
Nëse do të besonim në Zot, edhe vdekja i vjen njeriut kur për ndonjë arsye, mund të mbahet mend më lehtë. I kthehet në “shenjim” atij që e meriton të jetë i paharruar. E shenjuar për jetën e Pajtim Bejtjes, këtij pionieri të madh të arsimit shqiptar, ishte data e fillimit të vitit të ri akademik 27 Tetori 2021, pasi vetëm një ditë më parë u nda nga jeta, shkolla, ish nxënësit e studentët, miqtë e dashamirët e shumtë. Të gjithë do ta kujtojnë me keqardhje të shtuar, pasi as nuk e përcollën dot siç do ta dëshironin për shkak të covid-19. Pra nuk i thanë dot “Lamtumirë!!”. Lamtumirë mësuesi ynë i palodhur në dobi të arsimit teknik e profesional të mesëm e të lartë për mbi 65 vite resht! Veprimtari që e ndërpreu vetëm pasi Ministria e Arsimit (e këtij tranzicioni!) ndërpreu edhe botimin e fundit shkencor pedagogjik profesional, që përgatiti 12 numra, buletinin “Arsimi mesëm profesional” më 2018. Sot në Shqipëri s’ka asnjë botim periodik, ndihmës e informativ siç ishin për shumë vite gazeta “Mësuesi” (më vonë revistë) “Revista Pedagogjike”, periodikët ndihmës të disa lëndëve për mësuesit e nxënësit etj…(!? )
Profesor Pajtimi ka qënë kontributor nga më të shquarit në zhvillimin e konsolidimin e arsimit profesional në të gjitha hallkat e pothuaj në të gjitha degët e tij, përfshi edhe ato të reja të hapura në vitet e tranzicionit. E nisi punën pedagogjike si mësues specialist në shkollën e mesme të minierave e gjeologjisë në Përrenjas të Librazhdit, vijoi në ish Politeknikumin “7 Nëntori” (sot “Harry Fultz”) për ta vijuar shef redaksie gjatë shumë viteve në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor e, pas vitit 1970 derisa doli në pension ishte shef i sektorit të arsimit profesional në Institutin e Studimeve Pedagogjike (sot IZHA) të Ministrisë së Arsimit.
Në pjesën e parë të atyre viteve, vitet 1960-70, në SHBLSH u desh të reformoheshin tekstet e lëndëve profesionale (brenda një reforme tërësore) si në përmbajtje edhe në cilësinë e botimit (nga dispenca në libra të dala nga shtypi i lartë), një punë me të vërtet e madhe, pasi brenda afro dy viteve u realizua me grupe pune rihartimi i çdo teksti e të qindrave së bashku, për degët e specialitetet që ekzistonin, përfshi edhe bujqësoret. Thamë punë e madhe, se duheshin kapërcyer edhe vështirësi të tjera të natyrës subjektive si instruktimi i autorëve për t’i përkthyer ose hartuar të reja tekstet ekzistues, instruktimi për mësimin e perdorimin me korrektesë të elementeve të gjuhës shqipe, e, sidomos, njëjtësimi i termave teknike e shkencore në tekste të ngjashme të profileve e degëve të ndryshme teknike. E, secila punë drejtuese organizative e realizuese e secilit tekst, para miratimit nga ministria e arsimit,kalohej në duart e në filtrat e mendjes së tij. Madje edhe në shkolla, ndiqej ecuria e teksteve, përmbajtja tekniko-shkencore e problemet e përdorimit të tyre dhe, sugjerimet reflektoheshin në ribotime!
