top of page

Ikja e tretë e ‘profet-shkrimtarëve’, Jaçellari


Halil Jaçellari (14 korrik1940 – 23 tetor 2009)

Ikja e tretë e ‘profet-shkrimtarëve’, Jaçellari


Dr Fatmir Terziu


Natyrisht sot është e diel…, por krejt çuditërisht nuk është më ndër nesh autori i “Nesër është e Diel”. Halil Jaçellari, shkrimtari që bëri emër në krijimtarinë shqiptare me romanin “Nesër është e diel” ka lënë gërmat e tij në dihatjen e fundit. E diela e tij figurative, e nesërmja e tij e tillë ka mbetur aty mby kapakët e shtrenjtë të vrullit të tij krijues. Ai ka ndërruar jetë!

Një telefonatë nga disa miq të letrave në Shqipëri, dhe një lajm disi ndryshe do të përzhitej me këtë diell të çuditshëm disivjeshtuk londinez, teksa shkrimtari, Sazan Goliku do të shpërndante kokrizat dixhitale në veshin tim, prej andej, nga kryeqyteti i bukur i vendit tim. E teksa ndjeja lajmin prekës, sytë më rendën në arkivën time. Kisha shkruar që herët për këtë shkrimtar, madje edhe në “Kritika ndryshe: Një vëzhgim në prozën dhe poezinë shqiptare”, këtij autori i kisha kushtuar vëmendje të rrëndësishme. Ishte një paralajmërim i tij i hershëm për një të Diel. Dhe natyrshëm në këtë paralajmërim shkrimtari ka edhe një dell-lidhe me profecitë, me ndjenjën e mishërimin e jetës.

Është një ikje rradhazi e mjaft të tillëve, ‘profet-shkrimtarëve’ të letrave shqipe. Një ikje e ndjeshme e shkrimtarit Dhimitër Xhuvani, të cilin vetë kryeministri i Shqipërisë e cilësoi: “Letrat shqiptare humbin një prej princërve të tyre më të shquar, një nga krijuesit më të fuqishëm të letërsisë shqipe. Bota intelektuale humbet intelektualin e madh. Dhimitër Xhuvani është një personalitet i rrallë në botën e letrave dhe të mendimit shqiptar, i cili sintetizoi, ndofta më mirë se kushdo tjetër, krijuesin e shquar e të talentuar me qytetarin me integritet të lartë moral dhe njerëzor. Kushdo që e ka njohur e ka admiruar për romanet e tij, por ata që e kanë njohur nga afër e kanë admiruar po kaq për njerëzinë, mirësinë, intelektualizmin dhe qytetarinë që ai rrezatonte. Ai lë një emër të madh, lë një boshllëk të madh.”

Pastaj ikja e ndjeshme e poetit shpirtvarg, Dhori Qiriazi, që shënoi një zgjim anëmbanë Globit, ku gjenden dhe jetojnë shkrimtarët shqiptarë për të thurrur vargun e zemrës për të, për të thënë kujtimin, të pathënën, të veçantën, ndoshta edhe atë që Qeveritë kurrë se kanë bërë për shkrimtarin, duke i dhuruar atij vetëm ‘qoshen e zymtë të harresës”.

Dhe tani kjo ikja tjetër që vjen menjëherë e treta në këto ikje ditësh pa kalendar, në këto ikje të ‘profetëve të letrave shqipe’. Ikja e Jaçellarit është një ikje në prag të kësaj të diele, në prag të kësaj dite që ai e vulosi me dashuri, mjeshtëri, bukuri e sinqeritet në zemrën e qindra lexuesve e pastaj të brezave që do ta kërkojnë këtë të diel si një simbol për të lidhur e kuptuar kohërat, evoluimin e tyre.

Jo më kot në shkrim-lajmin e saj të bukur gazetarja dhe shkrimtarja shqiptare, Miranda Haxhia, shkon më tej kur gërmon në tërë këtë pasuri që vjen nga Lushnja: “Me emrat dhe veprat e artistëve, "ma hëngri kokën" edhe mua, Lushnja që e desha dhe e dua aq shumë, sikur të ishte qyteti im i lindjes, sepse është qytet që përmes figurave të shquara të intelektualëve ngulmon të të përcjellë kulturë, frymë demokratike, art dhe dashamirësi. Nuk harroj dot se kjo prurje e formim ka ardhur e vijon të vijë nga Vaçe Zela, Margarita Xhepa, Visar Zhiti, Loni Papa, Faslli Haliti, Vath Koreshi, Izet Shehu, Shpend Sollaku, Gëzim Hajdari, Gazmend Kapllani, Roza Haxhiu, Lazer e Jozef Radi, Ferdinand Laholli, Fatbardh Rustemi, Sherfi Balietj.etj. Dhe tani e më tej, në emrat e të ikurve, do të jetë shkrimtari dhe tregimtari i rrallë, Halil Jaçellari.”

