top of page

I paharruari Mirush Kabashi...


Shkruan Emine S. HOTI

Norvegji


I paharruari Mirush Kabashi,

Artisti i Popullit Shqiptar!


Më dëshpëroi shumë lajmi i ndarjes nga jeta të Artistit të Popullit Shqiptar, Mirush Kabashi, artist i njohur, i nderuar dhe i duartrokitur nga të gjithë, jo vetëm nga artdashësit, por nga i gjithë populli shqiptar në Shqipëri, Kosovë dhe në trojet tona në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi, sikurse dhe në të gjithë diasporën shqiptare. Emri i Mirush Kabashit ishte nga më të njohurit, zëri dhe interpretimi i tij pritej me respekt dhe entuziazëm.



Mirush Kabashi do t`i mbetet artit të skenës së teatrit, filmit dhe spektakleve shqiptare. Të gjithë rolet e tij në teatër, në filma dhe, veçanërisht roli i Sokratit të antikitetit të famshëm grek, te vepra “Apologjia e Sokratit”, e prezantuan Mirush Kabashin si një artistë që i kalon përmasat kombëtare. Ai e ringjalli Sokratin e madh të lashtësisë, i cili cilësohet ndër njerëzit më të ditur të të gjitha kohërave, duke i dhënë atij vlera të reja me interpretimin, portretizimin artistik dhe karakterin. Ky vlerësim ishte në të gjitha trojet shqiptare, edhe në diasporë, por Mirushi u mirëprit dhe u duartrokit edhe në skena evropiane e botërore me të njëjtin entuziazëm. E themi edhe një herë se, Sokrati i antikitetit u ringjallë edhe një herë nëpërmjet lojës brilante të artistit të madh shqiptar, Mirush Kabashi.


2. Duke luajtur në skenë rolin e Sokratit.

Me atë rol, Mirushi ynë na solli në kujtesë artistin e pavdekshëm shqiptar të skenës Aleksandër Moisiun. Kur shihnim Mirush Kabashin në rolin e Sokratit, ne sikur dëgjonim zërin melodik të Moisiut. Ndaj themi, sikurse Moisiu me rolet e tij të pavdekshme, edhe Kabashi me rolin e Sokratit, do të mbetet kurdoherë i paharruar në mendjet dhe në zemra tona. Ndihemi krenarë sot me Kabashin, më shumë do të krenohemi në të ardhmen, pasi ai luajti mbi 100 role në teatër dhe në filma, por ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike. Ne e kemi njohur atë edhe për interpretimet e tij të shkëlqyera, madje na vjen mirë kur dëgjojmë e lexojmë se ai është cilësuar një nga interpretuesit më të mirë shqiptar. Krahas shkëlqimit me “Apologjinë e Sokratit”, Mirushi ka shkëlqyer edhe në dhjetëra filma të Kinostudios Shqiptare, e veçanërisht në filmat: “Zëvendësi i grave”, ”Dora e ngrohtë”, ”Shoqja nga fshati”, teksa nuk e harrojmë rolin e tij brilant në filmin “Koncert në vitin 1936”, ku ai luante përkrah aktorit tjetër të madh të skenës shqiptare, Robert Ndrenika. Ndërkaq krenohemi kur lexojmë se Mirush Kabashi, krahas shumë çmimeve dhe dekoratave, mban edhe titullin e lartë “Nderi i Kombit”.


1.Mirush Kabashi duke interpretuar.

Si një bijë e Kosovës, mund të them se zëri i tij ka tingëllimën e një jehone në të gjitha trojet shqiptare, veçanërisht në trojet e Kosovës, ku Mirush Kabashi recitoi dhe interpretoi pjesë dhe poezi kushtuar betejave të luftës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke lartësuar dhe vënë në piedestalin e tij artistik UÇK-në. Emri dhe zëri i Mirush Kabashit ishte një kambanë e fuqishme lirie dhe demokracie, ishte një mbështetje e madhe për popullin shqiptarë të Kosovës dhe të të gjitha trojeve shqiptare.

Unë jetoj prej dekadash në Norvegji, por do të thosha se Mirush Kabashin s`ka shqiptarë në Norvegji që të mos i di emrin dhe veprën e tij e, veçanërisht monologun e famshëm të Sokratit.

Mirush Kabashi është mes nesh, është në jetën dhe veprimtarinë tonë të përditshme, në episodet dhe ngjarjet tona përkujtimore e festive, sepse ai me rolet e tij në filma dhe në teatër na ka përfaqësuar qindra herë artistikisht, duke na krijuar emocione dhe nxitje e dëshira të reja për jetën dhe të ardhmen e brezave tanë.

I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, shokëve, miqve dhe kolegëve!

I përjetshëm dhe i paharruar qoftë emri dhe vepra e Mirush Kabashit, aktorit që ngriti edhe lartësoi vlerat e artit skenik shqiptar!

27 views1 comment

1 Comment


Shkruar me zemër

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page