Jam zonjë e tokave të mija
Gardhet e ndoqën banorin e fundit të larguar me dhunë nga Çamëria. Gardhe që lanë shijen më të hidhur të jetës së Njeriut të lirë. E kështu ai mbeti në sytë e fëmijës, nipit dhe mbesës, të trashëgimtarëve që kalojnë netët në ëndërrat e prindërve të tyre, rrëfenjave të mbetura në rrjeshta e këngë, në kujtesa e dhimbje. Dhe natyrshëm i ashtumbeturi „Banori i gardhit“ ndjek gjakun e të parëve në të gjitha detyrimet e thrrjes së shpirtit të lënduar e të harruar. Kështu ndodh dhe me poeten, Arjana Featahu Gaba, që është një pinjolle e Grykohorit të Çamërisë. Poetja në jo pak poezi të saj ndjen arsyen më sublime që të delegojë mesazhin e duhur për këtë tokë, për atë arsye njerëzore të ndarë mes dhimbjes, mallit dhe detyrimit jetik. Në njërën prej tyre asjo shkruan se „ndjehet zonjë e tokave të veta“. E vargu i saj prek ajrin, qiellin, tokën, vetëm për aq sa mund të shkëpusë syri i njeriut në atë gardh të destinuar që të mbajë të izoluara qindra e qindra, mijëra e mijëra ëndërra të braktisura me dhunën e asaj kohe mizore. Poetja shkruan: „Kur kalova mbi tokën time të vjedhur tinzërisht,/Në trup, se di nga me erdhi një e nxehtë,/Ullinjtë gjelbëronin dëshpëruar e qanin,/Një këngë vaji, sajdisur me dert.“ Është ky dert për fshatin e të parëve të saj. Dhe ajo e ndjen Grykohorin në të gjitha aspektet e jetës, krijimtarisë së sj poetike.
Grykohori (greqisht: Γραικοχώρι) është një fshat në rrethin e Thesprotisë në Epir, Greqi. Është në komunën e Igumenicës. Në regjistrimin e vitit 2011 fshati kishte një popullsi prej 1,904 banorë. Nga veriu Grykohori kufizohet me Gumenicën dhe Salicën, nga jugu me Nistën, nga perëndimi me Ledhezën, nga jugperëndimi me Pllotarenë dhe nga lindja me Nuneshatin e Sharatin. Para Luftës së Dytë Botërore, Grykohor kishte këto lagje: Alangurénjtë, Alimàtë, Argëlézanj, Bererë, Beqatë, Cangaratë, Cimenatë, Fetahenjtë, Gjinovatë, Gjinlekë (sot katund), Katundi, Mamolatë, Psaka, Strefatë, Sullahmatë, Shukuratë, etj. Duke parë dhe ndjekur këtë pasuri të madhe gjeografike, shpirtërore dhe fizike, Arjana Featahu Gaba, si vajzë me origjinë çame nga Grikohori, i është bashkuar kauzës së kësaj treve, ku natyrisht duket qartë të thotë, se para gjithë kësaj, edhe pas gjithë kësaj, unë do të jem përjetësisht një patriote.
Dhe e ndjejmë të na thotë me vargjet e saj, me krijimtarinë e saj në rritje, atë thelbësoren se „Para se poeti në mua të piqej dhe unë të filloja të flas si e etur, qentë e luftës së egër lehnin dhe unë u ngjita vetë në gardhin e mërgimit, dhe atje kam banuar, pa asgjë të prekshme për të më rrëzuar. Unë kam qenë në këtë gardh kaq gjatë dhe do të qëndroj atje përgjithmonë! Aq më tepër që fëmija i lindur para kohe nga shkelmat mizore të agresorit dhe vrasësit mizor është ende në inkubator. Nga ky këndvështrim, jam mësuar të mos i besoj kurrë asnjë politikani. Unë i kam parë gjithmonë me mosbesim, përbuzje dhe dyshim. Përpara gjithë kësaj dhe përpara se të vrapoja dhe të ngjitesha në gardhin e mërgimit.“ Dhe e ndjen këtë si atëherë, atë ditë kur rrahën dhe torturuan bariun me të njëjtin mbiemër me rrënjët e saj të Grykohorit që të thotë ende për brezat që lindën në kushte të tjera, „Një herë më rrahën pa mëshirë, më tërhoqën zvarrë dhe më bënë të kërceja i detyruar nga ushtarë me një kabëll gome. Më lidhën dhe më shtrinë si qen në tryezën e lyer me gjak. Pashë sesi njerëz të pafajshëm vriteshin me një thikë të ndryshkur. Atje u zotova të bëhesha banor i gardhit për gjithë jetën! Kam qenë patriot gjithë jetën. Prej këtu ende shoh gjak të derdhur, zemra të thyera, shpresa të shkatërruara…“
Arjana Featahu Gaba, poetja me rrënjët në Grykohor dhe betimin në „Në varrin e gjyshit, që mezi munda ta gjeja,/Një gjysëm guri i trishtë nën ulli,/Sikur të ngrihej të shihte gjithçka shkretuar,/Me siguri ai do te vdiste, përsëri.“ tashmë është në udhën e saj të mbarë poetike, ku flet e qashtër për realitetin, ku realiteti ende mbetet i hidhur, brenda një gardhi të agër politik, që edhe kur vetëm përmendet, ndjen dhëmbët e vjetra e të reja të tjetrit, ndaj shprehet „Dhe unë që jam këtu, erdha pa ftuar,/Në tokat që gjyshërit lanë me gjak,/Në trarët e djegur si në një legjendë është dëshira,/E një populli, që kurrë s'mori dot hak./Mes gjurmëve që me kot mundohen ti fshehin,/Një ëndërr çdo ditë lind dhe një shpresë, /Në lutjet e shpirtrave të gjalë e të vdekur,/Asgjë kaq lehtë s'mund të vdesë.“
Poetja Arjana Featahu Gaba ka mallin e trashëguar nga të parët e trungut të saj dhe ndaj thotë hapur se „Erdha të të shoh Çamëria ime,/Tumankuqja unë nga Shqipëria,/Unë s'jam e vetme, por jam aq shumë,/Jam zonjë e tokave të mija.“
Comments