Perëndim apo...?!
Gjatë vitit që shkoi në jetën tonë kishin ndodhur ndryshime cilësore dhe sasiore. Unë nuk ndihesha mirë. Isha vetëm në shtëpi dhe papritur u përhumba, “Pse ndihem kaq e dobët fizikisht dhe shumë debul ? Më merren mendtë. Çudi, si nuk më shkon mendja as për të ngrënë? Mos vallë jam sëmurë?”- vrisja mendjen, kur papritur pësova një humbje ekuilibri. U përhumba nga një marrjemendësh dhe humba në një amnezi. Pa vetëdije u plandosa mbi divan. Në këtë gjendje më gjeti Timi, kur u kthye nga puna. Ndërkohë ai duhej të lahej, të hante dhe më pas do të shkonte në fabrikën e lëkurave. Prej aty do të përfundonte në teatrin e qytetit se kishte provat e estradës. Ishin duke u përgatitur për një turne.
I shqetësuar, ai nuk u ul fare në tavolinë as për të ngrënë. Me gjithë vapën mbytëse të gushtit, i lodhur dhe pa ngrënë ai do të kapitej fare.
-Vishu shpejt se do të shkojmë te mjeku. Shkuam në poliklinikë, ku gjetëm kirurgun e ri Kristaq Bisholla, shokë shkolle i tij. Më vizitoi mirë dhe urdhëzoi infermieren të më merrte gjak për analiza. Ndërkohë po prisnim përgjigjen e laboratorit. Ishim ulur në stolat e koridorit. Doktori na thirri dhe çuditërisht na priti i qeshur. Ndërsa ne ishim të shqetësuar, sa hymë në derë, ai klithi gjithë gëzim:
-Urime, urime, miqtë e mi! Do të bëheni me fëmijë!
-Çfaaarë?! Çfarë fëmije thua, doktor? Unë nuk kam fëmijë. Pastaj kjo është e sëmurë, kurse ti flet ëndrra.
-Shoku im i mirë, mblidhe mendjen. Gruaja jote është shtatëzënë dy muajshe. Këto shqetësime do t’i ketë 3-4 muajt e parë sa ta ndiejë gjallë fëmijën. Një sëmundje të tillë të kenë të gjitha gratë që ëndërrojnë të bëhen nëna. Unë po i jap disa vitamina për fuqi. Nëse tani në konsultore ka gjinekolog, ju këshilloj të shkoni, të vizitohet që Aja të hapë kartelën e shtatëzënisë.
Aty gjetëm gjinekologen Pellagji Tralo, mjeke e zonja. Pas vizitës ajo foli për gjendjen e mirë të nënës dhe të fëmijës.
-Në të njëjtën datë pas një muaji do të vini për vizitë. Zbatoni këshillat që ju dhashë dhe do të keni një shtatzëni të mirë,-ishin fjalët mjekes.
Timi fluturonte ngaqë do të bëhej baba. Kurse unë ndjeja gëzim dhe trishtim bashkë. Isha e shqetësuar se kush do t’më mësonte t’i shërbeja një foshnjeje të vockël. A do të isha në gjendje vallë të rritja një fëmijë ? Isha njeri pa njëri dhe e papunë. Pastaj qetësohesha se ndoshta do të më ndihmonte nevoja. Ajo që më shqetësonte, ishte papunësia për të cilën s’kisha asnjë shpresë. Nëpër zyra nuk më pranonin as të futesha të paraqisja arsyen e vizitës. Kisha katër vjet që vazhdoja univeristetin me korispodencë, dega histori-filologji. Po në muajin gusht që mësova se prisja fëmijën e parë, duhej të shkoja në Tiranë për të dhënë provimet e diplomës. Atëherë shpresoja si çdo e re, se duke u diplomuar do të më rritej paga. Por atë ditë provova dhembjen më të madhe, më mohuan diplomimin. Madje e kisha të ndaluar të paraqitesha në provimin e tri lëndëve që më kishin ngelur pa likujduar. Shkova te dekani i fakultetit, Anastas Dodi, i cili ishte nga Vlora dhe i kërkova të më jepte një mundësi. Ai me keqardhje më tha se nuk mundej, por më këshilloi të shkoja njëherë në Komitetin Ekzekutiv të Vlorës se ndoshta ishte bërë ndonjë gabim.
