top of page

Imazhi i Isa Boletinit


159 vjet nga lindja dhe 107 vite nga vrasja e Heroit të Popullit Isa Boletini (15 Janar 1864 – 23 Janar 1916)

Imazhi i Isa Boletinit

Nga Merlin Tushe





· Këtë moment unë e lidh edhe me figurën e Heroit tone Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pak ditë më parë më ra në dorë libri me titull “ISKENDER” i shkrimtarit Halit Daci, ish-ushtarak i lartë në Shqipëri, i cili jeton prej vitesh në SHBA, së bashku me familjen. Në libër autori i kushton vëmendje edhe Reklamave fantastike e afisheve që i bëheshin figurës së Skënderbeut për Operetën “ISKENDER” përgjatë viteve 1880-të, në SHBA, të cilat janë paraqitur me një stil krejt të veçantë


Edhe pse kanë kaluar 107 vite nga vrasja e Heroit të Popullit Isa Boletini, nga forcat malazeze në 23 Janar të vitit 1916 në Podgoricë (dhe 159 vjet nga lindja e tij – 15 janar 1864 në fshatin Boletin), për të treguar madhështinë e figurës së Isa Boletinit, populli ynë e ka shprehur imazhin e Tij në mënyra dhe forma të ndryshme. Janë shkruar libra shkencorë dhe letraro-historik dhe, janë mbajtur Konferenca Shkencore mbi jetën dhe veprën e Isa Boletinit.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për Heroin tonë, portreti dhe figura e Tij është paraqitur në simbole të shumta shqiptare, si buste, monumete e flamurë. Universitete mbajnë emrin Isa Boletinit, rrugë, bataljone ushtarake jashtë vendit janë quajtur me emrin e Isa Boletinit. Kemi emra njerëzish, filma e dokumentarë të shumtë, bluza të ndryshme me portretin e Tij.

Siç ishte edhe rasti i patriotit Ismail Morina, kur më 14 tetor 2015, ngriti flamurin “Autochthonous” në mes të Beogradit, ku ne stdiumin “Partizani” po përballej kombëtarja e futbollit shqiptar me kombëtaren e Serbisë. Më pas policia serbe e arreston Ismail Morinën.

Si sot nëntë vite më parë, në mënyrë spektakolare flamuri Shqiptar u valëvit i lirë për disa minuta në qiellin e Beogradit. Kaq mjaftoi që Serbia të dëshmonte edhe një herë frymën e saj antishqiptare…., ku pas 42 minutave lojë një flamur shqiptar me Hartën etnike, portretet e Isamil Qemalit dhe Isa Boletinit, dhe mbishkrimin “Autochthonous” fluturoi me dron përpara 25 mijë tifozëve….

Një figurë të ngjashme të Heroit Isa Boletini e ka paraqitur në filmin e Kinostudios Shqiptare edhe aktori i njohur Reshat Arbana, i cili tek filmi “Nëntori i dytë” u përzgjodh mes shumë aktorëve të tjerë për të interpretuar Isa Boletinin, rol të cilin ai e realizoi me sukses.

Ndërsa 3 vite më parë, në një fshat të Korçës, një djalë i ri, amator në fushën e artit, në dimër në kohë me borë skaliti e krijoi me dëborë monumentin madhështor të Isa Boletini. Ishte një punim shumë special, që artisti kishte dëshirë të qëndronte gjatë, por bora u shkri, bashkë me të edhe monumenti i Isa Boletinit. Foton me skulpturën prej dëbore të Isa Boletinit, na e dërgoi mikja jonë Merita Bajraktari McCormack i cila është nga Korça dhe jeton me familjen e saj prej vitesh në Washington, D.C.

Si pjesë e Folklorit Shqiptar janë edhe poezitë e tekstet muzikore që poetët e rapsodët popullorë i kanë krijuar Isa Boletinit. Nëpër veprimtari të ndryshme të komunitetit tonë në New York, rasti më solli të takoj poetin popullor Isa Breçani, emrin e të cilit ja ka vendosur daja i tij Bajram Dula nga krahina e Gashit në Tropojë, për nder të Heroit Isa Boletini, ndërsa nipit tjetër, vëllait të Isait, i ka vendosur emrin Adem, për nder të të atit të Isës, si trim e patriot i madh i shqiptarëve. Edhe Isa Breçani ka shkruar disa poezi kushtuar Isa Boletinit, të cilat i reciton nëpër festa e aktivitete të shqiptarëve në Amerikë.

Siç tregon Isa Breçani, gjyshi i tij Kasem Breçani ka luftuar përkrah Isa Boletinit për 13 ditë në vitin 1910, në njerën nga betejat e Qafës së Morinës, kundër xhonturqve. “Sipas tregimeve të gjyshit, thotë Breçani, Isa Boletini ishte shumë fisnik, patriot i madh, njeri tepër bujar e trim i rrallë. Ishte shtatlartë dhe në Odat e Kuvendeve kur i duhej të hynte përkulej shumë për të hyrë brenda.”

Gjithashtu edhe nëna ime, si pasardhëse e Boletinëve, ka vite që në çdo aktivitet me komunitetin tonë në SHBA, pavarësisht se nuk ka lidhje me jetën dhe veprën e Isa Boletinit, merr me vete edhe portretin e Isa Boletinit dhe e vendos në një kënd të dukshëm në ambjentin ku mbahet tubimi. Pankartë që e ka përgatitur piktori dhe veprimtari i njohur në New York Astrit Tota. Shumë syresh e kureshtarë e kanë pyetur se, çfarë e lidh eventin me figurën e Isa Boletinit.

Këtë moment unë e lidh edhe me figurën e Heroit tone Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pak ditë më parë më ra në dorë libri me titull “ISKENDER” i shkrimtarit Halit Daci, ish-ushtarak i lartë në Shqipëri, i cili jeton prej vitesh në SHBA, së bashku me familjen. Në libër autori i kushton vëmendje edhe Reklamave fantastike e afisheve që i bëheshin figurës së Skënderbeut për Operetën “ISKENDER” përgjatë viteve 1880-të, në SHBA, të cilat janë paraqitur me një stil krejt të veçantë.

Në Amerikë kjo lloj reklame u bë tepër interesante. Shtoi kuriozitetin, shumë njerëz filluan të blinin bileta për të parë dramën “ISKENDER” mbi Skënderbeun realizuar nga dramaturgu amerikan William D. Eaton. Në çdo faqe gazete, apo postera publicitarë, siç ishin atë kohë, shkruhej me shkronja kapitale emri i Skënderbeut “ISKENDER”. Edhe në rastet kur në një artikull gazete përmbajtja nuk kishte asnjë lidhje me emrin e Skënderbeut, reklama do të shihej vendosur në krye, në mes dhe në fund të artikullit me shkronja kapitale.

56 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page