top of page

JERINA DUSHMANI




Prolog

-A ta ka sjell’ hera m’e pa kund varzën e Lek Dushman zadrimorit?

-Jo,bre, as kam uzdajë me e pa. Por pse pvet?

-Njashtu sa për t’u gjend n’llaf.

-Thon se asht shum, shum e bukur.

- Heu!Ma e bukur se Mara, cuca e princit tonë Pal Dukagjinit?

-Mara asht m’e bukra e Ulpianës dhe Dardanisë, Jerinës si gjendet kund shoqja as në faqe t’dheut!

-Ç’ka je tu thanë bre dashamir?

-Ajo i thotë hanës dil të dal, ftyra e saj shndrit si drita e dillit, shtati i saj si çetinë zabeli, floku i saj si fije arit,qafa e giat si suta e malit,buza kuq si shega, syni si ngjyra e qillit,qerpiku si krah dallndyshe, zani si gurgullima e gurrës. Thuj se s’e ka lind nana , por zana.

- I ka ardh koha m’u martue?

- I ka mbush tetmbdhet prandverat. E lakmojn princa e fisnik buljarë. Jerina Dushmani ka katër të mira: princeshë, ma e bukra në faqe t’ dheut, fëmijë i vetëm dhe trashëgimtare e principatës së Dushmanëve, Zadrimës dhe Pultit.

-Pse s’thue, kush njaj fatbardh ven kunorë me Jerinën, merr nji thesar!

-Qashtu qe besa, po mos thuj, që bukuria se ka sherrin mbas vedi!

Nga biseda e dy malësorëve dukagjinas.

Sardenjë, kuvendi i Motrave Karmelitane, pranverë, 1468

Për ju që s’më njihni, e më shihni në këtë kuvend të shenjtë, veshur me zhgun të zi, rubë të bardhë mbi kye e sandale në këmbë e zbathura, Jam princesha Jerina Dushmani, bija e vetme e Lek Dushmanit princ i Zadrimës dhe Pultit në Arbëri. Këtu më thërresin motër Irena.

E ndjej, jetës time po I afrohet fundi. Bëni durim, të dëgjoni , ato ngjarje që dua t’u rrëfej, e t’i ndaj me ju.

Mëngjes pranvere.

U zgjova. Mëngjesi më kumton se ka ardhur dita e re me: një rreze dielli që hyn nga dritarja e qelës, dhe me këngën e zogjve që e kanë ndenjjen në qiparisat e anës avllisë së kuvendit. Që larg vjen zhaurima e suvalave të detit, zhaurima e mbretërisë së ujit, e vjetër sa bota që, s’na ndahet as ditë as natë. Ditë e re. Ditë si gjithë ditët që vijnë e ikin. Stinë pas stine e vit pas viti. Të përhinjta, të përvuajtura, të zymta, si të një bote tjetër, që e bëjnë të duken ndryshe , rituali i përditshëm i lutjeve të përshpirtshme drejtuar Hyjit, pjesë e murgjërisë sonë. Ditë pa asgjë të veçantë, asnjë çast fluturak gëzimi, veç thinjave që mi shtojnë flokëve dhe rrudhëzave që po më ravijëzohen ballit e fytyrës. E gjithë bota ime dhe e simotrave murgesha karmelitane, që i jemi blatuar Zotit, gdhihet e ngryset e mbyllur brenda mureve të ftohta, të këtij kuvendi të shënjtë.

Qëndrova edhe pak në ngrohtësinë e shtresave, pastaj u çova. Trupi më është rënduar, eshtrat më therin, duket se po troket pleqëria. Qela është e ftohtë dhe më fut të dridhurat.

E zgjodha vetë këtë jetë. Hoqa dorë nga dëshirat dhe gëzimet vajzërore që më prisnin dhe trashëgimia atërore, kur ma përgjakën dhe vranë dashurinë time. E neverita atë botë makute, të mbushur me luftëra, padrejtësi, mëkate, ligësi, cmirë e hakmarje. Dhe nuk jam penduar.

U bënë njëzet e tre vjet, që jam dorzuar murgeshë në këtë manastir, dhe kam veshur në trup zhgunin e zi, mbi krye rubën e badhë, në këmbë sandalet. E gjitha kjo që të gjej paqen, qetësinë shpirtërore, zemra të gjejë prehje, t’i lutem pafundësisht hyjnisë dhe të jetoj me mëshirën e Zotit. Fuqia, shpresa ngushëllimi dhe pendesa që të kemi mëshirën e Zotit, janë lutjet tona. Këtu e ndaj dhimbjen dhe përvojën jetësore me simotrat murgesha karmelitane,lutemi që mbi ne ,të dashurit tanë dhe gjithe njerëzinë,të vdekur e të gjallë, të zbresë fryma e shenjtë. Lutemi përditë, orë e orë të tëra, pa pra, i drejtohemi qiellit, aq sa na duket se shkëputemi nga toka dhe bota. Nëpërmjet lutjes, vështrimit thellë në shpirtin tone, me sytë e besimit dhe soditjes së shenjtorëve dhe hyjit, na duket sikur takohemi me Zotin dhe Hyji, na ka dhënë dashurinë dhe mirësinë për njera-tjetrën.

Tash që u zgjova, hala kam një tronditje nga makthi i ëndrrës së natës. Isha ulur në breg të detit, te ai vendi që rri shpesh. Mu shfaq shën Gabrieli, ëngjëll’ i vdekjes. U frikësova, desha të largohem, por këmbët ishin plumb të rënda. Më tha të mos frikësohem. Më rrëmbeu, në duar, hapi të dy krahët puplabardhë dhe të dy fluturuam në kaltërsinë e ndritur të qiellit. Më uli në një lëndinë , plot zambakë të bardhë , burime uji dhe kerubinë[1]. Ishte paradisi. Para meje u gjend ai që ishte dashuria e pafat e jetës sime, i ri dhe i bukur, por me trupin plot plagë të përgjakura. U nisa për te ai, por befas na ndau një mjegull e bardhë, e përndritur nga rreze dielli. Ecja pa mundur ta arrij, shquaja vetëm dorën e tij që më thërriste, teksa më largohej. U zgjova. Eh, vuajtja e dashurisë nuk harrohet kurrë. Qava.Heshtur, pa zë. Ende jam e tronditur. Qëndrova para ikonës së Shën Marisë me Jezusin foshnje në pëqi dhe fillov të lutem. Lutem që mërzia e ditëve të kthehet në trishtim dhe vetmia të mbushet me kujtime të gëzueshme. Thashë tri herë lutjen “Ave Maria” dhe Nanës së Shenjtë iu luta që të kthejë paqe e prehje në shpirtin tim. Lutjen e fundit e thashë në arbërisht:

Të falem Mari, hirplotë, Zoti është me ty,

E bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuem fryti i barkut tand, Jezusi,

Maria e shenjtë, nana e Hyjit,

Lutu për ne mëkatarët,

Tani dhe në orën e vdekjes sonë.

