top of page

IV. Perëndim apo...?!



Novelë

Pj.4, në vazhdim


IV E ndiqja me vëmendje rrëfimin e saj të sjellë nga antikiteti dhe nuk durova dot më. Nga që u kënaqa shumë, e përgëzova për këtë gjetje fantastike, një legjendë antike, e cila paralelizon një gojëdhënë tejet domethënëse, me bëmat ogurzeza të shekullit të ri.

Papritur ndala mendimin dhe iu drejtova ndërgejgjes: “Ajo ka të drejtë, sepse e gjithë bota është molepsur në llagëmet e errëta të krimit, korrupsionit dhe trafiqeve mafioze”. -belbëzova dhe pa e zgjatur, u shpreha...

-Ah, mikja ime e mirë! Aja ime e shtrenjtë dhe luftëtare e paepur, ashtu si heronjtë e luftërave për liri, je përpjekur me shpirt ndër dhëmbë si ti dhe askush tjetër për të sigurur mbijetesën.

- Mos më mbivlerëso, të lutem se edhe unë, si të gjithë kam huqet deh të metat e mia. Jo vetëm unë, po të dy bashkë kemi punuar edhe jashtë mundësive, si dhe kushteve sociale. Jetonim në ngërçin e një trysnie të shumëfishtë për të mbajtur frymën gjallë. Eh sa halle të shkatoi ty martesa jonë! E ka, të qartë, se sa e sa gjëra t’u privuan sepse u martove me të bijën “e kulakut, të armikut të papullit, me reaksionaren që i kishte lyer duart me gjak”. O Zot, nuk e di, çfarë monstra mban mbi tokë?! A ka mundësi që një ende e palindur mori një dënim të pamerituar?! Çfarë krimi mund të kryejë një foshnje 40 ditshe pas çlirimit të Vlorës? Fëmija që sapo ka përshëndetur tokën a mund të shpallet armik i popullit?

- Ishin arsyet politike që unë bëja dy punë në të njëjtën kohë. Ushtroja profesionin e mekanikut dhe pas pune punoja si saldator në fabrikën e lëkurave. Është sakrificë sublime të punosh nën rrezet “X”që shkatërrojnë shëndetin vetëm për të zëvendësuar pagën tënde të mohuar nga ai sistem i pathemeltë. Ndryshe nuk do ta përballonim dot jetën. Nuk doja kurrësesi që të bëheshim gaz i botës.

- Miku im i mirë, asgjë nuk është ashtu siç e shohim, pasi ne ndeshim vetëm fasadën e jetës së pakicës, por jo tonën. Natyrisht fasadën tonë nuk është nevoja ta reklamojnë, pasi “ATA” janë kundër të vërtetës dhe realitetit real që përjetojmë ne nën grahmat e një shpirti të lënduar. Pavarësisht se vujatjet dhe jeta jonë nuk merret si shembull, por e njëjta gjë shihet edhe tek ne, vetëm pamja e jashtme. Kishte raste të panumërta që nuk kishim asnjë qindarkë në xhep, por nuk e jepnim veten dhe askush nuk e dinte se ne ishim në ditë të hallit. Kur dilnim në rrugë me një paraqitje të admirueshme, të veshur thjesht dhe bukur, kjo na bënte të harronim gjendjen tonë ekonomike që ishte për të dëshiruar. Madje mosparaqitja e realitetit tonë apo fshehja e së vërtetës së gjendjes sonë shpirtërore të hidhur, na ngrinte peshë edhe në opinion. Ne të dy kurrë nuk kemi lejuar që të kënaqnim shpirtërat e smirëzinjëve që llapnin pa doganë, se bashkëjetesa jonë nuk e kishte të gjatë. Madje na i thoshnin jo vetëm pas shpine, por edhe në sy, sepse sipas tyre ishim shumë të rinj dhe nuk do t’i përballonim dot vuajtjet, papunësinë dhe mungesën e familjarëve. Jo vetëm për shtetin komunist, por dhe për njerëzit e thjeshtë që nuk u hymte asgjë në xhep, ne ishim të padëshirueshëm. Kjo ishte metoda e ideve komuniste që ne të humbisnim besimin në vetëvete e t’na çorodisnin për t’na i zvordhur dëshirën dhe mundësitë tona për një jetë normale. Megjithëse ishim nën një trysni të trefishtë, të familjes, të shoqërisë dhe të shtetit, ne të dy nuk u dorëzuam. Vuajtjet, hallet dertet, të mirat dhe të këqijat tona i fshihnim me kujdes në labirintet e thella të qenies sonë. Ndaj sekretet e fshehura në skutat e errëta të shpirtit sot dalin, lëndojnë dhe kanë po atë dhembje si atëherë, kur ishin plagë të freskëta. Çudia më e madhe për llafazanët, thashethemexhinjtë pa një gramë edukate dhe kulture që i zhyste në mendime, ishte qëndresa dhe vendosmëria jonë. Në dukje shpërfillës ndaj gjithçkaje që thashë më sipër, ne dilnim shëtitje, shkonim në barlulishte, në plazh, në kinema ose në teatër. Për pushime shkonim jashtë qytetit, në Sarandë, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Dardhë, Voskopojë, Pogradec, Elbasan, Tiranë, Durrës, Shkodër(Shëngjin, Velipojë dhe rrethinat e saj, madje deri në Theth. Aty njohëm dhe shijuam bukurinë përrallore dhe mistike të pyjeve, madhështinë dhe magjinë e këngës së rrallë apo nanuritëse të ujëvarës që s’pushon as ditë e as natë.

