PETRIT QEJVANI - INTELEKTUALI ELEGANT VLONJAT
- NGA GËZIM TUSHI
Sot kemi rastin të kujtojmë, rikujtojmë, pse jo edhe të takohemi literalisht me mikun, shokun, kolegun, njeriun që edhe pse iku para kohe nga kjo botë, ka lënë të plotë emrin, kontributin social dhe intelektual, por edhe një pjesë të krijimtarisë së tij cilësore e të spikatur, të sintetizuar në tipologjinë e një Triptiku.
Nuk ka kaluar aq shumë kohë sa të tronditet kujtesa jonë sociale dhe të zbehen lidhjet interpersonale dhe interaktive me këtë njeri. Personalisht mendoj se Petriti ishte dhe mbetet një njeri i veçantë për nga kultura individuale, aftësitë e komunikimit social dhe pasha publike. Një figurë kulturalisht e spikatur, që pushtetin e dijes e kishte kapital të personalizuar, që shfaqej kudo në mënyrë evidente, në biseda shokësh, debate miqësore, tryeza akademike apo tubime letraro-shkencore. Në qënien e Petritit ishte organik uniteti si njeri, intelektual "par excellence", profesionist me deontologji të sigurt dhe dimension të qartë të njeriut tërësisht urban.
Ka qenë një tipar i tij evident, që pavarësisht se ku ndodhej fizikisht, apo çfarë pozicioni apo pozite sociale e administrative kishte në atë moment, (gjë që si për të gjithë ka qenë determinante dhe jo e varur nga vlerat e tij) zëri, fjala, kultura, personaliteti i tij ishte gjithnjë dinjitoze. Njeri i veçantë që i dallohej fjala, shikimi, gjuha elegante e trupit, temperamenti, humori e qeshura e gjerë, batuta e kripur, shakaja e përhershme. Në çdo gjë ai kishte një sens mase organik, që e bënte atë tërheqës, komunikues, bashkëbisedues të këndshëm që të mbante të tërhequr si "magnet klasi". Nuk e teproj, po qe se them se pesha e tij intelektuale ka qenë imponuese, deri ditën që mbylli sytë.
Sa herë kujtoj Petritin, relacionet e mia të gjata miqësore, shoqërore gjithnjë më vijnë në mendje fjalët e një filozofi të madh frances të kohës sonë, se për njeriun vetëm "dija është pushtet". Këtë e dinte fare mirë Petriti i cili luciditetin intelektual, dijen korente të shumanshme letrare, politike, filozofike e qytetare e kishte gjithnjë në mënyrë të pandryshuar, objektin kryesor të krenarisë së vet Intelektualisht të merituar. Të brendshme, organike por edhe të shfaqur mjeshtërisht në jetën intelektuale e letrare publike. Libri që kemi në duar e pasqyron, mbase jo plotësisht të vërtetën e dimensionit intelektual me aftësi të gjëra krijuese si poet, prozator, eseist, estet elegant i artit, kulturolog, politolog dhe kritik i talentuar. Në të gjitha këto fusha është i njohur kontributi i tij konsistent. Gjithnjë një mendje krijuese origjinale, asnjëherë manierist apo epigon i të tjerëve. Ai qoftë në fjalë apo në penë nuk ishte i ngurtë, dogmatik apo skematik. Këtë do ta kuptoni kur të lexoni "Triptikun" e tij.Bufoni dhe më pas Marksi, duke e marrë nga latinët e vjetër përdornin shpesh sentencën se "Stili është njeriu". Në këtë kontekst mendoj se nëse ka një vlerë fare të sigurt (midis shumë vlerave të tjera) për Petrit Qejvanin është siguria e patundur, se kudo ku ai "vuri penën" apo "lëshoi fjalën", ishte gjithnjë vetja e tij, shpirti krijues, mendja dialektike e shpirti i tij i pandryshuar, gjithnjë kritik. Ai e urrente ontologjikisht si gjënë më të shëmtuar epigonizmin apo plagjiaturën servile. Madje ai i kishte indikatorët e sigurt, për të evidentuar dhe dalluar këto patologji letrare dhe intelektuale kudo ku shfaqeshin. Mjafton të shikoni poezitë e Petritit. Të gjitha të përkryera. Meditative dhe filozofike. Asnjëherë prozaike apo empirike.
