top of page

Ish normalisti që drejtoi për 7 vite Kosovën si krahinë autonome

Updated: Dec 26, 2022


DOSSIER

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mori funksionet më të larta pushtetare dhe partiake


XHAVID NIMANI – Ish normalisti që drejtoi

për 7 vite Kosovën si krahinë autonome

Nga Halil RAMA & Hajri MANDRI

  • Pas kryerjes së studimeve në Tiranë dhe Elbasan Xhavid Nimani angazhohet në aradhën e luftës Çlirimtare të Kosovës. Ai bie në sy për një punë intensive, veçanërisht me rininë për t’i dalë zot fateve të vendit dhe për çlirimin nga pushtuesit e huaj. Në fillim Xhavidi u inkuadrua si kuadër i luftës në kuadrin e PKJ-së, megjithëse e shikonte me dyshim bashkëpunimin me komunistët serbë dhe malazezë. Politikisht dhe ideologjikisht ai përkrahu dhe u vendos në krahun antifashist


  • Në vitin 1945, me përvojën e fituar nga Lufta, Xhavid Nimani tashmë ishte një protagonist i sprovuar në teori dhe praktikë dhe si një kuadër e drejtues që vinte nga Lufta, dinte të ridimensionojë personalitetin e tij përballë sfidave historike të vështira. Inteligjenca kosovare po dallonte te Xhavid Nimani, një aset të çmuar, një intelektual të florinjtë, që zakonisht në kthesa të mëdha historike, filtrohen dhe dalin në krye si lidership. Ai dinte tashmë se çfarë është humbja e madhe dhe fitorja e pjesshme, ndaj me mençuri dhe pragmatizëm politik e diplomatik, mundohej të përvetësojë faktorë mbështetës në të mirë të çështjes së përparimit të kauzës së lirisë dhe prosperitetit të Kosovës



Gjakova, ky qytet i vjetër ku tradita dhe novatorja kanë shkuar në harmoni, që prej themelimit të tij, me rrënjë qytetarie nga shekulli XV, vend me resurse ekonomike dhe kulturore, duke u lakmuar vazhdimisht nga pushtime ballkanike, do të brendësonte në vetëdijën publike të gjakovarëve ndjenjën e qëndresës, dhe rivitalizimin etnokulturor, për t’i bërë ballë luftërave dhe pushtimeve.

Kur lindi Xhavid Nimani, më 1 janar të vitit 1919, shoqëria kosovare dhe ajo gjakovare kalonin një krizë të rëndë ekonomike, kulturore, arsimore, politike dhe kombëtare. Rritja e vetëdijës kulturore kombëtare erdhi si përgjigje ndaj realitetit historik të kësaj kohe, kur një grup i madh intelektualësh me vetëdije dhe ndjeshmëri atdhetare u drejtuan drejt qyteteve të Shqipërisë për t’u arsimuar. Një ndër këta intelektualë ishte edhe Xhavid Nimani, i cili u arsimua me frymën kombëtare, si në Shkollën Normale në Elbasan, ashtu edhe në Shkollën e Lartë Teknike “Hari Fullci” Tiranë, dhe më vonë në Shkollën Tekniko-Bujqësore, në Elbasan, specializuar për Drejtim Teknik.

Gjakovarët, më së shumti nuk emigruan në Turqi por u vendosën në Shqipëri, ku u organizuan në luftë për çlirimin e vendit. Bajram Curri, Niman Ferizi, Qazim Bakalli etj., ishin shumë aktivë në Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës.

Pas kapitullimit të Jugosllavisë së parë, u kthyen në Gjakovë shumë djem të shkolluar në Shqipëri, të cilët u punësuan në administratë, arsim e institucione të tjera dhe organizuan qëndresën antifashiste. Ndër to edhe Xhavid Nimani.


