top of page

Irma Kurti: Poezi nga Massimo Massa (Itali)




MASSIMO MASSA ka lindur në Bari në vitin 1960, ku jeton dhe punon në sektorin e informatikës. Pasi u diplomua në Shkencat e Informacionit në Universitetin “Aldo Moro” të Barit, pasioni i tij për lëndët humanitare e afroi më shumë me botën e letërsisë. Është është një nga themeluesit e Shoqatës Ndërkombëtare Kulturore “VerbumlandiArt” (Qendrës Ndërkombëtare për krijimtarinë shprehëse dhe dialogun). Massimo Massa është krijues, themelues dhe president i shoqatës social-kulturore L'Oceano nell'Anima (Oqeani në shpirt) në Bari që organizon iniciativa për promovimin e kulturës dhe për zhvillimin e integrimin social; drejtor dhe konsulent për projektet dhe grafikën në revistën Oceano Edizioni, ideator dhe President Ekzekutiv i Konkursit Akademik Ndërkombëtar për Letërsinë Bashkëkohore “Seneca” dhe i revistës Oceano Njus (gazetë e pavarur). Po ashtu, është bashkëthemelues dhe President Nderi i Enciklopedisë poetike Wikipoesia, ambasador kulturor i Akademisë “Mihai Eminescu” për promovimin e trashëgimisë shpirtërore dhe bashkëpunimin letrar. Ka marrë çmime të rëndësishme si: “Çmimi i Kulturës” për kontributin e tij në kontekstin artistiko-letrar dhe për krijimin e një realiteti të qëndrueshëm shoqëror në nivel kombëtar, Çmimi i karrierës për aktivitetin letrar, Medalja “Poetët për Paqe” nga Organizata Ndërkombëtare e Poetëve për Paqe etj. Disa nga botimet e tij janë: “Transparenca” (Edizioni REI, 2015), “Gjeometri nga pafundësia” (Oceano Edizioni, 2016), “Në orën e gjashtë” (Dibuono Edizioni. 2017), “Në kohën e mungesës” (Oceano Edizioni 2020).

GJËRAT E PATHËNA KURRË

 

Më lër në këtë zallinë

fijet e heshtjes të thur,

më lër këtu

në këtë cep të qiellit

në ato fragmente

të gërryera nga koha

që në ngjyrën blu vdes

dhe tek ti më sjell.

 

Ishte vrulli i erës

në kalimin e heshtur

mes hijeve të largëta

që më thirri në emër

sepse në erën

e zhytur në okër

të takova

e të citova në mbrëmjen

që vonon të perëndojë.

 

Kam ende një mijë vjet

për të mos harruar

ose për të mos harruar asgjënë,

ato dyshime të pazgjidhura

të ditëve të pafundme

që bashkë me ty kam jetuar.

 

NJËQIND HAPA TË TJERË

 

Edhe një stinë

e veshur në heshtje

e ditëve të spërkatura me shëmbëlltyra

të mbyllura në shtigje

të agimeve të çdo kohe.

 

Ai tren nuk ndaloi më

i pushtuar nga fati

dhe nga pamja e pabesë.

 

Do të jem në perëndim të diellit

pas njëqind ditëve

dhe njëqind hapave

mes kujtesës dhe mungesës

dhe si rrathë uji

vitet ende do të kalojnë.

 

I kërkoj kohë ekzistencës

në vrapin për t'u kthyer në hije

ndër rezonanca të tjera

derisa zinxhirët të zgjidhen

dhe llogaria të mbyllet.

 

KUPTIMI I GJËRAVE QË MUNGOJNË

 

Unë linda në shkurt

në fund të dimrit.

Ishte një premtim

apo ndonjë e dhënë

që emrin e vishte me diçka nga unë.

 

Paksa e pasigurtë

mbërritja ime

numër i pacaktuar i ditëve të mia

në jehonën e errët të një çasti

me fjalën pothuaj përtej fjalës kurrë

të lidhur në një letër të bardhë

emocionesh të thyera.

 

Një centimetër drite

në të ardhmen që erdhi më pas,

pavarësisht nga gjithçka

kush e di nëse e djeshmja

ka ndodhur diku tjetër tashmë.

 

MASSIMO MASSA



Përktheu nga italishtja: IRMA KURTI

13 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page