Amen-ashtu u baftë.

Thonë që Zoti i di dhe kupton gjithë gjuhët e lutësve të tij. U luta edhe për Lekën, dashurinë e jetës sime, që të ketë mëshirën e Zotit dhe të prehet në paqe në parajsën e lumnueme. U ndjeva më e lehtësuar. Nana e Shënjtë, më sheh nga ikona me atë vështrim shënjtërisht të hijshëm të mëshirshëm e përdëllyes. Besoj që e dëgjoi lutjen time dhe ktheu paqen në shpirtin tim.

Nga koridoret e shumtë të kuvendit vjen jehona e zërave dhe gjurmët e këmbëve. Motrat murgesha ishin zgjuar. Në ajër, kumbuan tingujt e kristaltë të kambanave në kishën e kuvendit që na thërrisnin për meshën e mëngjesit të së dielës.

U vesha dhe dola.

Jam ulur në breg të detit dhe kam qarë.

Mesditë. Dita është e bukur. Dielli ngroh dhe drita mi lbyr sytë. Jam ulur në breg të detit. Nuk e kemi larg, as dyqind hapa nga kuvendi. E dua detin. Edhe kur është i qetë dhe me suvalat shkumëbardha puth bregun, edhe kur është i tallazitur dhe godet me shuplakat e ujshme brigjet. I ngjajmë në shumë gjëra njeri-tjetrit, për trazimin dhe hovet e shpirtit. Bisedoj me të, më sjell lajme, me zhaurimën e pafund të suvalave dhe m’i dëgjon fjalët, për t’i shpënë përtej brigjeve. Por i fsheh prej meje misteret mbase dhe brengat që ndryn në thellëinë e vet.

Larg e larg në lindje, përtej detit është Arbëria ime. E pa shlyer, e paharruar. Unë jam e saja dhe ajo është e imja. Jetoj e dyzuar: natën shpirti im shtegton, kalon dy dete dhe shkon në Arbëri, në Zadrimën e bukur, në Danjë e Shkodër, në male e fusha, çmallet, pastaj kthehet, më sjell lajme të përzishme. Prej andej vjen tymi dhe amza e shkrumbit, rënkimet dhe lebetija e të masakruarve, kuja e nënëve për bijtë, e nuseve për burrat , vaji i trimave për shokët e vrarë….. Kryetrimi, Gjergji i Kastriotëve iku në amshim, në janarin e këtij moti fatzi. Qeni turk, vrau dogji, shkretoi dhe burrat arbërorë i lidhi me vargonjtë e skllavërisë. Thonë që Andronika, e veja e Kastriotit me të birin, Gjonin, gjetën strehë në Mbretërin e Napolit. Arbërorët, me mijëra kanë marrë rrugët e detit për në brigjet italike, dalmate e veneciane.Ata që kanë mbetur, janë ngjitur maleve dhe vazhdojnë luftën. Arbërorët se pranojnë robërinë. Të mitë, tata Lekë dhe gjith fisi i Dushmanëve, brakisën gjithëçka dhe gjetën strehë në Korfuz, që është nën zotrim të Serenissimas[2].

Ajme, arbëria në robëri , gjaku i arbërit u shprish. Zot,mëshiroji e mos i braktis besnikët e tu!

Ditë pranvere. Jam ulur në breg të detit, pranë një ulliri të moçëm. Vë re se në shullërin rrëzë një krepi, kanë çelur aguliçet dhe vjollcat,lajmëtaret e pranverës, që më kujtojnë pranverat e vendlindjes sime, Zadrimës së begatë e të bukur. Pranverë në natyrë, dimër në zemrën time.

Pranvera hukat frymën e saj të ngrohtë dhe dielli ndrin bujarisht. Mallëngjehem, më kap një ngashërim, mendohem dhe përlotem. Lotët rrjedhin çurk. Ndjej ngrohtësinë e tyre në faqe dhe i le të rrjedhin. Të rrjedhin sa të bëhen rrëke e të derdhen në det, që dhimbja dhe brengat e mia të treten në pafundësinë e tij dhe të mos kthehen më.

Sido mundohem që të mos ndodhë, nuk ia dal dot. Më shfaqen me sytë e mëndjes, mjerimet dhe gëzimet e jetës sime. Shumë dëshpërim e pak gëzim. Jetë me lumturi të munguar.

Hedh sytë nga deti: në molin e vogël, zbardhin velat e anijeve të peshkatarëve. Sipër tyre sillen fluturim duke ciatur pulëbardhat. I kam zili pulëbardhat, janë si shpirtëra të lirë. I tyre është qielli dhe deti, hapësira pa cak. Prej andej vjen jehu i tingujve të kitarës dhe një kënge. Detarët këndojnë, duket që peshkimi u ka shkuar mbarë. Mbaj vesh: është një këngë malli, këngë dashurie. Gjer te mua vijnë fjalët që këngëtari i shqipton me ashk: ”U deshëm që në shikimin e parë!”

Eh, dashuri me shikim të parë! Fjalët e këngës më duken si të veshura me dritë dielli, aromë pranvere dhe rrahje zemre. Vijnë e ulen pranë meje që të më bëjnë shoqëri. Magjia e këtyre fjalëve më shpie në motet e shkuar të vajzërisë sime…….

Nga Zadrima në Shas

Gjashtë Janar 1445

Pas kremtimit të kërshëndellave, me gëzim e hare, urimet dhe shkëmbimit të dhuratave, në të dymbëdhjetën ditë pas tyre, më gjashtë janar, binte Epifania, dita e ujit të bekuar. Axha, imzot Pal Dushmani, rrëfyesi dhe mësuesi im,ipeshkv i Shasit, na ftoi të shkonim në Shas[3],për të kremtuar. Tata e pëlqeu dhe na tha të gatiteshim për udhë.