Angazhimi në aradhën e luftës Çlirimtare të Kosovës


Konteksti kulturor në Gjakovë në vitet tridhjetë ishte pothuajse i begatuar nga prurje kulturore si shkrimi shqip, poezia, muzika, humori, tradita folklorike shumë e pasur, trashëguar brez pas brezi, duke e bërë Gjakovën një shembëlltyrë të qytetit të vjetër të Shkodrës. Tashmë ishin hapur shkollat shqipe dhe medreseja në gjuhën shqipe. Mësuesit e parë gjakovarë themeluan shkollën shqipe në Bujan, në një kohë ku mbi 90% e popullsisë shqiptare ishin analfabetë. Më 1941 në Gjakovë u hapën tri shkolla shqipe, ndërsa më 1942 u hap normalja “Gjon Nikollë Kazazi”.

Pas Luftës II Botërore, në Gjakovë hapet normalja e vetme shqipe, që përgatiste mësues për të gjitha viset shqiptare të Jugosllavisë.

Në këto rrethana kulturore dhe arsimore rritej dhe afirmonte personalitetin e tij intelektual Xhavid Nimani, i cili frymëzohej nga atdhetarë të shquar nga Gjakova dhe mbarë kombi shqiptar.

Në fëmijërinë e tij, Xhavidi u ballafaqua me krizën e rëndë të kolonializimit të Kosovës. Që nga viti 1919 deri më 1933 u miratuan një sërë dekretesh dhe ligje, të cilat zbatoheshin nën maskën e ashtuquajtur reformë agrare, që kishte për qëllim që në Kosovë kolonët serbë të vendoseshin në tokat më të mira dhe në pozicionet që shqiptarët të persekutoheshin dhe të varfëroheshin deri në atë masë sa të shpërnguleshin në Turqi e në Shqipëri dhe të arrihej serbizimi i Kosovës. Në këtë frymë qëndrese dhe mbijetese po farkëtohej dashuria për shqiptarinë dhe Kosovën në shpirtin e brishtë të djaloshit fisnik dhe simpatik Xhavid Nimani.

Pas kryerjes së studimeve në Tiranë dhe Elbasan, Xhavid Nimani angazhohet në aradhën e luftës Çlirimtare të Kosovës. Ai bie në sy për një punë intensive, veçanërisht me rininië për t’i dalë zot fateve të vendit dhe për çlirimin nga pushtuesit e huaj. Kësisoj, Xhavid Nimani ishte luftëtarë aktiv gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Kosovës.

Në fillim Xhavidi u inkuadrua si kuadër i luftës në kuadrin e PKJ-së, megjithëse e shikonte me dyshim bashkëpunimin me komunistët serbë dhe malazezë. Politikisht dhe ideologjikisht ai përkrahu dhe u vendos në krahun antifashist. Për Xhavid Nimanin ky qëndrim përbënte një vlerë, pasi e kundërta do të ishte me pasoja të pariparueshme për popullin e Kosovës.

E nëse populli i Kosovës do të akuzohej për bashkëpunim me fashizmin, shembëlltyrat historike, ishin precedentët e ngjashëm me shqiptarët në Greqi, dhe mbi kosovarët do të binte hanxhari për dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit të Kosovës nga trojet e veta.

Pas shpartallimit të Jugosllavisë së Vjetër, Xhavid Nimani së bashku me shumë arsimtarë të ardhur nga Shqipëria, filloi të shërbejë si mësues në Kosovë ku shumë shpejt u bë një ndër organizatorët e shquar të lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Prizren dhe pastaj në tërë Kosovën. Gjatë Luftës Xhavidi mbajti detyra të rëndësishme si drejtues politik dhe ushtarak i saj, si anëtar i shtabit kryesor të LNÇK. Ai ishte referuesi kryesor për formimin e këshillave Nacionalçlirimtare që do të ishin më vonë bërthama e pushtetit lokal në Kosovë.


Konferenca e Bujanit legjitimoi të drejtën e Kosovës për bashkim me Shqipërinë


Konferenca e Bujanit, që konsiderohet si parlamentit i parë në historinë e re të Kosovës, është padyshim ngjarja më e rëndësishme e kësaj periudhe. Në Konferencë u miratua Rezoluta, e cila në bazë të së drejtës për vetvendosje, kërkonte bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Konferenca e Bujanit, që u mbajt më 30 dhjetor 1943 deri më 1 e 2 janar 1944, legjitimoi të drejtën e Kosovës për bashkim me Shqipërinë. Duke u mbështetur në parimin e Vetëvendosjes ajo, parashkroi që pas përfundimit të Luftës, bashkimin të Kosovës me Shqipërinë, si e drejtë historike, kombëtare dhe legjitime.

