top of page

Itinerari logjik i pikëlidhjes ‘Atdhe’ dhe ‘jetëqëndrim në Skandinavi’


Myrvete Mehmeti

Itinerari logjik i pikëlidhjes ‘Atdhe’ dhe ‘jetëqëndrim në Skandinavi’


Dr Fatmir Terziu


Udhëtimin poetik të këtij fundviti e kam bërë mes poezisë së poetes shqiptare Myrvete Mehmeti. Rreth dyqind poezi të tilla në fakt janë një buqetë e freskët e fjalës së bukur të artit, që së bashku shembëllejnë kumtin dhe shpirtin më të ndjerë poetik. Janë ato ‘ëndërra të arnuara’që kullojnë mall mes një itinerari logjik të pikëlidhjes ‘Atdhe’ dhe ‘jetëqëndrim në Skandinavi’. Këto ‘ëndërra të arnuara’që lidhin metafizikën e vendit, kohës dhe hapësirës, duke na dhënë forcën perceptuese mes vargut dhe pikturimit imagjinar, poetja i shpreh me forcën sublime të perceptimit, duke na afruar një gjeografi ku kryefjala është “Mall që s'shuhet”. Mall që konvergohet e konfigurohet jo vetëm mes përshkrimit fizik dhe veprimit si përkushtim, por edhe mes figuracionit të pastër e kuptimplotë: “Të kam mbart mbi supe Atdhe./E nuk jam kërrusur damarëve të hartës/se megjithate lidhur pranë teje,/të gjallë dashurinë rrugëtuar e kam./E do të kthehem, me mallin/një gur mermeri të përshenj,/sa të marr aromë dheu./Puth flamurin tënd...”. Janë pikërisht këto konfigurime emocionale që shfaqen për lexuesin atje “majë kodrës së Zveqanit” ku “shqipja krejt kreshpëruar pendlat ka,/si në kohën e Isa Begut./E nëse është të japësh kokën/si për një shenjt, shenjti është vetë ajo/e së vetmes fe të trashëguar ilirisht...”

Dihatja metafizike

Por jo vetëm kaq. Dihatja metafizike e poezisë është një mesazh që buron qartësinë e tij, por edhe forcën e fjalës dhe mendimit. Atë forcë që lidhet me të vërtetën historike, atë të vërtetë që filozia e Martin Heidegger do ta cilësonte ‘aletheia’ e vargut dhe forca e së ‘vërtetës’ (Heidegger, 2001: 35). Atë të vërtetë që Klara Kodra e quan ‘zhvillim të veprimit dhe karakterizim të fakteve historike’ apo më tej në nocionin e saj të ‘tipologjisë poetike’ do të lexohej si një funksion i shumëfishtë’ (Kodra, 2003: 271). Ky funksion i shumëfishtë që pasohet edhe në teorinë e Matteo Mandalas, duke na ardhur në ndihmë me ‘stemën codicum’ si një lidhje jo vetëm në teorinë e Heidegger por edhe si një forcë poetike që vjen e afërt me përshkrimin e korpusit të dorëshkrimeve deradiane (Mandala, 2003: 327). Për poeten shqiptare kjo ‘forcë e së vërtetës’ vjen e qartë në vargje të tilla ku fuqizohet mesazhi dhe logjika poetike: “Nëse është të puthësh shenjtin,/puthe veç atë, si dheun kuqalosh të etërve e të bijve,/që ty atdhetar në duar ta lanë në një shtizë./Dhe nëse është të përulesh para kujt/para tij përulu veç; -Ti- atdhetar/që mburresh për bir shqipe/symprehtë e krenar.”

Interesantja

Me këto vlera, paraqitja e poetes në librin e saj poetik “Kuajt e Mjergullës”, që sapo ka parë dritën e botimit, bëhet akoma më interesante. Interesantja e këtij libri vjen nga shumë pika, por arsyeja e parë që unë rekomandoj këtë libër me poezi është për shkak të vlerave dhe përdorimit të figurave të të folurit, që janë përdorur në këto poezi. Eufemizmi, i cili është një teknikë që krijon një ton më të butë në këtë libër është diktuar në linjat e mjaft poezive që kanë një filozofi të qartë dhe tejet tërheqëse. Eufemizmi është përdorur bukur edhe në përputhjet me fatet njerëzore dhe lidhjet tejësuese jetike. Poetja është në këtë rast një mjeshtre e eufemizmit poetik teksa ka gjetur dhe riprodhuar mjeshtërisht fjalët e kontekstit të dihatshëm vargor. Forma e eufemizmit e gjetur në fjalët “gënjyer në gjumë”, i jep edhe një qasje më të butë në kuptimin e ‘vdekjes’ tek disa poezi me mesazh të qartë e prekës...

Personifikimi që është përdorur në mjaft poezi, duke thënë se “Qielli endet me një ëndërr të arnuar”, ku ‘arnuar’ është një akt që mban gjallë shpresën njerëzore, edhe pse në funksion disi tejçues e shumëpritës, prapë komunikon me një frymë të bukur personifikuese: “Ëndërr e arnuar/Qielli endet me një ëndërr të arnuar./Valët dema të harbuar/shkrihen kështjellës shkëmb./Përendimi,/shtrin përdhe qerpikët prej femre,/natyrshëm;/krejt çka munde të thuash.”

Duke lexuar mjaft poezi të këtij vëllimi poetik, si “Mos...”; “Kuajt e mjegullës”; “Mbase”; “Krijim”; “Fati, shah n'vetmi”; “Zgjim”; “Kjo stinë”; “Indiferentizmi”; “Ja unë po qesh”; “Në pupa të erës”; “Prapa eklipse”; “Kënga e vjeshtës”; “Shtëpia hon i erës”; “Kalldrëmit nën akacie”; e mjaft të tjera kuptojmë qartë se poetja Myrvete Mehmeti është autorja e mjaft krijimeve të tilla që kanë rishtas ‘tipologjinë poetike’ me një vlerë të madhe në lëminë e gjerë të poetikës shqiptare. Poezitë e saj mbajnë vlagën e vendlindjes, por edhe dihatjen shpirtërore të saj në mërgim në Oslo të Norvegjisë.

Konkluzion

Kështu poezia e saj vjen e forcohet mes tetë kapitujve të librit, ku malli, dëshira, forca dhe sublimiteti jetik janë karakteristika tejet prekëse dhe përcuese të fantazisë aq me vlerë në detajimin e subjektit.


11 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page