top of page

Iu prehtë i paqtë trupi Leonidha Dhramit!


Iu prehtë i paqtë trupi Leonidha Dhramit!


Nga Fatmir Terziu



Para disa ditësh ndërroi jetë në Brighton të Britanisë së Madhe, Leonidha Dhrami. Nusja e djalit të tij, të cilën ai deshti shumë, si vajzën e vetë, pasi ishte vajza e krushkut të tij, Qatip Mara, sot shkruan: “Ditë e trishtë në zemrat tona. Zemrat tona janë të mbushura me lotë dhe trishtim sot.... Sot i dhamë lamtumirën e fundit e të trishtë Papulit, babait, gjyshit, vjerrit, dashamirësit e njeriut të mirë, që kaq shumë e deshëm. Shpirti yt i mrekullueshëm do të jetoj çdo ditë në zemrat e kujtimet tona të mbushura me buzëqeshje e dashuri ndër vite. Tani je në shtepine e Zotit, në krahet e tij. Pushofsh në paqe mes engjëjsh Papul! Ike për t'u mos u harruar kurrë. Do na mungosh thellësisht të gjithëve!”

Sikurse e kemi bërë të ditur për lexuesit tanë, shqiptari i mirë dhe i respektuar, Leonidha Dhrami, ishte mësues, autor dhe një njeri i devotshëm i shoqërisë, po aq sa dhe një kryefamiljar i denjë për një familje mjaft të respektuar e të shëndoshë që ndërtoi ai bashkë me bashkëshorten e tij në vite. Leonidha Dhrami kështu ka lënë në heshtjen e tyre të dhimbjes familjarët, fëmijët e tij, nuset dhe nipër e mbesa, po aq sa miq dhe krushqi, kolegë dhe të tjerë që e njohën nga afër.

Unë pata nderin ta njoh nga afër. Ta takoj në afërsi të Brighton. Të bisedoj. Të provoj njerëzillëkun dhe zgjuarsinë e tij. Të provoj mirësinë. Të ndjej peshën e fjalës së urtë e të vëmendshme. Të ndaj respektin në një gdhënkë kafeje që do të mbahet mend ndër vite. Por dhe ta lexoj një pjesë të librave të tij. Të lexoj peshën që ka kryqëzimi i dijes, vëmendjes dhe respektit mes Fjalës së bukur e të gdhendur. Diku në bisedë e sipër kalimthi u ndje atë gërshetimi i asaj që flitet me atë që shkruhet. E ndërsa kohët si kohë, trazohen jeta e tij kishte rrjedhën e vetë. E në këtë rrjedhë lindte pyetja: Kujt po i lutesha gjithë këtë kohë? Ndërsa përgjigjja shkonte tek familja, zemra, dhimbja për ikjet e gëzimi për ardhjet. E ikjet lënë atë peshë, atë shenjë që vetëm heshtja e gjerbjes së kafesë e përmend: “Zemra ime është e errët nën pishat e larta,/asnjë dritë nuk rrjedh nëpër të vdekurit e natës./Hijet ngjiten pas mishit të lëvores,/në lartësi marramendëse i numëroj të gjithë yjet e vdekur.”

Në atë që mund të quhet bisedë nuk ka vetëm trajtesë të momentit, ka bisedë të lirë, ka shpirt të krijuesit, shkrimtarit, publicistit, poetit. Aty bota bëhet më e vogël. E vogla është tek përpjekja e modestisë, tjetra tek thelbi i miqësisë. E mes asaj që lëvrinte mes lëvizjes së madhe të publikut, biseda kapërcente gjeografi dhe rrokte emra si të Nokes, Farrukut, që vinin nga larg e mbeteshin mes nesh mjaft paqtë. Në këtë memorje vinte pjesa tjetër që kallëzohej nga e para, sikurisht nga krushku i tij me dy zemra, me dy jetë, Qatip Mara.



E ndërsa sot memorja kap atë që quhet ikje. Ikje dhe forma të tjera të tjera të së shkruarës dhe të së dhimbshmes, pasi jeta në tokë shpesh krahasohet me vesë, me një petal të fryrë nga era, me një pemë që derdh gjethet e saj, me një guaskë të zbrazët, me shkrirjen, borë, ose akull etj. E mes kësaj sërrish mendja më kap fraksione bisede mes miqve që në rrjedhë të tillë simetrike marrin forma poetike: “Udha e brishtë e rrokadës,/pak e dija/se ti ishe jeta ime!” Kjo sepse nuk vjen vetëm nga e panjohura, por dhe nga ajo që Bota jonë e vesës, është me të vërtetë një botë vese, e megjithatë, e megjithatë..., ajo gjithnjë qëndron si një suprizë pas ndonjë kthese.

Tashmë në atë që mban dhe mund të mbaj memorja vjen thelbi dhe më kryesorja. Ngushëllimi dhe lutja, që të kujtohet e përkujtohet mot e jetë nga vepra: Lëreni këtë trup të jetë vesë në një fushë me lule e bimëza të gjelbra.

105 views1 comment

1 Comment


Qatip Mara
Qatip Mara
Oct 19, 2023

Ju falënderojmë me shumë mirënjohje i nderuar miku dashur Fatmir Terziu për vlerësimet në këtë shkrimi nderimi për krushkun tim të shtrenjtë Leonidha Dhrami. U bekoftë Zoti me jetëgjatësi, me shumë gëzime në familje! Është krenari e fati madh që të kemi mikun e veçantë me performancë shëmbullore si poet e shkrimtar i talentuar me dituri erudite,por keni edhe shpirtin madhështor të AtdheMëmëdashurisë shqiptare dhe të Kombit Shqiptar. Krijimtaria juaj letrare,artistike,filozofike është një pasuri e madhe e Kombit Shqiptar. Veprimtaria juaj me Fjalën e Lirë është ndriçuese dhe frymëzuese për të gjithë shqiptarët kudo në botë. Tu bëftë Dita NJËMIJË!

Me shumë respekte e mirënjohje

Qatip Mara

North Carolina USA 19.10.2023

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page