Xhavid Nimani ishte një ndër hartuesit e Rezolutës, e cila u aprovua në mënyrë unanime, pa asnjë kundërshtim. Ndërkohë, javë më vonë erdhi Letra e Komitetit Qendrore të PKJ-së, e nënshkruar nga Milovan Gjilasi, e cila vinte në dyshim pikërisht pjesën kryesore të Rezolutës që kishte të bënte me bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe me të drejtën e popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje. Politikisht në këtë situatë udhëheqja shqiptare në Kosove ishte e përcaktuar për t’u çliruar nga sundimi serb dhe të bashkohej me shtetin amë Shqipërinë. Ky ishte dhe leitmotivi i luftës çlirimtare.

Xhavit Nimani ishte anëtar aktiv në shtabin e UNÇ Kosovës, por në shtator të vitit 1944, Shtabi Kryesor i UNÇ-së i Kosovës vihet nën komandën e Shtabit Kryesor të UNÇ-së të Serbisë kur u kthye në Kosovë Miladin Popoviqi, në detyrën e sekretarit politik. Këtu ndryshoi rrjedha e ngjarjeve dhe Kosova ra nën sundimin serbojugosllav.

Pas çlirimit, më 1945, me ardhjen e Miladin Popoviqit, Dushan Mugoshës, Spasoja Gjakoviqit, etj., udhëheqësit shqiptarë të Luftës e midis tyre dhe Fadil Hoxha e Xhavid Nimani, nuk ishin faktorë më, për marrjen e vendimeve me rëndësi historike. Vendimmarrjen e morën në dorë udhëheqësit serbë dhe malazezë. Ky ishte një sundim i ri mbi shqiptarët, por tani me emblemën komuniste.

Xhavid Nimani ishte politikan i mençur. Ai, së bashku me Fadil Hoxhën e të tjerë, po mundoheshin të maksimalizonin qëndresën ndaj politikës serbojugosllave. Xhavidi e dinte se sa e vështirë dhe e pa barabartë ishte lufta e Kosovës për pavarësi, nga sundimi serbojugosllav. Xhavid Nimani me përvojën e fituar nga Lufta, tashmë ishte një protagonist i sprovuar në teori dhe praktikë dhe si një kuadër e drejtues që vinte nga Lufta, dinte të ridimensionojë personalitetin e tij, përballë sfidave historike të vështira. Inteligjenca kosovare po dallonte te Xhavid Nimani, një aset të çmuar, një intelektual të florinjtë, që zakonisht në kthesa të mëdha historike, filtrohen dhe dalin në krye si lidership. Ai dinte tashmë se çfarë është humbja e madhe dhe fitorja e pjesshme, ndaj me mençuri dhe pragmatizëm politik e diplomatik, mundohej të përvetësojë faktorë mbështetës në të mirë të çështjes së përparimit të kauzës së lirisë dhe prosperitetit të Kosovës. Ata kishin përgjegjësinë historike mbi shpinë, ndaj dhe i ruheshin një përplasje fatale etnike. Nga pushteti serbojugosllav ishte i akuzuar si irredentist dhe shqiptaromadh, por ai iu kunërqëndojë këtyre akuzave me inteligjencë dhe zgjuarsi.


Xhavid Nimani në Kuvendin e Prizrenit


Çlirimi i Kosovës dhe Metohisë solli një epokë të re në Kosovë. Populli i Kosovës për herë të parë zgjedh pushtetin popullor, për herë të parë lirisht flitet shqip, ka shkolla shqipe, lexohet dhe shkruhet.

