top of page

Irma Kurti: Poezi nga Peter Thabit Jones (Uells)



PETER THABIT JONES ka lindur në Swansea (Uells). Ai ka shkruar gjashtëmbëdhjetë libra, që përfshijnë Turneu  i Dylan Thomas në Greenwich Village Nju Jork me Aeronwy Thomas. Së bashku me Aeronwy Thomas ai organizoi gjithashtu në vitin 2008 një turne gjashtëjavor leximi të poezive në Amerikë.

Vepra e tij është përkthyer në mbi njëzet gjuhë. Ai ka marrë një sërë çmimesh, midis të cilëve Çmimin Eric Gregory për Poezinë (Shoqëria e Autorëve, Mbretëria e Bashkuar), Çmimin e Fondit Letrar Mbretëror (MB), Çmimin e Këshillit të Arteve të Uellsit, Çmimin Ted Slade 2016 për Shërbimin ndaj Poezisë (MB), dhe Homeri 2017: Medalja Evropiane për Artin dhe Poezinë. Poema e tij "Kilvey Hil" është shkruar mbi xhamin e dritares në shkollën Saint Thomas, në Swansea të Uellsit. Peter Thabit Jones është shkrimtar i përvitshëm gjatë sezonit veror në rezidencën Big Sur, Kaliforni, që nga viti 2010.

Dy nga dramat e tij për skenë janë shfaqur në Amerikë dhe në Britaninë e Madhe. Libretet e tij për opera në bashkëpunim me kompozitoren luksemburgase Albena Petrovic Vratchanska janë dhënë për herë të parë në Filarmoninë e Luksemburgut, në Shtëpinë e Operës Kombëtare Stara Zagora, në Bullgari, Teatrin Kombëtar në Luksemburg si dhe në Operën dhe Baletin e Sofjes në Bullgari. Për më tepër informacion: www.peterthabitjones.com

E VEJA

(dedikuar Jill-it)

 

Diçka e ka braktisur dhe është më e madhe se pikëllimi vetë,

Më lënduese se gardëroba me kostumin e tij të vjetër.

 

Rubineti i banjës, mendon ajo, duhet sistemuar,

Pikat e tij ngjajnë si një e qarë në mendjen e saj.

 

Ajo nget makinën për të cilën ai kujdesej si për të dashurën,

Kur shkon në orët ku mëson t’i ushtrojë mendimet

 

Në poezi që, me sa duket, nuk kanë nevojë për rimë;

Ajo vesh për të diçka në ngjyrë të zezë, vazhdimisht.

 

Fëmijët vijnë me probleme e për të kërkuar kredi

Dhe pyesin pse ajo është gjithmonë jashtë shtëpisë.

 

Komentet e tyre ia presin krahët fluturimit të saj në liri,

Ajo ngroh në mikrovalë një vakt të menduar veç për një.

 

Vihet në siklet me miqtë, ata janë ende në çift,

Bisedat e tyre mbulojnë ç’mbetet pa thënë, sigurisht.

 

Disa ditë janë të rënda, sikur të ishte e sëmurë me grip,

Heshtja i kaplon mendjen: Çfarë të bëjë tani?

 

Ajo ndez televizorin dhe e fik menjëherë,

E merr celularin, por nuk flet me askënd.

 

Burri i saj e vështron nga fotot e vendosura në mur

Që ai duke mallkuar u dha një shtresë boje dikur.

 

Duket aq i gjallë me buzëqeshjen e tij plot hir,

Teksa i mban dorën, sikur të ketë rënë në dashuri.

 

Ajo hap perdet e dallon diellin krejt papritur

Dhe shikon në lëndinë barin prej kohësh të rritur.

© 2024 Peter Thabit Jones

E MOSHUARA

Kujtimet ndryshken dhe veniten,

Bien si gjethet e humbura

Nga një pemë e lartë dhe e plagosur.

 

Në një rrugë kaotike, të panjohur

Rrënjët e mendjes tënde janë prerë.

Një taksi ndalon dhe ti sheh

 

Një burrë që mund të ishte djali yt.

Gruaja që thotë "Mirë?"

Ka një buzëqeshje që në mendje e ruan ti.

 

Qyteti thyhet para teje,

Enigma e jetës tënde është hedhur

Nën një qiell të rënduar dhe plot re.

 

Të dhembin çelësat në xhep,

Ata mund të hapin çdo derë

Në një dhomë me fytyra të tronditura.

 

Ti hedh një grusht monedhash

Që tingëllojnë përgjatë trotuarit.

Je shumë larg nga shtëpia jote,

 

Në kërkim të një shkolle që s’të përket,

Aty ku një vajzë që kurrë nuk ke qenë

Qëndron në një dhomë me anonimë të tjerë.

© 2024 Peter Thabit Jones

“JE EST UN AUTRE”

("Unë jam dikush tjetër")

 

Ti  u largove nga furia e famës tënde.

Ata s’mund të të arrinin kurrë, në çdo kilometër që shtohej

Drejt një jete të re që ti e imagjinoje,

Ishte një fantazmë legjenda që në mendjen tënde krijove.

 

Kush do të të njihte në kafenenë e periferisë,

Apo si një të vetmuar me vështrimin e ngrysur në trenin e shpejtë?

Ti nuk ndoqe asnjë hartë, vetëm zemrën tënde

Dhe lirinë që e kërkoje ashtu si një lloj ëndrre.

 

A do të të gjenin në një lokal apo buzë lumit gjatë natës?

Fjalët e tua s’lanë gjurmë, megjithëse ndrinin ndër sallone.

Rrobat e adhurimit të tyre jo, nuk të bënin më:

Nxënësi inteligjent i shkollës ishte një djalë i ri tashmë.

 

Ti lëvizje porsi një hije në mes të turmave,

Duke zbrazur mendimet të një të kaluare në arrati.

Ti që kishe kërkuar ato skëterra si dhe qiej të rinj

Në tokat më të çuditshme ndodheshe tani,

 

Në një kontinent ku ishe i panjohur,

Ku mund të eksploroje poezinë e jetës.

Shënim: "Je est un autre" :"Unë jam dikush tjetër"  Arthur Rimbaud


Përktheu Irma Kurti

14 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page