top of page

Impermanenca


Fatmir Terziu

Ishte koha kur duhej ta kalonim me një sy tek vigjilenca leximin e librit strukur poshtë asaj rrobeje ndryshe. Duhej të numëroheshin jo vetëm fletët e leximit, por dhe ditët e muajtit… të detyruar për çdo student.

E unë, e pata nisur me shfletimin heshtur të Heraklitit. Filozofin para-sokratik të Shekullit VI para Krishtit, të lindur në Efes e mbajta krahas armës, thuajse një muaj me rallë, automatikut model 56, me të cilën na thuhej se duhej të ishim të gatshëm për të mbrojtur fitor(j)et tona.

Dhe ndjeja Heraklitin të më thoshte shpesh në vesh, se gjithçka rreth nesh, është në një gjendje të vazhdueshme ndryshimi dhe fluksi. Por a na lejohej neve ta shihnim në këtë mënyrë?! Por filozofi i lashtësisë vazhdonte me të vetën… Ju nuk mund të shkelni në të njëjtin lumë dy herë, në atë lum që kishte pretenduar Herakliti! Meqenëse uji vazhdon të rrjedhë poshtë lumit gjatë gjithë kohës dhe kurrë ai lum mbetet i njëjtë.

Dhe në këtë mënyrë kjo rrjedhë dhe ndryshim në Natyrë mendova dhe kuptova se është një proces i pandërprerë.

E vetmja gjë që mbetet e përhershme është impermanenca (gjendja ose fakti i zgjatjes vetëm për një periudhë të kufizuar kohore)!

Momentet vijnë e shkojnë. Ditët kalojnë, duke u kthyer në javë, pastaj muaj, pastaj vite. Ne dhe jeta që bëjmë po ndryshon vazhdimisht. Asgjë nuk është e përhershme.

Është e dobishme t'i kujtojmë vetes këtë ndërsa përballemi me moshën dhe ndërsa emocionet e tjera bëhen diktuese. Në një moment, gati të gjithë ne përjetojmë ndryshim që vjen nga ikja në kohë. Janë mjaft gjëra të tjera, që pasojnë rrininë dhe khën tonë të shkruar e të pashkruar në letër. Aty ka dhe s'ka arsye tjetër.

Marrja në konsideratë e këtyre mundësive nuk ka pse të jetë morbide, ose e egër. Nuk mund të mohohet që secili prej nesh do të përjetojë sfida për mirëqenien personale, mbi të cilat nuk kemi kontroll. Nëse jemi në gjendje të përballemi me këto situata duke ditur se asgjë nuk është e përhershme, atëherë ka më shumë të ngjarë që t'i trajtojmë dhe kapërcejmë ato në mënyrë të përshtatshme. Ndërgjegjësimi për impermanencën dhe vlerësimin e potencialit tonë njerëzor do të na japë një ndjenjë urgjence që duhet ta përdorim çdo moment të çmuar dhe kur ne shohim dhe fiksojm ëmemorjet në një fotografi. Kjo pasi, impermanenca, e njohur gjithashtu si problemi filozofik i ndryshimit, është një koncept filozofik i adresuar edhe në një larmi fesh dhe filozofish. Në filozofinë lindore është më së shumti i njohur për rolin e tij në tre shenjat budiste të ekzistencës. Është gjithashtu një element i hinduizmit. Tek ne një proces i fiksuar vetëm pas leximit dhe rileximit.

Këtu është një citim nga poeti Shelley që pasqyron të njëjtën ide:

“Bota, në këtë botë po lëkundet gjithnjë

Nga krijimi te kalbja

Si flluska në lumë

Me gaz, duke shpërthyer, duke të larguar…

Duke të vënë në gjumë…“

Dhe ne a u larguam nga ajo gjendje?! U larguam vërtet, vërtet… ndërsa kujtojmë të shkuarën e atëhershme, më një gjuhë tipologjike që na flet…, e na flet, dhe na flet…


Thjesht: si sfond krahasimi…pas kthimit në ngjyra


Tani, kuptojmë pse Herakliti u përgënjeshtrua nga Parmenides, i lindur në koloninë Greke të Elea, në bregdetin perëndimor të Italisë Jugore, si bashkëkohësi i tij. Parmenides tha se shqisat tona na mashtrojnë, pasi të gjitha ndryshimet janë thjesht iluzore!

Realiteti i vërtetë ishte vetëm ‘Qenia’ e përjetshme dhe e pandryshueshme, e cila ishte e pandashme dhe e vazhdueshme - duke mbushur të gjithë hapësirën.

Zeno, një nxënës i Parmenides, përmes ‘Paradoksit të Akilit dhe Breshkës’ së tij të famshme kishte treguar, se kur breshkës iu dha fillimi, Akili me këmbë të shpejtë kurrë nuk mund ta kapte breshkën. Meqenëse hapësira midis të dyve ishte e pandashme, duke rezultuar në pamundësi të lëvizjes dhe ndryshimit të lëvizjes!

Atëherë grekët nuk ishin kurrë të kënaqur me Konceptin e Pafundësisë. Ata preferuan ta shikojnë universin si Qenie ’ekzistuese të vazhdueshme'.

Sidoqoftë, ndryshe nga ‘bota e ndryshimit dhe fluksit’ të Heraklitit, si Parmenidi, ashtu edhe Zenoni na kanë paraqitur, me një univers statik të pandryshueshëm!

Kështu nga shembujt e mësipërm bëhet e lehtë për ne të nxjerrim, si e kishin parë kohën Grekët e Lashtë.

Koha është parë si një entitet që ndryshon përpara dhe gjithashtu si Qenie iluzive, e vazhdueshme dhe e pandashme!

Për ta sqaruar këtë më tej po ju citoj Bertrand Russell nga ‘Historia e Filozofisë Perëndimore’;

“Krijimi nga asgjëja, i cili u mësua në Dhjatën e Vjetër, ishte një ide krejt e huaj për filozofinë greke. Kur Platoni flet për krijimin, ai imagjinon një çështje primitive, së cilës Zoti i jep formë si një mjeshtër. ”

Por le të mbesim tek Platoni. Ai na duhet ende. Për Platonin, koha u krijua nga Krijuesi në të njëjtën rast kur ai kishte modifikuar qiejt. Dhe ne ndaj ishim, mbetëm dhe mbajmë ende sytë në Qiell, edhe kur ndjejmë dhe riciklojmë memoriet mes fotografive.




42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page