top of page

JAHJA DUKAGJINI, U LIND NGA “GURI” DHE VDIQ NGA “POEZIA”


JAHJA DUKAGJINI, U LIND NGA “GURI” DHE VDIQ NGA “POEZIA”

Dr Fatmir Terziu


Hakan Arslanbenzer, themeluesi i “Populist Cultural Association” në Turqi dhe kryeredaktori i “Avangard Publications’ ka sjellë në vëmendjen e sotme faktin e poetit të madh të formës poetike masnavi, i cili ishte me origjinë shqiptare, Jahja Guri (Taşlıcalı Yahya). Masnavi ose matnavi është emri i një poeme të shkruar në rivalitetin e rimës, ose më saktë, “një poemë e bazuar në linja të pavarura, me forma të caktuara rime”. Masnavi përbëhej nga një numër i pacaktuar me skemën e rimës aa/bb/cc. Duke lëvruar këtë formë poetike, ai ishte i njohur gjithashtu si Jahja Bej Dukagjini (1498-1582). Emri i tij u bë i njohur në turqisht si Dukaginzâde Yahyâ bey ose Taşlicali Yahyâ bey, por që u përkit në shqip si Jahja bej Dukagjini, pasi ka pak të dhëna për mbiemrin e tij të saktë, pikërisht me atë që i ishte ngjizur me gurin. Ai ishte një poet shqiptar në Perandorinë Osmane dhe gjithashtu ishte dhe një figurë ushtarake qendrore e Sulltanatit, pasi bënte pjesë në elitën e kësaj ushtrie. Ai është një nga poetët më të njohur të shekullit të 16-të dhe të dhënat tregojnë se ai shkroi në turqisht gjatë periudhës osmane në të vilën ai ishte angazhuar dhe jetoi.

Të dhëna të tjera të mëparshme flasin se Jahja Dukagjini ishte dhe me një emër tjetër, Jahja Bej Tashligja. Me këtë emër ai nihet se ishte ndër personalitetet e shquara shqiptare të familjes Dukagjininga Plevla. Sipas këtyre të dhënave Jahja Dukagjini u lind në vitin 1496, në qytezën Plevël, (sot qytezë në Mal të Zi). Osmanët e morën si jeniçer dhe e dërguan në Stamboll. Hasan Kaleshi tek “Roli i shqiptarëve në letërsinë orientale, Seminari i kulturës shqiptare për të huaj”, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Filozofik, Prishtinë, 1976, fq. 157 shkruan: “Në oxhakun e jeniçerëve, Jahja beu përparon shpejt dhe ngarkohet t’i edukojë jeniçerët e rinjë. Në këtë punë ai tregon aftësi të madhe, përvetëson maniret e bujarëve, gjë që i hap rrugën depërtimit në rrethet aristokrate të Stambollit.”

Nexhip Alpan dhe Nesip Kaçi sqarojnë se Jahja Dukagjini iu kushtua edhe studimeve të letërsisë. Ishte njëri nga poetët më origjinalë dhe më të shquar të Perandorisë dhe studiues i poezisë. Konsiderohet poeti më i madh i klasicizmit osman. Veprat kryesore të tij janë me përmbajtje morale-mistike. Veprat më të njohura të tij janë: “Visare të fshehta” (Gencine-i Raz); “Jusufi dhe Zelihaja” (Yusuf ve Züleyha); “Kopshti i ndritur i trëndafilave” (Gülshen-i Envar); “Shahu dhe lypësi” (Shah ü Geda); “Naze dhe lutje” (Naz ve Niyaz); “Libri i parimeve” ("Usulname" ose "Kitab-i Usul"); “Qyteti i Stambollit” (Şehrengiz-i İstanbul); “Qyteti i Edrenes” (Şehrengiz-i Edirne); “Libër (poetik) për Sulltan Sylejmanin” (Suleyman name). këtë e rithekson dhe Hajrullah Koliqi tek “Historia e arsimit dhe e mendimit pedagogjik shqiptar”, “Libri shkollor,” Prishtinë, 2002, fq. 80 - 81.

Gjithashtu disa të dhënat arkivore tregojnë se Osmanët e rekrutuan Dukagjinin përmes sistemit të grabitjes në rininë e tij të hershme. Lufta Osmane-Mamluke, Beteja e Çaldiranit 1516-17, pjesëmarrja në Betejën e Çaldiranit të 1514-ës, Lufta Osmane-Mamluke 1516-17, Ekspedita e Bagdadit e vitit 1535 dhe rrethimi i Szigetvárit në vitin 1566 e bëjnë atë të renditet pikërisht në majat e aksioneve ushrake të kohës në të cilën ai shërbeu dhe shkroi poezitë e tij. Për shkak të një elegjie, që ai shkroi për princin Mustafa, birin e parëlindur të Sulltan Suleimanit, ai ra në kurthin e kryerësit të vrasjes, Vezirit të Madh, Rustem Pasha, që ishte një armik me princin Mustafa, i cili e dëboi Dukagjinin në Ballkan, ku ai kaloi vitet e fundit të tij të jetës. Arkivat shkruajnë se një ushtar dhe poet, i cili jetoi në Perandorinë Osmane të 16-të, Taşlıcalı Yahya ishte i njohur si poeti më i madh i formës poetike masnavi pas Fuzulit gjatë jetës së tij. “Elegji për Pasardhësin e Sulltanatit Mustafën” është puna e tij më e famshme