U nisëm në katër të janarit. Karvani ynë, me shpurën e vogël të kalorësve shoqërues, mbrriti në trojet e Shkodrës mbrëmanet. Ajri ishte i lagësht. Kishte rënë mjegull. Mu duk vetja sikur vozisja midis reve. Mërdhiva dhe u pështolla me pelerinën e leshtë. Kalaja e Rozafës dhe Taraboshi dukeshin sikur dridheshin nga të ftohtët. E hodhëm Buenën me trap. Të pritur bujarisht, bujtëm në banesën e proveditorit[4] venedikas që, tata e kishte mik.

Të nesërmen, kalëruam për në Shas. Shasi, në veri të Shkodrës dhe nja treqind stade në lindje të Ulqinit, mba nja tri orë. Mua që s’jam mësur të kalëroj gjatë, udha më lodhi. Dita ishte me mot të paqëndrueshëm . Na zuri një shi i imët, pastaj qielli u çel dhe në veri rrëzë maleve u shfaq harku i ylberit. Dukej aq afër sa mund ta zije me dorë. Mu kujtua gojdhana se po të kapërceje ylberin plotësoheshin gjithë dëshirat dhe, po të ishe vajzë shndrroheshe në djalë! Por që ta kapërceja duhet të kisha krahë të fluturoja, që s’i kisha. Në drekëherë, në largësi u duk qyteti me kështjellën dhe kambanaret e kishave. Mbrritëm në Shas. Hym nga porta perëndimore. Rojat, kur panë flamurin me stemën e Dushmanëve, na hapën portën.

Na priti Axha Pal dhe për ndenjie e bujtje na vendoi në konakët e ipeshkvisë.

Pasi u shlodhëm dhe drekuam, bashkë me Dilën, dadën time, dolëm të shihmim qytetin. I ngritur mbi një kodër vogëlane si të bërë me dorë, në lëndinë mbi liqen. Jashtë qytetit, një fushë e begatë e gjelbëruar, deri rrëzë maleve ku shquheshin shtëpi të vogla të bardha. Qyteti ishte i madh i rrethuar me mure dhe kulla mbrojtëse. Veç madhësisë dhe shtrirjes, e veçanta ishin kishat dhe liqeni. Thoshin se dikur ishin 360 kisha, nga një për çdo ditë të vitit! Në ditët tona ishin pesëmbëdhjetë, më e madhja dhe më e bukura në krye të kodrës, katedralja e Shën Gjonit, kambanarja e saj me kryqin në krye, lartohej si të donte të arrinte qiellin. Në katedrale meshonte axha, imzot Pali, pas saj ajo françeskane e Shën Marisë. Të gjitha: qyteti dhe fshatrat e fushës ishin në zotërim të Lek Zaharias, princit të Danjës.

Bashkë me Dilën zbritëm buzë liqenit. I bukur ky liqen, një mrekulli ujore si sy i kaltër, i qetë,i paqtë e i pastër që vështronte dhe pasqyronte qiellin, rrethuar nga brigje të ulta mbushur me kallamishte shelgje dhe gjelbërim. Në skelën e vogël ishin varkat e peshkatarëve. Afër bregut vozisnin shpendët e ujit, rosa, pata, më larg bajza e kredharakë. Tej, në horizont mjegulla e bardhë. Pamje e bukur që s’nginjesha së pari.

Kur zbritëm në breg, pashë, që para nesh, aty kishin ardhur dy burra. Njeri shtathedhur, shpatullgjerë, veshur me të purpurtën e gardës krutane, në brez ngjeshur shpatën e shkurtër. Tjetri më i pakët, por edhe ai me të njëjtën veshje. U shquaja vetëm shtatin nga prapa, se me fytyrë ishin nga liqeni. Ata ndjenë hapat tona dhe u kthyen nga ne. Pashë që purpuranti u step, shkundi kokën, fërkoi sytë dhe në fytrë iu shfaq një buzëqeshje e pavullnetshme. U duk se deshi diç të thoshte por nuk mundi, buzët i mbetën hapur.(Më von më tha që u step , se iu duk që nga qielli zbriti e bukura e dheut!) Nuk mi shqiste sytë, aqsa u ndjeva në zor. Para meje ishte një djalosh i hijshëm, me pamje burrërore, me sy që çuditërisht kishin ngjyrën e ujit të liqenit. Jashtë beretës, dukeshin flokët korb të zeza dhe krela krela. Nuk mbante mjekër. Çudi: bukuri femërore në fytyrë burrërore! Pashë që e mblodhi veten, dhe si i zënë në faj, me një përkulje të hijshme të kokës, më ktheu përshëndetjen si duke belbëzuar dhe, me ca çape të vegjël e të pasigurtë mu afrua:

-O bukuri, të falem! Mirëse të pru Zoti në Shas. Para teje qëndron Lek Zaharia, princi i Danjës. Moj fisnike, as po më thua se cila je?

Më çuditi guximi i shprehjes së tij.

- Një kalimtare që i ra udha këndej pari.

- Kaq e bukur sa ti, thonë se është vetëm një princeshë, Jerina Dushmani e Zadrimës, që si gjendet shoqja në faqe të dheut! Mos më thuaj që nuk je ajo!

U habita sa shpejt i iku hutimi dhe droja. Ani, më erdhi mirë nga ato që tha. E kush është ajo vajzë që nuk do miklohej kur i lëvdojnë bukurinë? Por s’e bëra veten. Ai priste përgjigje.

- Kështu u thua të gjitha cucave që takon? Dhe po të isha?- Thashë, gjoja si pa gajle,e me shpoti, po zëri më tradhtonte.

Ai e vonoi përgjigjen. Duket që zgjidhte fjalët.

- Them që jam fatlum. Vjen të ulemi bashkë dhe sodisim bukurinë e liqenit?

Pa pritur pëlqimin tim bëri para. Pa ngurruar, nga një tërheqje e pavullnetshme, e ndoqa pas dhe shkuam në një ulëse me dërrasa që ishte për shplodhje.

Dada Dila dhe shoqëruesi i princit , u larguan në heshtje dhe na lanë vetëm.

