top of page

IMAZH NË DY KOHË


IMAZH NË DY KOHË


(Vendlindjes sime, Smolicës)


Kujtimet rrugëtojnë hapësirës pafund

Duke përtypur kohën rrugëve të harresës

Përfytyroj kullat trekatëshe fortifikatë jete

Si gozhdë e ngulur përjetimeve përgjithmonë

Fëmijërinë miklojnë këngët e odave

Në dridhje të telave të çiftelisë

E lojërat lëndinave pambarim

Rrugëve të pluhurosura të fshatit tim

I tëri rrëqethem për kohën e ikur shpejtë

Valëvitje vajesh nëpër kohë

E floknaja e zbardhur rrezon si majave në bjeshkë

Një buzëqeshje e vrarë n‘bukuri.....


* * *

Më bëhet se e ndiej aromën e blirëve

Lëndinave të vendlindjes sime

E zukamën e bletëve në pjalmim

Imazh i një kohe të mbetur ëndrrave

Si mendime që se kanë fundin askund

Sikur një mbarim i papërfunduar...

Kur lodron malli rrugëtimeve të gjata

Kujtimet ndalen këndeve të jetës

Me sy të lotuar shikoj gjurmët në lëkurë

Kur vrapoja zbathur buzë Erenikut dikur

Këngës ia thosha në heshtje

Si zogjtë e dashuruar


* * *

Fëmijët harenë e kanë pakufi

Dëgjoheshin zërat shtëpi në shtëpi

E tufë- tufë delesh kullosnin si në shpat bjeshke

Barinjtë të moshuar nën blina mbështetur

Llafosnin duke dredhë cigare

Tymi shkonte fjolla-fjolla si re në qiell

Veshur me tirq e shokën bardh e zi

Herkën trupit e plisin e bardhë në kokë

Pranverave e vjeshtave dalldisej moti

Bënte kohë e ftoftë, binte shi shumë...


Tani ikën ato vite e ndryshime koha solli

Pleqëria si hajdute nate përdredhtë

Afrohet lazdrueshëm

E unë

Të freskëta i ruaj kujtimet në dy kohë

Shpesh lotët tregojnë vazhdat e jetës

Tani e vërej bukur

Në lëndina të fshatit tim ka një ndryshim

Elezi ka mbjellë shumë drunj pishe

E tërë ajo pamje ka marrë një shkëlqim


Fshati buzëqeshë për bukuri

Ndryshe nga dikur

Tani nuk kullosin më tufa delesh

Fushave nuk dëgjohet zë i fëmijëve

Kënga e hareja sikur janë shtjerrë

Vetëm piskamë gomash dëgjohen n‘asfalt

Si cijatje qeni natën pa hënë

Drita neoni zbukurojnë rrugët

Qetësia e ndrydhur vret bukurinë

Nuk dëgjohet zë fëmijësh as këngë barinjsh

Kanë marrë botën në sy

Dikush në Gjermani Austri e Amerikë

E njëri tjetrin nuk e njohin kur takohen

Do pleq e plaka lëvizin ditën për diell

Jetës i japin sadopak gjallëri

Derisa një ditë do ikin

Si djersë vese në orët e mëngjesit


Si pëshpërimë fjala vjen shtëpi për shtëpi

“Na shkuan edhe ata të dy pleq të vjetër...”

E toka qanë e malli djeg


Do zëra vijnë të mlleftë

Amanet “kthehuni kthehuni...

Të gjithëve dheu e toka po ju pret”

Këtu ishim e do jemi denbabaden

Kthehu rini në tokën e mbushur gjak

Për Liri...


(Gjakovë,nëntor 2023)

16 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page