Por unë do të shtoja edhe dhjetra e dhjetra të tjerë që penën dhe talentin e tyre e mbrusën në këtë burim pasuri të kësaj treve, që në faqet e historisë më shumë ‘lëndohet e rrëndohet nga tisi i ngjeshur i baltës’. Janë emrat e shumtë të gazetarisë, emra që sillene rreth penës dhe talentit të gazetarit dhe publicistit shqiptar, Dalip Grecës, emra që duan javë për t’i përmendur. Kështu në tërë këtë renditje të cituar e të pacituar, emri dhe vepra e tregimtarit të veçantë, të lexueshëm shqiptar, Halil Jaçellari, do të mbetet në pragun e një të Diele. E djela e nesërme do të jetë ndryshe, pa një emër në prozën shqiptare, pa një ndryshe në emrin e saj, emrin e një dite që thoshte shumë në kohën që ajo u shkruajt, pra “Nesër është e diel”. Lajmi që përshkroi mediat shqiptare më pas do të ishte: “Shuhet në Romë pas një sëmundjeje të rëndë, shkrimtari lushnjar, Halil Jaçellari në moshën 69 vjeç. Dikujt i duket moshë e madhe, dikujt herët për t'i dhënë lamtumirën kësaj bote. Përpara se të ishte shkrimtar, ai diti të ishte njeri i mirë, prind i mirë, demokrat i denjë, anëtar i orëve të para qysh kur në qytetin e mërzitshëm gëlonin më shumë se mushkonjat, gjembat e diktaturës komuniste; dhe gjithmonë në mënyrën e tij, një ëndërrimtar i së bukurës dhe i të resë.(Haxhia). Unë nuk e pata takuar kurrë shkrimtarin Jaçellari, por e pata lexuar me nge. Sipas Haxhias ai shfaqej me këto cilësi njerëzore: “E folur e thjeshtë, zëri i qetë, urtësi e përçuar prej një familjeje, e cila me mund e sakrifica e rriti për të qenë sot e nderuar nga kumti që përcjell edhe me aktin e fundit, Halil Jaçellari - vdekjen! Është nga ata miq për të cilët as një fotografi nuk e gjen dot në albumin e kujtimeve. Si t'u përkiste miqësive me të cilat komunikon pa fjalë!” Halil Jaçellari u lind në vitin 1940 në qyetetin e Lushnjës dhe ishte në fakt një protagonist dhe përgjigje reale i një dileme që sot më shumë se kurrë ka mbërthyer fjalët ‘krijues’, intelektual’. “Pavarësisht se nuk mbaroi arsimin e lartë, ai zotëronte dhe fliste shkëlqyer anglisht, italisht dhe frëngjisht, ishte i pasionuar pas letërsisë, duke e parë atë si një dritare ku binin rreze të një demokracie të ndaluar në një vend ku diktatura kishte veç mure, gjemba dhe dhunë. Megjithatë, talenti i tij nuk mbeti i izoluar, ai ishte i tillë që kapërceu edhe censurën dhe në vitin 1976 botoi vëllimin e parë me tregime "Mirëmëngjesi njerëz", më tej botoi vëllimin e dytë me tregime "Hapat e tij", "Nuk është kjo dashuria", "Sezoni pa dasma" etj. Për të shkëlqyer me romanin e tij "Nesër është e diel" në vitin 1988 nga shtëpia botuese "Naim Frashëri", duke befasuar lexuesin, kritikën dhe gjithë dashamirët e artit të vërtetë dhe cilësor. Asnjëherë nuk bëri bujë, asnjëherë nuk deshi dukjen, por qe një shkrimtar me shpirt demokrat dhe ai zë, ajo klithmë që letërsisë ia fali si art të mrekullueshëm, iu desh për ta përdorur në fillim të viteve '90 kur përqafoi me pasionin e njeriut që dashuronte drejtësinë e lirinë e Volterit, të cilin e perifrazonte gjithmonë duke thënë: Unë nuk jam dakord me ty, por jam gati të jap jetën që ti ta thuash mendimin tënd!". Asnjëherë Kadareja nuk e kaloi rrugën përtej Lushnjes, pa u takuar me këtë shkrimtar të çuditshëm dhe të talentuar! Megjithatë, shkrimtari Halil Jaçellari nuk e shpëfoli kurrë miqësinë e çmuar me shkrimtarin e madh! Sepse dinte të ishte njerëzor dhe i thjeshtë!” (Haxhia).

