CIKËL ME POEZI
NGA PANAJOT BOLI
MEDITIM VJESHTE
Po m’i tjerr mendimet ky shi i qetë i pasditës
Me merak,pa u nxituar,m’i mpleks si gershetë
Me dorë m’i ngjyen me ngjyrën e melankolisë
E paftuar në tryezë,një gjethe e lodhur ulet vet
Kafja e ftohur dhe gjethja po rrinë të heshtura
Me serenatën e psherëtimave të shiut meditojnë
Të shastisur të katër: kafja, gjethja shiu dhe unë
Dhe retë, si sytë e vajzës së pikëlluar,që lotojnë
Të katër jemi ulur të ftuar në studjon e vjeshtës
Kafja mund të flas për veshjet që po ndërron dita
Gjethja për mallin e dallendysheve që ikin si ajo
Unë e shiu?! Për shijën e lotëve të mikes që prita
I KËRKOJ DIELLIT NJË GRUSHT DRITE
Zemrës i lutet shpirti: -Më merr në prehër, më puth, më përqafo
Hëna i thotë: -Të jap dritë sa të duash, gjer në të gdhirë mos pusho
Agu i pëshpëerit: -Vesën time për ty e bëj diamante me vezullime
Në lendinë vrapoj unë-thotë Marsi- të zgjedh lule për të ëmblën time
I them diellit:-Më jep një grusht drite, të lumturoj sytë e mikes sime
PERËNDIM
Sa herë, fëmijë, harrohesha pas diellit qe zhytej tutje në perëndim
Më çonte Piter Pani i mirë aty,të kundroja misterin e kuq, n’flakërim
Aty, pas detit që hidhte krahëve mos ftohej të kuqeremtën pelerinë
Aty, kerkonim portën magjike me çelsa të arta,të mirën mbreterinë
MË JOSH KY SHI
Në mbremjen e vërbër, shiu në dritare seç më thotë
Flet një gjuhë të lengët, të athët, nuk e përkthej dot.
Si Sirenat më ndjell,me një muzikë të butë, melankoli
Më josh me tingujt e trishtë..pastaj më ras në një qeli
Në qeli, i tulatur në një qoshe, lagështi,i heshtur, vetmi
Zgjat krahët në endërr syzgjuar,të më ngrohesh në gji.
Në qeli, si i mpirë rri,s’më ndahet kjo murgeshë vetmi
Këmbëdorazi zvarritem,si yjet në qiell kërkoj ato dy sy
Nuk e di pse më josh ky shi, pse më mban kaq orë në qeli
Nuk i mbaj inat,nuk e shaj,sa bukur,më sjell ca çaste tek ti
TË LUTEM, NDALO
Nuk durova me,dola të të prisja pranverë
Tek ugari i vogël prapa kodrës së fshatit
Si një kalorës dashnor te shtegu të prita
Tek zbrisje si një shtojzovalle monopatit
M’u duk se u vonove shumë moj pranverë
Ankthi në gjoks u bë lemsh,si zog çukiste
Sytë e saj më bën magji atë pasdite vjeshte
E shpirti im përnatë në liqenin e tyre voziste
Nuk të kërkova ndonjë dhuratë të shtrenjtë
Nga kraharori yt vetëm ca luledele të mora
Si fallxhore, fatin tek petalet e tua të shihja
Me aritminë e zemrës, tek po dridhej dora
U vonove pranvera ime dhe gati sa s’plasa
Mos vallë kaq kohë, kaq larg, më harroi ajo
Nxitoj petalet t’i heq një nga një, me radhë
Dhe dridhem, sa dridhem: Më do a s’më do
Mbaroj lulen e parë, harrohem, hutohem
Nuk e di si dola.Gabova? Më do a s’më do
Kap lulen tjetër, pastaj një tjetër, një tjetër
S’e duron zemra:Mjaft më, të lutem ndalo
MË MORI GJUMI MES LULESH
Një lendinë të bukur kam diku në fshat
Është lendina ime,s’e them, e kam sekret
Atje vete kur ndjej se më dridhet shpirti
Më pret edhe një endërr,varur në një fletë
Endrra rri varur në një degë dafine me vesë
Aroma e saj si vera e kuqe me deh shumë
Më mirren mendtë , më shohin lulet e rendin
Më marrin,në prehrin e tyre të fle pak gjumë
Një zukatje,si nanuritje muzike vjen në vesh
Me ngjyra ylberi një fluturë seç më ulet mbi sy
Lendina ime, qe nuk e di askush, u bë parajsë
Më buzëqesh ti e malluar?Dorën ma mban ti?!
ERDHI E PËRMALLUAR ERA SONTE
E pashë tek zbriste nga mali i fshatit tim era
Nuk mbahej, me inat zvarriste ca re gërmuq
I fryu të fikte edhe dritën e henës së shkretë
Që dridhej në qiellin e mugët si kandil i kuq.
Erdhi këtë mbremje gushti kaq e përmalluar
Nervoze, me shushurima mbushur trishtime
Zogjtë i çoi me herët të flenë në foletë e tyre
Nuk ngopej me pemët,me puthje e përqafime
Kercëu si e marrë,nuk priti sa të vinte vjeshta
S’përmbahet sonte kjo erë, me dufe shperthen
E di,e mira ime,ajo jashtë dritarës tende po pret
Përqafoje,zemër, e mua ajo brengë po më bren
Comments