Infermieri që gëzon respektin e Elbasanit
Prof Dr Fatmir Terziu
Ishte vetëm një telefonatë. Dhe zëri nga larg m'u duk sikur oshëtiu në veshë. Qielli u duk se ishte larush, me shumë ngjyra dhe dielli sikur po shkëlqente përtej reve të dendura të këtij ishulli tipik ku ndodhem prej vitesh. Të gjitha gjërat, ndodhitë, gjendjet dhe gjendësitë dukeshin se ishin në atë çast vetëm paqësore dhe të gjitha luftërat e grindjet, ulërimat dhe zërrat e çjerrë dukej se ishin lindur në atë moment për të qenë vetëm të qeta. Eh, pëshpërita me vete, ndërsa kisha harruar se celulari ende përcillte zërin e ardhur në veshët e mi. U përhumba duke menduar se dashuria paska zëvendësuar urrejtjen dhe toleranca paska zënë vendin e mospajtimit. Tashmë thashë me vete se të gjithë njerëzit mund të ulen së bashku dhe të bisedojnë në të njëjtin vend. Dallimet inkurajohen dhe nuk mendohen si diçka që na bën javë e tërë e lodhshme. Të gjitha pikëpamjet dëgjohen dhe ne mund të biem dakord të mos pajtohemi. Uria është zëvendësuar me bollëk dhe fëmijët mund të luajnë në vend që të fshihen nga frika. Të gjithë jemi të bashkuar si një njerëzim nën një qiell ylber. Ishte thjesht një telefonatë. Dhe zëri ishte mjaft i njohur për mua… Ai nuk sillte panjohje, nuk mundohej të shtonte shqetësim. Vetëm sytë e ndiqnin sikur ta kishin pranë. Sytë menjëherë kapën qiellin. Qiellin më pas, thjesht pas vetëm tre orësh e kishte palitur pjesa metalike e makinerisë që transportonte trupin tim, teksa mendja kishte orë të tëra që shëtiste atje, pikërisht atje ku qëndronte e shtrirë dhe e sëmurë nëna ime e shtrenjtë. Sakaq kisha harruar kohën ndërsa koha më kishte prurë në një rekord pranë krevatit të saj. Ajo, e shtrenjta ime, që përballej me disa sëmundje, lëvizi vetëm dorën, pastaj lehtas dhe kokën dhe kërkoi që ta ngrinim paksa mbi dy jastëkë bardhë borë.
„Erdhe bir!“ – më kishte marë malli. „Unë jam më mirë. Nuk kam asgjë unë, jam e fortë, pastaj more bir këtu më vijnë të gjithë këta shokët e tu, mjekë, doktora, infermiera. E ky që është pranë tashmë, që ndodhet fare afër meje këtu, më është bërë si ju, djemtë e mi të dashur. Më qëndron gjithnjë pranë meje. Më ndihmon me gjithë mundësitë që ka…
Nuk mund ta fshihja respektin që mund të shumëzohej qindrafish me atë fjalë, ndërsa e dija që dhe për babain tim të shtrenjtë, ai ishte gjithnjë i gatshëm, i gatshëm të gjendej aty, orar e pa orar, edhe në atë kohë të mallkuar me Covid-19-të, ku vështirë të gjeje mundësi dhe qasje bluzash të bardha në shtëpi. E kështu respekti natyrshëm bëhet një arsye më shumë të kërkosh e të gjesh në këto fjalë të stampuara nga gojëmjata ime e shtrenjtë, nëna ime e paharruar, Njeriun mbi të gjitha. Është nga ata njerëz profesionistë dhe me shpirt e përkushtim që jetën dhe aktivitetin e tij profesional e ndan me Qendrën Spitalore Elbasan, ku ai punon me orar të plotë, Pedagog i Jashtëm në Universitetin e Elbasanit, Fakulteti i Infermerisë, Sekretar i Urdhërit të Infermierëve të Qarkut të Elbasanit, e duke shtuar dhe dozën e kohës së lirë me të cilën ai gjendet dhe ndodhet i gatshëm për të ndihmuar sadopak njerëzit në nevojë. Këtë Njeri, këtë Profesionist të fushës së mjekësisë e njohin tashmë të gjithë në Elbasan. Dhe të gjithë e thonë për të një fjalë. Një fjalë që shkon në respektin dhe përkushtimin e tij të radhë. Natyrisht, ndoshta krejt ndryshe në këtë shkrim të dedikuar për këtë Njeri dhe Profesionist, emri u radhit nga fundi, por ai që qëndron në krye, ai që mbetet frymëzim për mjaft të tjerë është Kujtim Isufi.