Jahja Dukagjini, dhe pse ishte me një rini të “grabitur”, pati rastin të sedërtohet si klasë e formuar në qytet. Mjaft studiues e theksojnë këtë çështje, sepse në atë kohë kur ai shkroi fermerët, që përbënin 90 për qind të shoqërisë osmane, nuk dinin as të lexonin dhe të shkruanin, kështu që rastet si ai i Jahja Dukagjinit bëjnë një arsye më shumë për të thënë, se veç talentin ai kishte dhe rastin të gjendej në një pozitë klasore më të avancuar. Edhe pse mjaft poetë shkruanin nga pozita të thjeshta, ajo që dallon poetin Jahja Dukagjini është elitizmi i tij i të shkruarit në atë kohë.

Në një kohë kur numri i poetëve rezulton të ishin artizanë dhe ushtarë, ky fakt e bën disi të kuptueshëm dhe angazhimin e tij poetik. Por ai ishte vërtet ushtar, por një ushtar i elitës sulltanore, e cila kishte mjaft priviligje dhe këto i kishte saknksionuar me ligj që në vitin 1300. Arslanbenzer na vjen në ndihmë kur thotë se “Askush nuk do të priste që një ushtar që jetonte një jetë lufte të shkruante poezi, por poezitë e shkruara janiane dhe mbledhja e këtyre poemave në një libër nuk u konsideruan si të çuditshme, por filluan të shpërbleheshin më mirë”.

Sipas Arslanbenzer “Ky poet i madh që e kompozoi Elegjinë për princ Mustafai, kishte fatin të kishte një titull të rëndësishëm, duke treguar se ai ishte komandanti i jeniçerëve. Tek ai, po aq dhe tek poezitë e tij thuhet se “gjendet një veteran lufte që kaloi një jetë duke luftuar jobesimtarët dhe rebelët”. “Jahja Dukagjini, u quajt edhe Jahja Guri se ai ishte luftëtar i një qyteti shkëmbor dhe vinte nga një familje fisnike” (Arslanbenzer).

Në fakt nuk është gjetur asnjë rekord zyrtar për vendlindjen dhe datën e lindjes. Sipas poezive të tij ku fliste për veten e tij, atdheu i tij ishte Pljevlja, që ndodhet në veri të Malit të Zi sot dhe ai i përkiste familjes Dukagjini, e cila ishte fisnike dhe shqiptare. Me fjalë të tjera, gjuha amtare e këtij poeti, i cili shkroi poezi unike në turqisht, nuk ishte turke. Familja Dukagjini vlerësohet të ketë qenë e vendosur në Shkodër. Ata ishin shqiptarë. Data e lindjes është gjithashtu e pasigurt, por historianët përgjithësisht pajtohen me 1488 ose 1489. Ky poet, vdiq në vitin 1582 në moshën 93-94 vjeçare. Jahja u rit dhe u edukua nga Shihabidhini Beu, një njeri që e kuptoi talentin e tij dhe ishte gjithashtu sekretar i vatrës. Falë kësaj, ai ishte në gjendje të merrte mësime nga dijetarë shumë të rëndësishëm dhe mund të shmangte disa prej vështirësive për të qenë një jeniçer. Falë kësaj ai mundi të gjejë kohë të përshtatshme për aktivitete intelektuale.

Por jeta e tij dhe shkrimet poetike përfunduan, si mjaft gjëra në Sulltanat, ku egërsia dhe kundërshtitë, armiqësitë dhe lufta për pushtet, intrigat dhe inatet e Rustem Pashës, Vezirit të Madh e dërguan përfundimisht në Kështjellën e Tumasarit në kufirin e Ballkanit ku ai ende vazhdoi të luftonte me të pafetë. Duke u drejtuar drejt një dervishi, poeti vdiq në Bosnjë, në Loznica ose në Dubrovnik, dhe kjo sipas historianëve. Kur ai vdiq, ai ishte i lodhur, i lodhur dhe i devijuar nga frymëzimi e talenti i tij poetik. Por ama u tha në heshtje dhe ende thuhet se Jahja Dukagjini u lind nga “guri” dhe vdiq nga “poezia”.

57 views0 comments

댓글


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page