Ramë Oraca: ,,KALORËSI I HIJEVE”, poezi, botoi ,,Lena” – Prishtinë, 2023
1. Me shkas
Ramë Oracën (1958) krijimtaria e tij letrare për dekada e bënë të njohur për opinionin artdashës. Ai pas disa titujve në poezi, prozë, dramaturgji, vjen me librin e radhës ,,Kalorësi i hijeve”, që mund të konsiderohet ndër më të veçuarit në opusin e tij krijues, qoftë për tematikat që trajton, qoftë për vlerat estetiko-letrare që takojmë brenda kësaj lënde poetike.
Një shpalosje mbresash nga shfletimi i këtij libri do t’ia lehtësonte lexuesit ta gjej fillin e ngjarjeve të ndryra në botën e hijeve, të zbuloi misterin e kësaj poezie që për pikënisje ka legjendën e bashkëdyzuar me veprimet e tri kohërave të ravijëzuara mbi bazamentin e ndërtimit poetik.
2. Doruntina shpërfill tisin e hijeve të kohës
Ramë Oraca, me zhdërvjelltësi shtjellon gjetje të reja, si në prozë, ashtu edhe në poezi. I tillë vjen edhe me librin ,,Kalorësi i hijeve”, ku me sukses do ta ndërtoj lojën e personazheve - hije, që sa dalin nga legjenda, sa i kthehen asaj përsëri, gjithnjë duke mbajtur një dorë në jetën reale, për të cilën ishte dhënë besa e përjetshme. Ai krijon një teatër mes dramës, tragjikës dhe vizionit të jetës, që bashkudhëtojnë si një hije e pandarë deri në pafundësi.
,,Kalorësi i hijeve” të shumtën e herave vjen përmes rrugëtimit me Kostandinin, të cilit pas një dialogu të gjatë, do t’i kujtohet sërish fjala e lënë peng te motra, që i tingëllon si kumt: ,,mblidhe trupin tënd dhe nisu/ gjaku yt po të kërkon”. (po aty, fq.9), për ta vazhduar rrugën mes këshillave dhe zbërthimit të pamjes së tij prej hije: ,,Qenke bërë si roje varresh/ e motra po të pret/ pret vëllain e fjalës”. (po aty, fq.11). I ndodhur mes vdekjes dhe fjalës së dhënë, në përpjekje të vazhdueshme që ta dalloj hijen që i parafytyrohet, nëse është motra, apo nëna, që ka marrë udhë nëpër varreza ta takoj djalin. Kostantini i sigurtë se ajo vërtetë po vjen ta takoi, do t’i drejtohet Kalorësit të hijeve: ,,Ti nuk e njeh fytyrën e nënës/ ajo erdhi gjurmëve të mia/ erdhi si agu i një nate të acartë/ shikomi sytë/ sa shumë i ngjajnë asaj/ -Nënë jam syri yt!” (po aty, fq. 12). Ky dialog vazhdon edhe më tutje në përafrimin e kjartësive mes dy hijeve: ,,Doruntinën e kemi motër që të dy!/ e nëna nuk vdes kurrë/ sado të plakemi ne/ ajo ringjallet në sytë tanë.” (po aty, fq. 13).
Vërtetë, Kostandini do ta kërkoj gjatë gjithë kohës Doruntinën, ndërkaq parreshtur i shqitet një hije që i gjason nënës, e cila, pas një pritje të gjatë që t’i kthehen bijtë, (ashtu siç e thotë edhe legjenda), në një çast niset për ta takuar birin e saj, Kostandinin, gjithnjë mbi parimin e fjalës së dhënë, se shkeljet e hijeve nuk durohen as në përtejbotën e saj. Mbi bazën e kësaj legjende, poeti e shtron tematikën e shtjellimit të ngjarjeve mes bashkudhëtarëve, Kostandinit dhe Kalorësit të hijeve, që të mbyllur si në Kuti të Pandorës vazhdojnë të veprojnë në ,,Teatrin e hijeve”, në përballje të shpeshta me ,,Hijet e zeza”. Të gjitha skenat e lojës defilojnë ,,Midis dy hijeve”, që nuk janë, veçse personazhet e njëjtësuara në një trup dhe një hije të vetme, që do t’i përcjell kudo, herë si vdekje, herë si ringjallje, në përmbushje të besës së dhënë. ,,Doruntinën e solla unë/ ajo menjëherë më njohu/ ishte po ajo që ia dhashë besën.” (po aty, fq.17). Dramaticiteti i kësaj përballje mes hijesh sa vjen e konkretizohet me kuptimin e realitetit që po ndodh jashtë varrit. E nëndheshmja si hije dhe pritjet e pafund në përmbushjen e besës konkretizohen me njohjen e zërave që thërrasin djalin, vëllaun, shpëtimtarin. Tashmë, vetë Doruntina do të shpërfill tisin e hijeve:
Kostandini:
Vet zëri i Doruntinës është
qenka përzier me lotin e nënës
të nisemi bashkë.”