Por nga ana tjetër shovinizmi fanatik serb vepronte në çdo qelizë të jetës së Kosovarëve. Xhavid Nimani me intelektualë të tjerë atdhetarë kundërqëndronin në këtë ndeshje me mjaft zgjuarsi trimëri dhe patriotizëm. Qëllimi i tyre ishtë të zvillohej autonomia dhe pavarësia e Kosovës dhe nga ana tjetër të mos dëmtohej popullata shqiptare. Ky pragmatizëm politik udhëhiqte me mençuri grupin drejtues të Udhëheqësisë së Kosovës, në këtë kohë të vështirë për të.

Pas vendosjes së Administrimit ushtarak më 8 Shkurt 1945, udhëheqja e lartë Jugosllave arriti në konkluzion që Kosova dhe Metohija t'i bashkohet Shqipërisë, nëse Shqipëria hyn në Federatën Jugosllave, ndryshe Kosova dhe Metohija si autonomi duhet t'i bashkohen Serbisë", shkruan pos tjerash në atë konkluzion.

Akti i aneksimit (formal) të Kosovës - Serbisë përfundimisht u bë në mbledhjen e Këshillit Popullor të Kosovës e Metohisë, të mbajtur më 08 - 10 Korrik 1945, në Prizren i njohur si Kuvendi i Prizrenit.

Nga "Procesverbali i sesioneve të legjistraturës së parë të Këshillit Populluer Krahinuer të Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë, mbajtur në Prizren me 8, 9 e 10 korrik të vitit 1945 shihet se në mbledhje pos delegatëve të rretheve, shumica e përzgjedhur nga shërbimi famëkeq jugosllav OZN-a (Odelenje za Zashtitu Naroda - Dega e Mbrojtjes Popullore) kanë marrë pjesë edhe këshilltarët, si dhe delegatët e qeverive të Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë dhe se janë shqyrtuar 11 pika të rendit të ditës.

Nën pikën 4, Referatin për situatën politike e ka paraqitur Xhavit Nimani.

Në verën e vitit 1956, u mbajt Procesi i Prizrenit. Procesi i Prizernit kishte si qëllim eleminimin e kuadrove më të mirë kosovarë si Xhavid Nimanin, Fadil Hoxhën, Veli Devën, Nijazi Malokun, Shani Hoxhën, Ismet Shaqirin, Xhevdet Hamzën, Avdi Bakallin, Mehmet Hoxhën, Sedat Didën, etj. Këtë proces politikisht e kanë udhëhequr strukturat udhëheqëse politike të Serbisë nën udhëheqjen e antishqiptarit Aleksandar Rankoviq. Duke anashkaluar udhëheqësit e Kosovës Fadil Hoxha, Xhavid Nimani dhe Ismet Shaqiri strukturat serbe vazhdonin të regjistronin shqiptarët që flisnin gjuhën turke si turq, që në fakt ishin shqiptarë.

Xhavid Nimani, Fadil Hoxha, Ramadan Vraniqi e Xhevdet Hamza, kërkuan që të mbahet mbledhje plenare e Komitetit Krahinor për të shqyrtuar fushatën për ndryshimin e kombësisë, përkatësisht regjistrimin nga kombësia shqiptare në atë turke. Xhavid Nimani, si një intelektual me integritet, i dashur dhe i lidhur me popullatën, karizmatik dhe mjaft i pëlqyeshëm në diskursin politik, ndërmori një tur takimesh në Prishtinë, Prizren, Gjakovë dhe në disa qytete të tjera të Kosovës, duke bërë që presioni mbi popullatën për deformimin demografik, të ulet, të mos vazhdojë hapur.


Koha kur artikulohej kërkesa: Republikë, vetëvendosje, barazi, simbolet kombëtare


Në vitin 1968 Xhavit Nimani ishte në kulmin e pjekurisë së tij politike, ku së bashku me shokët ë tjerë Fadil Hoxha, Gazmend Zajmi, Syrja Pupovci, Hajredin Hoxha, Ismail Bajra, Ramadan Vraniqi, Rezak Shala, Bardhyl Qaushi, Asllan Fazlia, Daut Nimani, po punonin për shqyrtimin publik të amendameteve kushtetuese ku artikulohej kërkesa: Republikë, vetëvendosje, barazi, simbolet kombëtare.

