Nga Prof Dr Fatmir Terziu
Ndoshta jo më kot kjo ikje la shenjë në Parisin e kulturave...
Ai e kishte pikënisur ikjen...Ikjen në ditë të shënuara të Muajit të Madhërueshëm të Agjërimit për besimtarët myslimanë, në ditët e Ramazanit... Ikja e Shenjtë e poetit të paqtë, mbeti fakt. Ishte poeti që kishte kohë që kish lënë ‘shenjën’ e dukshme në largimin e tij. Fjala dhe Njeriu, arti i fjalës dhe poeti, kishin kohë që bënin ‘revoltë’ me shpirtdhimbjen e kohërave.
Revolta ishte e natyrshme. Herë e dukshme, herë e padukshme. Ikja prej saj ishte një arrati. Një arrati e shpurpurt. E shprishur. Dhimbëse. Dhimbëse deri në shpirtdhimbje.
Dhe kështu shpirtdhmbja e poetit la një grimë kujtese diku larg Atdheut..., larg dheut amë. Shpirtdhimba e shkroi me zemërdhimbje emrin Ali Podrimja. Jo thjesht si një dhimbje poetike, jo. Si një përshpirtje të patretshme jetësore që kërkonte dihamën shpirtërore në një hapësirë të lirë.
Kështu e njoha njeriun Podrimja. E takova në buzëmbrëmjen e 22 Qershorit të vapët, plot zagushi të Sarandës poetike. E takova në ikjen e tij revoltuese. Të pakuptimtë, por të ndjeshme. Dhe aty gjeta atë që Zarballa, poeti dygjuhësh e brilant i Jonit Poetik, do ta cilësonte si një temë më vete: “Njeriu - poet, dhe poeti – njeri”. Aliu i kishte të dyja nën sqetullën e jetës. Brilanti lapidar i poezisë, njeriu-poet i dhimbjes ishte bërë edhe rebeluesi poet. E kishte nga poezia? Nga arti i fjalës? Nga pesha e dhimbjes? Jo. Poeti i ndjenjës dhe poeti që çliroi poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj, kishte edhe sekretin e ikjes në brendësinë e njeriut. Njeriut që lindi dhe u rrit në Gjakovë. Njeriut poet që vuri parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut.
Kështu ikja e tij e ‘mistershme’ mbeti një arsye në këtë mjedis letrar, ku mes ikjes u ringrit edhe synimi i poetit për t'u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t'i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e duke nxjerr në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe euforisë. Edhe ikjes nga jeta ai i dha një arsye të tillë. Kështu ai la më shumë se sa duhet në vargjetë, ritmin e përhershëm të misterit të ikjes. Ikjes së lënë gurr në kalanë poetike të jetëdihatjes së tij.
Larg kësaj ikjeje me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë, jetëdhimbja e tij do të mbetet një poezi më vete në morinë e mjaft autorëve që e ringrejnë atë nga vendi ku u gjet trupi i pajetë. Larg Atdheut, diku në afërsi të Parisit takimi poetik që kishte dhe mbajti në gji emrin e poetit, do të kujtojë në vite se pa vlerat që solli Ali Podrimja në poezi, nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj. Pra ai la një lapidar ku shkruhet se poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat do të nisin ata të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët. Kjo ndoshta ishte arsyeja e ikjes në tokë të huaj, ikje në gjuhë të huaj!
Ali Podrimja lindi e u rrit në Gjakovë. Studjoi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpírtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën "Jeta e Re". Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më drámatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqindmijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj! (fjala është për rrafshin e Dukagjinit,)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një...
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik ,Hija e tokës", të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist. Një vit më pas, më 1961, Ali Podrimja botoi përmbledhjen e parë me vargje elegjiake Thirrje. Më pas vijnë përmbledhjet Shamijat e përshëndetjeve (1963), Dhimbë e bukur (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore Lum, lumi, (1982), që shënoi një kthesë në poezinë bashkëkohore kosovare.
Në vitet '80 e '90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetikë si Zari, Buzëqeshje në kafaz etj., deri te dy librat në prozë: Burgu i hapur (1998) dhe Harakiri (1999).
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, efikase për të shprehur zona më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Publikimin e parë e bëri në vitin 1957 në revistën letrare Jeta e Re kur ishte në gjimnaz.
Rrethanat e vështira politike gjatë viteve ´60 dhe ato familjare më pas, kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në poezitë e tij. Vdekja e të birit, Lumit, rezultoi me veprën më të bukur të tij gjer më sot, ‘Lum Lumi’.
Poezija e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjithë trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja. Vargu i Podrimjës karakterizohet nga thjeshtësia, rima e padukshme, dhe simbolet e papritura.
Kështu që Saranda që e priti në ditët e poezisë Joniane, i dha e para arsyen e përjetimit poetit, që kishte filluar të shfaqë shenja ‘rebelimi’ me ‘ikjen’ e trazuar të tij. Saranda e sofrës së madhe të shtruar nga Mato, Maliqi, Mërkuri, Zarballa, Gjoni, Malo, Vogli e dhjetra e dhjetra të tjerë, sot ka shumë e shumë arsye të ndjejë këtë dhimbje. Edhe Athina e përkujdesjes së poetëve me Gjatën iniciator, ka po kaq arsye... Parisi sapo la në memorjen e tij kulturore ikjen e njeriut poet. Ndoshta jo më kot ai mbeti atje, në djepin e kulturave europiane, atyre që ai u dha frymë nga fryma e tij poetike. Përjetësi e bardhë poet. Përjetësi vargut brilant të Ali Podrimes, jetës së tij në poezi! Shpirti iu preftë në Paqe!
Comments