Ndenjëm duke soditur liqenin dhe heshtëm gjat. Ishte heshtje e sikletshme. Pastaj ai foli për betejën e Torviollit, ku komandonte si kapiten një repart të gardës. Për trimërinë e arbërorëve, mençurinë dhe trimërinë e Kastriotit, por asgjë për vete. Thjesht, pa asnjë mburrje. Më rrëfeu edhe për kuvendin e Lezhës, ku ishte pjesmarrës dhe i kishte dhënë besën Kastriotit për të qënë bashkëluftëtar në luftën e shenjtë. Aty kishte njohur edhe Tatën tim. Edhe pse ai e kuptoi kush isha, iu shfaqa dhe i fola pak për vete. Që kishim ardhur për të kremtuar Epifaninë.

Pastaj heshtje.

Dita po thyhej, moti u freskua. Rregullova shallin e leshtë rreth qafës dhe mbulova kryet me kapuçin e pelerinës. Leka u avit që të ishte më pranë. Mu kujtua një këngë e moçme që këndonin cucat zadrimore:

Pranë meje mos u ul,

Mos u ul të rrish me mua.

Se pastaj na shohin bota

Dhe do thonë që më do,

Që më do dhe rri me mua.

Nuk jam vajzë dosido,

Jam nga fis e nga pari

Të shquar për trimëri!

Këtu s’kishte kush na shihte , veç liqenit dhe unë u ndjeva mire, që ai ishte bri meje. Guxoi dhe mori në të vetën dorën time dhe, vështrimi i syve të tij të kaltër si ujët e liqenit, u zhyt në sytë e mi. Ah ç’vështrim, i tillë që zbret thellë në shpirt. E dija, pas një vështrimi të tillë nuk kishte rrena dhe hile, veç ndershmëri e dashuri. Ndjeva ngrohtësinë e dorës së tij dhe u drithërova, rrahjet e zemrës mu shpeshtuan si të donte të shkallmonte gjoksin. Ç’po ndodhte me mua? E lirova dorën. E lëshoi butësisht. Pastaj heshtje. Nga ato heshtje që flasin sa mijëra fjalë. Ne heshtnim ,si ta mendonim se do të kishim kohë, të flisnim për tërë jetën!

Më përcolli dhe më tha se do shiheshim të nesërmen.

Një natë e pagjumë, e kapluar nga mendime dhe ca ndjenja që s’i kisha përjetuar tjetër herë pas takimit me ndonjë trim. Dashuri me shikim të parë? Ani, pse kisha dëgjuar, nuk e kisha besuar. Tani po më ndodhte mua. Ishte kaq i mirë: i hijshëm, fisnik, i qetë e i përmbajtur,i mençur, fjalëmbël, tërheqës e i dashur.Të tillë e kisha menduar princin e ëndrrave të mija. Po ai, ç’mendim kishte vallë për mua? Atë që s’ia thoshte goja, ia thoshin sytë. Zemra ime, e ndjente, se zemrat e ndjejnë njera - tjetrën.

Von më zuri gjumi por u zgjova disa herë natën. Mendja më rrinte te ai.

Gjashtë janar 1445, kremtimi i Ujit të Bekuar.

Gjashtë janar. Dita e shenjtë e ujit të bekuar, kur Gjon Pagëzori , pagëzoi me ujin e shenjtëruar të lumit Jordan Jezusin dhe mbi të zbriti në formën e një pëllumbi shpirti i shenjtë. Kremtimi do të bëhej në ujët e liqenit dhe mesha e shënjtë në katedralen e shën Gjonit.

Nuk po më durohej sa të dilnim. Dila më ndihmoi të vishesha e stolisesha: xhubletën e bardhë me qenarë të kuq, brezin me pafta argjendi dhe xhufka, vathë të gjatë me perla, rubën e mëndafshtë ngjyrë vjollcë që më mbulonte edhe shpatullat. Doja të bëhesha e bukur për ‘të.

Buzujit, mizëri ng qyteti dhe katundet e fushës deri rrëzë maleve. Axha Pali, me veshje ipeshkvnore, mitrën e artë dhe skeptrin e bariut të grigjës, kishte pamje të madhërishme. Bashkë me ndihmsat e vet u afrua te altari fushor, ngritur buzujit. Nga temjanica ngrihej tymi kaltërosh e erëmirë i temjamit. Do të bëhet bekimi i madh i ujit. Bashkë me Tatën, Dilën dhe shpurën e kalorësve shoqërues, zumë vend pranë altarit. Princi Lek Zaharia ,kishte ardhur para nesh. Dukej që po na priste. Kur më pa, i shndriti fytyra , i qeshën sytë dhe më përshëndeti me një perulje të hijshme të kokës. U afrua.

-E di si dukesh e veshur me xhubletë?- tha.

-Jo. –Thashë-pres t’a dëgjoj.

-Si lule e zambakut të bardhë. Nga ata zambakët e bardhë të ujit që çelin në pranverë e gjithë verën, në ujrat e brigjeve të liqenit. Nuk mund ta mendosh sesa bukur duken.

Pa shih! Nuk i ktheva përgjigje. Kishte filluar kremtimi. Ajri u drodh nga kumbimi I kambanave të gjithë kishave që thërrisnin besimtarët, për lavdinë e hyjit. Kori i fëmijëve po këndonte hymne nga psalmet, ndërsa axha Pali duke tundur temjanicën nisi liturgjinë:

“O krisht, perëndi, që u shfaqe dhe ndriçove botën, lavdi më Ty. Drita jote ndriçoftë mbi ne sot. “ Thirri shpirtin e shënjtë ,që të vinte mbi ujin e liqenit dhe mbi gjithë gjindjen , që merrte pjesë në këtë bekim. Pastaj pim nga një gllënjkë ujë dhe spërkatëm teshat. Ishim liruar nga mëkatet! Në gjithë sa po ndodhte nuk e kisha mëndjen. Sytë dhe mëndja ime ishin mbi princin bri meje. Edhe ai s’ma ndante vështrimin dhe atë buzëqeshjen robëruese.

Mesha u mbajt në katedralen e Shën Gjonit. Të dy, unë dhe princ Leka u ulëm bashkë në bangon e rreshtit të parë tok me Tatën dhe parinë e Shasit. Drita e mugët e qirinjve, tymi I temjamit dhe vështrimi përdëllyes i shënjtorëve nga muralet dhe ikonat,shungullimi i kambanave që dridhte ajrin, më dukej se edhe në shpirtin tonë zbriti bekimin dhe shpirtin e shenjtë. Uji për bekim, ishte vendosur në një enë argjendi, rrethuar me lule dhe qirinj. Njeri nga fretërit e temjanosi. Pastaj mesha që pruri midis nesh shenjtërinë dhe mrekullinë e pagëzimit dhe zbritjen te jezusi të shpirtit të shenjtë. E drejtoi Axha Pal. Lexoi nga ungjilli pagëzimin e Jezusit nga shën Gjon Pagëzori në lumin Jordan.