Petriti ishte edhe mësues, pedagog, edukator ndër më të mirët e kohës së tij. Nxënësit dhe studentët që kanë patur fatin të dëgjojnë ligjëratat e tij në auditorë, kanë mbresa të shumta, emocione estetike të forta. Duke qenë krijues Petriti ishte mësues pa shumë "disiplinë pedagogjike" e didaktike të ngurtë e burokratike. Sepse kur atë e rrëmbente frymëzimi në auditor i "shkelte" kanonet e vjetra të pedagogjisë në emër të dimensionit estetik.
Padyshim si çdo njeri edhe Petriti kishte idhujt e vet, intelektualë e krijues me potencë të kulturës kombëtare dhe internacionale, por që sikurse thotë Frensis Bekoni, nuk e penguan atë të kuptojë botën në mënyrë origjinale dhe po në këtë mënyrë edhe ta pasqyronte në krijimtarinë e vet. Njerëzit në jetë kanë idhujt dhe idolet e tyre. Edhe Petriti kishte disa. Por duke qenë një mendje sovrane dhe personalitet i kultivuar dhe kulturuar, elegant e sqimatar, selektiv dhe mendje organikisht kritike, idhujt e tij kanë qenë të kursyer. Edhe pse ata kanë qenë objekt i bisedave tona të përbashkëta, unë nuk i mbaj mend të gjithë simpatitë letraro-kulturore dhe figurat e dashura të tij.
Por nga shoqëria jonë e përbashkët prej katër dekadash, kemi folur për shumë figura omnipotente të kulturës, artit, politikës. Por besoj se një nga "ganxhat" e forta që na mbajti gjallë shoqërinë dhe bisedat tona ishte Kadareja i madh.
Petrit Qejvani është padyshim "kadareologu" më i madh i qarqeve intelektuale dhe artistike të Vlorës. Kam frikë se në këtë "areal kadareian", ai ishte ndoshta nga më të shquarit edhe në nivel kombëtar. Ai e njihte në mënyrë shteruese dhe në të gjitha nuancat e holla stilin, origjinalitetin dhe tërë korpusin e veprës së tij.
Para pak ditësh e kam takuar për herë të dytë Ismail Kadarenë, gjeniun e letrave shqip dhe midis të tjerave i kam folur për Petritin si krijues, intelektual por dhe si "investues" i pakursyer, për të bërë të njohur veprën dhe vlerat artistike të shkrimtarit tonë të madh. Petriti kishte shumë pasione. Ai për çdo gjë fliste me energji, elokuencë dhe kompetencë për çdo gjë poezinë, pikturën, teatrin, kulturën. Por kur fillonte "temën e Kadaresë" të gjithë të tjerët heshtnin.
Pak kohë para se të ndërronte jetë, unë dhe bashkëshortja ime, miq të vjetër e të njohur të tij, gjetëm mënyrën që të takoheshim. Ramë dakord të takoheshim te kafja e tij e preferuar tek ish Fabrika e Orizit. U tronditëm, u pezmatuam thellë. Ndihej hija e së keqes që kishte pushtuar tërë qenien e tij të dikurshme. Por vetëm fizikisht, jo atë mendore dhe sidomos sensin e humorit. Edhe pse pranë gjendjes terminale, i dërmuar fizikisht, ai nuk donte t'ia dorëzonte personalitetin "forcave të jashtme" që po i gërryenin në mënyrë përfundimtare shëndetin.
Ky ishte takimi im i fundit me shokun, mikun, kolegun. Unë isha një nga miqtë e tij të shumtë. Sepse ai ishte supersocial dhe kishte shumë miq. Por duke qenë sqimatar, shumica prej tyre ishin të zgjedhur sipas "mizurës" së tij intelektualisht dhe qytetarisht të pagabueshme.
Një pjesë prej tyre janë sot këtu, për ta kujtuar atë dhe veprën e tij.
E kanë thënë britanikët: Zogjtë me të njëjtat pupla gjithnjë rrinë dhe fluturojnë së bashku. I përjetshëm qoftë kujtimi Petrit Qejvanit...
Kommentare