top of page

INTELEKTUAL I SHQUAR DHE KRIJUES I TALENTUAR


PETRIT QEJVANI INTELEKTUAL I SHQUAR DHE KRIJUES I TALENTUAR


PROF. DR. RAMI MEMUSHAJ


Është gjë e bukur që përvjetori i dikujt që është ndarë nga jeta, të kujtohet duke i paraqitur një libër të shkruar prej tij. Kjo sikur e sjell atë të gjallë në kujtesën tonë e na bën ta na duket sikur bisedojmë me të. Kështu po na ndodh sot, me Petritin, që po mbush dhjetë vjet që është ndarë nga jeta.

Thonë se vepra zbulon shpirtin e autorit, karakterin e tij, formimin e tij psikologjik e social. Kjo e vërtetë dëshmohet edhe në rastin tonë. Këto veçori të personalitetit të njeriut mbruhen në familje dhe që në moshë të vogël. Fëmija është pasqyrë e prindërve të vet. Kështu që po them dy fjalë për familjen e Ago e Hasife Qejvanit. I kam njohur që fëmijë i vogël, se i kishim shtëpitë afër me Xha Malon, gjyshin e Petritit. Xha Malua na lidhte mua, Lirisë dhe Ibros (Ibro Jonuzit) dyfeqet prej kallami misri, se nuk dinim t’i lidhnim, dhe Hasifeja na nxirrte ndonjë gjë për të ngrënë. Agua ishte ushtarak dhe nuk e kisha parë. Më vonë ai e tërhoqi familjen në Gjirokastër. Të dy me Hasifenë ata lindën dhe rritën me sakrifica dhe edukuan një vatër fëmijë: Lirinë dhe Petritin, që u bën mësues, Refatin që u bë inxhinier ushtarak, Maksimin, që u bë mjek, Natashën, Vjollcën dhe Lavdoshin. Pikërisht ato virtyte të larta morale që kishin trashëguar nga të parët – atdhedashurinë, ndershmërinë, thjeshtësinë, urtësinë dhe të qenët i drejtë – Agua dhe Hasifeja ua mëkuan edhe fëmijëve të tyre.

Këto cilësi i manifestoi në jetë dhe i mishëroi në veprën e vet Petriti. Duke lexuar vëllimin “Performancë”, që po paraqitet për herë të parë në përvjetorin e 75-të të lindjes së tij, të bie në sy laryshia e temave që trajton, si në poezitë e tij dhe në tregimet. AI ishte me shpirt poeti, gjë që e shprehnin sytë e tij ëndërrimtarë dhe që e mishëroi më shumë në poezitë e tij. Kjo duket edhe në poezitë e këtij vëllimi, të shkruara gjatë një periudhe 45-vjeçare, që kur ishte fare i ri dhe deri kur lëngonte në shtrat nga sëmundja e rëndë. Ka në të poezi lirike, ku i këndohet dashurisë dhe femrës; ka poezi kushtuar natyrës; ka poezi qytetare, në të cilat ai shpreh shqetësimin për plagët shoqërore të periudhës së tranzicionit. Duke qenë një vrojtues i vëmendshëm dhe shumë i ndjeshëm ndaj dukurive negative që po kaplonin shoqërinë shqiptare pas viteve ’90, ai nuk rri pa i shprehur përjetimet e tij në krijimet e veta. Kështu, në poezinë “Atdheu im me dy histori”, e cila merr shkas nga përpjekjet e qeverisë së djathtë për të revizionuar historinë, duke mohuar Luftën Antifashiste, ai me dhimbje shkruan: “Atdheu im me dy histori/ dhe asnjë të vërtetë./ Atdheu im me dy palë heronj/ E me dy palë tradhtarë,/ Me heronj tradhtarë/ Dhe tradhtarë heronj.” Në një poezi tjetër, të titulluar “Kaos”, Petriti konstaton poetikisht gjendjen kaotike të shoqërisë shqiptare të krijuar nga mungesa e zbatimit të ligjit. “Tek ne/ Nuk ka kahje të lëvizjes./ Mungon shigjeta e orientimit/ Mund të ecësh si të duash/ Njëherësh nga lindja dhe nga perëndimi/, thotë ai, – “Semaforët e jetës shoqërore janë prishur/ .../ Po deshe vret në mes të ditës/ Pa pasur frikë se ndëshkohesh për krimin./ Gjykatësi i vetëm –/ Pikëllimi…”,



Ai nuk lë dhe plagën tjetër të shoqërisë shqiptare, materializmin e skajshëm, rendjen pas parasë dhe pasurisë. Në poezinë “Pa moral”, ai stigmatizon politikanët që e kanë kthyer politikën në biznes dhe zyrtarët në përgjithësi, që i shesin me para shërbimet që i japin qytetarit. “Një grykësi e madhe, si epidemi,/ Ka përfshirë shoqërinë shqiptare,/ Dikush pasurohet me mandat deputeti,/ Dikush me poste qeveritare./ Një njeri i zakonshëm shet vajzën për të jetuar,/ Një tjetër shet fqinjën e vet për fitim,/ Një politikan drejton trafikun e drogës,/ Kurse një tjetër atë klandestin./ Një noter noterizon dokumente false/ Një zyrtar të shet një vërtetim të rremë,/ Dhe gjykatësi që duhet të ruante ligjin/ Të lejon ta blesh dhe atë vetë.../ Atëherë,/ A mund të flitet për shtet?!” Nuk ka penë tjetër që në kaq pak rreshta të ketë bërë autopsinë e një shoqërie të sëmurë.