Pas kremtimeve, princ Leka, si zot shtëpie, shtroi në kullën e vet, një drekë me gjithë të mirat. Në tryezë isha ulur kundrejt tij. Nuk po fillonim. Pritej të vinte axha Pali që të bënte lutjen e ushqimit. U ul në krye të vendit dhe tha lutjen:”Na e jep o Zot, bekimin tënd, neve dhe këtij ushqimi, që po e marrim prej bujarisë sate. Nëpër krishtin. Zotin tonë. Amen” dhe bëri kryqin. Trokitëm gotat dhe pim pak verë. Mua që s’isha mësuar me të pirë më turbulloj pak. Shihja Lekën në dritë të syrit dhe mbase ai më dukej edhe më i mirë edhe më i dashur ngasa ishte.

Kisha rënë në dashuri!

Kur u kthyem në banesë, prita me padurim që princi të vinte dhe t’i kërkonte Tatës dorën time . Por ai nuk erdhi. Më pushtoi brenga. Nuk i kisha pëlqyer? Nuk vendoste dot, i mungonte guximi? Nuk di ta them.

Një natë me gjumë të trazuar.

Të nesërmen kalëruam për t’u kthyer. Princi Lek Zaharia me të vetët, udhëtoi me ne. Ca buzëqeshje dhe vështrime përdëllyese, asgjë më shumë, si t’i kishte lënë peng fjalët në Shas. Kur kapërcyem Buenën, udhët tona u ndanë. Ai mori për në Danjë, ne për Zadrimë. Ikte dhe koka i mbeti e kthyer pas. Ishte ndarje pa lamtumirë.

Erdhën ditët e zymta dimërore,me shi ,të ftohtë e mjegull. Mërzi. Netët më të gjata të vitit. Ishte dashuria, ajo ndjesi e çuditshme brenda meje, ajo dritë e mistershme, që ndriçonte netët e territ me gjithë ngjyresat e saj. Erdhi e mu krijua një gendje e padurueshme. Gjumi u arratis, mu pre oreksi, isha si e përhanshme. Të biesh në dashuri! Pse thuhet të “Biesh”? të biesh është si të gremisesh në një hon, ku janë tok: gëzimi, shpresa, ngazëllimi i shpirtit, lumturia, por edhe sfilitja dhe makthe e shgënjime. E nga ky hon zor të dilet. Ndjeva nevojën që dikujt t’i hapesha,se ndryshe do të fikesha. Shkova dhe u rrëfeva te famullitari ynë, frat Ejlli. I thashë se kam rënë në dashuri. Plaku i mirë, me zërin e qetë si balsam, më tha se dashuria nuk është mëkat, por një bekim. Se Zoti është dashuri, dhe të dashurosh me devocion dhe shpirt, është të kërkosh lumturinë e munguar. Nuk më pyeti se me cilin isha dashuruar, por më tha që për qetësim të hoveve të shpirtit t’i lutesha Nanës së Zotit .

Dhe unë u luta.

Dasma në Muzakinë.

Njëzet e gjashtë janar 1445.

Tata më tha se ishim të ftuar në dasmë. Në fund të janarit, në s’gabohem, më njëzet e gjashtë, bëhej kurorëzimi i martesës së Muzak Topisë me Marie Kastriotin, motrën e vogël të Gjergj Kastriotit që përsëvogli, e kishin thirrur Mamicë dhe ky emër i kishte mbetur. Dasma bëhej në qytezën e Muzakinës. Ishin ftuar gjithë krerët e shquar të Arbërisë. Me këtë martesë Kastrioti synonte forcimin e aleancave në luftë kundër turkut. Tata,më tha se flitej që kjo martesë ishte sajesë e Kastriotit. Muzak Topia, u shkurorëzua nga e shoqja, Zanfina, motër e Gjin Muzakës, pa pyetur as për fëmijët, që të martohej me zonjën Mamicë. Por ne s’kish ç’na duhej. Do të shkonim në dasmë dhe , dha porosi të bëhej kanisku: një veshje e plotë venecine për zonja të sërës së lartë, mëndafsh de kadife, i ngrirë në ar dhe argjend, për nusen e re.

U gjallërova. E prisja me padurim ditën e nisjes, me shpresë se atje do të shihesha me princ Lekë Zahari Altisiferin. Dada Dila, u kujdes e më stolisi si për dasmë. Kur përfundoi së veshuri , më vendosi stolitë, u largua pak, më hetoi dhe tha:- fale zot gjithë këtë bukuri! Lum ai që do t’a gëzojë! Ti moj bijë, je për një bir mbreti! Dada Dila, i jepte gojës me mua pa droje. Nuk i ktheva përgjigje. E kisha si në vend të nanës. Më kishte rritur.

U nisëm në mëngjes heret. Karvanit i printe kalorësi me flamurin e stemës së Dushmanëve. Ishte një karvan gazmor, se vetë fjala dasmë e ka brenda vetes gëzimin. Muzakina ishte në perndim të fushës së Tiranës, kundruall Krujës dhe Petralbës.Ne hym nga rruga e shtruar me kalldrëm që ishte në pjesën jugore. Kreu i kodrës ishte i rrafshët, si i prerë me thikë, rrethuar me mure të lartë dhe kulla vrojtimi. Shpati lindor, i pjerrët ishte i mbushur me ullinj shekullorë. Prej aty shihej si në pëllëmbë të dorës fusha e Tiranës. Në verilindje Kruja, vargmalet, në lindje Petralba, në perëndim deti dhe Durrësi. Të gjitha, veç Durrësit, zotërime të Muzak Topisë.

Shërbenjësit u kujdesën për kuajt tanë dhe na prinë për në banesën ku do të pushonim dhe bujtnim.