Dikush mund të pyesë: - si ia kanë dalë vallë me një rrogë mekaniku të nivelit mesatar?

Kush do që të jetojë si njeri, e racioanlizon jetën. Ndoshta më pas do ta tregoj se si...Por një gjë e di mirë. Kur nuk je në gjendje të administrosh aftësitë e tua për jetën, jo vetëm ke gabuar, por je fundosur në faje të pandreqshme nga ku s’del dot më.

-Të gjithë kemi brenda vetes enigma, por jo të tërë njerëzit e zhbirojnë veten dhe kërkojnë me ngulm për të gjetur aftësitë mendore dhe fizike, virtytet dhe gabimet e bëra me apo pa ndërgjegje. Për fat të keq “ATA”që nuk gërmojnë e s’kërkojnë shumë nga vetja, vetquhen të pagabueshëm dhe besojnë se dinë dhe bëjnë gjithçka.

-Unë them se është pikërisht mungesa e analizës së ndërgjegjes që njerëzit përsërisin të njëjtat gabime. Gjithashtu mendoj se të kërkosh nga vetja gabimin që të bëhet pengesë për jetën, është një proçes i vështirë. Arsyeja gjendet tek ne. Njeriu nga vetë natyra e tij kontradiktore, nuk është në gjendje të depërtojë në xhepat dhe honet e errëta të shpirtit. Nëse dikush e bën këtë, atëherë ai arrin të njohë gabimet dhe fajet e veta. Njeriu që ka guxim e vullnet, jam më se e bindur se ai do të arrijë të analizojë dhe të njohë vetveten. Vetëm atëherë do të jetë në gjendje të reagojë dhe të riparojë të këqijat që janë strehuar dhe kanë hedhur rrënjë në organizmin e tij, duke ia përlyer karakerin dhe ndëtrgjegjen e tij.

- Për sa tregove më parë është një legjendë që vjen nga antikiteti, por mjerisht ne e kemi përjetuar këtë zhgënjim me shekuj, nën dhunën dhe trysninë e të huajit. Identike me kutinë e Pandorës, është vazhda e historisë dhe sot në kohët moderne. A nuk ka ndodhur e po ndodh e njëjta gjë ndër shqiptarët? Idetë utopiste marksiste-leniniste të huajtura nga sllavët qysh nga vitet ’20-25 të shek. XX. Ato ide utopiste mbijnë dhe hodhën rrënjë në vendin tonë të gjorë. Për fat të keq ato vazhduan të mësohen nëpër shkolla si lëndë të detyruara për të helmatisur shpirtin dhe mendjet e dëlira të brezit të ri. Më e keqja ishte jetëgjatësia mbi më shumë se tri dekada e ndikimit të tri miqësive mes vendit tonë dhe Moskës, Beogradit e Pekinit. Programet e shkollave të të paudhit, pushtuan dhe u rrënjosën në mendjet, zemrat dhe shpirtin e shqiptarëve. Me ide të mirëstudiuara, u zëvendësua shqiptarizmi, sepse këto shkolla të marksizmit, ishin idetë djallëzore që dolën nga ferri i kuq dhe u përvetësuan nga njerëzit pa dije,pa kulturë dhe pa horizont për të nesërmen dilemë.

