top of page

...i ka lënë të dyzetat


Pol Milo

SHPENDI TOPOLLAJ


POL MILO NJË SHKRIMTAR ME TË ARDHME


Pol Milo, tani i ka lënë të dyzetat, por duket shumë më i ri. Ndofta të tillë e bën ajo fytyra e ëmbël gati fëminore me atë buzëqeshjen pak naive që nuk i ndahet asnjëherë, të cilën ai që e ka përballë nuk e kupton dot në është shprehje e edukatës së tij, e respektit për të tjerët, apo e modestisë, me të cilën kërkon të mos shfaqë asnjë epërsi intelektuale. Se kjo e fundit dallon menjëherë teksa nis e lexon librin e tij me tregime dhe skica filozofike “Shtegtimi i dinozaurëve fluturues”. Ai i ka përfunduar studimet e larta për ekonomi në Romë dhe e ka tërhequr filozofia, ndaj dhe në shkrimet e tij, ato shkrihen harmonishëm në një të vetme. Duket pak abstrakt në stilin që përdor dhe si i tillë, natyrshëm që ai lexohet dhe kuptohet nga një rreth i kufizuar njerëzish. Është pikërisht ajo lloj letërsie që rëndom e quajmë elitare dhe që më shumë se të argëton, të ve në mendime. Ai preferon prozën e shkurtër, shpesh, shumë të shkurtër, ku llogarit efektin e secilës fjalë. Pra, është mjaft i kursyer. Por aspak i tillë në ato që thotë. Duke i lënë fluturim të lirë fantazisë, ai rrok qiej e galaktika. Dhe gjithmonë kthehet këtu në Tokë, tek Ai. Tek Ai, pasi Poli nuk përdor asnjëherë emra të përveçëm. Si autor i pa anshëm, ai merret me fenomenin. Pastaj, lexuesi le t`i quaj ata si të dojë. Fare mirë, me formimin e tij profesional, Pol Milo mund të shkruante artikuj gazetareskë. Por ai ka zgjedhur të veprojë sipas porosisë që jepte V. Gëte se “Njeriu nuk mund të ikë prej botës më me siguri, sesa me ndihmën e artit; por me të nuk mund të lidhet më me siguri, sesa me ndihmën e artit”. Me një parathënien brilante, Erjon Muça i ka dhënë peshën e vet si këtij libri ashtu dhe autorit të tij. Ai me të drejtë shprehet se “Njeriun, “Qendrën e masës së lëkundur”, e paraprin tragjedia dhe e ndjek komedia. Më mirë le të themi, njeriu është Don Kishoti lakuriq, që tragjedinë e ka veshur si armaturë kalorësiake, ndërsa komedia e ndjek si Sanço Panço… që nga absurditeti ia kalon edhe vetë Don Kishotit: një i marrë që jeton mes iluzionesh nuk është edhe aq absurd, por një njeri që ndjek një të marrë, duke ditur mjaft mirë se është i tillë, është kulmi i absurditetit”. Dhe ashtu si në shumicën e tregimeve të tij, Poli e jep me pak fjalë në fund zgjidhjen, edhe sa cituam më sipër i sqaron në epilog me fjalët e antropologut. Kemi parë shumë qasje rreth shkencës së studimit të njerëzimit në të gjitha këndvështirmet jetësore, e sidomos ato shoqërore, kulturore e fizike. Ndofta fillesat janë që nga Herodoti, Aristoteli e Taciti me shokë, për të mbërritur te Hegeli i cili e konsideronte njeriun si qenie shpirtërore të ndarë nga natyra, apo Fojerbahu i cili antropologjinë materialiste e përkufizonte si masë të mendjes dhe gjithë asaj që ekziston. Se, duam apo s`duam, ka një korelacion midis materiales dhe shpirtërores. Shihni sesi arsyetonte Hesiodi te vepra e tij “Punët dhe ditët” qysh në shekullin e VIII - të p.e.s. teksa thosh se kur mbaroi koha e artë, njerëzit në tokë u shndërruan në shpirtra mbrojtës të gjeneratave të mëpastajme. A është edhe kjo pjesë e tregimit me të cilin çelet ky libër, me titull “Evolucioni universal i mospranimit”, ku flitet për nevojën e kalimit në dimensione të tjera? Jetojmë në një realitet ku duhet ditari i një iriqi që të na shpjegojë se: “A është asgjëja e kundërta e gjësë? Apo është një tjetër?! Nëse është gjë tjetër, atëherë këto