top of page

I SERTI


Thani Naqo

Megjithëse I Serti banonte në lagjen qytetare, e dinte se punonjësit e fermës shkonin në frontin e punës me autobuzët e vegjël në formë sëndyku, të përbaltur në çdo stinë, ose hipur në karroceritë e makinave e të zetorëve. E dinte gjithashtu se kooperativistët i vinin anash lagjes qytetare sikur të druheshin nga veshjet e arnuara e të hirnuara nga dielli e shiu, apo dhe nga opingat tradicionale, që sajoheshin nga kopertonat e makinave. Rrugën nga shtëpia për në vendin e punës shumica e kooperativitëve e bënin në këmbë ose me biçikleta, por kishte edhe nga ata që ngisnin gomerët ngjyrë gri, çuditërisht të shkathët dhe veshëpulushë. Gratë e fermës dhe kooperativistet mbanin shami të bardha në kokë dhe imitonin modën kineze duke lëshuar një çfarëdo lloj fustani mbi pantallona që mos zilepseshin pas kurmit të tyre brigadierët e kuadrot e bujqësisë. Qytetarët dilnin nga shtëpitë një orë më vonë se bujqësorët. Vishnin rroba të pastra, ama të arnuara, por me tegel të rregullt mbi gjunjë e bërryla. Kishte nga ata që thoshin për xhaketat apo palltot, “po të mballoset edhe një herë, e nxjerr një dimër tjetër.” Kur pantollonat

apo xhaketat nuk mbanin më arna, me copa prej tyre

dilnin arna ose sajoheshin rroba për më të vegjëlit. I Serti e dinte se kur vinte mbrëmja, të rinjtë bujqësorë hynin në xhiron tradicionale qytetare. Mirëpo, për shkak të shpërblimit të punës, një me dy e ca më tepër, siç ndodhte edhe me të, si pastures i banjave publike të meshkujve, rrallëherë hynin nëpër klube e restorante. Çmimet e mezeve apo ëmbëlsirave nuk qenë për xhepin e tij, as për të pesë fëmijët e tij, e as për familjet e bujqësorëve. Administrata, shitësat dhe zanatçinjtë hapnin dyert e zyrave e të punishteve në kohën kur mbërrinin nxënësit e shkollave të mesme që vinin nga fshatrat përreth. Nxënësit qytetarë kishin çanta prej lëkure e me dorezë, kurse nxënësit fshatarë çanta shpine prej doku, pantallona të pahekurosura dhe katër gisht më të shkurtëra se të qytetarëve. I Serti e kishte vënë re këtë nga noçkat e zbuluara dhe nga vijëzimi i shtojcës së manshetave lëshuara përfundi, mbasi, përveçse të rinjtë rriteshin shpejt, me një palë pantallona doku apo teritali duhej të kalonin dy ose tre vjet. Nxënësit fshatarë vishnin bluza prej leshi, ose prej akreliku, nga ato që ua thurrnin nënat me shtiza, apo edhe pulovra, edhe ato prej leshi, ngjyer në çoçanik ose me lëkurë lisi. Nxënësit e fushës vinin në qytet hipur mbi karroceritë e skodave turigjata që transportonin rërë për fabrikën e qelqit, ose zhavorr nga bregu i lumit. Si të fushës, ashtu e të malit, megjithëse ishin jo të shëndoshë e të paushqyer mirë, në dimër ishin faqepërskuqur nga acari. Paçet e pantallonave si djemtë ashtu e vajzat, i kishin gjithnjë të ngallosura me baltë, ose të pluhurosura nga gjunjët e poshtë. I Serti kishte zbuluar se nxënësit fshatarë dalloheshin nga ecja hapgjatë dhe e shpejtë, truppërkulur para. Kishte nxënës nga të fshatit që strehoheshin përkohësisht në shtëpitë e të afërmve të tyre në qytet, por ama xhiron e mbrëmjes qytetare e shihnin nga ballkonet si kotësinë më të madhe në botë. Ndodhte qe edhe dilnin në xhiro me grupin qytetar, por mezi prisnin të mbaronte, sepse u mpihej trupi e gjymtyrët nga ecja e ngadalshme. Të Sertiti i dhimbseshin, por edhe nervozohej me nxënësit fshatarë kur pastronin baltën nga shojet e çizmave apo këpucëve duke përdorur postafet me ujë në parkun Rinia dhe pikërisht para banjave publike. I Serti, nga që për veten e tij dhe fëmijët e tij, mbathnin këpucë të mballosura, e kishte parasysh çmimin e tyre. Ndërsa vazhdonte larja e baltës, ai kishte llogaritur se me pagën e tij mujore dy nga fëmijët mbeteshin pa këpucë të reja, njëlloj dhe e shoqja, e cila nuk ankohej kurrë dhe ende përdorte nallenet që ia sajonte ai vetë. Ama, prindërve fshatarë u duhej të punonin një muaj për t’i blerë këtë luks, për një palë këpucë të mira, fëmijës së tyre. Prandaj shumica e nxënësve fshatarë në verë vishnin sandale që bënin opingarët dhe në vjeshtë e në dimër këpucë të lira llastiku, këpucë me qafa, ose çizme qafëngushta. Mbi to, si vajzat e djemtë, lëshonin paçet e pantallonave për të mbuluar varfërinë e tyre. Përballja mëngjezore e nxënësve të shkollës së mesme bujqësore me të gjimnazit bëhej te rrethrrotullimi i sheshit. Bujqësorët bënin drejt veriut, qytetarët drejt lindjes, ku ndodheshin ndërtesat e shkollave.

Ceremoninë e pastrimit të baltës I Serti e ndiqte prej vitesh me shumë vëmendje e me shumë dhimbje gjersa një ditë dimri, mbledhur kruspull para mangallit, befas kishte duartrokitur dhe brofi duke thirrur sikur të qe zgjuar nga gjumi i thellë shekullor:

-Roftë brezi i përbaltur dhe i arnuar!

Gjyvendeja, pastruesja e banjave të femrave, kishte klithur:

-I marsh të keqen socializmit, gojëfarmak!

Gjysëm ore më vonë Të Sertin e arrestuan.


17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page