Tryezat, me gjithë të mirat, ishin shtruar për dasmorët në sheshin e madh. Në një bango të gjatë, mbuluar me rubë të kuqe, vendoseshin kanisket[5].Të gjitha të pasura e të vlera, siç e donte sëra e çiftit që do të kurorëzohej. Bashkë me Tatën na bënë vend krah princërve të tjerë. Befas të gjithë vështrimet u drejtuan mbi mua. Burrat me admirim, zonjat me cmirë. E dija pse dhe u ndjeva në zor. Pashë se princ Lek Zahari Altisiferi ishte dy tryeza larg nesh. Më pa. E pashë. U ngrit dhe erdhi tek ne. U përshëndet me Tatën e pastaj me mua. Buzëqeshja e tij rrëzëllitëse më ra në fund të shpirtit si gëzim, e ngazëllim. Ndjesitë e trazuara të dëshirave u ringjallën. Oh sa e kisha pritur atë çast! Ai gjeti kohë të më thoshte sa e bukur dukesha, më e bukura e të gjithave dhe, se më kishte pritur me padurim që të vija.

Kurorëzimi u bë në kishën e vogël të Shën Mëhillit të Muzakinës., nga ipeshkvi i durrësit Pal Engjëlli, mik dhe këshilltar i Kastriotit. Ishte rit i bukur e i përshpirtshëm: Kastrioti, dhe i nipi Hamzai, zunë pwr krahu zonjwn mamicw dhe e përcollën në altar bri Muzakës. Muzaka kishte dëshmitarë Vrana Kontin dhe Vladan Juricin, nipin e Kastriotit. Nisi sakramenti i shënjtë dhe kungata që është vula e martesës, vendosja mbi krye dhe shkëmbimi tri herë i kurorave, vendosja e unazave, bekimi dhe pastaj pyetja:

Muzak Topia, bir i Andreas, shërbëtor i Perëndisë, pranon me vullnet të lirë, të bashkohesh me martesë me Marie Kastriotin dhe t’I qëndrosh besnik tërë jetën, në të mir e në të keq, në gëzim e hidhërim, në sëmundje e shëndet?

-Pranoj

-Marie, bijë e Gjonit, shërbëtore e Perëndisë, pranon me vullnet të lirë……..

-Pranoj.

Në emër të atit, Birit dhe Shpirtit të shenjtë, u shpall burrë e grua. Atë që perëndia e bashkoi, njeriu të mos e ndajë. Amen.

U kthyem për të festuar. Ndihesha mire. Tashmë vëmendja ishte drejtuar te Kastrioti dhe çifti martesor. Dasmën e hapi Andrea, ati i Muzak Topisë.

-Miq bujarë! Mirë se erdhët! E ndriçuat dhe i shtuat gëzimin kësaj dasme. Ua shpëblefshim në gëzime. Të pimë dollinë për shëndetin, dhe mbarësinë e çiftit, për miqësinë e pandarë me Gjergj kastriotin!

Me trashëgime u dëgjua gjithandej.

Sheshi i kështjellës u pushtua nga hareja: Ushtuan curlet, xamaret, bilbilat, çiftelitë, tupanat mbanin ritmin, dajret fërfërinin si fllad.Pa u ngritën në valle trimat, që hovnin fluturim si shqiponja dhe zbrisnin me lehtësi puple. Pastaj erdhi radha e vashave, si flutura shumëngjyrëshe, me çape nazike, valëzime të duarve, dredhje të shamive.

Në këtë dasmë kishte zbritur gjithë arbëria.

Pas do kohe, kur dreka ishte në të mbaruar, Kastrioti, Mamica dhe Muzaka, u hipën kuajve dhe u larguan për një shëtitje për të parë pronat e bregdetit të Topiajve.

Ne me Tatën, shkuam për tu prehur në dhomën tonë. Kur ende nuk kishim zënë vend mirë, ja behën njeri pas tjetrit Lek Dukagjini dhe Lek Zaharia. Dukeshin si të dehur e të ndërkryer. Të dy i kërkuan Tatës dorën time. Më kërkonin për nuse!

U shtanga.Tata i dëgjoj qetësisht.

Të dy prisnin përjigje, dukeshin të paduruar por edhe si të zënë në faj. Shihnin me hakërrim njeri-tjetrin.

Pas një heshtjeje torturuese, tata u përgjegj:

- Trima,më nderuat me kërkesën tuaj. Të dy, nga ajka e fisnikërisë arbërore, jeni të denjë për dorën e sime bije dhe miqësinë e principatës së Dushmanëve. Vërtet unë jam ati, por, i takon asaj të vendosë e zgjedhë për njerin prej jush, ose për asnjerin! Jerinë, bija ime, të dy princat të kërkojnë për nuse.

Tata ma la mua zgjedhjen.

Para meje të dy Lekët.Të dy princër.Të hijshëm, shtathedhur, në lule të moshës .Kë të zgjedh e kë të lë?

Zaharia: trim, i hjshëm, fisnik, i dashur, i qetë, i përmbajtur, ishte bërë qyshkur , pjesë e ëndrrave të mija vajzërore dhe , ishte ndryrë në zemrën dhe shpirtin tim.

Dukagjini: Princ i pasur, fisnik, trim, por inatçor i rrëmbyer e tinzar, kishte namin e keq që nuk linte rast pa perdorur për të arriturat e tij të mbrapshta. Besoja (dhe për këtë isha e bindur)se për kërkimin e dorës sime, ai nuk tërhiqej thjesht nga pamja apo hijeshia , por nga lakmia e trashëgimisë sime. Nuk do të doja kurrë të lidhja jetën me një njeri të tillë.

Ata prisnin. Sytë e tyre më zhbironin për të kuptuar se cila do të ishte zgjedhja ime. Unë nuk ua hodha sytë. Iu drejtova tim ati.Zëri më dridhej.

- Ati im. Të jam falnderuese që ma le mua zgjedhjen . Ndjehem në zor, se përgjigja është e vështirë për këto kërkesa të papritura. I nderoj dhe vlerësoj të dy princat, por mendja më thotë se do të ishte më mire, të lidhim miqësi me princin e Danjës që, është edhe komshija ynë.

Vrejta se për Lek Dukagjinin, përgjigja ime ishte si shkrepje rrufeje që ia bëri shkrumb dëshirat. Pamja e tij u shfytyrua, dhe nga sytë flakërnë shigjeta urrejtje. E pa me mllef Zaharinë, ashtu siç mund të shihet një armik dhe Doli me vrull përjashta.

Për Zaharinë: pëlqimi im kishte hapur portat e parajsës dhe lumturisë. Nuk foli, fytyra iu çel dhe njw buzëqeshje e hareshme ju ndeh në fytyrë. Bëri kryq, si falnderim për Zotin, vuri dorën në zemër, për të na nderuar, u përul thellë para meje e tim eti dhe doli.

