaj. Disa njerëz, dashakeqë të mi, i kishin shkruar një letër Sekretarit të Parë të Komitetit të Partisë në Tropojë, duke i thënë se tetë ura në lumin e Skatinës nuk janë realitet. Vjen Sekretari në Zogaj, mbledh popullin dhe më ballafaqon mua me letrën. Ai kërkoi t’i tregoja tetë urat mbi Skatinë. Unë, me gjakftohtësi, i thashë se çdo mjet i hedhur mbi lum e që shërben për të kaluar lumin, quhet globalisht urë. Pra, edhe një tra hekuri i madh që ka hedhur miniera mbi këtë lum për të kaluar njerëzit, quhet urë. Edhe vigjet e thjeshta janë ura kalimi deri tek ura me beton. Nga burimi i këtij lumi e deri në derdhje janë jo tetë, por tetëmbëdhjetë ura. Kështu shpëtova pa u dënuar, duke u vetëmbrojtur.

-Keni shkruar në dy sisteme, atë të partisë-shtet dhe në demokraci. Ku e ndieni ju ndryshimin, veҫanërisht në përmbajtjen e shkrimeve tuaja?

-Unë shkrova në të dy sistemet. Në periudhën e monizmit disa shkrime ishin me rekomandim, disa kishin ideologji e propagandë. Nuk mund të shkruaje gjithҫka, se shkrimet kontrolloheshin dhe nëse botohej pa dashje, duke i kaluar kryeredaktorit, autori i shkrimit mbante përgjegjësi për devijim të vijës së partisë, për ideologji borgjeze dhe merreshin masa për autorin deri në heqje lirie, me burgim. Sot shkruan ҫfarë të duash.

-Si e vlerësoni ju demokracinë shqiptare në këto 30 vite?

-Unë e vlerësoj demokracinë shqiptare dhe jam optimist se do të bëhet më mirë. Ne shqiptarët ngutemi (nxitohemi) pak, i duam gjërat menjëherë. Për të ngrënë bukë misri duhen kaluar shumë etapa, durimi e pune. Nuk plotësohen dëshirat menjëherë. Po nuk punove tokën, të mbjellësh misrin, ta vadisësh, ta plehërosh, ta prashisësh, ta mbushësh, ta korrësh, ta zhveshësh, ta përpunosh, ta bluash e në fund ta gatuash. Pra, nuk bëhet për një ditë, por do kohën e vet. Kështu është edhe demokracia. Do të bëhet më mirë, por duhet kohë, durim, punë, vetëm punë për të arritur rezultate.

-Meqë jeni në kufi me Kosovën martire, çfarë mund të na thoni për bashkëpunimet në fushën e medias dhe të arsimit?

-Gjatë viteve që kam punuar si Drejtor gjimnazi në Zogaj-Tropojë, kam arritur një bashkëpunim të frytshëm në drejtim të përfaqësimit të vlerave artistike, kulturore e sportive. Po kështu në fushën pedagogjike, psikologjike, në metodikën e mësimdhënies përmes shkëmbimit të përvojave dhe plan-programeve me gjimnazin e Gjakovës, Deҫanit, Pejës, Fushë-Kosovës e Prishtinës. Drejtuesit e këtyre shkollave na kanë dhuruar herëpashere, për gjimnazin e Zogajve, kompjutera, tavolina, karrige, dollapë e libra dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës. Ndërsa në fushën e medias kam patur e kam një bashkëpunim shumë të mirë me Radio Gjakovën, revistën “Gjakova PRESS”, me gazetën “Bota Sot” dhe me shumë portale në Prishtinë.

-Para disa vitesh keni botuar librin “Blerimi i një fushe me krijime të bukura”, vepër voluminoze kushtuar krijimtarisë së shkrimtarit Viron Kona. Pse e zgjodhët këtë shkrimtar?

-Zgjodha Viron Konën, autor i 50 librave, i përkthyer në disa shtete, fitues i 8 çmimeve kombëtare e ndërkombëtare.

-Ju keni shumë miqësi në diasporë. Cilët do të donit të përmendnit në këtë intervistë dhe pse?

