top of page

Irma Kurti: Maria Grazia Vai (Itali)





MARIA GRAZIA VAI ka lindur në gusht 1964 dhe jeton në një provincë të vogël të Pavias, pranë parkut Ticino. Prej vitesh është anëtare e jurisë së konkurseve të rëndësishme letrare dhe interpretuese e poezive fituese.

Që nga marsi 2016 është themeluese dhe presidente e Konkursit Ndërkombëtar të Artit “La Couleur d'un Poème”: një ngjarje kulturore e promovuar nga etiketa e saj ImmagineArte, në mbështetje të projekteve të solidaritetit në favor të shoqatave për mbrojtjen e fëmijëve jetimë, qendrave kundër dhunës dhe fondacioneve në mbështetje të grave në situata delikate.

Poezitë e saj janë përkthyer në frëngjisht, spanjisht, anglisht dhe janë botuar në revista ndërkombëtare duke përfshirë CaliforniaQuarterly (Shoqatë e poetëve në Kaliforni).

Në vitin 2020 i jepet titulli Presidente Nderi e Enciklopedisë Poetike dhe në 2022 ai i Themelueses dhe Qytetares së Republikës së Poetëve.

 

HESHTJA E TRENDAFILAVE

 

nuk ka peshë hija e erës:

përkulet mes trëndafilash e hendeqesh

nuk ka zë [ti, e ke parë ndonjëherë?]

 

më zbulon kështu: me ndrojë

 

në prehrin e borës së fundit

për të ngushëlluar – sikur të ishte

bija ime – melankolinë tënde

 

… TË SHKRUAJ, I DASHUR...

 

se këtu tashmë ka rënë shumë shi

dhe nuk kam më strehë veçse dy

feta ajri për të luftuar zbrazëtitë

-që me lë në tavan-

 

kam tjegulla të hedhura mbi det, ulluqe

jargavanësh që mbajnë erë të mirë dhe pak

xhevahir në mes të qiellit që ndoshta, nëse e sheh

tek unë më shpejt do të arrish

 

shikomë, i ngjaj një kënge të kohëve

të tjera, që nuk  e kupton dhe po ta dëgjosh

 

 

DIELLI DHE YJET E MI

 

 

ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje

këtu ku isha shtëpi dhe ti qielli i saj.

ku heshtja ishte më shumë sesa dashuri.

 

ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje

këtu ku pema e manit ka lindur agimin

e një vere që s’e kemi jetuar ende.

 

ke shkruar aty ku më parë kishte heshtje,

të duash: një dhembje. boshllëku: e keqja e saj.

Por unë ende në flokë të mbaj, lule

tani që kthehem këtu, në heshtje dhe

të dëgjoj duke ëndërruar për mua, i dashur ...

PËRKTHEU NGA ITALISHTJA IRMA KURTI

25 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page