Mbetëm një çast, si pas një hutimi nga e papritura, por Tata, më rroku n’gryk’ e më përqafoi. Ky përqafim ishte bekim e sa një mijë fjalë.

Pas një çasti, nga jashtë erdhën zhurma dhe zallahi të bërtiturash.

Dolëm, por çtë shihnim: Të dy Lekët i ishin turrur njeri tjetrit me tërbim. Ngjante si një dyluftim për jetë a vdekje. Dukagjini ndjehej i fyer, nuk e kishte gëlltitur mospëlqimin tim dhe i ishte turrur rivalit si ta kishte ai fajin. Vringëllinin dhe shkrepëtinin shkëndija shpatat. Sulmonin, tërhiqeshin dhe prapë sulmonin. Dukej që të dy ishin shpatëtarë të zotë. Për të ndarë sherrin u futën Vrana Konti daja i Zaharisë dhe trimi Vladan Jurici, nip I Kastriotit. Por qe e kotë. Vrana Konti u plagos në krah dhe Jurici në kokë.U tërhoqën dhe i lanë dyluftuesit të shfrenin dufin e zemërimit.

Si të mos mjaftonte ky dyluftim, shqytarët shoqërues të dy princave iu turrën shoshoqit me të njëjtën egërsi dhe tërbim. Sheshi i festimit të dasmës u kthye në shesh beteje. Pati të vrarë nga të dy anët.Sa? Nuk di t’a them.

I ndiqja me zemër të ngrirë dhe e tromaksur. Fajsoja veten se shkaku i asaj grindjeje isha unë. Por më tmerronte dhe ngrinte gjakun, frika se Zaharia mund të vritej.

Zaharia më trupmadh, i dha një goditje të fortë Dukagjinit, e plagosi dhe e rrëzoi përtokë. Mund ta kishte vrarë, por në çast ndërhynë sërish Vrana Konti dhe Jurici e i ndanë. Dukagjini e pranoi mundjen, mori njerëzit e vet dhe u largua.

Sheshi i dasmës ishte mbushur me kufoma.

Dasma u kthye në mort.E kjo s’ndillte asgjë të mire.

Kur Gjergji , Muzaka dhe Mamica,erdhën nga shëtitja, dëmi ishte bërë dhe nuk mund të ndreqej.

Gjëma

Zadrimë, pranverë 1445

Kaluan miuajt e dimërit. U fejuam. Leka vinte shpesh ndër ne. Më sillte dhurata. Rrinim bashkë, bisedonim. Ishin fjalë të thjeshta që më pëlqente t’i dëgjoja. Që më donte dhe i pëlqente të rrinte me mua.Se e priste me padurim ditën kur unë të zbrisja nuse në Danjë. Shiheshim sy më sy, buzëqeshnim, shëtisnim në kopsht zënë dorë për dore. Duheshim.Bota, qielli, dielli e yjit ishin tonat!Ndrinin e shkëlqenin për ne. Kur ai vinte, lumturia më shfaqej si ylberi. Në prill, Leka erdhi në kullat tona, bashke me nje noter shkodran. U lidh kontrata e martesës. Tata më jepte prikë tokat e Pultit dhe ato rrëzë alpeve dhe pas ikjes së tij nga jeta, gjithë principatën. Martesa u la për në vjeshtë të parë.

E lumja apo e mjera? Nuk i gëzohesha dot kësaj dite dhe martesës që po afrohjej sido që e prisja me padurim. Ndihesha fajtore. Fajtore pa faj. Kush ishte faji im? Bukuria dhe vajzëria. Thonë që jam më e bukura vashë e Arbërisë. Por bukurinë e pamjes, se bëjmë vetë, është dhuratë e zotit që stolis me ‘të krijesat e tij. Si e tillë ajo është një bekim. E lakmojnë të gjithë, por lum kujt i jepet! E jo mallkim! Ne kemi në dorë bukurinë e shpirtit, po atë pak dinë që ta shohin. Pëflasin se bukuria ime u bë shkak i asaj grindjeje dhe dyluftimi të egërshan nga të dy palët, me aq shumë gjakderdhje! Që la pas vetes, armiqësi dhe gjakmarrje. Luftuan për mua si të luftonin për pushtimin e një kështjelle. Kur ata u ndanë, mos o Zot, vetja mu duk si plaçkë lufte e fitimtarit!

Se di por kisha një parandjenjë të keqe.

Atë ditë që u lidh kontrata e martesës, Zaharia , me shpurën e vogël u kthye për në Danjë



***

Në mbrëmje, tek ne erdhi një lajmës për të kumtuar gjëmën e kobshme. Lek Zaharisë, i kishin zënë pusi në pyllin e Kovinenit buzë Drinit dhe e kishin vrarë tok me trimat e tij. Tha që për vrasjen flitej për vllezërit Dukagjini, Nikollën dhe Lekën. Por ishin vetëm hamendësime se askush si kishte parë.

E kobshme kjo gjëmë. Ra në shpirtin tim si rrufe, ligështoi zemrën. U mpiva, mu pre fuqia. Për mua , gjithçka u nxi, dita u bë natë, dielli nuk ndrinte,lotët e mi rrodhën çurk. Më dukej se edhe muret e kullës u nxinë dhe prej tyre rridhte pikëllim. Jeta ime u fik. Sido që u përpoqën të më ngushëllonin dada Dila, Tata dhe famullitari e mësuesi im frat Ejlli, kjo hata nuk kishte prajtje.

Kishin vrarë dashurinë time. E ç’më duhej jeta! Ishte plagë që s’kishte shërim.

Të nesërmen, e veshur krejt me të zeza, për jetën që mu nxi, tok me Tatën, që heret u nisëm për në Danjë. Tata për kryeshëndosh dhe unë për t’i lënë lamtumirë dashurisë sime.

Te vau, atje ku Drini del nga malet për në fushë, kapërcyem lumin me varka. Qyteti I Danjës, rrethuar me mure të lartë, që e shihja për here të pare, ngrihej mbi kodrën shkëmbore të Shen Markut. Prej aty u shihte si në pëllëmbë të dorës fusha e Zadrimës. Kur hym, më ra në sy kulla trikatëshe e Zahariajve . Nuk qe fat që unë të hyja nuse në atë kullë e ta gëzoja, por si ngushëlluese dhe sjellëse e zisë .