Miku i tij i letrave nga Italia, Pierfrancesco Palattellashkruan “Ai vdiq, ndërroi jetë Halil Jaçellari. Ne njoftojmë me dhimbje të madhe lajmin pikëllues për vdekjen e Halil Jaçellarit shkrimtarit shqiptar, i cili kohët e fundit botoi letër i kishte bërë thirrje për Palazzo Scandebeg… Pastaj të botojmë kujtimet prekëse që do të na dërgojë "Komiteti për Mbrojtjen e të kulturës europiane" që shërben për të na njohur më mirë me shkrimtarët, dhe kështu edhe me nderin dhe vepërn e Halil Jaçellarit

"Halil Jaçellari nuk është më me ne. Kush mund ta ketë njohur atë nga afër e di se pyetjet e paraqitura nuk janë të lehta për të zgjidhur në përgjigje. Ai pyeti: "Pse kjo jetë ushqehet vetë? Pse prodhojnë qeliza, indet, mishi, e cila çon në thelb dekompozimin e tyre? Për shkak se trupi është i vjetëruar? Pse kjo luftë midis të gjitha qenieve të gjalla, derisa fituesi është rimpiza në trupin e mundur? Çfarë motor i palodhur lëviz brenda kësaj masakre? Kush shtrëngon atomet kaq fort? Kush e mbikëqyr çdo gur, çdo fije bari, çdo flluskim, çdo të porsalindur, me vëmendje të vazhdueshme për të udhëhequr ata në fundin e tyre? Lëvizja larg nga bota jonë tokësore është e kufizuar dhe e paplotë, ne jemi të sigurt se Halil Jaçellari në fund gjeti përgjigjet e pyetjeve që ngriti vetë përfundon miku i tij.

Lamtumirë, mik i letrave!



Halil Jaçellari (14 korrik1940 – 23 tetor 2009) ishte një tregimtar, romancier, poet dhe publicist Shqiptar. Lindur në Lushnje në mesin e luftës dyte botërore, dhe rritur në Shqipërinë e izoluar nga një nga diktaturat më të egra komuniste. Jeta dhe krijimtaria e tij, do të duhej të përballej jo rrallë herë me vështërsitë, që ajo kohë, rëndomtë i rezervonte shqiptarëve dhe sidomos shkrimtarëve shqiptar.

Jeta në atë ambient, ku liria e të shkruarit dhe e fjalës përballej me dhëmbët e hekurt të diktaturës, dhe ku rreziku se një interpretim i gabuar, shkrim i gabuar ose recensiòn i gabuar mund të kushtonte jetën, nuk e ndaluan Halilin për te vëne në jetë pasionin dhe talentin e tij më të madh. Një pasion ai i të shkruarit që jo pak herë i krijoj probleme dhe rreziqe, por që gjithashtu i rezervoi kënaqësi të panumërta. Krijimtaria e tij nisi gjatë viteve të gjimnazit, te cilin e kreu gjithashtu në Lushnjë, kohë kur u dashurua me letërsinë, dhe shkroi tregimet dhe poezitë e para. Tregimet e para i botoi në revistat letrare të kohës si nëntori, Rinia dhe Drita.

U martua më 1968, me Afërdita Hasanbelliun, e cila vinte nga një familje bejlerësh e luftuar ashpër nga regjimi komunist shqiptar.

Në vitin 1976 botohet më në fund libri tij i parë me tregime, “Mirëmëngjes njerëz”. Dy vjet më vonë, në vitin1978 boton librin e dytë me tregime “Hapat e tij”. Në konkursin letrar të vitit 1978 me këtë libër fiton çmimin e dytë të tregimeve duke mos pasur një çmim të parë për atë vit.

Dy libra të pritur mirë nga lexuesi shqiptar në përgjithësi, dhe të vlerësuar nga shkrimtarë të ndryshëm si Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare. Dy emra të mëdhenj të letërsisë shqiptare që përveç vlerësimit si koleg, nuk kursyen dhe interesimin në aspektin human për të.

Por koha ishte e tillë që kishte më shumë rëndësi vlerësimi i partisë se sa i gjithë të tjerëve, dhe kështu për të botuar romanin e tij të parë “Nesër është e dielë” ju desh të priste nga 1984 deri më 1988. Roman për të cilin në recencencën e tij Ismail Kadare shkruan: “ Meritë e romanit është se personazhet janë tepër të besueshëm, tepër të afërt. Besueshmëria dhe sinqeriteti janë karakteristika të çmueshme të këtij libri, i cili është një rrëfim i ngrohtë, i zgjuar tërë lirizëm, dashuri jete, mbushur me humanizëm të vërtetë” , ndërsa në të tijën Nasho Jorgaqi shkruan: “Përvoja si tregimtar i ka ardhur autorit në ndihmë.” Ai ka një gjuhë të punuar, emocionale, me një dialog të gjallë”.