-Shpirt, nëse nga kutia e Pandorës doli shpresa e njerëzimit, kurse me daljen e ideve marksiste, doli djalli nga ferri që helmoi, përzhëliti e varfëroi zemrat dhe mendjet e çdo vatre shqiptare. Komunizmi i ngjan bimës së krisjes, që edhe kur e pret, rrënjët e saj marrin hov dhe shpërndahen me shpejtësi. Siç helmon e mbyt krisja drithrat, ashtu, edhe marksizmi me diktaturën e egër komuniste ka helmuar e çoroditur mendjet e shqiptarëve, duke i çuar në shterpësi mendore dhe intelektuale. Ne kemi ecur qorrazi nëpër sokakët pa dritë të territ të kuq, jo pak, por ky mallkim nisi dhe po vazhdon mbi 80 vjet. Për fatin tonë të keq ne na futi në hasmëri me njëri -tjetrin. Askush nuk e di se çfarë efekti të mallkuar ndikoi tek ne, sa nuk gjejmë kurrë qetësi dhe as paqe me vetëveten. Ku është parë dhe dëgjuar për gjëmat tragjike që kanë ndodhur e ndodhin në Shqipëri? Kronikat e zeza na përshëndesin çdo mëngjes triumfatore, duke na e bërë ditën skëterrë dhe na i vrasin shpresën për të menduar dhe vepruar me qartësi. Vrau vëllai, vëllanë; tradhtoi gruaja, burrin; mohoi djali babanë. E gjithë këtë katrahurë antikombëtare dhe antinjerëzore e solli ai sistem i neveritur dhe i urryer, fara e keqe e komunizmit. Idetë shterpa dhe utopiste të një sistemi të panjohur më parë i ndanë e i përçanë shqiptarët njëlloj si romakët me politikn e tyre antikombëtare, “përça e sundo!”.,politikë që solli përçarjen dhe urrjtjen mes shqiptarëve qysh në luftërat iliro-romake. Kjo influencë negative dhe shkatërruese vazhdon edhe sot që e shikojmë njëri tjetrin me urrejtje, na erret shikimi për mirësinë e tjetrit. Ku shkoi mirëkuptimi, dinjiteti i shqiptarit, detyrimet ndaj njëri-tjetit, dashuria e respekti për prindin si dhe anëtarët e familjes se në deje kanë të njëjtën ADN? Ç’u bë dhe pse u nëpërkëmbë tradita e bukur dhe e lashtë shqiptare, kur me një të shtrënguar dore, ndanin kufijë dhe sinore?

-Nuk të kundërshtoj, jo. Por më sëmboi në shpirt, kur më thirre “shpirt”. Kisha kohë pa e dëgjuar, ndaj u mallëngjeva së tepërmi.

-Ke plotësisht të drejtë, por së pari nuk jemi më të rinj. Tani jami shokë. Pastaj në gjendjen tonë shpirtërore ndikojnë edhe problemet sociale të pamenduara ndonjëherë më parë, si dhe gjendja shëndetësore e moshës së tretë.

-Është mëse e vërtetë. Një shpirt i lënguar dhe i lënduar nuk mund të lejojë që ne të dalim nga vetja. Është gjendja financiare e papërballueshme, dhembja fizike, shpirtërore dhe mendore ajo që sundon dhe frenon gjithë ndjenjat.

-Gjithsesi, asgjë që shohim nuk është ashtu siç duket. Nëse sjell si shembull detin e paanë, atë çka ne shohim, ka ngjyrën e kaltër ose blu. Ndërsa uji që shohim kur dallga e nxjerr në breg, na duket i tejdukshëm si pa ngjyrë. Në të vërtetë është dendësia e ujit të detit apo oqeanit që transmeton në sytë tanë ngjyrën e thellësisë, sipas së cilës mund të duket e kaltër ose blu. Pse jo, edhe vend-vende e dallojmë të blertë. Kjo ngjyrë ndikohet nga thellësia e ndoonjë grope apo nga bimësia e dendur nënujore. Mjerisht tani na duket vetja tërësisht të kalçifikuar dhe s’jemi më të zotët për asgjë.

