Festat mbaruan!
Thirrja “o sa mirë me kenë shqiptar” u dëgjua jo vetëm anë e mbanë trojeve arbnore, por edhe jashtë kufijve të atdheut tonë të dashur, i cili në këtë përvjetor të 110 të tij, u vesh me petkun e festës. U valavitën flamujt në erë dhe patriotizmi ynë i kulluar u ngjyros kuq e zi. Nëpër rrjetet sociale, “patriotët” e vërtetë, ata që ditë e natë nuk pushojnë “së menduari” për vendin e vet, nxituan të bënin selfie afër simboleve të tyre kombëtare, kush e kush të dëshmonte shkallën më të lartë të dashurisë për atdheun.
Në kryeqytetin helen, ku jetojnë mijëra shqiptarë, bashkia e Athinës, nëpërmjet shatërvanit të qendrës “Omonia” përkujtoi këtë datë, duke e “pudrosur” atë me ngjyrat e simbolit tonë kombëtar. Ky gjest i kryetarit të saj z. Bagojani ishte për tu përshëndetur dhe ne shqiptarët, shpesh herë mosmirënjohës, duhet t’i jemi mirënjohës.
Po ambasada jonë, përfaqësuesja e shtetit tonë dhe “qeveria në miniaturë” e gjithë bashkëatdhetarëve që jetojnë në Greqi çfarë bëri?
Sigurisht që, midis të tjerave, nuk mungoi koktei i përvitshëm, me të ftuarit e saj “special”, në përbërje të të cilëve, do të gjesh kryetarë organizatash dhe shoqatash, pjesa më e madhe fantazmë, me një numër të papërfillshëm anëtarësh, kryetarë dhe sekretarë partish, si dhe një elitë artisësh dhe shkrimtarësh, që jetojnë në shtetin helen.
Deri këtu, duket sikur çdo gjë është në kufijtë e normales. Por me ç’shihet, që këta të fundit të jenë “beniaminë” të ambasadës, duhet të plotësojnë një kusht: nuk mund të jenë të lirë!!!
Në këmbim të përfshirjes së emrit të tij në “listat e preferuara” ai nuk mund të jetë i inkuadruar vetëm në preferenca vetiake, brenda artit të tij, por si dikur, (edhe tani!!!???) duhet pa tjetër që emri i tij të jetë vendosur nëpër rreshtat e shoqatave apo partive, me kryetarë, sekretarë, anëtarë kryesie, firma lista...etj. Prezenca e tyre atje duhet të jetë e shoqëruar me “vulën” e vulëhumburve, se ndryshe...
Ky është një akt i pashembullt, të cilën burrokratët e ambasadës sonë e ndjekin, prej vitesh. Nuk do të hyj të bëj një analizë të emrave, që “meritojnë” të jenë në listën e njerëzve , të cilët nderojnë komunitetin shqiptar këtu, sepse kjo nuk është kompetencë dhe as aftësi e imja, por do t’i kujtoja znj. ambasadore, se në kriterin e përzgjedhjes, duhet patjetër të heqë dorë nga praktikat e vjetra të “futjes në rresht”. Ka artistë, shkrimtarë, apo njerëz të suksesshëm, të cilët angazhimin e tyre e shohin jashtë këtyre rreshtave, thjesht në arritjet, artin, apo në emrin e bukur që lenë në shtetin ku jetojnë.
Duke qenë se edhe më parë, në shtypin shqiptar të pranishëm në Greqi, kam shkruar dhe debatuar për poetin Luan Xhuli dhe arritjet e tij, nuk do të hezitoj për asnjë çast ta marr atë si shembull dhe të them, se në artin e tij të poezisë, në librat e botuar (jo të përkthyer) në gjuhën greke, në intervistat e tij, dhënë gazetave më në zë të shtetit helen, apo TV shtetërore, me pjesëmarrjen e tij nëpër Festivalet Ndërkombëtare të librit, poeti LUAN XHULI, përbën një risi më vete.
Ai është një ambasador i pastër, i cili me arritjet e meritueshme, duhet të bëjë të ndihet mirë, jo vetëm një ambasadore burrokrate (sa shumë kanë ardhur dhe kanë ikur të tillë), dhe stafin e saj, por edhe çdo shqiptar të thjeshtë, i cili punon dhe jeton në vendin fqinjë. Ai dhe shumë si Ai, janë urat më të pastra e më të sinqerta që lidhin dy popujt tanë. “Vilat” e tyre të mahnitshme janë ngrehinat shpirtërore, të cilat i shohin vetëm njerëz që kanë zemër të madhe.
Këto ditë, “To Vima”, një nga gazetat më të rëndësishme që qarkullon në shtetin helen, botoi një artikull të Lambrineis Kouzeli me titull “Oi σχέσεις στο χώρο της λογοτεχνίας και στο βιβλίο” “Marrëdhëniet në lëmin e letërsisë dhe të librit”, tek i cili thekson rolin e jashtëzakonshëm të librit dhe të shkrimtarëve në marrëdhëniet midis dy popujve. Në atë artikull ka disa emra poetësh dhe shkrimtarësh shqiptarë, midis së cilëve edhe Luan Xhuli, të cilët ngrejnë një pikëpyetje të madhe në përzgjedhjen që bën stafi juaj, kur kërkohet që vendi ynë të përfaqësohest denjësisht.
Sa prej emrave që përdor artikullshkruesja qenë të ftuar nga ambasada juaj në festën që ajo organizoi?
Në Greqi, ka plot syresh, anonimë të heshtur e nga ata që “nuk dinë të rrahin gjoksin” të cilët kanë dhënë shembuj të shkëlqyer të suksesit në shumë fusha të ndryshme, duke ngritur kështu emrin e tyre dhe ngjyrat e flamurit që ata përfaqësojnë.
Nëse armata e këtyre njerëzve, nuk është në “shënjestrën” e stafit tuaj, znj. Ambasadore, thjesht në shenjë respekti për kontributin e tyre, them se ata, zyrtarët e tu, që paguhen me taksat e shqiptarëve, nuk e meritojnë besimin e njerëzve të thjeshtë. Në këtë rast ne, emigrantët që mbushim radhët e numrave që duhen për të plotësuar vendet e tyre, duhet të pyesim se vetëm militantët e tu dhe “njerëzit e rreshtit” janë ata, të cilët në ditën e pavarësisë kombëtare do të mbushin mjediset komode të hoteleve, ku zhvillohen këto veprimtari?
Gjithësesi, unë si shqiptar i juaji dhe si një atdhetar modest them (pak me vonesë): edhe në qoftë kështu, e nëse në ndërgjegjen tuaj nuk ka kurrëfarë brerjeje: Gëzuar festën kombëtare, znj. Ambasadore!
Leon Lekaj
Athinë 2022
Comments