Kujtim Isufi është aktiv, i gatshëm dhe i gjendshëm, i lidhur mjaft mirë me mjekët e të gjitha kualifikimeve dhe kështu ai ka formuar një rrjet, që do ta kishin zili mjaft qytete. Duke ditur se marrëdhënia midis mjekëve dhe infermierëve është një marrëdhënie e ndërlikuar, ai gjithnjë e ka prioritet mënyrën e komunikimit, gjetjen e gjuhës me ta dhe më së shumti dhe respektin e merituar për bluzat e bardha. Dhe kështu mirëkuptohet se të dy, mjek dhe infermier, janë atje në kohën dhe vendin e duhur, për t'u „Kujdesur për pacientin“. Secili ka rolin e vet. Mjekët janë padyshim përgjegjës për „kujdesin e pacientit të tyre“. Sidomos në një sallë operacioni. Dikush duhet të jetë përgjegjës kur gjërat po shkojnë në një kahje më të vështirë. Nuk është koha për debat, por koha për të vlerësuar atë që ndjeva dhe pashë me sytë tek ky profesionist elbasanas, në rastet që më dhimbën shumë, që më parë mjaft herë falë tij u bënë dhe më pak të dhimbshme për mua që ndodhesha larg prindërve, po aq dhe për fëmijët dhe familjen time, ndërsa shërbimi shembullor i familjes së vëllait tim nuk ka të llogaritur, pasi prindërit e mi ishin me fat që kishin dy mbesa të fushës së mjekësisë pranë tyre.
E fjala tashmë në këtë shkrim është tek Kujtim Isufi, profesionisti dhe humansist që di të gjejë gjuhën me specialistët e tjerë të mjekësisë në momente mjaft kritike për jetët njerëzore. Kjo qëndron në një pikë, aty ku marrëdhëniet mes profesionistëve krijojnë fuqi. Në jo pak raste doktorët janë disi më ndryshe. Ndaj kjo "fuqi" më shumë se herë pas here u shkon në kokë dhe ata nuk i trajtojnë shumë mirë infermierët me të cilët punojnë. Dhe ndonjëherë ata janë të tmerrshëm për ta! Kjo është toleruar për një kohë të gjatë. Nuk është aq e keqe sa ishte dekada më parë, por është akoma më e përhapur sesa duhet. Pse është kështu? „Jam i bindur se shumë mjekë, veçanërisht kirurgët, janë të këqij me të gjithë ata me të cilët punojnë, sepse përpiqen ta bëjnë veten të ndihen më të mëdhenj duke nënçmuar ata që i rrethojnë“ – më thotë një qytetar i rastësishëm, ndërsa pres të takojë Kujtim Isufin.
Ndoshta për shkak të pasigurisë, mendoj t'i kthej ndonjë përgjigje qytetarit që më flet sikur të ishim dita-ditës bashkë. Dhe ai vazhdon me të vetën në shkallët e Poliklinikës „Për vite me radhë mjekët kanë toleruar sjelljen e tyre të keqe, veçanërisht në qendrat ku ata caktohen shefa dhe drejtorë nga poltika. Pavarësisht nëse janë „kapiten i anijes“, ata e çojnë atë në një ekstrem. Hedhja e instrumenteve, bërtitja dhe sjellja e keqe ndaj stafit.“ Unë vetëm tund kokën…
Por sjellja, përkushtimi dhe angazhimi profesional e ka bërë tashmë Kujtim Isufin në këtë lidhje të kuptojë, se pasqyrimi më i mirë i karakterit të një personi është mënyra sesi ai trajton ata përreth tij që mendojnë se nuk mund të bëjnë asgjë për ta. Shumë njerëz janë të mirë kur ka diçka në të për ta. Dhe këtë e ka kuptuar me kohë Kujtim Isufi, infermieri që kohën, familjen, detyrimet jetike i lë pas dorë për të shpëtuar jetë njerëzish, dhe jo vetëm, por me mënyrën e tij efikase të karakterit që bën shokë dhe doktorët më arrogantë, dhe që pastaj me profesionalizmin që i karakterizon të shpëtojnë jetë njerëzish e të lehtësojnë dhimbje të sëmurësh.
E ndërsa kohë më parë në Elbasan u takuam për të pirë një kafe miqsh tashmë, e pyes se pse gëzon kaq shumë respekt në këtë qytet, kur ai është thjesht një infermier. Ai na u përgjigj me një qetësi dhe me një seriozitet, sikur të ishte para ndonjë provimi. „Unë i respektoj të gjithë. Jam i kënaqur kur i shërbej çdo kujt. Kjo është puna ime. Shumë nga ata që më respektoj, dhe natyrisht i respektoj dhe unë, nuk e njohin punën tonë. Nuk i dinë vështirësitë që përballemi dhe nuk e njohin profesionin tonë, por ne me ëmbëlsi dhe me qetësi, me profesionalizëm, kominkim të mirë ndërtojmë ura miqësie dhe mbi to fuqizohen dhe murret e respektit. Kjo flet qartë, por Kujtim Isufi tashmë po bën disa vjet çdo ditë është në shërbim dhe i përkushtuar ndaj këtij profesioni, që është njëkohësisht pasioni i tij më i madh.
Comments