-Në fillim dua të përmend Fatmir Tereziun në Londër, i cili është drejtues i portalit “Fjala e lirë” dhe i gazetës “Albania”. Ai është profesor në universitetin e Londrës dhe shkrimtar e gazetar i vëmendshëm ndaj gjithë shqiptarëve dhe anglezëve. Në Suedi është Sokol Demaku, i cili drejton portalin “Dituria”, revistën dhe televizionin “Boras” në Suedi. Shqiptaro-amerikani Zeqir Lushaj, i cili me portalin “Zemra shqiptare” është bërë një zemër e madhe për gjithë shqiptarët. Ka shumë e shumë të tjerë, me të cilët bashkëpunoj në fushën e medias. Anisa Hykaj, koordinatore e revistës “Universi” në Tiranë, Emil Lafe, kryeredaktor i revistës “Perla” Tiranë, Zeki Vehapi, kryeredaktor i gazetës “Gjakova Press” në Gjakovë-Kosovë, Tahir Gjonbalaj, Plavë-Mali i Zi, Xhemaledin Salihu, Preshevë-Serbi, Nail Draga, Podgoricë-Mali i Zi, Skënder Zogaj, Prizren-Kosovë, Bashkia Shkup, Maqedonia e Veriut, Emine Hoti nga Norvegjia, e cila thirret dhe “Marigoja shqiptare në Norvegji”, veprimtari Frasher Racaj, në Pejë e shumё tё tjerё.

-Po me gazetën “Nacional”, si bashkëpunoni?

-Kjo gazetë, jo vetëm ka zëvendësuar gazetën “Drita” dhe revistën letrare “Nëntori”, por i ka tejkaluar parametrat e tyre. Kjo gazetë ka shumë bashkëpunëtorë dhe shkon te lexuesit në ҫdo kontinent.

-A ju kujtohet ndonjë gjë që nuk e cekëm?

-Po, disa vite me parë, “Care International” në Kukës bëri të mundur financimin e ushqimit falas për nxënës e mësues në Zogaj, një vakt i rëndësishëm ushqimor, kur unë isha Drejtor në gjimnaz. Kjo veprimtari ishte shtrirë në shumë shkolla të Kukësit, Hasit dhe në Zogaj të Tropojës. Nxënës e mësues kishin një vakt të bollshëm e të shëndetshëm, pasi në kohën kur kjo gjë realizohej, ushqyerja në Shqipëri kishte deficenca e ndikonte në procesin e të nxënit të nxënësit. E kam për nder të kujtoj rininë tonë të hershme pedagogjike në Shkodër me Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj. Shokë klase e banke prej disa vitesh. Me mbarimin e shkollës për mësuesi, Gjovalini emërohet mësues në fshatin Rrilë të Lezhës, ndërsa unë në vendlindjen time, Zogaj. Vitet kalonin dhe profesori ynë i nderuar i hyri me pasion gjuhësisë, duke u bërë i njohur sot jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan. Gjuhëtari, akademiku, Prof. Dr. Gjovalini i titulluar i lëndëve të albanalogjisë dhe me plot gojën do të thoja radhitet sot ndër figurat e shquara të gjuhësisë, si: Xhuvani, Çabej, A. Kostallari etj. I urojmë me gjithë zemër akademikut tonë të nderuar, Gjovalin Shkurtaj, shëndet të plotë e jetë të gjatë në shërbim të gjuhësisë shqiptare.

-Çfarë do t’u thonit bashkëpunëtorëve dhe kolegëve?

-Bashkëfshatarëve të mi në Zogaj do t’u bëja thirrje që të mbanin e të kujdeseshin sa më shumë për bletët. Mjalti i trumzës i Zogajve është mjalti më i mirë në Europë dhe ka fituar çmim ndërkombëtar. Gering, besnik i Hitlerit në Luftën e II-të Botërore, kur nisi një divizion drejt Kosovës, vetë Hitleri mori hartën dhe shënoi me laps të kuq “Zogajn”, pastaj kishte thënë komandantit gjerman:-Dua mjaltin e Trumzës me hoje të Zogajt. Kaq i njohur dhe i vlerësuar ishte mjalti i Zogajve. Si kryetar i OJF i arsimtarëve, nga kolegët mësues do të kërkoja sa më shumë edukim e mësim të nxënësve, pasi kjo punë kolosale do të reflektohet nesër në ardhmërinë e shtetit tonë. Për ata që merren me fushën e letrave, do të thosha se nuk është vonë kurrë për të shkruar. E shkruara mbetet! Sa më shumë shkrime të përgjithëshme pozitive, aq më shumë hapa përpara drejt demokracisë bëjmë. Faleminderit!

31 views0 comments

Commentaires


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page