-Miku im i ditëve të mira dhe të këqija, i halleve dhe i derteve, edhe vet jeta ose bota është sinonim i ngjyrës së detit, sepse jeta nuk është vetëm bardhë e zi. Ajo nga çasti në çast, nga dita në ditë, nga koha në kohë ndryshon dhe merrë karakteristika të tjera që dallojnë nga madhësia, format, ngjyrat, veprimet, funksionet dhe vlerat. Këto dhe sa fenomene apo sende në natyrë pësojnë zhvillime, taruma dh janë aq të ndryshme, sa mund të jenë jo vetëm pozitive, por edhe negative ose asnjanëse. Fasada e jetës është sipërfaqësore, kurse e vërteta që është thelbësore, fshihet pas maskës së kësaj dukurie farse. E bukur, tërheqëse, joshëse dhe e lakmuar nga njerëzimi në të parë, apo në dukje, por e errët dhe dilemë brenda kontekstit “fasadë”. E tillë është edhe bota e brendëshme njerëzore. Të kësaj natyre jemi unë dhe ti, pasi brenda nesh janë kundërshtitë e karakterit tonë. Por për fat të mirë ne nuk jemi të lëbyrtë që të mos i kuptojmë enigmat apo dilemat që fshihen pas asaj fasade në dukje brilante në ekranet e TV, por që ndikon negativisht në edukimin e fëmijëve dhe rinisë. Për fat të keq ajo mbush edhe mendjet e zbrazta apo si kungulli të të rriturve pa tru.

-Pikërisht kjo po ndodh tek ne. Me lakuriqësinë e jetës televizive, po shkatërrohen fëmijët, rinia po tjetërson karakterin gjinor, e shtyrë nga reklamat, pse jo dhe familja, po tronditet nga themelet.

-Po, Timi, duam apo s’duam ne, ky është realiteti. Çdo ditë dëgjojmë dhunë dhe krime brenda familjes. Një tregues i hidhur është niveli i lartë i divorceve, shpesh herë i ndikuar nga reklamimi i një jete jo reale. Çdo prind, burrë dhe grua, nënë dhe baba, duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë për të rritur fëmijë të shëndetshëm fizikisht, mendërisht, moralisht dhe gjenetikisht. Por çfarë emri t’i vëmë, kur si burrat, edhe gratë bëjnë jetën e tyre private? Vetëm darka i mbledh në strehën familjre, në të ashtuquajturën “shtëpi”, e cila meqë shërben si strehë për bujtje gjajtë natës, pa heztim mund të quhet dhe “hotel”. Po a mund të quhet familje kjo?! Kurrë. Në këto raste që po përgjithësohen dhe shtohen nga dita në ditë, fëmija më shumë do, respekton dhe i hapet dados për problemet që e shqetësojnë, se sa nënës. Babanë, për shkak të mungesës së vëmendjes ndaj tij, e sheh me indiferentizëm. Akoma më e pafalshme është kur fëmija tallandiset si top futbolli sa nga ‘njëra fushë’ në ‘tjetrën’ në rastet e panumërta, kur prindërit janë të divorcuar. Nuk ka se ku të shkojë më keq se kaq. Po humbet nocioni i familjes që është bërthama e një shteti.

- Aja, një gjë nuk kuptoj. Çfarë përgjegjësie dhe detyre kanë këta prindër ndaj fëmijëve? Kur familjen e ka marrë lumi, kurrë nuk mund të ndërtohet një shtet i fuqishëm. Këto dobësi i shfrytëzojnë fqinjët për ta shkërrmoqur fare Shqipërinë. Këto janë pasojat e gabimeve dhe fajeve të “Të Madhit të Familjes.”

-Ne, raca pellazge-ilire jemi të parëlindurit e këtij gadishulli të praruar nga dielli, të bekuar nga pozita gjeografike, të adhuruar nga bukuria dhe të begatë nga pasuria. Tani nuk kemi më, me se të mburemi.

