top of page

Iliriana Sulkuqi: NË DO TË QUHESH GRUA…





- PAQJA FILLON DHE VAZHDON ME GRUAN…-


Në do të quhesh GRUA -

nuk duhet të pushosh së luftuari

për Lirinë tënde.

Të flasësh aq,

sa buzët e tua

të gjakosen nga fjalët.

Në do të quhesh GRUA –

Ngrihu mbi dashurinë tënde të vogël;

mbi dhimbjen që të vjen trazuar

nga ëndrra të gënjeshtërta.

Kujto fëmijërinë tënde

dhe bëhu përrallëza sot

për fëmijët e të ardhmes …

Në do të quhesh GRUA

dhe gjiri i shpirtit tënd

qumësht dashurije të pikojë –

duhet të mohosh gjumin e natës

me ëndrra të vockla…

(Nuk mund të flesh e përhumbur,

kur bota rri zgjuar…)

Duhet të mohosh

orët e këngës tënde

(nuk mund të ligjërosh

kur nuk këndon njëherësh BOTA).

Në do të quhesh GRUA –

Dil nga hijet

ku djajtë të nëpërkëmben,

duke rënduar mbi qepallat e tua…

Dil nga gërmadhat e zbrazjes!

Mbushi sytë me fosforin e agtë

të PAQES!

Në do të quhesh GRUA,

nëse do

të mos humbasësh trajtën tënde –

nga mendimi

deri te gjurma e hapit -

mos u gjunjëzo,

edhe sikur kamzhiku i kohës

të përplaset

mbi fytyrën tënde të bukur!

Ti,

duhet t’u thuash : “Lamtumirë”

bukurive të vogla

për të qenë Dashuria

që i ve emrin të gjitha DASHURIVE TË BOTËS -



 

SHTËPITË TONA…


(Ua kushtoj miqve dhe kolegëve të mi në emigracion)


Shtëpia ime me qera

Ka vetëm kukulla me gjuhë të huaj…

…Edhe ca lule nderë e tharë

që loti ynë i përvuan…

Shtëpia ime me qera –

Këmbadoraz në dhè të huaj,

Pret paranë nga unë të marrë..-

Vdes veten…Si do ta paguaj?!…

Shtëpia ime, kudo qofsh,

Mbi Diell a nën Hënë,

Bëmu një vatër nënkrese, moj,

T’paguaj dhe pa ngrënë!

Shtëpizë, ëndërr që më ftohesh,

Jepmë zë, paç Hirin tënd!

Shetita pash më pash dhe Ferrin

Por prushin tënd s’ma dogji dot!


 

PELEGRÍN...


“Shfletova qiejt, rresht e nëpër rrjeshta

Dhe midis qiellit të gjeta Ty...

Nëse në Tokë s’mjaftojnë letrat-

Fjalët prej shpirti, me rètë qendis...”

                            - mesthënie-autorja

Kam një lutje, për ty, Pelegrin.

Kam një brengë, kam një hall...,

Kam një lot që më ka ngrirë

E ma fsheh të shkretin mall...

Gjema Lotin! Merrma Lotin

Ndër vrapime kalëruar...

Ndoshta shkrin e pikon shi

Nëpër varre të harruar...

Merrma Lotin! Digjma mallin

Që më dogji gjer në hi.

Zjarri s’vjen nga Prometeu,

Por nga zjarri Dashuri.

 ….

Kam një lutje Pelegrin,

Kam një fjalë amanet -

Kur të shkosh në Vendin Tim

hiqmë “zvarrë” dhe nga rètë...

Se, më pas, pas ditë e Dite...,

Me një “peshë” sa trupi im -

S’ka avion t’më fluturojë,

Nuk ka “peshë” për Shpirtin tim...

........................

Të rrëfèhem, se e di-

S’ma shet shpirtin internet-esh,

Por ma gdhend-bardhë e zi-

Nëpër fletë me shkronja zemrash.

..................

Dhe një lutje (kjo, e fundit),

Mos ma merr për të vërtetë!

Kur t’i sillesh rrotull Globit-

Puthmi, puthmi..., ca POETË!

35 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page