SHPENDI TOPOLLAJ
Thënies së bukur të Emilio Salgarit se “Të shkruarit është udhëtim pa bezdisjen e
valixheve”, unë do t`i shtoja se edhe leximi i saj është i tillë. Ja, këtë udhëtim ose
shëtitje të këndshme provova edhe unë teksa përhumbesha mes faqeve të librit të
mikut tim Hysen Qendro “Danmark - disa nga shkëlqimet e saj”. Ai, me të drejtë
thotë “disa”, për këtë vend me 480 ishuj, nga të cilët 100 të banuar, pasi e ka të
pamundur ta përshkruaj të gjithin edhe pse ai shkëlqen i tëri. I themelua nga Gorni
Plaku rreth vitit 940, nën Knudin e Madh ky shtet u zgjerua duke përfshirë
Norvegjinë, Skocinë dhe Anglinë, dhe pas traktatit të Kalmarit në vitet 1397 - 1523
ju bashkuan edhe Islanda, Suedia dhe Finlanda. Me tendencë rritjeje 6.000.000
banorë, natyrisht sot, e rrudhur në rreth 43.000 km2, dhe e rrethuar nga dy dete,
Danimarka zë një vend të respektuar e me peshë si në mirëqenie, ashtu dhe në
zbatimin e normave demokratike, lirisë së shprehjes, lëvizjes, rregullit, qetësisë e
ligjit dhe sidomos të kujdesit social e shëndetësor për njerëzit në nevojë. Aq e
vërtetë është kjo, sa autori, në libër këtë e ilustron me shprehjen e Bernie Sandersit
se ky vend duhet marrë si shembull, kurse Hillari Klinton, duke u përgjigjur atij ka
thënë se: “Ne nuk jemi Danimarka.” Në një nga librat e tij, romantisti - realist
Prosper Merime ka thënë se “Gjithë toka është atdhe për trimin, siç është uji për
peshkun.” Ja përse dhe Hyseni kur shkoi tek e bija në këtë vend, e pa të udhës jo
vetëm të shuaj kurreshtjen si turist i rëndomtë, por edhe të vrojtojë, të fiksojë, të
mbajë shënime, të bëjë krahasime, të marrë nga ajo përvojë, pa harruar të lançojë
vlerat e vendit dhe popullit të tij dhe të gjitha këto t`i hedhë në letër për ne të tjerët
që ndofta nuk e kemi pasur fatin ta vizitojmë Danimarkën. Në funksion të këtij
qëllimi, ai ndjek një rend të caktuar, që nga trillet e rastësisë, ku vajza Klarita dhe
dhëndrri Kemali, nga familja e njohur atdhetare Libohova, njihen në një kafene me
Uffe Larssen në Tiranë, sistemimi i tyre me ndihmën e tij dhe gruas së tij Mette në
Danimarkë, dëshira për të vizituar vende të tjera, peripecitë për marrjen e një vize,
udhëtimin më pas pa kokëçarjen e radhave nëpër dyer ambasadash, etjen e pashuar
për të parë e mësuar sa më shumë. Në vitet e komunizmit ishte lodhur me
kufizimet dhe propagandën gënjeshtare që e konsideronte çdo vend kapitalist në
mjerim e rrënim. Ai tani i jepte plotësisht të drejtë vërejtjes së Senekës se “E keqja
jonë është se duam të mësojmë më shumë në shkollë se sa në jetë”. Ja që jeta ishte
krejt tjetërsoj; në mjerim e rrënim ishim ne që e katandisëm popullin në varfëri e
kufizime të paimagjinueshme. Se Danimarka nga ana e saj ishte vendi i gjashtë në
botë për nivel jetese, ku punëtori për një orë pune merrte 40.3 Euro, kur mesatarja
e vendeve të BE - së është 24.6 Euro. Gjithashtu, nëqoftë se ky punëtor del në
asistencë, paguhet afërsisht po aq sa e kishte rrogën kur ishte në punë, pra 90 % të
saj. Dhe nuk vonon t`i referohet shprehjes së Fukuyamës që e quan këtë shtet
mrekulli të politikës moderne, ku dallojnë tre elementët e domosdoshëm;
administratë efektive, sistemi transparent i drejtësisë dhe qeveri që e ka normë
