- Si, kur dhe pse u shkruajt kjo poezi…-
{ Kjo poezi u bë pjesë e poezive të tjera në vëllimin “Ma vranë Ofelinë!...Oiii! Oiii!", përkthyer edhe në italisht nga Klara Kodra…
Titulli ishte : “Mbrëmë fjeta me Naimin”, dhe Klarës iu desh të spjegonte në italisht se kush ishte Naimi… Por, kur më duhej të përkthehej në anglisht, për kontinentin këndej, ia ndryshova pak titullin dhe në vend të: “…Naimin, e vura “…Poetin”… Nuk kam faj, Naim, që nuk të njohin në Amerikë…. Pastaj, çfarë rëndësie ka, nëse “fjeta” me Ty, apo me dikë tjetër… Rëndësi ka që unë “fjeta” me (Shën) Poetin…
…Teksa kaloja përmes lulishtes së vëllezërve Frashëri (për t’i rënë shkurt, pasi isha pak e vonuar…), papritur pengohem… Ndjeva dhimbje dhe pashë se nga ginjtërinjtë e këmbës së majtë po më dilte gjak… Teksa ngrita kokën, mos po më shihte njeri, u ndesha me vështrimin e bronxtë të Naimit…Isha penguar nga bordura prej çimentoje që e rrethonte monumentin e tij, por që e kish mbuluar bari… Belbëzova, në dhimbje e sipër: “Edhe ti, Naim më vure stërkëmbësh…?}.
Mbrëmë fjeta me POETIN…
Mbrëmë fjeta me Poetin
ju betohem: për qiell e për tokë,
nëse tradhëti ky akt e ka emrin,
shpirti juaj, shpirtin ma dënoftë…
Po, po, mbrëmë me Poetin fjeta.
në një shtrat-fjalëvarg,
nënkresë, një krah prej shpirti.
mbulesë, tis fryme – mërgatë…
Fjeta, por fjeta a s’fjeta,
s’di, a bëra dashuri?!…
Mbi gjoks të Tij kokën mbështeta
i brengosur si unë dhe ai…
Më fal, o Zot, në mëkat bëra,
i ngjita buzët me të Tij…
Sikur vërtetë të ishim bashkë,
do ishin tretur dhjetë qirinj…
KU PO FLE…?
Ku po fle,
ku po fle.
te një fjalë a mbi një muzë,
a me ëndrrën që të tret,
a mbi gotëzën me musht?
Ku po fle,
ku po fle,
në një cep shtrati të zbrazur,
me një trajtë semaforësh,
a mbi buzë nga morgu ardhur?...
Ku po fle,
ku po fle,
mbi petale trëndafilash,
përmbi èthe djalërie,
a mbi shkrepje shkrepëtimash?!
Ku po fle,
ku po fle,
pranë një vatërze përralle,
a mbi sy ku grirojnë re
dhe pikojnë vetëm nga malle?
Zgjohu,
zgjohu, n' sy më shih,
se s’kam kohë për t‘u rrëfyer,
do të nisem për shtegtim,
buzët ende s’i kam lyer…
Ku po fle...?
Comments