Kalorësi i hijeve:
Prit sa të hyjnë hijet brenda njëra-tjetrës
dhe nisemi kah vaj i motrës!
(Po aty, fq. 17)
Këtu, imazhi i hijes nuk shqitet për asnjë çast, sepse hija e ndanë realen dhe mistiken e kësaj drame jetësore deri në zbërthimin e kuptimësisë së ngjarjeve.
3. Retrospektiva e legjendës në poezinë e Ramë Oracës
Pas një situate të gjatë e të mundimshme të zhvillimit të këtyre ngjarjeve, dikush do t’i tremb ato hije me erë dheu që stërzgajten në lëngatën e natës. ,,Një hije e përgjakur po thërret/ Fytyrë-dheu paska/ E sytë plot ujë.” (,,Lajmëtari memec”, fq.19). Tashmë kjo dramë do të bartet në jetën reale, në retrospektivë të hijeve nga legjenda, për të ndërtuar kështu botë-jetën mes të gjallëve, intrigave, dhimbjeve, besimit dhe guximit të plotë në përballje me realitetet e reja.
Gjithnjë flasim për një zhvillim të panumërt ngjarjesh, për ndodhi fenomenesh, përplasje mendimesh, deri në takimin e hijes me personazhet tjerë, për të vepruar si një trup i vetëm në mundjen e hijeve që na rrethojnë në kohëra të ndryshme, me qëllime të caktuara. Kjo mbase është gjithë esenca e mbarështrimit tematiko- motivor në gjithë poezinë e librit të Ramë Oracës.
Tashmë gjithçka ndryshon këtu: e kaluara si kujtesë, dhe përditshmëria si ndodhi, qoftë edhe imagjinare; pastaj gjendja materiale e familjeve pas shkatërrimit të gjithçkaje në trojet e tyre, të cilat do të shprehen veç si kujtime, sepse ,,Në maja të malit tonë/ Bora po shkrihet/ E askund gjurmët tona” (,,Mali i djegur”, fq. 21).
Do të ndaloja pak më gjatë në poezinë ,,Lumi i kripës”, ku ,,Sipas ëndrrës së mbrëmshme/ Sërish akuzohen hijet/ Për gurin e nënkresë/ Që e hodhën në lumin e kripës”, (po aty, fq. 27). Nga këtu gjithçka rikthehet në kujtesën e së djeshmes, të kaluarën pa skenar, pa synopsis dhe pa përmbajtje, që të ngurtësuara vërtiten në kujtesën popullore, si dhimbje, si humbje dhe ëndrra të paprekshme në kohën tonë, për ta kërkuar pastaj të ardhmen edhe te hijet, meqë ,,Nga heshtja e varrmihësit/ Edhe eshtrat u lëkundën/ Nga troku i hijeve të zeza”. Poeti, sikur e ka kuptuar këtë ndryshim në kohë. Ai tashmë e zhvendos trajtimin tematik në retrospektivën e ngjarjeve në kohën e tashme, anipse nganjëherë do të ngatërrohet në çaste e situata të veçanta.
,,Kur arritën te lumi i kripës
Dikush ma shkeli hijen
Dhe u rrëzova para hijes tënde”.