U ktheva në Vlorë me duar bosh dhe pa shpresë. Të nesërmen shkova në Seksionin e Arsimit për të mësuar diçka. Por ç’të shihja? Shkallët e të tri kateve dhe deri jashtë në trotuar, ishin plot e përplotë me mësuesë dhe me intelektualë të fushave të ndryshme. Tek ne kishte ndodhur një gjëmë e padëgjuar kurrë më parë. Revolucioni Kulturor i Kinës, u projektua në Pekin dhe filloi të zbatohej në Shqipëri, duke u mohuar ushtrimin e profesionit mijëra intelektualëve. Më e keqja ishte se na mashtruan duke na thënë:
-Tani për tani nuk kemi vende të lira në arsim, mjekësi, ekonomi etj, por ju do të jeni në pritmëni. Sa të hapet ndonjë vend i lirë, do të filloni punë.
Nuk ishte nevoja për asnjë sqarim, ne na kishin pushuar nga puna, na kishin flakur në rrugën e madhe, duke na mohuar ushtrimin e profesionit. Aq e trishtuar dhe pa shpresë isha sa as fëmija që rritej brenda kurmit tim dhe që prisja të vinte në jetë, nuk më gëzonte. Me se do ta rrisja? Këtë të keqe që të bënë diktatura s’ta bën as Perëndia. Na ngriu buzëqeshjen. Ashtu si më mohoi profesionin, më frenoi të isha e lumtur që do të bëhesha për herë të parë nënë. Nuk thonë kot, “mos u gëzo , o i gëzuar!”
Atë vit Timin e kishin emëruar koreografin e estradës së qytetit, pasi koreografin aktual, Jani Kosta e kishin pezulluar, nga që s’kishte arsimin përkatës. Por e kishin kaluar xhezbandist të orkestrës. Atë kohë në trupën e valleve mungonte një femër. Ishte fati im se për atë numër estrade më morën mua. Unë nuk ia thosha për vallet popullore. Kërceja bukur me muzikën e lehtë apo ritmike, por kërcimet në grup nuk di nëse do t’i realizoja. Gjithsesi arrita nivelin e pesë vajzave të tjera. Isha shtatzënë në muajin e shtatë kur u nisëm për një turne njëmujor nëpër qytetet perëndimore të vendit. Estrada e Vlorës në çdo qytet pritej shumë mirë. Trupa e estradës së Vlorës ishte e para nga rrethet e tjera që dha shfaqje në Pallatin e Kulturës në Tiranë, i cili sapo ishte ndërtuar. Të gjithë artistët vlonjatë ishin me përvojë në skenë, por edhe unë e papërvoja u ngjita dhe kërceva në skenën e këtij pallati. Pas një muaji, për Vitin e Ri u kthyem në Vlorë. Veç recitaleve që më shpërblyen, unë mora një dietë më të madhe se të tjerët pasi isha pa punë.
Atë kohë blemë gjithë gjërat e nevojshme për mysafirin që prisnim të vinte, mes tyre dhe një karrocë fëmijësh ngjyrë kremi. Blemë dollapin e rrobave njëkanatsh me pasqyrë, se na duhej për të qenë sa më të rregullt kur dilnim nga shtëpia. Në ndërmarrjen e Përpunim Drurit porositëm një tavolinë buke që hapej dhe një bufe që na mblodhi enët, qelqurinat dhe ushqimet. Gjithçka e arrimin me një kursim të jashtëzakonshëm.
Dy muaj pas turneut, linda vajzë, një fëmijë të ëmbël, të bukur dhe të mbarë që më lumturoi. Por ndryshe nga unë, babai u dëshpërua tej mase se priste që të lindja djalë. Nuk është faji i nënës që nuk lind vetëm djemë për baballarët. Fëmija është produkt i të dyve. Dëshira jonë ishte që vogëlushja me emrin, Linda të rritej sa më shëndetshëm.
Tani e ndieja më shumë përgjegjësinë dhe nevojën për të punuar. Kërkova takim me kryetarin e Komitetit Ekzekutiv, Myzafer Trebeshina, i cili ishte djalë teze me babanë tim.
Meqë kishte shumë kërkesa, Ai na priti në grup. Kur ne ishim në zyrë, përballë tij, po sorollatej me dokumentet, ndoshta për t’na humbur durimin që të mërziteshim dhe të largoheshim. Pritëm sa pritëm dhe ai tha :
-Ju keni ardhur për punë. Unë nuk jam zyrë pune dhe as zyrë strehimi. Shkoni në këshillin e lagjes.
-Ne kemi kryer një shkollë dhe kemi një profesion,- u përgjigj një zë nga ne.
-Ju lumtë! Sot jeni njerëz me kulturë. Nuk është e paktë.
Mua nuk m’u durua... Unë e humbur isha. Së paku nxirrja dufin, duke iu përgjigjur flakë për flakë:
-Kryetar, nuk keni faj ju, se jeni kaluar...
-Nëse jam kaluar, jam në kalin tim...
-Ne nuk kërkojmë kalin tënd, se nuk kalërojmë dot me atë revan. Duam kalin tonë që të na vijë pas avazit.