mund të jenë dy gjëra të ndryshme”. Kështu dhe perceptimi i një fosili i cili ka mendimin se “Kjo është fatkeqësia e këtij planeti, që sundohet nga qenie pa bisht!” Kjo bota jonë është e çuditshme; këtu njerëzit më shumë i tremben asaj që nuk është shkruar e nuk është thënë, se po ndodhi që shkrimtari i madh ta thotë fjalën e tij, mendimet e veta, do kuptohej në mënyrë të ndryshme dhe do prishte ekuilibrin universal të qëndrueshmërisë. Po bubuzheli që formësoi tokën duke e rrotulluar cili qe, dhe pse nuk i kemi ngritur një obelisk? Mirë pa bisht, sikurse ne quan dinozauri, se nuk na duhet gjë, po si mund të pranojmë që jemi dhe pa identitet. Ja si thotë ai: “Tani që jam një njeri pa identitet, do të hap televizorin dhe do të shoh lajmet!” Pra, ai i shkreti po kthehet në robot. Si i tillë, ai nuk di t`i japë zgjidhje pyetjes se nga se vjen inflacioni, ndaj dhe beson kur i thonë nga ngrohja globale, pasi ajo ka rritur ndërkombëtarisht gravitetitn dhe për pasojë ka rritur peshën e mallrave. Çmimet janë po ato, por mall merr më pak. Se një të tilli, mund t`i gjesh bankomatin, kartën dhe kodin, por nuk do gjejnë dot atje asnjë kokërr leku, se e ka llogarinë zero. Një kryetar kërkon edhe nja dy zanore të tjera, se këtu ka shumë zhurma, dhe numri i atyre ekzistueseve është më i vogël se ato. Por ai harron atë thënien e grekëve të vjetër se “rrota e prishur e qerres bën më shumë zhurmë”. Jemi në botën e re të arsyetimit, (arsyeja e mosarsyes), ku arsyetimi është fare i papranueshëm dhe ku nga gjelat fiton konkursin jo ai që e ka kokën më të madhe, por ai që i fluturon koka sa më larg të jetë e mundur. Dhe s`ka sesi të ngjasë ndryshe, kur të thonë se bota ndahet në tre rrathë. I pari i të gjallëve, i dyti i të vdekurve, kurse për të tretin nuk keni pse ta dini. Dhe pikërisht kjo mosdije krijon ankthin e frikën, ku më e mira është të mos kundërshtosh. Te tregimi “Gjenerali i ushtrisë së padukshme”, autori analizon fare thejshtë raportin që ekziston midis luftës e lirisë, ku liria ka qenë e para. Atëherë pse erdhi lufta? Dhe shpjegimi; nga se luftojmë për pushtet, ç`ka pasohet nga brohoritjet: “Rroftë lufta për t`u dukur! Urra!” Epo të paktën, sot vërtetë flitet për demokraci, por jetohet me iluzione, dhe kjo s`është pak, kur filxhanit të kafesë i heq shkumën. Dhe meqenë se është kështu, s`të mbetet tjetër veçse të studiosh hijen e rrapit. Madje edhe të rrish në hijen e tij, se është mjaft e rehatshme. Se edhe vetë njerëzit janë interesantë; kur kutia magjike u siguron Dije, Zhvillim e Siguri, kërkojnë të pamundurën. Dhe kur ajo nuk ua jep, i thonë të zhdukej! Mos vallë gjithçka e ndeq viti i mbrapshtë, ku gjithçka kthehet pas, edhe stinët, edhe të papunët, edhe ata që kishin borxhe, edhe ata që kishin humbur paratë edhe… po kur njerëzit lexuan ditarin e antropologut, u kujtuan se gabimi i tyre paskej qenë se duke u marrë me dijen, kishin harruar padijen. Dhe kjo i paskej shpënë në rrënim. Pak ta quash ouerllian Pol Milon. Nuk i vë askujt gishtin në tregimet e tij. Jo nga droja, por nga mençuria. Emrat le t`i gjejë lexuesi i ngeshëm. Se për të tjerët, rëndësi ka fenomeni. Se i tillë është realiteti ku jetojmë. Jo më kot Alfons Lamartini (Alphonse de Lamartine), thosh se “Bota është një libër, faqet e të cilit hapen përpara nesh në çdo hap që hedhim”. Ja këtë bën me kaq mjeshtëri edhe shkrimtari durrsak Pol Milo, nga i cili presim të tjera vepra, pse jo, edhe të shkruara për masën e gjerë.

26 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page