JAHO MARGJEKA DHE KRIJIMET E TIJ TË FRYMËZUARA
Nga: Prof.as.Dr. MURAT GECAJ
publicist e studiues-Tiranë
1.
Kusha ka kaluar me target përgjatë luginës së Drinit, pra nëpër liqenin e Hidrocentralit të Komanit, patjetër ka shijuar bukuritë e asaj treve Alpine. Mbaj mend se vite të shkuara, një miku im shkrimtar erdhi me shërbim në qytetin “Bajram Curri”. Ishte vjeshtë dhe me vete kishte marrë: çizme, pardesy e plaçka të tjera. Kur e takoj, e pyes me shaka: “Për ku je nisur kështu, o miku im i mirë?” Ai buzëqeshi dhe, duke e kuptuar se ku e kisha fjalen, m’u përgjigj: “E dija se Tropoja është vend i lartë malor dhe prandaj u përgatita kaq shumë me veshjet e mia”.
Vërtet, shumëkush mendon se na ato anë ka klimë mjaft të ashpër dhe bora e ngricat janë të pranishme që në vjeshtë dhe vadhdojnë deri vonë në pranverë. Por nuk është kështu. Po përmend vetëm dy lartësi gjeografike: Me sa më kujtohet, diga e Hidrocentralit të Fierzës është ngritur në rreth 110 metra mbi nivelin e detit, ndërsa qyteti “B,Curri” ndodhet në lartësinë afër 300 metra. Por është e vërtet se vite të shkuara klima në ato anë ishte shumë e ashpër. Ndërsa, saidomos, pas ndërtimit të hidrocentraleve në Fierzë e Koman, në rrjedhën e dikurshme të Drinit, klima është zbutur ndjeshëm. Kjo, që shkrova më sipër, mendoj, ka ndikuar dhe në zbutjen e karaktereve të njerëzve, i ka bërë ata më të ndjeshëm, më të qetë e më të butë.
Në traditat kulturore të krahinës së Tropojës, zenë një vend të merituar e të pazevendësueshëm këngët e Ciklit të Kreshnikëve. Ato, bashkë me bukuritë e natyrës Alpine, bënë që të lindin këngëtarë e vallëtarë virtuozë. Ndërsa në vitet e fundit të shekulliut XX, kur bijtë e bijat e malësorëve u shkolluan masivisht, lindën e u shtuan edhe krijuesit: poetë e shkrimtarë të talentuar.
Ndoshta, u zgjata pak, por desha të tregoja se në këto mjedise Alpine lindi, më 26 mars 1961 dhe u rrit edhe personazhi i shkrimit tim, Jaho Salih Margjeka. Ai piu ujin e ftoftë të Valbonës kaltëroshe, u frymëzua nga kalaja e lashtë ilire e Rosujës, nga trimëritë e pashoqe të Mic Sokolit e Bajram Curri dhe sa e sa atdhetarëve të tjerë, që armat i mbajtën kurdoherë ngjeshur, në mbrojtje të lirisë së vatanit. Nga trungu i familjes së tij trashëgoi tradita të larta atdhetarie, mikpritjeje e bujarie. Gjyshi i tij, Ramë Binak Margjeka është i njohur për burrë “skofnar” dhe që i peshonte rëndë fjala në logun e kuvendit të burrave.
Me këto e të tjera tradita, Jaho u mëkua që në fëmini e në vegjëli. Më tej, mësoi në shkollën 8-vjeçare të Bujanit të Kuvendit Historik. Aty, gjatë Luftës II Botërore , burrat atdhetarë ,nga Shqipëria e Kosova, kërkuan vetëvendosjen e Kosovës martire. Ndërsa etja për dituri e kulturë e çoi atë në qytetin e “Shkodërloces”. Ndoqi e përfundoi degën gjuhë-letërsi shqipe, në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në vitin 1989. Pasi e thërrste vendlindja, rendi për atje e u dha mësim nxënësve bashkëkrahinas, në shkollën e mesme të bashkuar të fshatit Llugaj. Ndihmesë të çmuar e pasion në detyrë, shfaqi ai gjatë viteve 1992 e 1993, kur punoi në sektorin e kulturës dhe arteve të atij rrethi malor. Se kishte gjetur tradita mjaft të mira, në lëvizjen artistike e amatore të rrethit Malësisë së Gjakovës (Tropojë) dhe u përpoq që ato t’I çonte më tej.
