top of page

JETA DHE MISTERET E SAJ


Adriana Myrtaj

JETA DHE MISTERET E SAJ


FRANK L. HAMMER - DORRANCE & COMPANY

PHILADELPHIA

[1945]

(Përgatiti: Adriana Myrtaj)

MENDJA

Pjesa e parë


Asnjë studim tjetër nuk është më i jashtëzakonshëm dhe me përfitim më të madh se sa subjekti për mendjen. Mendja ka preokupuar intelektet më të fuqishme të të gjitha moshave, nga ditët e Aristotelit e deri më sot. Sidoqoftë, gjatë dy mijë viteve të fundit, me përjashtim të njëqind viteve të fundit, nuk është bërë shumë përparim në këtë fushë të shkencës. Anatomistët dhe mjekët kanë studiuar trurin dhe kanë injoruar mendjen, ndërsa psikologët kanë studiuar mendjen dhe kanë injoruar trurin. Mendja njerëzore nuk mundet, në vetvete, të bëhet objekt hetimi; ka nevojë për praninë e një aparati organik.

Mendja dallon njeriun nga kafshët dhe njeriun nga njeriu. Ndërsa nuk ka shumë ndryshim midis një lope ose një mace nga një tjetër, ndryshimi midis një njeriu dhe një tjetri është i madh. Tek njeriu shkalla e ndryshimit shtrihet nga niveli më i ulët i idiotësisë në nivelin më të lartë të gjeniut. Nga njëra anë kemi një Njuton i cili mund të zgjidhë problemet më absurde dhe nga ana tjetër një njeri që me zor bën përpara në jetën e zakonshme. Bota gjithmonë e ka njohur dhe i ka bërë nder madhështisë së intelektit. Njeriu matet me atë që është, dhe jo me atë që ka.

"Cili është ndryshimi midis trurit dhe mendjes?" Është e habitshme se sa njerëz besojnë se truri dhe mendja janë sinonime të njëra tjetrës dhe i përdorin termat në mënyrë të ndërsjellë. Ndërsa marrëdhënia midis trurit dhe mendjes është intime, nuk gjendet as edhe ngjashmëria më e vogël për sa i përket pamjes apo funksionit të tyre. Përbërja dhe aktivitetet e secilit ndryshojnë aq gjerësisht sa radioja nga valët eterike. Truri është një radio njerëzore, një stacion ose mjet marrje. Mendja është analoge me atmosferën eterike që e rrethon atë.

Edhe një krahasim tjetër. Truri është organi i mendjes ashtu si syri është organi i shikimit, ose veshi i dëgjimit. Natyrisht, përsosmëria e të parit ose e dëgjimit do të jetë në varësi të përsosjes së organit të tij. E njëjta analogji vlen edhe për mendjen.

Mendimi nuk buron nga truri, as nuk krijohet nga truri. Është mendja që mban mend, jo qelizat e trurit. Është Uni që mendon. Mendja është substanca të cilën e përdor "Uni", kurse mendimet janë mjetet. Mendimet transmetohen në tru nga mendja, dhe për këtë arsye ndodh që truri ndikon dhe përcakton llojin dhe cilësinë e mendimeve të marra.

Substanca është e pandryshueshme. Ne e dimë se kemi të njëjtin identitet që kishim si fëmijë dhe gjatë gjithë përjetësisë do të jemi të njëjtët.

Për më tepër, truri është fizik dhe i nënshtrohet evolucionit. Mendja është shpirtërore dhe e përsosur. Truri është personal dhe individual. Mendja është universale. Këto dallime janë të një rëndësie parësore për një kuptim të saktë të mendjes.

Nuk do t'ju ngarkojmë me përshkrime të trurit. Për qëllimin që kemi këtu, thjesht le të themi se truri është termi i përdorur për atë pjesë të sistemit nervor qendror që për vertebrorët gjendet brenda kafkës. Truri me lehtësi u jepet analizave dhe ekzaminimeve; jo aq mendja, edhe pse disa filozofë kanë shkuar aq larg sa të thonë se mendja është produkt i materies. Ky është një gabim tjetër i bërë nga ata që kërkojnë një bazë materiale për të gjitha fenomenet mendore.

"Cila është natyra e mendjes?" Mendja është një substancë e ngjashme me eterin, që është forma më fine e njohur e materies; ose mund të krahasohet me një fushë të madhe magnetizmi. Kjo substancë përshkon të gjithë universin dhe të gjitha grimcat e materies mbahen së bashku prej tij. Molekulat e trupit nuk preken kurrë tek njëra tjetra, por mbeten në një farë distance dhe gjithashtu në pozicionin e duhur. Midis tyre ka forca shtytëse, të cilat parandalojnë kontaktin dhe ato lëvizin lirshëm në këtë substancë eterike ose mendore.

Aftësia e formave të materies për të depërtuar dhe ekzistuar brenda formave të tjera është një nga sekretet më të mëdha të Natyrës. Format më të larta vijnë në kontakt me format më të ulëta dhe harmonizohen si një organizëm i vetëm. Njeriu nuk mund të kombinojë forcat më të ulëta me ato më të larta, por Natyra mundet dhe kjo i bën organizmat e gjallë.