dhënien llogari para shtetasve të vet. Pasi na jep një tablo të shkurtër, por mjaft të
saktë të historisë së këtij vendi, Hyseni ndalet te njerëzit miqësorë, korrektë e mjaft
bujarë, te gatishmëria e tyre për të ndihmuar të tjerët, te thjeshtësia në komunikim,
te entusiazmi që tregonin pas vizitave në Shqipëri, te krenaria për vendin e tyre, te
dhimbja që reciprokisht ndienin për largimet nga jeta të ndonjerit, te adhurimi për
natyrën, te përpjekjet e pareshtura për të ruajtur të pastër mjedisin, duke udhëtuar
sa me biçikleta aq në këmbë, te mungesa e krimeve e sidomos e vjedhjeve etj. etj. I
bindur se lexuesit i kanë pasur dhe i kanë të gjitha mundësitë apo lehtësirat që ta
njohin vizualisht Danimarkën nga ana ndërtimore, urbanistike dhe arkitektonike,
Hysen Qendro nuk merret gjatë me përshkrimin e tyre, duke përjashtuar kalanë e
Kronborgut në Helsingor, ku u shkrua nga William Shekspiri tragjedia e famshme
“Hamleti” dhe disa muzeume, ndofta dhe të thjeshta, por që ruheshin me
fanatizëm. Ai më shumë përqendrohet në këtë libër te banorët, te edukata e tyre (pa
harruar vlerat e shqiptarëve dhe ata të Kosovës), te shërbimet me përpikmëri të
pabesueshme, te shkollimi, kultura, veprimtaritë sportive me të cilat merret dhe
nipi i tij Holderi dhe sidomos shëtitjet dhe pikniket në natyrë. Kuptohet që natyra
për të është e shenjtë; ai e vlerëson atë sipas parimit aristotelian, se ajo nuk bën
asgjë të panevojshme. Prandaj dhe gjen aq kënaqësi kur shkon për peshkim edhe
pse këtu peshkimi ka rregulla të rrepta. Të gjithë e dimë pasionin e tij; se atë nuk e
tërheq gjahu, por gjuetia, siç e kuptonte këtë fizikani filozof Blez Paskali. Hysenit i
bën përshtypje dashuria për tokën që kudo e sheh të mbjellë e të sistemuar, shitja e
produkteve bujqësore buzë rruge, pa qenë fare shitësi, pra pronari aty, dalja në
lëndina, pyje a breg të detit dhe trajtimi i të moshuarve me kujdes aq të madh. Një
të tillë kujdes ai e konstaton edhe kur e shoqja, e ndjera Rrufe ishte e pamundur
dhe kishte nevojë për të lëvizur me karrocë. I sheh të gjitha këto dhe mendja i
shkon dashje pa dashje tek atdheu i tij. Nuk ankohet, por me takt e shpreh nevojën
e ndreqjes së shumë gjërave sipas shembullit të këtij populli e të këtij vendi.
Hyseni ndihet këtu si në shtëpinë e tij; ai ka gjithë vëmendjen e vajzës, por dhe i
shoqi i saj ka qëlluar një djalë fisnik. Dhe si ushtarak që ka qenë, ai e kujton atë
shprehjen e Napoleonit se “Ai që i jep vajzën së tij një burrë të mirë, fiton edhe një
djalë”. Dhe gjithë punën për mbledhjen, sistemimin dhe botimin e këtyre
shënimeve, Hyseni e përshkon nga bindja e tij se “Njerëzit, pavarësisht racave,
gjuhëve dhe shteteve që u përkasin, krijojnë njohje dhe dashuri të ndërsjelltë midis
tyre. Ata kur komunikojnë nga afër njohin karakteristikat e përbashkëta dhe
krijojnë lidhje miqësore që qëndrojnë gjatë. Kjo dukuri njerëzore është një e mirë e
madhe me vlera shpirtërore, kulturore dhe ekonomike.” Pastaj, a nuk thosh Pjer
Kornej, ai dramaturgu që besonte se për heronjtë bujarë, nderi dhe lavdia meritojnë
çdo sakrificë, se “Qetësia të mbyt. I gjallë është vetëm ai që punon”. Dhe mesa
duket, i tillë do vazhdojë të mbetet edhe më tej shkrimtari dhe njeriu i mirë e bujar
Hysen Qendro.
Comments