-E di çfarë të bëj? Thërras policinë të të hedh hekurat. Jashtë nga zyra ime! Bërtiti sa u drodhën xhamat dhe përplasi grushtin mbi tavolinë. Nga inati i papërmbajtur prej “despoti”, theu syzat e miopit që i ranë në tokë.
Kërkoja me doemos, arsyen pse isha pa punë. Doja të dëgjoja nga goja e tyre të vërtetën e mohuar dhe të hidhur.
Dëgjova se i “Madhi i Familjes’, ‘Peshkaqeni baba” ndodhej me pushime në Vlorë. Mësova se ai dilte shëtitje në këmbë çdo mëngjes, madje kalonte edhe tunelin. Sigurova vajzën dhe u nis drejt Ujit të Ftohtë. Nuk kisha gabuar. Mbi shkëmbin e doktorit, takoj tre mësues të tjerë, Dorote Lako, mësuese matemetike, Diftere Kallajxhi mësuese parashkollore dhe Abdurraman Meçe, fizikan. Të katër kishim të njëjtin hall.
Ndërkohë ai po afrohej me shpurën e tij. Pak përpara tij ecte kryetari i Degës së Punëve të brendshme për Vlorën.
Ishim vetëm disa hapa larg tij. Atij iu err shikimi, picërroi sytë, kur diçka i foli “Pantera e zezë”. Ndërsa Kryetari i Degës, njoftoi me radio marrëse dhe s’kaluan as tri minuta erdhi makina e tij. Sa hap e mbyll sytë ata u zhdukën sikur s’kishin qenë aty. Kjo ishte fytyra e vërtetë e udhëheqësit të partisë që fliste “gjuhë më gjuhë” me popullin...
Isha në muajin e nëntë dhe të dy shkuam te ministri e i arsimit, Thoma Deliana, i cili na priti shumë mirë. Kur hymë atje, Timi si më i kujdesshëm nga unë, vuri re diçka në mur dhe më goditi me bërryl, me shikimin tej. Hodha sytë dhe përballë nesh ishte një fotografi imja me nxënësit e shkollës së fshatit Armen, në një aktivitet artistik, të cilën e kishte bërë bashkë me reportazhin, ekipi i gazetës “Mësuesi”. Sa u përshëndetëm me ministrin, ai tha:
-Njihemi gjë bashkë ?
-Jo, është hera e parë që ju takoj.
-E sigurt? Kujtesa ime nuk para gabon... Diku ju kam parë...
Im shoq që nuk ia ha qeni shkopin, as për kujtesën dhe as për nuhatjen e rrallë për situatat politike, duke u kthyer nga fotua, i tha.
-Shoku ministër e keni parë në atë foto që keni në mur.
-Kisha të drejtë. Tani më thoni si e keni hallin? I thamë për pushimin nga puna, që tashmë është temë e njohur.
Në Tiranë ka riprodhim dhe si rezultat shumë mësues të papunë. Në Vlorë veç kësaj, nuk futen dot se partia dhe pushteti lokal kanë kokë më vete. Mund të fillosh punë menjëherë në Durrës dhe në Lezhë, madje në shkollën e mesme. Kurse bashkëshorti fillon punë si përgjegjës i pallatit të kulturës në Lezhë dhe si koreograf në Durrës.
Isha unë që refuzova. Nuk doja të ikja nga Vlora, me mendimin se një ditë familjes sime do t’i ftoheshin gjakrat. Por kjo ndodhi shumë vonë kur Lufta e klasave na i kishte shtrydhur vajin të të dy palëve dhe ishim shndërruar në bërësi ulliri.
Kaluan pesë vjet pa punë. Në çdo derë që trokisja, ma përplasnin në fytyrë me dhunë. Isha person i padëshiruar për Parti-shtetin komunist.
Ishte viti 1970 ...
Atëherë, pa pasur asnjë rrugëszgjidhje, vendosa t’i shkruaj Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, Lefter Goga. Me pak fjalë i fola për prejardhjen time klasore, arsimimin dhe pas ushtrimit të profesionit të mësuesisë për 4 vjet, më pushuan nga puna.
Kërkova se për ç’arsye më është mohuar ushtrimi i profesionit dhe më ndaluan të diplomohem kur kisha vetëm tri lëndë për të likujduar, duke më mohuar të drejtën e futjes në provim. Përse vallë? Çfarë krimi kisha kryer?
-A nuk kam të drejtën e arsimimit dhe të punësimit? Nëse më mohoni të drejtën e jetës, atëherë, më nxirrni jashtë ligjit që ta di se nuk kam asnjë të drejtë dhe liri si qytetare e Shqipërisë.
Me respekt, pres përgjigjen tuaj!
Ju faleminderit !
Aja ...
***
Commenti