(Po aty, fq. 27)
Ende ndodhemi ,,Para teatrit të hijeve”, shprehet poeti, ,,Ku luhet fat i fatit tim”, prej nga ,,Kjo hije e purpurt/ Në lojë me hije të zeza/ Me këmishën time të përgjakur/ Nga etja e madhe/ Imiton vdekjen artistike”(po aty, fq. 33). Nisur nga njohuritë e përgjithshme për jetën, këtu takojmë të trajtuar pjesërisht dramën e quajtur Jetë, me vlerat, karakteristikat e veçuara në kohë, ndryshimet dhe sprovat që ofron ajo, por i vetëdijshëm se ,,Asnjë dramë/ Nuk u shkrua deri në fund/ Për lojën e hijeve të gjata”, as këtu nuk mund të përmbyllet kapitulli i jetës, as përmes vargjeve më të spikatura, por një prekje e mirë tematike bën të kuptohet se rrjedhat e saj kanë orientim të pranueshëm, në përballje me ndryshimet, vlerat, synimet, etj. Prandaj, ndodh që në meskohë ,,Fantazma e hijes sonë/ Shpesh ngjallet nëpër ëndrra/ Me sy tanë!” (,,Fantazma”, fq. 37), pa mos ia cënuar rrjedhën normale jetës, si veprim dhe synim parësor i njeriut të kohës. Megjithatë, në vazhdimësi luhet ,,Drama” e jetës, edhe atëherë kur: ,,Si në pasqyrë të thyer/ Krejt në fund të skenës/ Prapë inskenohet loja/ Për të mbijetuarit/ Nga dergja e maskave.” (,,Drama”, fq. 41). Në rrugën e pandalur të jetës ,,Dikush edhe me veten aktron/ Sa për një kore buke.” (,,Kori”, fq. 45).
A nuk flasin mjaft edhe këto vargje për nënën, në poezinë ,,Askund gjurmë dashurie”, për ta kuptuar lidhshmërinë mes kohërave, me ndryshimin e daljes nga legjenda dhe kthimin në kohën e tashme?
,,Shpirti po më digjet kur e shoh nënën
Ndër engjëj duke më kërkuar”
(Po aty, fq. 108)
Por, çfarë thonë edhe shumë poezi tjera, si:,,Asnjë pikë uji”, ,,Te Guri i Shpuar”, ,, Piku Molla e Kuqe”, ,,Ora e ndryshkur”, ,,Në Shtëpinë e pleqve”, ,,Dergja e luleve”, ,,Vetëm Talia”, ,,Rruga e nisjes”, ,,Përsëri mëkati”, ,,Zogu me zemër njeriu”, ,,Somnambul”, ,,Varri i Kalorësit të hijeve”, ,,Nën copën e qiellit tonë”, ,,Aromë shiu”, ,,Fati i fatit tonë”, ,,Baladë për fjalën”, ,,Motiv për aktin e pritjes”, ,,Të pagjumët e tymnajës”, ,,Paraloja e një loje”, ,,Bregu i flijimit”, ,,Kur çel dashuria”, ,,Rrathët e vdekjes”, ,,Midis dy zanoreve”, ,,Kur je i askujt”, ,,Kur je vetëm”, ,,Askund gjurmë dashurie”, etj., të cilat në sfondin e vet shpërfaqin ngjarje e situata që trajtohen brenda kësaj laryshie temash, për të ndërtuar kështu një jetë botëkuptimesh, që për qëllim kanë dekodimin e një enigme, të analizuar tashmë, edhe në këtë shkrim mbresëtakimesh.
4. Ndalimi i trokut nuk është edhe fundi i fjalës
Këtu, Drama e hijeve, përveç tjerash, e ka Premierën, Paralojën, Fantazmën, Prologun, Monologun, Dialogun, Dramën, Komedinë, Tragjedinë, Epilogun, Korin, Reprizën, etj, që të gjitha e përbëjnë Teatrin e madh të hijeve, ku figurat ngarendin si fije të holla, mes të cilave, gjithnjë i mbështjellur me mjegullën gjysmë të tejdukshme ndodhet autori, në lojë-kryelojën e trillit poetik, për të nxjerrë brumin e thadruar, me të cilin do ta ndërtoj skenën e jetës nëpër kohë.
