top of page

Iliriana Sulkuqi: Cikël poetik



Po plas!...

 

Po plas, po plas,

përse nuk shpika

rrota gjigande sa Dashuria...

Si një bujkrobe do e tërhiqja

gjithë Amerikën tek Vendlindja...

 

Po plas, plas që askund s'jam-

as ku kam lindur,

as ku do vdes...

Që s'bëra dot një varg të malltë

dhe pse me rrokjen fjeta jashtë.

 

Po plas, po plas,

kujt t'i rrëfehem

që m'troket ikja n’ rrëz' të veshit,

as bardh, as zi   s’më mbeti vargu,

një oqean m’ ndau nga Deti...

 

Po plas...po plas…

Që dhe një dorë-

shtatë breza nerv,

shtatë malle varg,

një firmë s’e hedh as për shkronjë,

një firmë s’e hedh as për një varr…

 

Po plas….Po plas

si në legjendë:

« ...Plasnë si poçe me verë... »

 

...ndaj syhapur...

 

 malli qenka dhe i bukur..

edhe pse të than si eshkë…

Jeta vetë na qenka –mall

Ndaj syhapur çdokush vdes.

 

 i thashë lotit…

 

Një ditë pa dritë, një natë pa hënë,

Lotin intim ma shanë e vranë…

 

 I pata thënë lotit tim-

përballë botës mos i dil…

Është kohë e keqe, një Zot e di,

do të të thajnë pa dalë mirë…

 

Nuk më dëgjoi, nuk më dëgjoi…

Si djal’ plangprishës

pa mua shkoi…

 

Një ditë , ah, ditë, pa mbushur ditën,

kthehet sërish lodhur e tretur…

Lutet e lutet mardhur e ngrirë

përmbi qerpik nga pritja djegur…

 

I kisha thënë, i pata thanë:-

S’i duhet botës një lot që qan…

 

Më thirre?...

 

…ja, erdha.

Sa të kaloj mbi njëmijë vjeshtëzat e mia,

Sapo t’ua mbledh gjethet e zverdhura,

Sapo t’ua shtroj tryezën “Hapy Birthday”

Në  larg-ikjen time…

Erdha!

9 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page