Ardhacakët nga Afrika e Azia apo sllavët e ardhur nga shpatet e maleve Urale, na e vodhën padrejtësisht gjithçka që na përkiste, si, autoktoninë, si të parët banorë që filluan të frymojnë në këtë troje të shenjta. Vendin tonë të bukur e të pasur ndër vite e kanë nxjerrë në ankand të pangopurit, mashtruesit, gënjeshtarët, intrigantët dhe të korruptuarit që ia kanë shitur shpirtin djallit, pasi ua ka errur shikimin paraja e pistë. Të eturit për pushtet si hienat e pangopura me gjak kërmash, edhe të lëbyrtët e etur nga ethet e parasë dhe pasurisë pa djersë e pa mund, u kanë shtrirë dorën të ashtuquajturëve “miq” për të ruajtur ‘pronat e tyre’ paligjshme të rrëmbyera me dhunë nga pronarët legjitimë, me vjedhje dhe falsifikim. Kjo është njëra anë e medaljes, kurse ana tjetër, duan të ruajnë “statuquonë ”, kjo,vetëm për të përjetësuar pushtetin komunist. Ky sistem që eliminoi pluralizmin politik, kurrë nuk mund të quhet Demokraci. Neokomunizmi që sundon në shekullin XI, jo vetëm është vazhdimësi e diktaturës së proletariatit por më e sofistikuar, se u ka zënë sytë paraja dhe u ka vulosur veshët padrejtësia. Na e vodhën të shkuarën, na shkatërruan të tashmen dhe na humbën shpresat për të ardhmen, pa turp, pa frikë dhe në mes të ditës me diell. Nuk dimë më ç’të themi, kur vetëm ajrin e ndotur sa për të frymuar si astamtikë, nuk na e vjedhin dot. Shqipëria e gjymtuar, e cunguar dhe e tjetërsuar ngeli një ngastër toke, sepse fatet e saj i ka vendosur diplomacia evropiane, duke futur mes shqiparëve urrejtjen fetare. Me ne po ndodh çudia më e madhe e Universit. Ne kemi qenë i vetmi komb që është mar si shembull i unitetit dhe mirëkuptimit fetar, pasi kanë bashkëjetuar në harmoni të tri besimet fetare, islame, katolike dhe ortodokse. Po tani çfarë po ndodh me besimet fetare tek ne? Po ndodh një ndarje fetare që është fatale për kombin. Gjithashtu ka shekuj e shekuj me radhë që ka filluar shkombëtarizmi i këtij vendi autokton. Janë dy dukuri që ndihmojn ënjëra -tjetrën për shpërbërjen etnike të kombit. Kurse tani gjithë vendi është shitur në sa e sa “shtete bamirës” që i kanë premtuar “Të Madhit të Familjes” përjetësisnë e “karriges së Meduzës.” Vallë ç’ka mbetur për ne që kemi ngelur me gisht në gojë? Është kuptimplote shprehja, “Ç’e do mall e ç’e do gjënë, kur s’ke burrë për të qenë!”

-Ke të drejtë që flet e revoltuar, Aja ime. Politikanët dhe partitë politike kanë djallin në shpirt dhe nuk pyesin për pasojat e rënda që ndikojnë mbi shumicën, sepse u mungon ndërgjegja kombëtare apo shqiptarizmi. Historia ka plot raste që asgjë e mirë apo e keqe nuk ndodh dhe nuk kryhet pa dashje në atë që quhet “Familje e Madhe”. Çdo gjë është e planifikuar me detaje, se si do të “zhvillohet” vendi dhe çfarë përfitimesh do të kenë “ideatorët” që mendja në vend të florit upjellë vrerë dhe helm vdekjeprurës.

- Gjyshi im i ndjerë, kur nuk ia kishte ënda të ndihmonte një person negativ apo dembel që vinte dhe sghtrinte dorën për miell hua, i përgjigjej:

-Me gjithë qejf do të të kisha ndihmuar, po për fatin tënd të keq, ’zotëri’...,

miellin e kam nderur në tel për t’u tharë!” Kësaj i thonë: ‘Ik se nuk t’a kam ngenë!”

-Sa e sa pyetje të tilla enigmatike dhe aforizma ka vallë kjo rrugë e gjatë me emrin “jetë” ?- Pyeta ndërgjegjen dhe vazhdova meditimin.

-I jap të drejtë gjyshit tënd, se dembelët dhe sahanlëpirësit nuk duhet të ndihmohen që t’u bëhet mësim dhe t’i përvishen punës. Nuk është thënë kot shprehja e gojartit popull: “Puno, o këmbë e dorë, të hani mish e lakror!”

***

17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page