Koha e tejzgjatjur ditore e javore e punës e lodhën mjaft atë. Por edhe ia zgjeruan sidomos njohuritë shkencore për të gjitha profilet. Madje, gjatë aktivizimeve si pedagog i jashtëm në universitetin e Tiranës (sp.Gjeologji-miniera) u aktivizua si bashkautor i disa teksteve të arsimit të lartë, sp. Gjeologji etj, gjë që ndihmoi në vendosjen me saktësi të termave teknike e teknologjike në lëndët vijuese nga e mesmja teknike në nivelin universitar. Ishte koha kur kishte lindur nevoja e përgjithësimeve, shkencore tekniko- profesionale e pedagogjiko -metodike në të gjitha lëndët e profilet që studioheshin në mbarë arsimin e mesëm ose parauniversitar shqiptar. Ministria e arsimit projektoi dhe gjeti si zgjidhje ngritjen e disa institucioneve si Kabinetet pedagogjike në çdo rreth dhe në qendër, Tiranë,me vendim të veçantë, u hap në vitin 1970 Instituti i Studimeve Pedagogjike. Këtu, përmes kuadrove nga më të zgjedhurit për profile e lëndë, nisi dhe u realizua gjatë një vargu vitesh, një punë e madhe studimore e shkencore dhe u shënuan progrese të dukshme, në përshtatje me kohën.
Për arsimin profesional u hap një sektor më vete dhe drejtues (shef) u emërua pikërisht Pajtim Bejtja; i kaluar në atë institucion pas një pune të madhe disavjeçare me programe e tekste në përmirësim, siç u tha më lart, në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor. E kush më mirë se ai mund ta kryente këtë detyrë?!... Një varg i tërë punimesh shkencore pedagogjike mbi zbatimet e teksteve në shkolla, sidomos ato me karakter teknik, mbi metodat e punës pedagogjike të mësuesve,ingjinierë, ekonomistë, agronomë etj. të ardhur nga prodhimi, si dhe seminare e mësime metodike në shkolla, ishin forma nga më të pëlqyerat që u pranuan nga mësuesit specialistëdhe u zbatuan me sukses nëshkollat rofesionale e teknike në mbarë vendin.
Nga ingj. Pajtimi me baskëpunëtor ingj. S. Tafaj, u përgatit dhe u botua Metodika e përgjithshme e aftësimit praktik profesional të nxënësve.Ky libër është manuali i parë teoriko-praktik profesional pedagogjik për nxënësit e arsimit të mesëm në Shqipëri. Bashkë me disa të tjerë, të karakterit monografik ose studime, u botua edhe një buletin informativo-metodik,professional, kryesisht nga përvoja e huaj, që qarkulloi në 12 numra. Edhe atë, e projektonte, mblidhte shkrimet dhe I përgatiste përbotim, prof. Pajtimi. Titujt e përmendur këtu e të tjerë, përbëjnë literaturën bazë pedagogjike të hartuar gjatë 30-35 viteve kur Pajtim Bejtja drejtoi punët në sektorin që iu besua dhe fitoi titullin Prof.Dr.
Faqe më vete përbëjnë plot veprimtari të gjalla me 4-5 projektet e realizuara me shkolla nga vende të huaja gjatë një vargu vitesh, pas 1990.
Prof. Dr. Pajtim Bejtja, me sa dimë, është specialisti i parë i arsimit, që herët e shumë herë, me gojë e me shkrim, ka ngritur zërin për zgjerimin e arsimit profesional në vend. Ai përkrahte sidomos implementimin e të mësuarit dual, atë të të mësuarit tërë jetën, nevojat e arsimimit të të rriturve.Puna me profesor Pajtimin, siç e kam jetuar vetë, të sillte kënaqësi, përmes maturisë e dashamirësisë pa asnjë “përkëdheli”.Edhe lidhjet miqësore me të merrnin ngjyra të bukura, me përmbajtje të thellë shoqërore e shkencore. Përmendim bisedat mes tij e miqve si shkrimtari-pedagog Prof.dr. Ilinden Spasse, Prof.dr.Shefik Osmani. Prof.dr. Murat Gecaj, shkrimtari Viron Kona etj etj. Pranë tij, vetiu ngriheshe në profesion apo si studjues me pretendime që , për mua, sollën edhe arritje të larta shkencore. Ai ishte dhe mbetet njëri nga dy personalitetet e vlerësuar me titullin e lartë “Profesor Doktor” në arsimin e mesëm profesional të Shqipërisë.
Tiranë,10 Dhjetor 2021 Prof.dr. Hektor Veshi
Comments