Sipas Kushtetutës së parë të Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë, më 31 janar 1946, "Kosova e Metohia," ndonëse ishte provincë autonome në kuadër të Republikës së Serbisë, njëherit ishte edhe element i Federatës së Jugosllavisë. Kjo, pasi në paragrafin 2 përmendet se Republika Popullore e Serbisë në përbërjen e saj ka Krahinën Autonome të Vojvodinës dhe Provincën Autonome të Kosovë-Metohisë. Siç shihet nga formulimi kushtetues, Kosova përcaktohej Provincë ndërsa Vojvodina Krahinë.

Kushtetututa e RSFJ (1963) e ndërron emërtimin nga Republika Federative Popullore, në Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, ndërsa në nenin 2 përcakton se RSFJ-në e përbëjnë gjashtë republika. Krahinat nuk i përmend fare. Krahinat më nuk ishin njësi përbërëse të Federatës, por vetëm pjesë e Republikës së Serbisë. Me këtë Kushtetutë u forcua më tej tendenca e shndërrimit të Kosovës në subjekt ekskluziv të Republikës së Serbisë

Në korrik të vitit 1966 në Brione u mbajt Mbledhja e IV e KQ të LKJ, që njihet me emrin Plenumi i Brioneve, i cili shënoi një etapë të re në zhvillimin e Jugosllavisë. Vendimet e Plenumit të Brioneve patën një rëndësi të veçantë edhe për Kosovën dhe viset tjera shqiptare.

Kuvendi i Kosovës më 24 shkurt 1969 miratoi Ligjin e vet kushtetues, që ishte një avancim kushtetues-juridik, përtej statutit që kishte deri atëherë si aktin më të lartë.

Kushtetuta e Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë u miratua më 21 shkurt 1974.

Me këtë Kushtetutë Krahinës Autonome të Kosovës i sigurohej një status i barabartë, në shumë rrafshe me ato të republikave, KSA e Kosovës tashmë kishite përfaqësuesin e drejtpërdrejtë në forumet kryesore të Federatës Jugosllave. Emri i Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë u ndryshua në Krahinën Autonome Socialiste të Kosovës.

KSA e Kosovës karakterizohej nga lidhje e dyfishtë hierarkie. Ajo ishte në të njëjtën kohë element kushtetues i Federatës jugosllave dhe njësi autonome në kuadër të RS të Serbisë.

Menjëherë pas Kushtetutës Federative, Kosova e miratoi Kushtetutën e vet, për herë të parë në historinë e saj, më 27 shkurt 1974.

Xhavid Nimani në mars të vitit 1974 u emërua në në postin e sapo krijuar, të Kryetarit të Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Në këtë post qëndrojë për 7 vjet.

Në harkun kohor të atyre viteve (1974-1981) nën ndikimin e tij dhe të Fadil Hoxhës në Kosovë u krijuan dhe patën progres të dukshëm institucionet kryesore akedemike, universitare e arsimore-kulturoresi: Universiteti i Prishtinës, Akademia e Shkencave e Kosovës, Radiotelevizioni i Prishtinës, Gazeta “Rilindja” dhe një rrjet shkollash shqipe në gjithë Kosovën. U kryen reformat ë rësishme konstitucionale, me bazë Kushtetutën e vitit 1974. U rrit niveli ekonomik dhe cilësia e shërbimeve në Kosovë. Në gjithë këto arritje ishte kontrubuti qënësor i Xhavid Nimanit

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Ai mori funksione më të larta pushtetare dhe partiake, si nënkryetar i parlamentit të Ish jugosllavisë dhe Kryetar i Kryesisë së Kosovës që kishte prerogativat e Presidencës Shtetërore të Kosovës deri më 1981, kur jep dorëheqjen dhe pensionohet.

Edhe në periudhën e pensionimit ai ishte mbështetës kryesor i rezistencës së inteligjencës dhe popullit kosovar për liri e pavarësi.




28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page