Ky është gjithashtu shpjegimi i të ashtuquajturit dimension i katërt, që nënkupton aftësinë e një gjendjeje më të lartë të materies për të depërtuar dhe ekzistuar brenda një gjendje më të ulët. Dimensioni i katërt nuk matet në kënde, gjatësi-gjerësi-trashësi, por vazhdon drejtpërdrejt përmes materies.

Në realitet nuk ka një vijë të caktuar ndarjeje midis materies, mendjes dhe shpirtit, pasi ato janë e njëjta substancë, por me shpejtësi të ndryshme vibrimi.

Emerson na jep përshkrimin më të qartë dhe më konciz të mendjes. Ai thotë:

"Mendja është një det eterik, me ulje e ngritje, shkon në cdo anë, duke mbajtur me vete karakteristikat e çdo përroi dhe rryme që ka hyrë në të. Në këtë det çdo shtëpi njerëzore ka një pjesë uji. Kjo natyrë që krijon forcë, viziton cilindo, tërhiqet prej cilit do, nuk është tarifë ose pronë as e njeriut, as e engjëjve. Është si drita, është për të gjithë dhe e plotë për secilin, nën të njëjtat kushte. "

"Ku ndodhet mendja?" Ekziston një larmi e konsiderueshme mendimesh për këtë. Shumë besojnë se mendja është brenda kafkës. Ne thamë më parë se mendja është një substancë universale që përshkon universin. Emerson tregoi të vërtetën kur tha: "Asnjë njeri apo engjëll nuk ka monopol mbi të, ajo është njësoj e lirë për të gjithë." Shuma totale e mendjes është fikse, megjithëse, si materia dhe energjia, shumë ndryshime mund të ndodhin brenda vetes. E gjithë njohuria që ka qenë ose do të jetë në botë është në të tani. Shpikjet dhe zbulimet tona nuk janë veçse shpikje, ri zbulime. Në të vërtetë, nuk ka asgjë të re nën diell. Është detyrë dhe privilegj i njeriut të zhvillojë këtë instrument, trurin e tij, dhe të tërheqë për veten çdo njohuri që dëshiron.

Mendja nuk mund të copëtohet ose ndahet, edhe pse në dukje mund të duket kështu. Çdo mendje individuale është e lidhur me mendjen universale. Çdo mendje është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha mendjet e tjera dhe Burimin e saj Hyjnor. Se një mendje është ndonjëherë e ndarë nga të tjerat është vetëm një iluzion dhe shkaku kryesor i vuajtjeve të njeriut. Të gjithë e dinë se sa ngjitëse janë mendimet dhe sa lehtë komunikohen. Të gjithë jetojmë në një oqean të madh mendjeje ku valët e mendjeve të tjera kalojnë vazhdimisht nga të gjitha anët.

"Si lidhet mendja me trupin?" Praktikisht të gjithë filozofët dhe mendimtarët e besojnë se aktivitetet e mendjes lidhen ngushtë me trurin. Por që truri është selia e vetme e mendjes është po aq e gabuar sa edhe besimi se mendja është në kafkë. Nuk ka asnjë vend të përcaktuar qartë për të cilin mund të themi se këtu, ose atje, në këtë vend, mendja vjen në lidhje me organin cerebral. Mendja ushtron ndikimin e saj përmes pjesëve të trurit, të cilat ndryshojnë sipas muskujve ose funksioneve që do të përdoren. Të gjitha pjesët e trurit janë të lidhura, por nuk ka asnjë qendër të përbashkët nëpër të cilën kalojnë të gjitha këto aktivitete.

Truri është mjeti kryesor, por jo i vetmi i mendjes. Truri është mjeti fizik, pa të cilin asnjë veprim mendor nuk është i mundur në një botë materiale si jona. Nuk ka aftësi aq thjesht mendore sa të mos ketë lidhje me trupin. Selia kryesore e vetëdijes është në tru, por ka një të dytë në pleksusin diellor.

Mendja varet nga trupi, jo për ekzistencën, por për fuqinë e të vepruarit në botën materiale. Mendja mund të funksionojë pa trupin, por jo trupi pa mendjen. Në realitet mendja funksionon shumë më aktivisht dhe më lirshëm pa pengesën e trupit fizik. Kjo demonstrohet gjatë gjendjes së ëndrrës, hipnozës, ekstazës dhe udhëtimit astral. "Mendja, edhe pse e paprekshme, është struktura e vërtetë, si një fushë force", thotë Stromberg, shkencëtari dhe astronomi i famshëm.

Profecia nuk është më e mrekullueshme se sa është kujtesa.

68 views1 comment

1 Comment


Nuk eshte thjesht tek ajo qe lexohet, por seleksionimi dhe prurja eshte filozofi me vete, po aq sa dhe perkthimi adekuat. Respekte autores dhe punës së saj fisnike!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page