top of page

Irma Kurti: Poezi nga Luis Cruz-Villalobos (Kili)



 

LUIS CRUZ-VILLALOBOS (Santiago, Kili, 1976), është shkrimtar, redaktor dhe psikolog, me një prodhim të gjerë letrar në poezi dhe ese akademike, me më shumë se pesëdhjetë libra të botuar. Ai është specialist dhe është specializuar në psikologjinë klinike, sektor në të cilin ka punuar mbi njëzet vjet. Ai i është përkushtuar studimit të elasticitetit dhe rritjes post-traumatike, si dhe hermeneutikës së aplikuar, tema mbi të cilat bazoi kërkimin e doktoraturës në Vrije Universiteit Amsterdam, ku mori gradën Doktor i Filozofisë. Aktualisht jep mësim në universitet dhe drejton psikoterapi për të rritur dhe çifte. Luis Cruz-Villalobos është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve në Kili. Brenda botimeve të tij letrare ka një numër të konsiderueshëm veprash "foto-poezi", me fotografë të shquar ndërkombëtarë si David Gysel (Kili), Rosa Gómez (Spanjë), Julie de Waroquier (Francë). Në 2022, u vlerësua nga Akademia Tomitana e Rumanisë si anëtar i rregullt, për veprën e tij të jashtëzakonshme letrare dhe kulturore, së bashku me Çmimin e Poezisë të dhënë nga ky institucion i rëndësishëm Evropian.

MEDITIME PËR JETËN

Jeta është një melankoli e ngadaltë për çfarë mungon

dhe për atë që nuk është më dhe s’do të kthehet kurrë.

Është një qetësi e vonuar që na puth sytë përpara

se të zgjohemi dhe përpara se të biem në gjumë.

 

Jeta rrethon të këqijat dhe të mirat tona

dhe si të ishte një shpërthim i papritur

vjen mes reve të pluhurit dhe na qëndron pranë

të na thotë se gjithçka do të kalojë, por asgjë s’kalon.

 

Jeta ecën mbi çelësat e pianos ose mbi

telat e një violinçeli.

Ajo një këngë baroke na këndon për t’na bërë

të besojmë se është e bukur, me nuanca plot.

 

Jeta ecën pranë nesh ose na bën me të vërtetë mirë

në pikën më të saktë, në shpirtin tonë.

S’na lejon të largohemi nga çfarë ka rëndësi

edhe pse zakonisht të humbur përfundojmë.

 

POEZIA PA KUFIJ

Nëse poezia do t’i fshinte të gjitha kufijtë

Nëse poezia s’do të linte mur në këmbë

 

Çfarë do të ndodhte në mbarë botën

Nëse poezia do të zbriste në rrugë

 

Dhe ne do të dilnim për të ecur të gjithë

Duke e njohur njëri-tjetrin për atë që jemi me të vërtetë

 

Një poezi pa kufij?

 

LUMI I PËRJETSHËM

 

Lumi më tregon për Ty

Lumi i Madh i Përjetshëm

 

Prekja e tij miqësore në shkëmbinj

E  shndërron në rërë teksa rrjedh

 

Ndërsa jeta ime përparon me ty

E përhershme dhe e dhembshur

 

Ajo zvogëlohet gjithnjë e më shumë

Derisa një ditë të zhduket

 

Dhe ti së fundi je gjithçka

Lumë i pafund që rrjedh

 

Në mitrën oqeanike

Që ti je dhe gjithmonë do të jesh.

 


PËRKTHEU NGA ANGLISHTJA: IRMA KURTI

20 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page