Për këtë pritje katër vjeçare Halili pas viteve 90 do të shkruante “ Nesër është e diel” edhe pse me një recensiòn shumë entuziast nga shkrimtari gjigant Ismail Kadare, u prit me një ftohtësi të akullt nga redaksia. Në atë kohë redaktor te romanet punonte edhe një dhëndër i një anëtari të byrosë politike, i cili më parë kishte qenë drejtor i një biblioteke të një qyteti të madh. << e ç’është Ismail Kadareja që u dashka të udhëhiqemi nga mendimi i tij>>, më tha. Më kthehu një përgjigje gjysmë faqe, ku vinte në dukje gabime të thella ideologjike te romani dhe shtonte se nuk mund të botohej.”.

Pritja që i bëri lexuesi qe krejt e kundërt me atë të zyrtarëve. Çdo kopje u shit në pak ditë, dhe nga statistikat e bibliotekës qendrore shqiptare rezultoi libri me i kërkuar për atë vit. Edhe pse suksesi kishte qenë shumë i madh romani nuk u ribotua. Shkrimtari Fahri Balliu shkroi në Drita ku vinte në dukje se vetë drejtori i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” i kishte thënë : “Nga gjithë Shqipëria kanë ardhur letra, kërkojnë ribotimin e romanit Nesër është e diel”.

Me ndryshimet pas rënies së murit të Berlinit, në fillim të vitit 1991, tre ditë para rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, në gazetën e re “Republika” botohet më 17 shkurt 1991 një artikull i Halil Jacellarit, letër e hapur drejtuar Ramiz Alisë, Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së ku kritikohet ashpër regjimi komunist dhe diktatori Enver Hoxha.

Mbas rënies së diktaturës punoi në fillim si drejtor i bibliotekës së Lushnjes. Në të njëjtën kohë botoi dhe drejtoi për afro dhjetë vjet gazetën lokale javore “Hapësirë mendimi”, ku botonin shpesh shkrimtarë dhe poetë të Myzeqesë, si Faslli Haliti, Vath Korreshi, Visar Zhiti, Bujar Xhaferri, Ilir Levonja, Fatbardh Rustemi e shumë të tjerë.

Nga 1995 deri në 2002 mbuloi detyrën e drejtorit të Muzeut Historik të qytetit të Lushnjes deri në daljen në pension.

Gjatë kësaj kohe në 1996 ribotoi romanin “Nesër është e djelë” si një detyrimi moral kundrejt atyre lexues të shumtë që vite më parë kishin kërkuar ribotimin e këtij romani. Botohet me disa poezi në “Antologji poetike me autorë lushnjarë” të vitit 1999 të “Onufri”. Botoi në 2002 një përmbledhje me tregime të zgjedhura dhe në 2005 romanin e mirëpritur “Sezoni pa dasma” gjithmonë nga shtëpia botuese prestigjioze “Onufri”.

Për një kohë të gjatë ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes Së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar për degën e Lushnjes.

Në 2007 transferohet në Itali për tu kuruar nga një tumor në spitalin shtetëror “Umberto I” të Romës. Në shtator të 2009 dorëzoi në shtyp tek “Onufri” romanin e tij të fundit “Humnera e mëdyshjes” dhe librin e fundit me tregime “Anni rubati” në shtëpinë botuese italiane “Edizioni D’Agostino”. Gjendja tij shëndetësore u rëndua më shumë dhe në darkën e 23 tetorit 2009, u shua në shtëpinë e djemve të tij në Romë.

U varros në qytetin e tij të lindjes me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij, shkrimtarë e artistë dhe politikanë nga e gjithë Shqipëria.

Vepra të botuara prej Halil Jacellarit[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mirë mëngjes njerëz (1976 Tregime )

Hapat e tij (1978 Tregime )

Nesër është e djelë (1988 Roman )

Nuk është kjo dashuria (1996 Tregime )

Përralla nga Hans Christian Andersen (1996 Përkthime )

Nick Sniffle and Dr. Yeah (1997 Përkthime )

Tregimet e Guy de Maupassant ( 1999 Përkthime )

Tregime (2002 Tregime )

Sezoni pa dasma (2005 Roman )

Humnera e mëdyshjes ( 2009 Roman )


31 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page