Përkundër të pangopurve, që s’lënë krim pa bërë për t’u pasuruar, ai vë njeriun e ndershëm. “kjo botë shëmtohet sa herë pasuria bëhet qëllim në vetvete dhe e vret njeriun”, shkruan ai në hyrje të poemthit

“Kënga e njeriut të ndershëm”: Unë jam i ndershëm, ndaj dhe i pasur/ Dhe mbret e bos s’më hyn në sy,/ Se kurthe, servilë e prapaskena/ I mbyt me një det me dashuri./ Dhe nuk shoh ëndrra me euro,/ As me çeqe a me trafik./ Më mjaftojnë zemrat e miqve,/ Që vlejnë më shumë se një çiflig.”

Kur, me përmbysjen e regjimit monist, Shqipëria u hap ndaj botës, vërshuan këtu nga Europa lloj-lloj organizatash e misionesh për të na ndihmuar kalimin në shoqërinë pluraliste. Po shpesh “workshop”-et e tyre, dmth. seminaret si i themi shqip, qenë pa ndonjë vlerë, sa u bënë edhe objekt humori, si “workshop”-i ka u mësohej shqiptarëve si bëhej rakia. Këto nuk kanë kaluar pa u vërejtur dhe pa u stigmatizuar nga Petriti, që i bën objekt të humorit të tij të hollë në tregimin e gjatë “Performanca”, ku heroi i tregimit revoltohet në një “workshop” të organizuar nga të huajt me temë si t’u heqim kompetencat drejtorëve të shkollave që të mos kthehen në diktatorë, duke dalë kundër presidiumit e kundër sallës që po mrekulloheshin nga diskutimet e atyre që kërkonin të zhvisheshin drejtorët nga çdo kompetencë, sikur e keqja Shqipërisë do t’i vinte nga drejtorët. Po e keqja, në të vërtetë, i vinte nga ata që ishin në krye të pushtetit, të cilët nuk kishin pastruar nga mendësitë moniste. Dhe këtë Petriti e thotë me finesë nga fundi i tregimit, kur, ndërsa ishte duke pirë një kafe, shfleton gazetën dhe ndalet te faqja e jetës parlamentare, ku sytë i “mbetën te deklarata fantastike e kreut të Kuvendit, një ish i persekutuar politik i diktaturës, i njohur për shprehjet ekstra , i cili kishte thënë në një takim me përfaqësues të rinisë së djathtë, ku ishte ftuar dhe Mis Albania e vitit, se miset nuk mund të jenë të majta!...”

Bir i një familjeje që në Luftën Antifashiste i dha atdheut një dëshmor, Petriti dëshmohet në poezitë dhe tregimet e tij njeri me shpirt atdhetari. Dhe atdheu për të nuk është vetëm Shqipëria politike, po më e madhe, siç është në të vërtetë. Gjatë një vizite në Prishtinë në vitin 2008 atij i bën përshtypje stenda me fotografitë e të zhdukurve në luftën e viteve 1999-2000. Dhe u kushton këtyre poezinë “Ndjesa e munguar” në të cilën denoncon krimet e kryera nga Serbia. Ai shkruan: “Kjo stendë e thjeshtë është akuza më e rreptë/ Për barbarinë serbe, që kaloi me furi./ Dhe pas kësaj tmerrnaje gjëja e parë,/ Që duhet të bënin serbët, patjetër,/ Do të ishte kërkimi i ndjesës shqiptarëve,/ Që të niste kështu pastrimi i ndërgjegjes./ Por serbët këtë ende s’e kanë bërë/ Dhe ky është krimi më i madh nga çdo krim./ Kjo do të thotë se serbët ende janë sëmurë/ Dhe do të duhet kohë për shërim...” Një pohim, vërtetësinë e të cilit po e demonstrojnë serbët më veprimet e tyre edhe 15 vjet nga koha kur Petriti shkroi këtë poezi. Serbët janë një komb i sëmurë nga shovinizmi ekstrem dhe urrejtja për viktimat e tyre, shqiptarët. Do të duhej që kjo poezi të afishohej në stendën me fotografitë e të zhdukurve si një akuzë për mizoritë e Serbisë dhe për t’i treguar botës se serbët nuk janë shëruar nga shovinizmi.

Botimi që po paraqitet sot, ta forcon bindjen e krijuar nga leximi i dy vëllimeve të para të tij se Petriti ishte një mjeshtër i fjalës. Ai kishte një shpirt poeti, por jo nga këta poetët që thurin bejte dashurie, po qenie sociale, njeri me ndjenja, me nuhatje të hollë, me horizont kulturor. Do të kishim pasur prej tij edhe shumë kontribute të tjera letrare, po të mos i ishte ndërprerë jeta në kulmin e fuqive të tij krijuese. Por edhe me kaq sa shkroi, ai do të mbetet në kujtesën jo vetëm të të afërmve, po dhe të gjithë atyre që i kanë lëçitur apo do t’i lëçitin librat e tij.

42 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page