Zonja Bozhë, plakë fisnike,e veja e Koja Zaharisë, motër e Vrana Kont Altisiferit, nana e Lekës, e përzishme, si e ngrirë dhe e përhumbur, na priti ftohtë. Nga sytë e saj mu duk se dolën ca shigjeta të akullta mënije, s’kisha pare ndonjë here sy me shikim aq të ftohtë, si të më fajësonte mua për vdekjen e të birit. U afrova ta përqafoja, por ajo më zgjati veç dorën që t’ia puthja. Fjalët ishin të tepërta. Me vdekjen e të dashurit,vdesin edhe fjalët.

Arkmorti ishte në kishën e shën Markut. Rrethuar me qirinj dhe lule. U luta ta zbulonin që ta shihja për herë të fundit.Edhe i pajetë, i zbehtë,Dukej sikur flinte. E putha në ballin e ftohtë , lotët e mi rrodhën mbi fytyrën e tij të zbehtë , t’i merrte me vete si shenjë e dashurisë sime dhe i thashë fjalë zemre. Ato që priste t’ia thoshja në të gjallë por nuk ia thashë.

U varros në varrezën familjare, në luginë, brenda mureve të kishës së Shën Marisë, nën hijen e një qiparisi të moçëm. Bashkë me ‘tw, në atë varr të ftohtë, u varros edhe dashuria ime. Në zemrën time, kanë zenw vend dhembja, hidhërimi, dëshpërimi. Ai do të mbetet kujtim i pavdirë.

Zemra ime e gjorë dhe e pafat.

Nuk i duroja dot shikimet e përcjellësve të mortit, më shihnin me mëri, si të isha shkaku i asaj vdekjeje mizore. Nuk qëndruam për drekën e mortit. Ishte e tepërt. U kthyem në shtëpi.

Në ditët që erdhën, zura shtratin. Ishte një lëngatë e gjatë.Tata që e vuante edhe ai lëngatën time, pruri mjek nga Lezha dhe Shkodra, por pa dobi. Lëngatën e shpirtit s’ka mjek që e shëron. Mezi e mora veten. Isha zbehur, hequr e dobësuar. S’më hynte në sy asgjë. Jetoja kot, pa të tashme e pa të ardhme.

Si të mos mjaftonin gjithë sa ndodhën, në qershor, Lek Dukagjini pati pafytyrësinë dhe dërgoi shkesin tek Tata , kërkoi përsëdyti dorën time. O Zot, ç’bëhet kështu? Të vrasësh rivalin dhe të duash të martohesh me të fejuarën e tij! Tata e zboi me zemërim, dhe i tha ca fjalë të rënda që t’ia përcillte zotrisë së tij.

Sa për vete, e vendosa. Nuk do të martohesha kurrë. Isha sjellësja e fatkeqësive: e vdekjes së Lekës, zonja Bozha, iku në Shkodër dhe ua dorëzoj Danjën venedikasve. Për këtë shkak Kastrioti i shpalli luftë Venedikut.Do derdhej shumw gjak, do të shkymeshin shumë jetë. Të gjitha për shkak tim.

Do t’i kushtohesha Zotit. Nisa të falesha përditë. Do vdisja virgjëreshë. Sido Tata, që më kishte fëmijë të vetëm dhe trashëgimtare të principatës, u rrek të ma kthente mëndjen, i thashë se ishte një vendim i pazbrapshëm. Në fund , sido i dëshpëruar, u pajtua me mua , e la në dorë time sesi do të vendosja për jetën time. I jam falnderuse.

Një ditë të vjeshtës së parë, kur ishte lënë martesa, me shoqërimin e frat Ejllit dhe letrat e rekomandimit të ipeshkvit, axhës Pal Dushmani, morëm në Durrës velierën veneciane, lundruam në dy dete dhe mbrritëm në Korsikë, në kuvendin e Motrave Karmelitane, ku jam edhe sot.

Rektorja, madre Çeçilja, më priti ngrohtë e me përzemërsi si motër të besimit, jo rishtare, por si të njohur prej kohësh. E dinte që isha princeshë arbërore.


Epilog

Në skelën e vogël në gjirin e Shën Lorencos, pranë kuvendit të Motrave Karmelitane, kishte hedhur çengelin një veljere ulqinake që vinte nga brigjet e Adriatikut. Prisnin të sillnin ngarkesën. Në udhëzën që vinte nga Kuvendi u shfaq një procession i përzishëm. Në krye ishin mbartësit e veshur me te zeza, që mbanin mbi supe një arkmort, pas tyre percjellja nga një tubë murgeshash, gjith me zhgun të zi, që murmurisnin lutje të përshpirtshme. Bartësit u afruan dhe ulën ngadal në bankinë ngarkesën, si të kishin droje mos zgjonin meitin. Murgeshat, thanë lutjet, bënë kryqin dhe u larguan ,ashtu si kishin ardhur, të dëshpëruara e të përzishme.

Detarët, e vendosën në kuvertë arkmortin.

-Kapedan, as na thue, bre, kush asht i ndrym në kët tabut?

-Princesha Jerina Dushmani, e Zadrimës dhe Pultit. Trupi i saj, se shpirti ka fluturue me kohë në paradis. E kishte lanë amanet për s’gjalli: kur të vdes, të më varrosni në Danjë, bri Lek Zaharisë, dashunis së jetës teme! Dhe si thojnë: amanetin s’e tret as dheu!

Ngrini çengelin, hapni pëlhurat se era asht e mbarë, nisemi, ta çojmë në vend amanetin e princeshës, që në të ri të saj, ishte ma e bukra femën e Arbërisë.

Tiranë, nëntor 2022-janar 2023.

[1] Kerubinë, engjej ne parajsë. [2] Republika e Venedikut [3] Qytet mesjetar, në lindje të Ulqinit, rret 20 km larg bregdetit adriatik [4] Qeveritar venedikas. [5] Kanisk-dhuratë.

99 views1 comment

1 Yorum


sotir.mimi
sotir.mimi
17 Oca 2023

Xing.

E lexova Novelën me një frymë. Ështe shkruar shumë mirë duke qëmtuar në fjalorin e kohës së mesjetës ku zhvillohen ngjarjet. Për mua ndiqte detyrën tënde si Rekuem për dashurinë e humbur të një virgjëreshe. Dhe mbushte të gjithë lëndën me trishtim.

Shumë shoqërisht, / Xingografia!.


Beğen

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page