Togfjalëshat, apo vargje të shumta, ku hija është pjesë qendrore e trajtuar në poezinë e Ramë Oracës, i takojmë pothuajse në çdonjërën nga poezitë e këtij libri (ku në ndonjërën nga poezitë hija vjen edhe në dy e më shumë raste), për ta formuar prezencën e kësaj loje enigmatike të pazgjidhur mes legjendës dhe dramës së krijuar për jetën, si fenomene që autori i trajton në këtë libër. E gjatë është lista e këtyre togfjalëshave, që në lidhje të vazhdueshme fjalësh e vargjesh do të ndërtohet struktura e kësaj materje poetike, apo e një poeme për hijen, si strumbullar tematik i shtjellimit mbi elementet e legjendës, si dy ndërlidhje esenciale të një bashkudhëtimi tematik. Nga gjithë ky arsenal togfjalësh të mbështjellura me hijen, do të veçojmë disa prej tyre, që konsiderojmë se kanë një forcë të qëndrueshme në ndërtimin e kësaj poezie, si: Kalorësi i hijeve, Dhe nisu pas hijes sate, Kur s`ke vend për hijen tënde, Mos i kërko gjurmët e hijeve të zeza, Duket si hije gruaje, Dikush e trembi një hije varri, Kjo hije ma shumë po të përngjan ty, Mos humb kohë me hije të pashpirta, Nën hijen e një guri, Prit sa të hyjnë hijet brenda njëra-tjetrës, Dikush i trembi hijet e gjata, Një hije e përgjakur po thërret, Në bregun e hijeve, Vetëm një hije më njohu, E gjetën të varur në hije të vet, Nga hiri i malit të djegur, Ranë përtej hijes sime, Dy hije të verdha, Një hije ma preku dhimbjen, Një hije guri më përcjell, Vetëm hija e një lisi, Në mbretërinë e hijeve, Copat e hijes sime i gjetën, Para teatrit të hijeve, Kjo hije e purpurt, Nga pluhuri i hijeve, Fantazma e hijes sonë, Hija ime hyn në skenë, Në lojë me hijet gungaçe, Dikush çobançe e ruan hijen e vet, Hijen time e merr në thumb, Me hijen e njëri –tjetrit, Derisa të vijnë hijet tona, Mund t’i zgjosh hijet e natës, Në këtë amfiteatër hijesh, Gjurmët e hijes sime po më zbulojnë, Askush nuk ia shkeli hijen aq shumë, Jam në cep të hijes sate, Me hijen time kokëfortë, etj. Këtu prezenca e hijes sikur nuk ka fund, prandaj pa mos e rënduar më shumë këtë shkrim me citimin e çdonjërës veç e veç, po lë mundësinë e takimit me këtë ,,material ndërtimor” të pafund, gjatë shijimit të vargjeve që farfurijnë në skena e prapaskena që përbëjnë tërësinë tematike të shtjellimit.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve të deritashme, përsëri ,,Kalorësi i hijeve” ngarend të prek ngjarjet nëpër kohë, herë si legjenda, herë si hije meskohësh, që ,,Kushedi sa shekujt i ka kullotur ai/ Deri në ditën e sotme/ Asnjë histori nuk qe e zonja/ Që ta zbresë kalorësin/ Nga hija e tij gungaçe” (po aty, fq. 110).
Por, në parim ,,Kush duhet t’i vrasë hijet e zeza?
Në gjithë situatat që takojmë, kjo pyetje sikur e imponon prezencën e hijes së autorit, i cili në ngarendje ,,Të kalorësit pafre” që vazhdimisht kalëroi edhe mbi trupat e të tjerëve ,,Duke kërkuar adresën time” (po aty, fq.110), patjetër duhet të dal nga hija e vet për ta shpalosur enigmën, si synim parësor në këtë realizim poetiko-letrar. Kjo mbase mund të ndodh një herë tjetër, meqë ende ,,I njëjti fat po na bënë strehë/ Derisa të vjen e nesërmja/ Në një libër tjetër/ Me emrin e fatit tim” (,,I njëjti fat”, fq. 112).
Besojmë se, poaq sa ka arritur të begatojë veprën letrare figurshmëria e bollshme, gjuha e rrjedhshme dhe, në përgjithësi, semantika e vargut, aq më shumë do t’ia zgjoj kërshërinë lexuesit tematika e trajtuar, si një ndërlidhje konceptuale e kohë–ngjarjeve, duke i kompozuar të gjitha në retrospektivë.
Padyshim se asgjë nuk do të përfundon këtu, derisa mbetet edhe shumë për t’u thënë e analizuar nga kjo poezi, që reflekton mesazh të fuqishëm dhe vlera të qëndrueshme letrare, në bashkudhëtim të rezistueshëm në kohë.
Comments