Duke parë aftësitë e tij dhe talentin në fushën e krijimtarisë e kulturës, që nga ajo kohë, Jaho Margjeka është gazetar në Radio-Televizionin Shqiptar. Tani vijon përsëri aty, tashmë drejtor departamenti, ku ka kolegë të pasionuar në krijimtari, si Kozeta Hoxhën, Shkëlzen Zallin, Demir Gjergjin, Valdete Andonin, Grigor Banushin e të tjerë.
2.
Qëkur ishte nxënës e më pas student, Jahon e pushtoi frymëzimi në krijimtarinë letrare. U përpoq t’i “vidhte” modelet e vargjeve të këngëve kushtuar Mujit e Halilit, të ndiqte udhën e rapsodëve më të mirë popullorë të krahinës së tij. Dhe ishin shumë, se cili më i mirë dhe më i pëlqyer se tjetri. Në krahët e muzës frymëzuese e kishte marrë edhe qyteza ilire e Rosujës, në brendësi të së cilës fshihte legjenda për zana e shtojzovalle.
Për herë të parë, letrarët e rinj e panë emrin e Jahos në vjershat, që botoi në gazetën “Zëri I Rinisë”, më 1981. Në udhën e krijimtarisë, botoi një cikël me poezi dhe në revistën e njohur të kohës, “Nëntori”. Dy vjet më vonë, ajo revistë e nderoi me një çmim vjetor.
Si parandjenjë e një jete tëe re, që po lindëte, në vitin 1990 dërgoi për botim vëllimin me poezi, që kishtë titullin kuptimplotë “Nesër, do të agojë”. Redaksia e Shtëpisë Botuese, me emnrin e vjetër të parties-shtet “8 Nëntori”, ia ktheu mbrapsht, me fjalët: “Pasqyrim i ftoftë i realitetetit”. Natyrshëm, lind pyetja: E si mund të ishte “i nxehtë” në krijimet e tij, një shpirt i ndjeshëm, si ai i Jahos? Pra, nuk mund të ndoshte ndryshe, sepse në vjershat e tij, ky poet “rebel” kërkonte një ditë të re dhe dëshironte të ishte i lirë, si shqipet me fluturimin e tyre në Alet e Shqipërisë.
Pa u tërhequr aspak nga krijimtaria e tij, vazhdoi të botojë tregime e poezi në gazetat “Zëri I Rinisë”, “Rilindja Demokratike”, “Drita”, “Rilindja” e Kosovës, që shtypej në Tiranë e tjerë. Në atë periudhë, ai është autor i disa teksteve të këngëve, në Festivalet vjetore të Radio-Televizionit Shqiptar dhe në “Koncertet e Pranverës”.
Në udhën e mbarë të krijimtarisë së tij, në vitin 1998 i tuboi poezitë e tij më të mira dhe publikoi vëllimin “Lojë në pasqyrë”. Ndërsa dy vjet më vonë atë me titullin “Ëndrra midis” dhe në vitin 2000, vëllimin tjetër ,“Edhe pak qiell për dashuri”.
Meqenëse kishte se çfarë t’u thoshte lexuesve të tij, në vazhdim, shkroi e botoi disa tregime interesante. Ato i përmblodhi në vëllimin me titull “Letra nga planeti i borës” (Tiranë, 2005). Tregimet janë krijuar në vite të ndryshme të jetës së tij, që nga koha kur ishte student. Po kështu, ai vijon të krijojë dhe ka në dorëshkrim: një vëllim tjetër me poezi, një monografi e një libër me intervista.
Në krijimet e Jaho Margjekës, në poezi e prozë, vërehen: ndjenjat e holla të krjuesit, figurshmëria e goditur, gjuha e shkathët dhe e rrjedhëshme. Sidomos te tregimet e tij, vërehet befasia në trajtimin e situatave, gjetjet e bukura në dialogje e tjerë.
Me natyrën e tij të qetë dhe, ndoshta, pak të mbyllur, ai “fsheh” në vetëvete shpirtin e butë të artistit, krijuesit të ndjeshëm e fjalëkursyer.
Siç është e zakonshme, nga miqë e bashkëpunëtorë të mirë të tij, natyrshëm buron urimi i zemrës:
-Krijime të reja edhe më të bukura, i dashur Jaho!
Tiranë, dhjetor 2009
Comments