Hodgson, me “Ridënimin” e Lubonjës në anglisht
Fatmir Terziu
Një shkrim-reportazh i tij i para ca kohëve për revistën “Albanian Post” në gjuhën shqipe, na bëri të emocionohemi. Një gjuhë shqipe model, një stil të shkruari tipik perëndimor. Dhe kështu ne kontaktuam nga afër britanikun që flet dhe shkruan shkëlqyeshëm gjuhën shqipe. Shkruan dhe flet aq mirë gjuhën shqipe, saqë po të mos i dish emrin dhe nga është, kurrë nuk beson se ai është anglez. Është fjala për britanikun, John Hodgson, përkthyesin e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare.
Romani “Ridënimi” i Fatos Lubonjës në vjeshtën e këtij viti do të jetë edhe në duart e anglishtfolësve anembanë botës. I përkthyer mjeshtërisht nga shqipja në gjuhën angleze, nga përkthyesi tashmë i mirënjohur John Hodgson, romani që është kronika e një jete dhe përvoje të vetë autorit Lubonja, si edhe e shumë shqiptarëve të tjerë, nëpër gjyqet dhe kampet e diktaturës komuniste, përbën një nismë tjetër të Hodgson në fushën e përkthimit të letërsisë shqipe për të cilën ka surpriza të reja në të ardhmen.
Kush është John Hodgson?
Ka studiuar anglisht në Universitetin e Kembrixh dhe më vonë ka dhënë mësim në gjuhën angleze në disa vende të Evropës Lindore, shumica e të cilëve nuk ekzistojnë më. Më vonë u bë përkthyes. Jeton në Londrën Veriore (Stoke Newington) me mikun e tij violinistin Philip Yeeles.
Vec përkthimit të disa librave të Kadaresë ka përkthyer nga shqipja në anglisht edhe mjaft libra të tjerë, midis të cilëve është edhe libri i Azem Shkrelit “The call of the oël”, botuar nga Rilindja, Prishtinë, 1989. Por mbi të gjitha ai njihet si përkthyes i letërsisë shqipe në gjuhën angleze. John Hodgson ka shkruar mjaft artikuj për Edith Durham, një udhëtare angleze nëpër trojet shqiptare në fillim të shekullit të XX-të.
Lidhja me botën shqiptare
U lidh për herë të parë me botën shqiptare në vitin 1980, kur shkoi në Prishtinë për të punuar si lektor i Këshillit Britanik në Universitetin e Prishtinës. Atje përjetoi ngjarjet e vitit 1981. Ndejti katër vjet në Kosovë dhe për këtë periudhë kohore, Hodgson shprehet: “kam kujtime të pashlyeshme prej asaj kohe, e cila mendoj se ishte kohë e vështirë, por edhe një kohë që paralajmëronte të ardhmen, që askush nuk e dinte se c’do të sillte më vonë në skenën botërore”.
Pas rënies së komunizmit shkoi në Shqipëri. Për herë të parë ariti në Tiranë në vitin 1991. Që nga viti 1992 ai punoi në Universitetin e Tiranës. Puna e tij si lektor zgjati deri në vitin 1995. Ai për këtë priudhë shprehet: “përjetova Shqipërinë në vitet shumë të vështira”.
Përkthimi dhe letërsia shqipe
Në vitin 1998, përktheu “Urën me tri harqe” të Ismail Kadaresë, dhe duke e ngacmuar për vazhdimin e përkthimit të veprës së tij ai thotë se “ndoshta do të më vijë mundësia që të vazhdoj me përkthimin e Kadaresë, por ende nuk mund të them gjë”. Në lidhje me letërsinë shqiptare ai shprehet: “Une kam shumë autorë të preferuar shqiptarë, por mbi të gjithë në preferencat e mia është Lasgush Poradeci”. “Ura me tri harqe”, e përkthyer në anglisht nga John Hodgson, është një nga të vetmet që eshte perkthyer direkt nga shqipja origjinale e Kadaresë. Librat më të mirënjohur të Kadaresë që mund te gjenden ne anglisht jane “Prilli i thyer”, “Doruntina”, “Ura me tri harqe” dhe “Kronike në gur”, ku sic dihet “Ura me tri harqe” ëwshtë përkthimi i Hodgson.
Fjalët e tij për komunitetin shqiptar në UK
Në lidhje me komunitetin shqiptar në Britani të Madhe ai thotë: “Nuk mund te them shume per komunitetin shqiptar ne Angli sepse sapo jam kthyer vete ne Angli dhe miqte e mi ne kete komunitet jane me shume lidhje personale te vjetra prej se kaluares ne Kosove dhe Shqiperi, por shoh se ata dhe sidomos djemte dhe vajzat e tyre i jane adaptuar jetes ne Britani shume shpejt pa te gjitha ato perparesi dhe trajtime te posacme mikpritese te cilat me jane ishin mua si mik i huaj ne Kosove dhe Shqiperi. Ne kontrast me boten shqiptare, kush vjen ne Angli duhet te kujdeset per veten e vet”.
Comments